Kryesore, Mapo Format, Sport

Dënohen Partizani dhe Skënderbeu, nuk shpëtojnë as Tirana me Kukësin

Përveç pesë ndeshjeve me stadiumin të boshatisur, korçarët duhet të paguajnë edhe një gjobë prej 300 mijë lekësh të rinj. FSHF-ja ka dënuar dhe presidentin e Laçit, Pashk Laskën, me dy ndeshje pezullim pas protestave kundër zyrtarëve të ndeshjes

Komisioni i Disiplinës ka vendosur të dënojë me 5 ndeshje pa tifozë në stadiumin e tij ekipin e Skënderbeut, për shkak të dhunës masive që shpërtheu gjatë ndeshjes me Partizanin të premten që shkoi. Pritej një dënim i ashpër dhe përveç këtyre ndeshjeve me stadiumin të boshatisur, korçarët duhet të paguajnë edhe një gjobë prej 300 mijë lekësh të rinj.



Në bazë të këtij dënimi, Skënderbeut i takon ta mbyllë fazën e parë të kampionatit pa tifozë në stadiumin e tij, madje edhe ndeshjen e fazës së dytë me Kastriotin. Mbetet për t’u parë, nëse drejtuesit do të vendosin të paguajnë pasi të shlyet gjysma e dënimit, që i bie tri ndeshje, apo jo.

E sigurt është që korçarët do të luajnë pa tifozë në ndeshjet me Laçin, Tiranën dhe Kukësin, që janë tri të radhë në stadiumin “Skënderbeu”. Nëse drejtuesit e klubit paguajnë, tifozët mund të kthehen ndaj Kamzës në javën e 9-të, nëse jo atëherë do të kthehen në javën e 13-të ndaj Flamurtarit. Ndërsa Partizani dënohet me 4 ndeshje pa tifozë dhe gjobë.

FSHF-ja ka dënuar dhe presidentin e Laçit, Pashk Laskën, me dy ndeshje pezullim pas protestave kundër zyrtarëve të ndeshjes në takimin e Superkupës kundër Skënderbeut. Tirana dhe Kukësi paralajmërohen se në rast se vazhdojnë me sjellje të gabuar të tifozëve do të vuajnë dënimin, ndërsa Kukësi në rast se vazhdon me reagime paragjykuese ndaj zyrtarëve të ndeshjeve.

Vendimet e plota:

“Zyrtari i KF “Laçi”, Pashk Laska për protesta ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes kundër KF “Skënderbeu” e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë, në bazë të nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet. Në bazë të nenit 20, zyrtarit i ndalohet hyrja dhe qëndrimi në dhomat e zhveshjes, territorit përreth fushës së lojës dhe stolit të rezervave.

2.KF “Tirana”, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatorëve do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që përmban Kodi i Disiplinës Sportive.

3.FK “Kukësi”, paralajmërohet se në rast përsëritje të reagimeve paragjykuese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që përmban Kodi i Disiplinës Sportive.

4.KF “Skënderbeu”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse, hedhur gurë brenda rrethimit të fushës duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të ndeshjes kundër FK “Partizani”, në bazë të nenit 66/1 dhe 66/3/b) të KDS dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 5 (pesë) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.

5.FK “Partizani”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse, hedhur gurë brenda rrethimit të fushës duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të ndeshjes kundër KF “Skënderbeu”, në bazë të nenit 66/1 dhe 66/3/b) të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë.

6.Mos shqyrtimin e kërkesës së lojtarit të KF “Vora”, Artur Sejdini, duke mos qenë kjo kërkesë në kompetencë të Komisionit të Disiplinës Sportive”./Mapo.al/

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas