Dikur, Kryesore

‘Dhelprat’/ Si i zbuloi Sigurimi gratë ruse në Tiranë e Shkodër, me ndihmën e ‘Vullnetit’, ‘Mimozës’…

Zbulohet dokumenti i Sigurimit të Shtetit me siglën “Tepër sekret” ku bëhet një përmbledhje lidhur me dosjet e grave të huaja, ruse, rumune etj, që ishin të martuara me shtetas shqiptarë , si: Nadjezhda Kabashi, Zoje Gulina, Roza Gulina, Nina Pumo, Eleni Pëllumbi etj, të cilat u arrestuan dhe u dënuan në vitet 1973-1975 duke u akuzuar si agjente të Zbulimit Sovjetik.

Nga Dashnor Kaloçi



Prishja e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë komuniste në vitin 1961 me aleatin e saj të ngushtë, Bashkimin Sovjetik, si dhe me vëndet e tjerë të Europës Lindore apo siç quheshin asokohe “Demokracitë popullore”, shënoi një dramë të vërtetë edhe për një numër të madh shtetase të huaja që i përkisnin këtyre vëndeve të cilat kishin ardhur në Shqipëri pas martesave që ato kishin bërë me shqiptarë që studionin në ato vite në vëndet e tyre, kur marrëdhëniet me këtë shtete ishin në lulëzim. Si p.sh. me Bashkimin Sovjetik, Poloninë, Hungarinë, Gjermaninë Lindore, Bullgarinë, Çekosllavakinë, etj. Ashtu siç është e njohur tashmë, pjesa më e madhe e grave të huaja që ishin në Shqipëri asokohe ku dhe kishin krijuar familjet e tyre, pas presioneve të shumta dhe deri kërcënimeve nga strukturat e specializuara të shtetit shqiptar (kryesisht, Fronti Demokratik dhe Sigurimi i Shtetit), u detyruan që të ktheheheshin në vëndet e tyre prej nga kishin ardhur, duke marrë me vete edhe fëmijët që kishin lindur këtu në Shqipëri.

Si p.sh. bashkëshortja e shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, e skulptorit të famshëm, Thanas Papa, etj etj, të cilat u kthyen përgjithmonë në ish-Bashkimin Sovjetik të asaj kohe, për t’u ritakuar me ta vetëm pas vitit 1991 kur në Shqipëri u shëmb regjimimi komunist.

Por drama e këtyre dy grave ruse si dhe ajo e shumë të tjerave bashkëatdhetare të tyre që u bënë objekt i “Gjuetisë së shtrigave” nga regjimi komunist shqiptar, do të ishte ku e ku në krahasim me disa të tjera, shoqe të tyre, që nuk pranuan të divorcoheshin me bashkëshortët shqiptarë dhe qëndronuan në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre, pasi iu nënshtruan një survejimi të rreptë, u akuzuan si agjente të zbulimeve të huaja dhe përfunduan burgjeve politike të regjimit komunist për vite me rradhë, duke kaluar një kalvar të pashembullt si nga qelitë e hetuesive ahstu dhe në kampet e burgjet ku ato qëndruan të izoluara deri sa u liruan dhe u ritadhesuan në vëndet e tyre. Si p.sh. polaket, Barbara Orgocka dhe Barbara Mullaj, ruset Natasha Pengili, Inja Tarasova Dyrzi, etj etj.

(Lidhur me dramën e madhe të grave të huaja në Shqipëri e fatin tragjik të tyre nën regjimin komunist, gjë e cila padyshim përbën një nga njollat më të errta të atij regjimi, pas viteve ’90-të, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, do të shkruante “Sorkadhet e trembura”, vepër e cila është përshtatur në një skenar filmi nga kineasti i njohur me famë botërore, Juri Arabov dhe regjizori Aleksadnër Sukurov, duke e realizuar në një film artistik që tashmë është në proces”. Apo rasti tjetër i regjizores së njohur bullgare, Adele Pieeve, e cila ka realizuar një film-dokumentar të jashtëzakonshëm mbi fatin tragjik të grave ruse në Shqipëri).

Lidhur me këtë fakt, pra fatin tragjik dhe dramën e madhe që pësuan e përjetuan gratë e huaja në Shqipëri nga fillimi i viteve ’50-të e deri në shëmbjen e atij regjimi, bën fjalë dhe ky dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” i cili ka qenë “Për përdorim të brendshëm” nga organet eprore të Sigurimit të Shtetit të asaj kohe dhe ka shërbyer për të “evidentuar sukseset ndër vite” të shërbimeve sekrete të atij regjimi. Dokumentin në fjalë po e publikojmë të plotë në dy numra gazete dhe ekskluzivisht për TemA.

“Zbulimi dhe goditja e disa rezidenturave dhe zbulimeve të huaja”

Nga goditjet e bëra më aktiv dalin zbulimet revizioniste me atë sovjetike në krye, të cilat në këtë periudhë veç kanaleve të tyre të hapta dhe të fshehta, shfrytëzuan edhe agjentët e tyre dërguar për të kryer veprimtari agjeturoro-subversive, paçka se kamufloheshin nën petkun e grave të martuara me shtetas shqiptarë dhe kishin marrë edhe shtetësinë shqiptare.

Goditja e “Dhelprës”

Në vitin 1975 u godit një grup i vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik i kryesuar nga Roza dhe Zoja Gulina, që ndiqeshin me pseudonimin “Dhelpra”. Ky grup ka vepruar aktivisht prej 19 vjetësh, nga viti 1955-1975.

Roza Koçi është dëbuar nga Shqipëria në vitin 1961 për veprimtarinë armiqësore që zhvillonte. Ajo kishte vënë në shërbim të saj, bashkëshortin, Mandi Koçi dhe Zoja Gulinën. Roza Koçi ishte rezidente dhe pas dëbimit të saj, detyrën e rezidentes ja la Zoja Gulinës. Rezulton se Zbulimi Sovjetik kur të tërhoqi në bashkëpunim, Zoja Gulinën, Nina Pumën dhe Nadjezhda Kabashin, u kishte thënë se ato do të drejtoheshin në Shqipëri nga Roza Koçi.

Zoja Gulina ka ardhur në Shqipëri që në vitin 1958 me pretekstin se ishte martuar me një shtetas shqiptar që ishte student në Bashkimin Sovjetik. Në bazë të detyrave që i dha Zbulimi Sovjetik, ajo u fut pedagoge e gjuhës ruse dhe me këtë kamuflazh zhvillonte veprimtari agjenturore subversive. Lidhjet me Zbulimin Sovjetik fillimisht i mbante nëpërmjet kosrespodnencës që i dërgonte “nënës” në Moskë.

E përgatitur mirë nga Zbulimi Sovjetik sa erdhi krijoj një rreth të gjërë shoqëror kryesisht me gratë ruse si: Nina Pumo, Nadjezha Kabashi, Taise Pisha, Roza dhe Mandi Koçi etj, që ndiqeshin nga organet e Sigurimit si agjentë të mundshëm të Zbulimit Sovjetik. Nga të dhënat e “Mimozës” dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë që u drejtuan si dhe nga vëzhgimi, T.O.-ja, etj (Teknikës Operative, përgjuesëve, shënimi ynë), vërtetohej se Zoja jo vetëm kontaktonte me të sipërmit, por edhe zhvillonte agjitacion e propagandë armiqësore.

Meqënse në rrethin e saj shoqëror ishin disa lidhje që ndiqeshin nga organet e Sigurimit Tiranë, Shkodër, problemi u centralizua me pseudonimin “Dhelpra” dhe u ndoq me plan masash operative të përbashkëta. Rezultat dha bashkëpunëtori “Kabashi” i cili u drejtua te Nadjezhda Kabashi dhe arriti të futet në

lidhje me Zbulimin Sovjetik. Me bashkëpunëtorin “Frekuneca” u krye kombinacioni ndërmjet saj dhe Zojas, ku doli se objekti zhvillonte agjitacion e propagandë armiqësore, u mësua karakteri i marrdhënieve të Eleni Pëllumbit me Zojën. U organizua puna e mirë e vezhgimit në drejtim të tyre ku u përcaktuan lidhjet dhe u bë vlerësimi i tyre. U studiuan materialet e Mandi Koçit dhe si lidhje e rëndësishme e Roza Koçit, pas dënimit të saj, ishte ai. Me arrestimin e Nadjezhda Kabashit u organizua më mirë përpunimi në dhomat e izolimit dhe lidhjet jashtë.

Kështu u vërtetua dhe veprimtaria e Zojës e cila u arrestua më 14.5.1975. Me goditjen e saj u bë plani i përbashkët operative-hetimor për ta zbërthyer si agjente të Zbulimit Sovjetik. Gjatë hetimit, ajo pohoi se ishte vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik dhe se kryente detyrën e rezidentes nga viti 1961-1975, duke mbajtur në lidhje, Nina Pumon, Nadjezhda Kabashin dhe Mandi Koçin. “Kur vajta në Bashkimin Sovjetik në 1960-ën për të lindur fëmijën, u udhëzova nga kuadrot e Zbulimi Sovjetik, se si duhet të punoja, të futesha në rradhët e inteligjencës e rinisë, të bashkëpunoja me Nadjezhda Kabashin, Nina Pumon, nën drejtimin e Rozës”, ka deponuar Zoja Gulina. Për punën që kishte kryer në vitin 1960, kur ishte në Moskë u shpërblye me 3000 rubla. U vërtetua se këto mbanin lidhje me konsullin sovjetik dhe se me prishjen e marradhënieve diplomatike lidhjet me Zbulimin Sovjetik i mbanin nëpërmjet ambasadës çeke, kuadrit të Zbulimit Sovjetik, Zdonea Kovodeleka, sekretar i II-të (aktualisht sekretar në ambasadën çeke). Gjithashtu Nina Pumo ka ardhur në Shqipëri në vitin 1960 me pretekstin se u martua me një shtetas shqiptar. U vu në përpunim aktiv si agjente e Zbulimit Sovjetik më 17.9.1973. Për qënien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik, ka deponuar edhe Zoja Gulina të cilat i kishte në lidhje. Gjatë hetuesisë ajo pohoi qënien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik nga viti 1961. Se qe vënë në shërbim atje duke marrë edhe parrullën dhe kundërparrullën për t’u ndërlidhur me Zojën. Kështu veproi deri sa u arrestua më 15. 10. 1975

Nadjezhda Kabashi është arrestuar për agjitacion e propagandë armiqësore në vitin 1973. Ajo deponoi qënien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik dhe lidhjet e saj me Zojën. Ajo sa erdhi në Shqipëri në vitin 1975, filloi veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës. Në vitin 1973 u dënua me 7 vjet privim lirije. Mandi Koçi ishte vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik që në vitin 1961 nëpërmjet bashkëshortes së tij, Rozës, që ishte kuadër e Zbulimit Sovjetik. Nga viti 1961 që u dëbua

Roza, ai mbahej në lidhje nga Zoja, deri në vitin 1975 që u arrestua dhe u dënua me 25 vjet privim lirije si agjent i Zbulimit Sovjetik.

Eleni Pëllumbi me kombësi rumune martuar me një shtetas shqiptar, ardhur në Shqipëri që para çlirimit. Në vitin 1970 shkoi në shkollën e Gjuhëve të Huaja ku u vu në lidhje me Zojën dhe bashkëpunoi me grupin e Zojës, me të cilën qe njohur që në vitin 1964. Më datën, 9.6.1975 u arrestua dhe u dënua si agjente e Zbulimit Sovjetik.

Nga këto dhe goditje të tjera që janë bërë, rezulton se Zbulimi Sovjetik kanalin e grave ruse të martuara me shqiptarë e ka përdorur aktivisht në veprimtarinë agjenturoro-subversive kundër vëndit tonë. Zbulimi dhe goditja e “Dhelprës” vertëton se pavarësisht se u deshifrua e u godit me vonesë, në vitin 1975, veprimtaria agjenturoro-suvbversive nga Zbulimit Sovjetik edhe me këtë grup ka filluarv që në vitin 1959.

Zbulimi dhe goditja me vonesë e “Dhelprës” u bë se ky kanal i rëndësishëm nuk u vlerësua dhe u ndoq me përparësi qëllimisht nga drejtuesit e Organeve të Sigurimit të Shtetit, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu etj, edhe pse disa pjestarë të “Dhelprës” ndiqeshin prej kohësh dhe të dhëna kishte.

Kur “Dhelpra” intesifikoi veprimtarinë në vitin 1973, sektori përkatës u detyrua që ta centralizonte dhe ta ndiqte si rezidenturë dhe u arrit ta deshifronte në vitin 1975, sepse faktet ishin bindëse, dhe armiqtë u detyruan ta miratonin goditjen, pse ndryshe do të konsideroheshin si përkrahës të spiunëve.

Taktika e përdorur duke zbuluar dhe goditur gradualisht pjestarët e “Dhelprës”, dhe vazhdimi i përpunimit në dhomat e izolimit krahas zhvillimit të hetuesisë, si dhe përpunimi që iu bëhej pjestarëve të tjerë të grupit ende të pa goditur, duke kryer veprime të ndryshme operative, ishte një përvojë që punonjësit e Organeve të Sigurimit të Shtetit, e kishin përdorur edhe në zbulimin e goditjen e rezidenturave dhe grupeve të tjera armiqësore dhe kishte dhënë e dha rezultae.

Në zbulimin dhe goditjen e “Dhelprës” punonjësit e Sigurimit të Shtetit që vepronin me devotëshmëri për çështjen e Partisë dhe të popullit, analizuan edhe njëherë punën e tyre, sidomos në drejtim të Zbulimit Sovjetik dhe në mënyrë të veçantë kanalin e grave ruse të martuara me shtetas shqiptarë dhe forcuan punën në këtë drejtim, gjë që shpuri në zbulimin dhe goditjen e rezidenturës tjetër të këtij zbulimi armik./Tema/
Grate ruse
thumbnail_20181111_215544
thumbnail_MARTESAT-ME-RUSETthumbnail_luiza-papa_1502002033-6774747
thumbnail_download
thumbnail_divorce-albanian-stylethumbnail_20181111_215544thumbnail_20181111_215517_001

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas