Kryesore

Denoncimi i Berishës, policia: Tre të rinj me “Porsche” kërcënuan efektivin

Policia e Lezhës ka reaguar pas denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili thoshte se policia ka terrorizuar qytetin duke qëlluar me armë ndaj disa minorenëve.

Zyrtarisht bëhet e ditur se dje oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, arrestuan në flagrancë shtetasin Eduart Lleshi (Nikolli), 22 vjeç, banues në Lezhë.



Gjithashtu, u referuan materialet hetimore për fillimin e procedimit penal në gjendje të lirë, ndaj shtetasve:
– A.J. 17 vjeç, banues në Mirditë
– A.L. 27 vjeç, banues në Lezhë.

Sipas policisë, këta shtetas, në qendër të qytetit Lezhë, në datë 7 prill, kanë kanosur dhe kundërshtuar fizikisht punonjësin e policisë, për shkak të detyrës, në momentin kur efektivi i ka ndaluar, pasi po ecnin me shpejtësi tej normave të lejuara me mjetin e tyre tip ‘Porsche’ në qytet, duke rrezikuar këmbësorët.

Për të shmangur përshkallëzimin e situatës si dhe për të neutralizuar shtetasit me veprime agresive, punonjësi i policisë ka qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë.

Më pas, në mbështetje kanë shkuar forcat e tjera policore që kanë bërë të mundur ndalimin e 3 shtetasve, të cilët janë proceduar. Janë kryer të gjitha veprimet hetimore konform procedurave ligjore.
Veprat penale janë “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kanosja për shkak të detyrës” parashikuar nga nenet 236/2 dhe 238 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Eduart Lleshi (Nikolli), dhe vepra penale “Kanosja për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve A.L. dhe A.J.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas