Kryesore, Mapo Letrare

Dhjetori, koha për të lexuar “Fillimet” e demokracisë

prec zogajRibotohet libri i Preç Zogajt, pjesë e kolanës së botuar nga UET-Press, që sjell historinë dhe kujtimet e ditëve të fundit të diktaturës dhe fillimet e demokracisë

Nga Vladimir Karaj



 

Ka një mënyrë tjetër për ta shkruar historinë. Ta shkruash bukur e me stil. Preç Zogaj beson se një ngjarje sado e rëndësishme të jetë, vështirë se do të mbahet mend nëse historia e saj nuk tregohet bukur. “Fillimet”, libri i botuar nga UET-Press, i cili ribotohet pas shitjes së gjithë botimit të parë në më pak se një muaj, për paradoks janë fundi i një cikli të gjatë botimesh në formë eseje e historie që dëshmojnë në vetë të parë e përmes të tretëve Shqipërinë në tranzicion dhe përplasjet që e formuan atë, mëton pikërisht këtë.

Nuk është vetëm historia e Dhjetorit ‘90, lëvizja studentore, rrëzimi i diktaturës dhe ardhja e PD-së në pushtet. Më shumë se kaq është një dëshmi e krisjeve, ngjizjeve dhe formimit të Shqipërisë që kemi sot dhe e shkruar bukur me një stil të veçantë ku ka histori, ka publicistikë, refleksion dhe letërsi. “Ne ishim njerëz që na kishte bashkuar ëndrra për demokraci, por nuk ishim politikanë”, – thotë Zogaj për të shpjeguar përplasjet që formuan PD-në dhe që vlejnë për të kuptuar edhe kulturën politike dhe atë që erdhi pas saj.

Këto janë vetëm disa nga arsyet pse libri “Fillimet” ishte bashkë me botimin e fundit të Ismail Kadaresë dhe atë të Blendi Fevziut në treshen e librave që morën më shumë vëmendje në panair.

Zogaj nuk është një shkrues i zakonshëm i historisë. Në pjesën më të madhe të librit ai është dëshmitar okular i asaj që ndodh, është përjetues e njëkohësisht një prej referencave të rëndësishme për historinë e pas ’90-ës. Ai nuk është i zakonshëm edhe pse përtej rrëmimit të fakteve, të cilat nuk i mungojnë librit, ai sjell edhe përjetimin, dinamikën dhe dramën e atyre ditëve. E gjitha kjo në mënyrë lakonike dhe me një stil të veçantë.

Kjo ndoshta është arsyeja se pse shumë njerëz u tërhoqën drejt librit, edhe pse tema është diçka për të cilën është shkruar jo pak. Shumë prej atyre që janë personazhe të tij dhe tani lexues, zbulojnë aty jo vetëm ato që u kanë ndodhur, por mund ta përjetojnë atë emocionalisht dhe po ashtu t’i kënaqen një leximi që pjesë-pjesë i ngjan një romani edhe pse ato që thuhen kanë ndodhur realisht. Ikja, arratisja në Francë e shkrimtarit Ismail Kadare, që sillet në libër, është njëri prej atyre momenteve ku ndërthurja e publicistikës, historisë dhe letërsisë bie në sy. Zogaj jo vetëm që përshkruan tri takime të njëpasnjëshme me Kadarenë, tensionin dhe bisedat si ndodhi para botimit të librit të këtij të fundit, por ndërsa përshkruan, lë të kuptohet se si përmes gjithë kësaj lexohej atëherë krisja e diktaturës. Fillimi i fundit të saj. “Sigurisht që e kishim kuptuar nëntekstin e novelës ‘Piramida’, përndryshe pse do ta pëlqenim kaq shumë, si mund të na mrekullonte një subjekt i stisur nga Egjipti i lashtë pa alegorinë e hollë dhe paralelizmin invadent kësaj radhe me muzeun në formë piramide të faraonit të kuq Enver Hoxha në mes të Tiranës! Pse nuk po interesohej njeri? Pse nuk po alarmohej njeri? Nga ta dija unë…”, shkruan Zogaj. Kjo është mënyra si ai sjell tensionin dhe misterin gjatë takimeve me shkrimtarin, ku mësohet apo bëhet e qartë arratisja.

Për ta bërë lexuesin të kuptojë situatën, Zogaj përdor mjeshtërisht letërsinë, ndërsa përshkruan hollësisht deri dhe mimikat në fytyrat e personazheve dhe mendimet që bluante vetë në ato momente. E ndërsa për shumë e gjithë kjo mund të duket detaj i së tërës, leximi të bën të kuptosh gjendjen e paekuilibruar të shoqërisë, e cila nga një anë priste rënien e diktaturës dhe në të kundërtën, nga momenti në moment shpërthimin e saj ndaj kundërshtarëve, ndëshkime, persekutime e libra që përfundonin “karton”. Është po ashtu një dëshmi sinqeriteti e shkruesit që edhe pse 25 vjet më vonë nuk mburret se dinte përpara apo se dinte më shumë se të tjerët, se e brenin të njëjtat dyshime si pjesa tjetër e shoqërisë.

Zogaj nuk është as i pari e as i fundit që do të shkruajë për fillimet e demokracisë shqiptare, por ndryshe nga shumë të tjerë, ai jo vetëm zotëron detaje të dorës së parë, por edhe mjeshtërinë për t’i sjellë ato në një formë që pakkush mund ta bëjë. Ai përtej kronologjisë e bën të përjetueshme historinë. Nga ana tjetër, duke riparë 25 vjet pas, ai na jep mundësinë të lexojmë se cilat ishin proceset dhe ngjarjet që diktuan në njëfarë mënyre Shqipërinë që trashëguam prej procesit të rënies së diktaturës. Në një bisedë për “Mapo”, ai thotë se është i kënaqur që edhe personazhet realë që e kanë lexuar librin, nuk kontestojnë vërtetësinë e atyre që shkruhen.

Zogaj thotë se i ka pëlqyer fakti që libri është reklamuar më së shumti prej lexuesve, ndërsa shton se botimi i dytë është edhe më i kuruar se i pari dhe se do të jetë në duart e lexuesve brenda muajit. Një kohë që përkon me përkujtimin e lëvizjes studentore dhe po ashtu me fillimin e fundit të diktaturës. Si pjesë e kolanës së botuar nga UET-Press, libri është pjesa që i mungonte pazëllit të historisë sipas Zogajt, dhe dhjetori është muaji i duhur për ta lexuar atë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas