Op Ed

Disa këshilla për qeverinë dhe opozitën

Nga Bledar Kurti

Historia e njerëzve të lirë nuk është shkruar kurrë prej rastësisë, por prej zgjedhjes: zgjedhjes që njerëzit kanë bërë. Sot duket sikur shqiptarët nuk kanë mundësi zgjedhjeje. Edhe qeveria bashkë me opozitën justifikohen se nuk kanë mundësi zgjedhjeje. Shqiptarët, tashmë me mentalitet skllavëror e të frikësuar nga dogmat komuniste të së kaluarës, mendojnë se fati i tyre varet nga dora e politikës; qeveria, e cila nuk ka mundur kurrë të ketë një shtyllë kurrizore për të përballuar vështirësitë e identitetit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm, ankohet e qurravitur se kështu ua lanë paraardhësit e pushtetit; ndërsa opozita, nën anestezinë e përhumbjes ekzistencialiste, qahet se mazhoranca pengon votën e lirë dhe shtyp idetë dhe nismat e saj. Dhe kështu, në këtë qark të mbyllur kotësie, vitet ikin, integrimi ngadalësohet, vendi vuan, dhe shqiptarët ngordhin.



Shqiptarët kanë patur gjithmonë mundësi zgjedhjeje. Një shekull më parë ata zgjodhën të kenë shtetin dhe flamurin e tyre, tre dekada më parë zgjodhën të jenë perëndimorë të lirë e jo lindorë të skllavëruar. Dhe kur ky komb arriti të fitonte mbi një nga perandoritë më të mëdha të kohërave dhe një prej sistemeve më makabër të historisë, nëse shqiptarët zgjedhin që të zgjedhin, cilado zgjedhje që ata të bëjnë, pa asnjë dyshim do arrihet, madje shumë lehtësisht.

Edhe më të lehtë e ka opozita. Ajo nuk ka as edhe një përgjegjësi veçse të prodhojë ide dhe platforma qeverisëse. Sa e vështirë është kjo? Sa e rëndë qenka kjo barrë? Përse ajo fajëson popullin që nuk ngrihet e revoltohet, duke i quajtur shqiptarët nën zë se janë dele e skllevër? Si do reagonte populli nëse sot opozita do dilte me një platformë të tillë qeverisëse: Të dashur shqiptarë, në qeverisjen tonë të nesërme do të realizohen këto synime: 1) Nuk do të ketë pensione nën 30,000 lekë të reja (shoqëruar me planin e detajuar sesi arrihet). 2) Do zgjidhet një herë e përgjithmonë çështja e pronësisë së tokës. Të gjithë ish-pronarët do marrin kompensim fizik ose financiar, të plotë të pjesshëm, të konvertuar me zona publike të pashfrytëzuara etj., (shoqëruar me planin e detajuar sesi arrihet, hartat e tokave shtetërore, afatin kohor, etj). 3) Qeveria do ndërhyjë në rregullimin dhe përcaktimin e çmimit standard të naftës, duke e ligjëruar me 80 lekë për litër, për një periudhë të caktuar kohore (shoqëruar me planin e detajuar se si arrihet). 4) Do të ketë rritje të pagave për kategoritë e mësuesve, personelit shëndetësor, punonjësve në organet ligjzbatuese (shoqëruar me planin e detajuar sesi arrihet). 5) Do të krijohen skema punësimi për rininë, sezonale, me kohë të pjesshme e të plotë, me X numër vende punësimi (shoqëruar me planin e detajuar sesi arrihet). 6) Taksat mbi të ardhurat, taksat mbi biznesin e vogël e të madh do jenë me X% (shoqëruar me planin e detajuar sesi arrihet). 7) Do ketë rritje të buxhetit për arsimin dhe shëndetësinë (shoqëruar me planin e detajuar sesi arrihet). 8) Ashtu sikurse shteti ka centralizuar arsimin dhe sistemin bankar, dhe bankat krijojnë lidhje direkte me studentët, në qeverisjen e ardhshme do jetë shteti që do të shërbejë si garantues mbi pagesat e studentëve apo prindërve përmes Kredisë Studentore, dhe studentët do e shlyejnë kredinë gradualisht kur pas studimeve nisin marrëdhënien e punë (shoqëruar me planin e detajuar dhe ilustruar me vendet e botës që e zbatojnë këtë praktikë). 8) Ky është plani imediat, afatshkurtër e afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm në të gjithë sektorët e vendit (shoqëruar me planin e detajuar). E shumë të tjera si këto të cilat janë jetike për shqiptarët, dhe i japin një pamje tjetër autoritetit politik të opozitës, e shqiptarët që politika i quan dele, nuk do e thonë më atë shprehjen; te sheshi te sheshi nuk shkohet me këtë opozitë leshi. Vettingu në politikë apo votimi elektronik, janë koncepte absurde për barkun e pangrënë, për të riun e pashpresë, për të moshuarin pa ilaçe. Nëse opozita zgjedh të luajë më së miri rolin e saj, edhe populli do zgjedhë me mençurinë më të madhe.

Shumë më të lehtë e ka qeveria. Ne jemi një vend i vogël dhe shumë i varfër. Të gjithë shqiptarët e dinë këtë. Ndaj edhe pritshmëritë e tyre janë bazike e jo luksi. Ata nuk kërkojnë mrekulli, por vetëm një rreze shprese. Një qeveri që punon me zemër e me mendje për një të ardhme më të mirë për vendin do u japë zemër edhe shqiptarëve. Një qeveri që përbëhet nga mendjet më të shquara e ndritura të vendit, që ka rekrutuar ajkën e kombit për të ndërtuar Shqipërinë do u japë oksigjen aspiratash tre milionë shqiptarëve. Por, kur një qeveri tregohet arrogante dhe e krekosur e plot vetëkënaqësi, e që bashkëpunon jo me ajkën por me bajgën e kombit atëherë ajo është e dështuar dhe antishqiptare. Për më tepër, qeveria duhet të ketë edhe pak ndërgjegje politike e historike. Sedra duhet ta shtyjë çdo shtetar të gjejë zgjidhje për situatat në të cilat ndodhet vendi. Mjafton të kthehet koka pas në histori e të merren mësimet më të vyera që ka ofruar bota. Gjendja ekonomike, sociale e politike e popujve nuk ka ndryshuar aspak në 6000 vite qytetërim, ajo që ka ndryshuar është vetëm lloji i shtetarëve, me këta të sotmit të cilët janë thjesht politikanë prej letre. Ktheni kokën nga historia e gjeni shtysën e duhur, formoni idetë e duhura, merrni frymëzimin e duhur për të shkruar edhe ju historinë e popullit tuaj. Ja disa shembuj që na mëson historia, të analizuara nga Will dhe Ariel Durrant, apo shumë mendimtarë të tjerë: Në vitin 594 para Krishtit, në Athinë, pabarazia midis të pasurve dhe të varfërve kishte arritur pikën më të lartë, ndaj qyteti dukej se ishte në një situatë të rrezikshme. Zgjidhet Soloni, një biznesmen i linjës aristokrate, si sundues i Athinës. Ai zhvlerësoi monedhën, duke zbutur kështu barrën e borxhit (ndonëse ai vetë ishte kreditor); ai uli të gjitha borxhet personale, dhe i dha fund masës së burgosjes për shkak të borxhit që mund të kishte një individ; ai anuloi vonesat për taksat dhe interesat e hipotekës; themeloi një sistem progresiv taksimi mbi të ardhurat që detyronte të pasurit të paguanin dymbëdhjetë herë më shumë sesa të varfrit; njohu gjyqet mbi baza më popullore; dhe bëri të mundur që bijtë e atyre që kishin vdekur në luftë për Athinën të mbështeteshin dhe arsimoheshin me mbështetjen e qeverisë. Të pasurit protestuan që masat e vëna nga ai ishin zhvatje e pastër ndaj tyre; radikalët u ankuan se ai nuk kishte bërë një rindarje të tokës; por brenda një brezi pothuajse që të gjithë u pajtuan se reformat e tij e kishin shpëtuar Athinën nga revolucioni. Qeveria e Shteteve të Bashkuara, në 1933-1952 dhe 1960-1965, duke ndjekur metodat paqësore të Solonit, arriti një rishpërndarje të suksesshme, të moderuar dhe paqësore të pasurisë kombëtare; mesa duket dikush e kishte studiuar mirë historinë.

Romë, shekulli i IV pas Krishtit. Perandori Diokletian, i detyruar nga shtimi i varfërisë dhe trazirave ndër masat popullore, dhe nën një rrezik të afërt të pushtimit barbar, në vitin 301 pas Krishtit, ai lëshoi një dekret, i njohur si Edictum de pretiis, (Dekreti i çmimeve), përmes së cilit denoncoi monopolistët të cilët ruanin mallra nga tregu në mënyrë që t’i rritej çmimi, dhe caktoi çmimet dhe pagat maksimale për të gjithë artikujt dhe shërbimet e rëndësishme. U ndërmorën nisma të gjera publike në mënyrë që të punësoheshin të papunët, dhe për të varfrit ushqimi u shpërnda falas, ose me çmim të ulët. Qeveria – e cila tashmë zotëronte shumicën e minierave, guroret, dhe depozitat e kripës – i vuri pothuajse të gjitha industritë e mëdha dhe shoqëritë e përbashkëta nën një kontroll të rreptë. Thuhet se në çdo qytet të madh, shteti u bë një punëdhënës i fuqishëm. Kinë, viti 145 para Krishtit, u ndaluan subjektet private nga “përdorimi i pasurive të maleve dhe deteve, vetëm për të mbledhur fitime personale, dhe për të nënshtruar shtresat më të ulëta.” Kjo bëri që Perandori Wu Ti (i cili sundoi gjatë viteve 140-87 para Krishtit) të kombëtarizonte burimet e tokës, shtriu drejtimin qeveritar mbi transportin dhe tregtinë, vendosi taksë mbi të ardhurat, dhe kreu vepra publike, përfshirë kanalizime që lidhnin së bashku lumenjtë dhe që ujisnin fushat. Shteti mblodhi rezerva ushqimore, dhe i shiste kur çmimet ishin në rritje, blinte më shumë kur çmimet uleshin; kështu që tregtarët e pasur dhe pronarët e dyqaneve të mëdha do ndaloheshin të kishin përfitime të mëdha, dhe çmimet do rregulloheshin në të gjithë Perandorinë. Dhe për një kohë të caktuar, Kina u begatua si kurrë më parë.

Përsëri në Kinë. Wang Mang (i cili sundoi gjatë viteve 9-23 pas Krishtit) ishte një akademik i arrirë, një mbështetës i letërsisë, një pasanik i cili pasurinë që zotëronte ua shpërndau miqve dhe të varfërve. Pasi u ul në fron, ai mori rreth vetes njerëz të shquar të letrave, shkencës, dhe filozofisë. Ai kombëtarizoi tokën, e ndau në pjesë të barabarta midis fshatarëve, dhe i dha fund skllavërisë. Ashtu si Wu Ti, ai u përpoq që të kontrollonte çmimet duke mbledhur e duke shpërndarë rezerva ushqimore. Ai themeloi huadhëniet me interes të ulët për sipërmarrjet private.

Në Egjiptin nën sundimin e dinastisë së Ptomeleut (323 – 30 para Krishtit) shteti drejtonte bujqësinë: fshatarit i tregohej se cilën tokë të punonte, dhe çfarë drithërash të mbillte; të korrat e tij peshoheshin dhe regjistroheshin nga skribët qeveritarë, më pas bëhej shirja në dyshemetë shirëse mbretërore, dhe shpihej përmes një zinxhiri njerëzish te hambarët e mbretit. Qeveria zotëronte minierat dhe përvetësonte mineralet. Kombëtarizoi prodhimin dhe shitjen e vajit, kripës, papirusit, dhe tekstileve. E gjithë tregtia orientohej dhe përcaktohej nga shteti; Kishte taksa mbi çdo person, industri, veprimtari, produkt, shitje, dhe dokument ligjor. Për të ruajtur gjurmët e çdo transaksioni të taksueshëm dhe të ardhurat, qeveria mbante me rrogë një grup skribësh dhe një sistem të ndërlikuar të regjistrimit të personave dhe pronave. Të ardhurat nga ky sistem e bënë Egjiptin e dinastisë së Ptolemeut shtetin më të pasur të asaj kohe. U kryen vepra të mëdha inxhinierike, bujqësia u përmirësua, dhe një pjesë e madhe e fitimeve shkuan për të zhvilluar dhe zbukuruar vendin dhe për të financuar jetën kulturore. Rreth vitit 290 para Krishtit, u themelua Muzeu dhe Libraria e famshme e Aleksandrisë. Shkenca dhe letërsia lulëzoi.

Ne sot ende flasim për Egjiptin, Athinën, Romën, Kinën, Britaninë, SHBA-në etj., vetëm sepse disa shtetarë zgjodhën ta bëjnë detyrën e tyre sa më mirë. Ne presim që shtetarët tanë të luajnë një rol sado të vogël në historinë tonë të vogël. Ose minimalisht të përpiqen.

Historia shkruhet përmes zgjedhjes: qeveria jonë ka zgjedhur krekosjen, opozita gjumin e ideve, ndërsa shqiptarët kanë zgjedhur të largohen një orë e më parë nga ky vend.

Fatkeqësisht, kjo është historia moderne e kombit tonë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas