Kryesore, Rajoni

Dialogu në Bruksel, Thaçi: Konflikti i ngrirë me Serbinë duhet të marrë fund

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, pritet të vazhdojnë sot në Bruksel me dialogun politik të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky takim pritet me tepër interes pas hapjes së debatit rreth mundësisë që në marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe çështja e ndryshimit të kufirit.

Po ashtu, takimi i presidentit Thaçi me homologun e tij nga Serbia vjen në kohën kur në Kuvendin e Kosovës kishte dy përpjekje, si nga Qeveria ashtu edhe opozita, për ndërhyrje në procesin e negociatave. Qeveria, provoi të formonte një ekip negociator për këtë proces të bisedimeve, përderisa opozita synonte që me anë të rezolutës të sanksiononte deri diku “lirinë” e presidentit Thaçi që në këtë dialog të hapë edhe çështjen e kufirit.



Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar, ndonëse ende nuk e ka konfirmuar përfundimisht, se pas këtij takimi të shtunën dhe të dielën do të qëndrojë për një vizitë në Kosovë, për të realizuar takime me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe banorët serb nga Kosova.

Pak para nisjes së bisedimeve Thaçi tha se procesi po hyn në një fazë të re për të arritur deri te një marrëveshje historike e paqes.

“Ky proces i dialogut, i negociatave paqësore besoj se do të shënojë progres për Kosovën dhe Serbinë dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Thaçi.

“Jam i vetëdijshëm se do të kemi pengesa për të ecur përpara, por jam i bindur se do të kemi përparim. Kjo gjendje e konfliktit të ngrirë është e paqëndrueshme, duhet të ecim përpara drejt paqes përfundimtare, drejt të ardhmes euro-atlantike të Kosovës, por edhe të ardhmes evropiane të Serbisë, që nënkupton më pak hapësira për ideologji jo perëndimore në Ballkan”, tha Thaçi.

“Në fund, definitivisht, ky dialog dhe marrëveshja përfundimtare ka kuptim kur të ndodhë njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë që nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, nënvizoi presidenti i Kosovës.

Ndërkaq i pyetur në lidhje me insistimin e tij që marrëveshja të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit të Kosovës me komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Thaçi tha se “Kosova është unike në favor të dialogut, qeveria, Kuvendi, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat janë në favor të dialogut, marrëveshjes paqësore dhe demarkacionit të kufirit që nënkupton edhe përfshirjen e kësaj pjese”.

Dialogu mes dy vendeve ka nisur nga viti 2011 dhe deri tani janë arritur disa rezultate.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas