Dikur

Diplomacia mes dy luftërave, pse Zogu zgjodhi ‘strehën’ italiane ?!

Arben CiciAnaliza  e marrëdhënieve mes dy luftrave botërore në librin “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, botim i UET-Press, me autor diplomatin Arben Cici. Pëllumb Xhufi: Një histori e tillë me përthyerje e përmbysje të forta ka vazhduar ta karakterizojë politikën e jashtme të shtetit shqiptar edhe në dekadat e mëvonshme, deri në ditët e sotme.

 



Është folur shumë për marrëdhëniet shqiptaro-italiane gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, kur shtetformimi shqiptar ishte në hapat e parë dhe me probleme të shumta, ndërsa tentativat e vendeve fqinje për ta “sunduar” politikisht dhe ekonomikisht ishin të forta. Por shumë pyetje akoma mbeten të pasqaruara për situatën politike që ndodhej vendi ynë në raport me fqinjët në atë kohë, kryesisht me Jugosllavinë e Italinë e Musolinit dhe arsyet apo interesat që e shtynë Zogun të afrohej me Italinë.  Historia flet me gjuhën e dokumenteve dhe dëshmive për t’i lënë lexuesit të vlerësojë në bazë të tyre. Këtë tenton të bëjë dhe studiuesi dhe diplomati Arben Cici, i cili sjell një analizë të hollësishme të këtyre e marrëdhënieve italo-shqiptare në periudhën mes dy luftërave botërore. Në librin “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, botim i UET-Press, lexuesit mësojnë nga dokumente dhe dëshmi të kohës se si Italia arriti të fuste nën “strehën” e saj ekonomike e politike vendin e vogël të Ballkanit dhe pse Presidenti i atëhershëm, më pas Mbreti Ahmet Zog pranoi këtë marrëdhënie.

Ai ishte Zogu i interesuar për të qenë i varur nga Italia gjatë qëndrimit të tij në pushtet? Për përgjigjen e kësaj pyetjeje, Cici na sjell dëshmitë mbi dyzimin e Zogut, në mosngurrimin e tij të fortë për vendosjen e këtyre marrëdhënieve.  Po citojmë nga libri shënime që vijnë nga ditari i ministrit fuqiplotë të Italisë, që udhëhoqi negociatat dhe marrëveshjet e Zogut me Musolinin, Pompeo Aloisi.

“Ahmed Zogu dëshironte të forconte lidhjet me Italinë, por nuk dëshironte të asfiksohej prej tyre…, por mbi të gjitha pavarësia është themeli mbi të cilën ai ka vendosur aspiratat e tij të ardhshme, të Senjorit të vetëm të padiskutueshëm të një Shqipërie, ndoshta të dobët, të varfër, të rrethuar nga armiq kërcënues, por formalisht e barabartë me të gjitha shtetet në sovranitetin e saj të plotë. Udhëzimi i Romës për përfaqësuesin italian ishte i prerë: ”N se Presidenti shqiptar s’do të pranojë as variantin A dhe as variantin B, atëherë duhet të deklarohet hapur se tratativat do të ndërpriten”, duke u shoqëruar edhe me kthimin përkohësisht në Romë të Aloisit”.

Shënimet e Aloisit përbëjnë disa nga të dhënat më të forta edhe për paktin e fshehtë mes Zogut dhe Musolinit, i cili vjen i zbardhur në librin e Cicit. Një libër, të cilin Prof. Dr. Valentina Duka e cilëson si një kontribut me shumë vlera historiko-shkencore dhe diplomatiko-politike në studimin e historisë së Shqipërisë të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore. Në parathënien e saj për këtë libër Duka shprehet se “autori mban një qëndrim objektiv ndaj zhvillimeve historike, politike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore që ndikuan marrëdhëniet shqiptaro–italiane të viteve 1920-1930. Ndryshimet rrënjësore që pësoi Shqipëria e mbas Lidhjes së Kombeve, procesin e formësimit dhe të ngjizjes së shtetit shqiptar, autori Cici jo vetëm i sjell, por edhe i analizon në shtratin e marrëdhënieve shqiptaro-italiane, marrëdhënie të cilat përcaktuan fatin dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në vitet e vështira të pushtimit, gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Në këtë libër lexuesi gjen të dhëna të dokumentuara për luftën politike të viteve 1921-1924 dhe përplasjet diplomatike të shtetit shqiptar, sidomos në marrëdhëniet e nxehta dhe aspak komode me Italinë. Autori sjell me detaje çështje të tilla si, traktati italo-jugosllav (1925-1926), Pakti i Tiranës, lufta politike për aleancën mbrojtëse, roli dhe pozita e Italisë në krijimin e monarkisë shqiptare, kontradiktat dhe kriza në marrëdhëniet italo-shqiptare në fillim të viteve ‘30 etj.

Historiani Pëllumb Xhufi vlerëson prehtësinë e autorit për të përkufizuar kohën për të cilën flet studimi, vitet 1920-1934, që sipas tij janë thelbësore për të dekriptuar përpjekjet e shtetit të dobët shqiptar për të artikuluar një politikë të jashtme të qëndrueshme, që të garantonte më së paku pavarësinë, sovranitetin e integritetin territorial të tij.

“Me instinktin e një politikani të formuar në terrenin e intrigave e të luftërave klanore e ballkanike, Ahmet Zogu tentoi t’i shmangej “rrethimit” të shteteve fqinje, me interesa e synime të qarta mbi Shqipërinë, duke “u strehuar” në një aleancë me Italinë e Musolinit. Ishte një zgjedhje e detyruar, në njëfarë mënyre e sanksionuar nga vetë Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1921, e cila i kishte njohur Italisë rolin e garantit të pavarësisë e integritetit të shtetit shqiptar. Por Italia ishte e interesuar për një pavarësi të Shqipërisë ndaj fqinjëve ballkanikë, Jugosllavisë e Greqisë, rivalë të saj, ndërkohë që kërkonte një protektorat e deri varësi të plotë të shtetit shqiptar ndaj asaj vetë. Një përcaktim i tillë i politikës së Italisë fashiste ndaj Shqipërisë, nuk linte shumë shpresa për të ardhmen e shtetit shqiptar dhe të vetë Ahmet Zogut. Ajo çka ndodhi pas viteve 1930 në marrëdhëniet italo-shqiptare është një tentativë e dëshpëruar për t’i shpëtuar “darës” italiane, duke iu kthyer një “miqësie” të pamundur pikërisht me Jugosllavinë e Greqinë apo edhe me gjithë koncertin ballkanik”, shprehet Xhufi për librin e Cicit.

Xhufi i përmend një tjetër mesazh që ky libër përcjell tek lexuesi, impresionin që ai merr gjatë leximit se “një histori e tillë me përthyerje e përmbysje të forta, ka vazhduar ta karakterizojë politikën e jashtme të shtetit shqiptar edhe në dekadat e mëvonshme, deri në ditët e sotme”.

Në këtë kontekst edhe studiuesi Prof.dr. Adem Mezini, e quan këtë libër një shuarje të kërshërisë së publikut për të njohur të shkuarën e diplomacisë shqiptare. “Megjithë arritjet dhe evolucionet për shumë procese historike të së kaluarës, studiuesit shqiptarë janë borxhli për një njohje dhe analizë më të hollësishme të ecurive historike të shtetit shqiptar. Ky shtet që u shpall në 28 nëntor 1912 nuk pati kohë të tregojë energjitë dhe vlerat krijuese të popullit shqiptar. Luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore e shpunë vendin në shesh lufte dhe asgjë s’mbeti nga liria dhe pavarësia pas pesë shekujsh robërie. Për më tepër Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët projektuan në Traktatin e Londrës copëtimin dhe likuidimin përfundimtar të shtetit shqiptar. Por koha provoi edhe në rastin tonë se llogaritë e të mbrapshtëve zbulohen dhe në fund të fundit dështojnë. Lufta e Vlorës dhe qëndrimi i vendosur i presidentit amerikan U. Wilson në mbrojtjen e lirisë së popullit shqiptar përcaktuan dështimin e shteteve që projektuan Traktatin e Londrës. Kështu, në vitin 1920 rifillon realisht aktiviteti i shtetit modern shqiptar dhe në këtë kuadër dhe i diplomacisë së shtetit shqiptar”, shkruan Mezini në shënimin e tij në hyrje të librit të Cicit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas