Kryesore, Mapo Format

Dhjetë mijë studentë më pak për vitin akademik 2017-2018, ja pse duhet alarmohen të gjithë

Nga Edi Puka*

Para disa ditësh, Instituti i Statistikave, (INSTAT), publikoi disa shifra alarmuese, por në një farë mënyre të pritshme, në lidhje me uljen e numrit të regjistrimeve të nxënësve për vitin akademik 2017-2018, krahasuar me një vit më parë. Përkatësisht, sipas INSTAT, kemi një rënie të numrit në arsimin parashkollor me 2,9%, në arsimin 9-vjeçar 2,5% dhe në arsimin e lartë 7,3%. Vetëm në arsimin e mesëm kemi një rritje shpresëdhënëse prej 0,8%.



Por, si mund të shpjegohet një situatë e tillë? Duke iu referuar rënies dramatike të numrit të studentëve në arsimin e lartë, që është edhe shifra më e lartë në të gjitha ciklet e studimit, është diskutuar shpesh hipoteza që rënia e numrit të studentëve ka një lidhje direkte me uljen e numrit të përgjithshëm të popullatës dhe deri diku shifrat e mbështesin. Për shembull, vetëm gjatë tremujorit të parë të 2018, në Qarkun e Tiranës, numri i vdekjeve tejkaloi me 285 numrin e lindjeve. Një tjetër faktor i diskutuar është rritja e numrit të maturantëve, të cilët zgjedhin për të studiuar jashtë vendit, bazuar në numrin e maturantëve, të cilët kanë bërë kërkesë për një përshpejtim të procedurave në lidhje me tërheqjen e diplomës, është në rritje, rreth 8800 për vitin 2018, referuar këtu të dhënave të QSHA-së.

Këto të dhëna nuk janë statistikisht të sakta pasi bazohen vetëm në kërkesën e vetë studentëve, që jo detyrimisht më pas ndjekin studimet e tyre jashtë vendit, por sidoqoftë është një tregues i trendit në rritje të kërkesave. Në vazhdim mund të përmendim: emigrimin, nivelin ekonomik të familjeve etj. Sigurisht që të gjithë faktorët e cituar më sipër janë të mundshëm dhe luajnë një rol të rëndësishëm në tkurrjen e numrit të maturanteve, të cilët ndjekin arsimin e lartë në Shqipëri.

Por, përveç tyre, mendoj se ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në mënyrë direkte, duke u bërë pengesë serioze që procesi i arsimimit në tërësi dhe ai i lartë në veçanti të jetë ndër prioritetet kryesore të familjeve shqiptare, që dëshirojnë të kryejnë procesin arsimor brenda vendit. Në këtë rast, përgjegjësia bie mbi dy aktorët kryesorë, duke filluar nga vetë institucionet e arsimit të lartë dhe duke vijuar me politikat qeveritare, të cilat hera-herës përbëjnë një pengesë serioze në zhvillimin e këtij procesi.

Përgjegjësia e IAL-ve, së paku e pjesës më të madhe të tyre, lidhet direkt me garantimin e kushteve cilësore përkundrejt studentëve, si për shembull: cilësia e teksteve, cilësia e personelit akademik, kurrikulat, infrastruktura fizike e ambienteve, në të cilat studentët duhet të zhvillojnë procesin akademik si dhe tek oferta akademike, e cila, për hir të së vërtetës, në vitet e fundit është bërë konceptualisht më e varfër, duke sjellë në këtë mënyrë uljen e besueshmërisë, nga ana e studentëve, përkundrejt këtyre institucioneve dhe cilësisë së diplomave që ofrojnë.

Në këtë rast, është për t’u përshëndetur procesi i akreditimit institucional, si dhe procesi i pritshëm i akreditimit kurrikular, por nevojitet më shumë rigorozitet, si dhe një rankim i nevojshëm dhe i shumëpritur bazuar në cilësinë akademike dhe institucionale të IAL-ve, duke bërë të mundur një panoramë më të qartë për studentët, për atë se çfarë ofrohet si dhe për atë se çfarë përfitohet nëse studiohet në Shqipëri. Faktori i dytë, lidhet me politikat qeveritare në lidhje me zhvillimin e arsimit të lartë dhe tregun e punës. Fenomeni i studentëve të diplomuar, të cilët punojnë si kamerierë dhe jo sipas shkollimit të kryer, nuk duhet të jetë për të qeshur, por për të qarë.

Në këtë rast, përgjegjësia kryesore bie mbi organet vendimmarrëse, lidhur me mungesën e strategjive të qarta dhe jo shumë transparente kombëtare të punësimit dhe motivimit. Nevojiten politika shumë herë më impaktuese dhe shumë herë më të prekshme, në mënyre që studenti i sapodiplomuar të mos endet “rrugëve” në kërkim të lokalit të radhës, por të japë kontributin e tij aty ku, për të, do të kishte më shumë nevojë. Në këtë aspekt, bashkëpunimi i qeverisë me institucionet e arsimit të lartë duhet të jetë më i qenësishëm dhe të mos mbetet vetëm në nivelin e batutave të ndërsjella, pasi objektivi i përbashkët është studenti dhe duhet trajtuar ashtu siç e meriton dhe jo të nëpërkëmbet nga paaftësitë reciproke.

Indeksi prej 7,3% i rënies së regjistrimeve në arsimin e lartë, nënkupton 10213 studentë më pak në vetëm një vit akademik. Kjo e dhënë duhet të na bëjë të reflektojmë gjatë, pasi është një tregues tepër negativ në zhvillimin e shoqërisë tonë. Gjithashtu, duhet të kuptojmë që nuk ka më kohë për të humbur.

10000 studentë më pak, nuk është thjesht një numër çfarëdo, por nënkupton 10000 qytetarë aktivë më pak, 10000 profesionistë më pak, 10000 mendime dhe ide më pak, 10000 kontribute sociale më pak, përkundrejt një shoqërie si kjo e jona, e cila më shumë se kurrë, ka nevojë për qytetarë, për ide të reja zhvillimore si dhe për individë, të cilët të dinë si të komunikojnë dhe bashkëjetojnë në komunitet, duke u bazuar në respektin ekzistencial të dinjitetit të tjetrit.

*Prof.asoc.dr Edi Puka, shkencat e edukimit, përgjegjës i Departamentit të Psikologjisë dhe Edukimit, UET. Shkrim i publikuar nga gazeta Panorama

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas