Aktualitet, Kryesore

‘Deti’, Bushati: Këtë javë takohem me Kotzias, Metën e kam informuar

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati komenton negociatat me Greqinë

Zoti Bushati në ç’pikë ndodhen negociatat me Greqinë?
Kësaj jave do të ketë një takim tjetër mes meje dhe homologut Kotzias, ku do të vazhdojmë të diskutojmë dhe për mundësinë për të gjetur një marrëveshje për sa i përket delimitimit të zonave detare dhe besoj që paralelisht me takimin tonë do të ketë dhe një takim tjetër të ekipit negociator. Ky është një proces që ka hyrë në një fazë shpresoj të pakthyeshme, po që të dyja palët kanë nevojë për kohën e tyre, në mënyrë që të shkojnë drejt një marrëveshje të pranueshme, të drejtë dhe siç e kam theksuar, një marrëveshje e zbatueshme.



Çfarë pikash kanë ngelur ende pezull?
Parimet mbi të cilat udhëhiqet marrëveshja janë të qartë, sepse në fund të ditës janë trupëzuar dhe te autorizimi që ka lëshuar presidenti i Republikës për ekipin negociator. Natyrisht si në çdo negociatë, palët kanë pretendimet të ndryshme. Në disa raste këmbëngulet për t’u vendosur një precedent i caktuar, në disa raste të tjera për tu sqaruar çështje që nuk janë sqaruar dot në të shkuarën. Në këtë moment nuk mund të them më shumë për këtë çështje. Por besoj se nga analiza që i kemi bërë këtij procesi mund të thuhet që jemi në një rrugë pa kthim dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët ne ta mbyllim këtë marrëveshje, e cila nuk është e vetmja pikë siç e kam thënë e paketës që ne negociojmë e diskutojmë me palën greke, sepse paketa është shumë me e gjerë se kjo marrëveshje.

Z. Kotzias ka thënë që nuk do të bëj pushime, ju do të bëni pushime, në funksion të marrëveshjes?
Ne jemi thuajse në kontakte të përditshme për këtë çështje. Dhe dje kam pasur një bisedë telefonike me të, me homologun maqedonas dhe përfaqësuesen e lartë të politikës së jashtme të BE, Mogherini. Gjithashtu kemi diskutuar dhe për këtë çështje, duke marrë shkas nga firmosja e marrëveshjes së djeshme mes Athinës dhe Shkupit. Besoj se ekipet tona janë me kapacitet të plotë, koha është e rëndësishme në marrëdhënie ndërshtetërore, momenti është i rëndësishëm,. Besoj se ka ardhur momenti pas 10 vitesh diskutimesh ne të përfundojmë këtë marrëveshje aq më tepër që sot kushtet janë përmirësuar dhe falë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e detit që për ne është një udhërrëfyes si nuk duhet bërë një marrëveshje dhe cilat janë gabimet që duhen evituar kur futesh në një proces diskutimi.

Zoti Bushati ia keni dhënë të gjitha informacionet presidentit të Republikës?
Është krejt normale që presidenti të kërkojë informacione më shterruese për çështje që mendohet që kërkohet një informacion më i plotë. Ka një komunikim institucional dhe njerëzor me presidentit e Republikës për këtë çështje. Pas çdo raundi bisedimesh Presidentit të Republikës i është vënë në dispozicion e gjithë problematika e çështjeve që janë diskutuar dhe hapave që janë hedhur në këtë proces, po mbi bazë të Kushtetutës është Presidenti ai që lëshon autorizimin për një marrëveshje të tillë, prandaj është krejt e mirëkuptueshme çdo kërkesë e tij për informacion shtesë, apo më të detajuar për një çështje specifike.

Në raport me vendimin që do të merret më 28-29, kjo marrëveshje me Greqinë do të jetë para apo pas? Mund të ketë një datë?
Do ta shihni që të gjithë ata që kanë vendosur bast sikur qeveria apo Shqipëria është nën presion për të mbyllur një marrëveshje me Greqinë në funksion të datës 29 apo 29 e kanë thjesht gabim. Nuk ka pikë diskutimi që na intereson për të mbyllur gjithë çështjet e hapura me fqinjët tanë, dhe në rastin në fjalë me Greqinë, sikundër është në interesin e Greqisë për të mbyllur kapitujt me Shqipërinë. Kjo është një tezë që është hedhur në opinionin publik kryesisht nga opozita që nuk gjen bazë. Në rast se për një moment do të merrnim të mirëqënë faktin që ne jemi në një presion për të mbyllur një marrëveshje me palën greke për shkak të datës 28 dhe 29, kundërpyetja është po pala greke në çfarë presioni është? Pse do të kishte interes për ata mbyllur në datën 28 apo 29. Për të gjithë ata që mendojnë që Shqipëria me nisjen e bisedimeve për anëtarësim nuk do të ketë më standarde apo kushte për të plotësuar, unë mund t’u them që e kanë gabim. Vetëm në procesin e bisedimeve për anëtarësim mund të jenë të paktën 300 raste ku vende të ndryshme anëtare mund të vendosin në tryeze çështje të cilat potencialisht mund ta bllokojnë një vend në tryezën e bisedimeve, prandaj çështja e datës 28-29 është jashtë këtij diskutimi. Nga ana tjetër ne e kemi çuar të gjithë këtë proces në një pikë ku ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria dhe Greqia të gjejnë zgjidhjen e përbashkët dhe për këtë çështje dhe të dalin nga tavolina bisedimeve me ndjesinë e mirë që secila palë ka fituar në këtë proces. Sepse jo më kot quhen negociatë, marrëveshje ku palët tentojnë të akomodojnë shqetësime të ndryshme që kanë përmes një proces negocimi dhe mirëkuptimi mes tyre.

Marrëveshja Athinë-Shkup lehtëson çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë bashkë?
Natyrisht marrëveshja për gjetjen e një emri të ri përsa i përket dy fqinjëve tanë, krijon dinamikë të re në rajon. Në radhë të parë dëshmon një ndërgjegje të lartë shtetërore nga ana e të dy fqinjëve tanë dhe kësaj radhe është Ballkani që jep shembuj për Evropën dhe BE. Dua të besoj që edhe BE do t’i përgjigjet me shembuj konkretë përmes mbështetjes së procesit të bisedimeve për anëtarësim në rastin në fjalë me Shqipërinë dhe Maqedoninë sepse momenti ka ardhur.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas