Kryesore

Deputeti i PS ironizon me diplomën e kandidates, ia kthen Fino: Ik, se je xham fare…

Maxhoranca vendosi si prioritet kryesor të sesionit të ri parlamentar miratimin e plotë të paketës së ligjeve të Reformës në Drejtësi. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, në mungesë të opozitës në komision, apeloi që pavarësisht axhendave politike të partive, deputetët të japin kontributin e tyre në Reformën në Drejtësi.

 



“Edhe kolegët e opozitës të cilët në respekt të kësaj mbledhjeje të parë të këtij komisioni, pavarësisht axhendës së tyre politike, do të duhet të ishin këtu të pranishëm. Unë i ftoj kolegët e opozitës të japin kontributin e tyre në mbarëvajtjen e procesit ligjbërës”, deklaroi Manja.

DËGJESAT

Deputetët e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve zhvilluan edhe një dëgjesë me 9 kandidatët për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit për organet e reja të Reformës në Drejtësi. Nga 9 anëtarët që kanë shprehur interes për këtë komision, deputetët do të përzgjedhin në javët e ardhshme vetëm 5 prej tyre, të cilët do t’i kalojnë seancës plenare për miratim.

Interesin për të qenë pjesë e Komisionit të Pavarur që do të monitorojë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionin e organeve të reja në sistemin e drejtësisë e kishin shprehur: Andi Murataj, Artan Spahiu, Gëzim Allaraj, Ilir Kadiu, Irena Mino, Saimir Shehri, Sajmir Vishaj, Suzana Pashadhe dhe Lindita Rusmajli. Kandidatët në garë shprehën përpara deputetëve të Komisionit të Ligjeve angazhimin që kishin pasur gjatë procesit të Reformës në Drejtësi, por edhe aftësitë profesionale që kishin për ushtrimin e monitoruesit si anëtar të Komisionit të Pavarur për Koordinimin dhe Monitorimin e organeve të reja.

DEBATET

Gjatë seancës dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Koordinimin dhe Monitorimin e organeve të reja në sistemin e drejtësisë u zhvilluan edhe debate mes deputetëve të PS dhe garuese për vendet vakante. Deputeti i PS-së, Alket Hyseni, ironizoi rezultatet që kishte në diplomën e saj kandidatja Suzana Pasha.

“Zonja Pasha ju keni përfunduar studimet për një periudhë 7-vjeçare. Kjo ka ardhur nga dashuria për profesionin se shoh që edhe rezultatet besoj nuk kanë qenë për t’u krenuar…”, ka deklaruar Hyseni. Ndërkohë që kandidatja Pasha i ka kujtuar se nuk vinte nga një familje me pozita të larta si ajo e deputetit.

“Ndoshta s’kam pasur mundësitë tuaja se vij nga një familje jo e konsiderueshme si ti. Në moshën 10-vjeçare më ka vdekur babai. Se të njoh edhe unë nga televizori, nuk të njoh kështu, se s’të kam as koleg, as shok, por të njoh nga mediat”, ka deklaruar Pasha.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas