Kronika

Dëbimi nga SHBA, me kushte të rënda për t’u rikthyer? Ja ç’thotë avokati amerikan…

Individi kalon në proces deportimi të menjëhershëm pas refuzimit të aplikimit. Sqarohuni për pasojat përpara se të aplikoni, këshillon avokati amerikan Kieran Both.

Në 5 korrik 2018, Shërbimi i Emigracionit dhe Shtetësisë amerikane (USCIS) njoftoi për një politikë të re lidhur me lëshimin e njoftimeve (NTA-Notice to appear) tek emigrantët për t’u paraqitur para gjykatësit të emigracionit, i cili do të vendosë nëse individi duhet të largohet nga Shtetet e Bashkuara ose ka të drejtë të qëndrojë në këtë vend në mënyrë të ligjshme.



Nëse personi dëbohet nga SHBA, për të ka kushte të rënda për ri-hyrje.

Politika e re kërkon që USCIS t’i dërgojë NTA çdo personi që “nuk është ligjërisht i pranushëm” në Shtetet e Bashkuara, nëse kërkesa /aplikimi/ i tij për status legal refuzohet . Kjo do të thotë që nëqoftëse tashmë keni dalë jashtë statusit legal të qëndrimit në këtë vend dhe aplikoni për ndryshim statusi, (pasi keni dalë nga statusi) vendoseni në proces deportimi të menjëhershëm, po qe se kërkesa u refuzohet.

Në të kaluarën, USCIS nuk lëshonte automatikisht NTA pas refuzimit te aplikimit.

Kjo politikë është veçanërisht e rëndësishme, sepse USCIS po përpiqet të ri-përkufizojë termin “prani e ligjshme” duke filluar nga 9 gushti. Individëve me periudha të gjata qëndrimi të paligjshëm në këtë vend mund t’u ndalohet rihyrja në Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë. Përveç kësaj, USCIS do të lëshojë NTA (thirrje për t’u paraqitur në gjykatën e emigracionit) kur ka “dëshmi të abuzimit të programeve të përfitimit publik”.

Kjo politikë e re padyshim do të ketë një efekt të frikshëm ndaj individëve që mund të kenë të drejtën e përfitimeve të Emigracionit, ligjërisht, por që do të heqin dorë nga aplikimi nga frika, duke mbetur kështu në hije. Politika e re do të dekurajojë njerëzit e mirë që e gëzojnë të drejtën e përfitimeve, por ngurojnë të aplikojnë pasi tremben se ka të ngjarë që për shkak të ndonjë gabimi të agjencisë, mund të përfundojnë në makinën e deportimit .

Politika bazohet në supozimin se kushdo që vjen në Shtetet e Bashkuara dhe aplikon në emigracion për benefite, synon ta thyejë ligjin duke qëndruar më gjatë, nëse ato i mohohen. Politika e re e kthen USCIS në një komponent të tretë zbatimi të DHS.

Ajo kërkon që USCIS të lëshojë NTA kundër individëve që kanë jetuar dhe punuar në SHBA ligjërisht për vite, duke ofruar shërbime të vlefshme për punëdhënësit e SHBA. Kjo politikë përfshin edhe studentët e huaj. USCIS kohët e fundit ka ndryshuar kërkesat për studentët, të cilët tashmë përballen me rregullore konfuze që mund t’i lënë shumë prej tyre pa status, edhe pse ata janë këtu për një qëndrim të gjatë, pasi po ndjekin studimet.

Përkufizimi i ri i “pranisë së ligjshme” që fillon më 9 gusht do t’i penalizojë rëndë individët, siç janë studentët (viza F-1), për shkeljet të paqëllimshme të statusit për të cilat ata nuk ishin në dijeni. Ka ndalime për ri-hyrje në Shtetet e Bashkuara nëse dikush ka një periudhë të gjatë pranimi të paligjshëm.

Kjo është një përqasje e re ndaj prezencës së paligjshme.

Politika e re e USCIS, referuar NTA, është një ndryshim dramatik pas një praktike të qëndrueshme prej më shumë se një dekade, që do të hedhë një numër të madh individësh në sistemin tashmë të mbingarkuar të emigracionit. Mijëra individë do të shtohen në mënyrë te panevojsshme në sistemin tonë tashmë të mbingarkuar të emigracionit.

Kjo politikë agresive e re e NTA lidh duart e USCIS, është humbje e burimeve të USCIS dhe e kthen agjencinë në një pjesë tjetër të makinës së dëbimit.

Në vitin 2006, USCIS nuk kishte burime të mjaftushme në dispozicion për të lëshuar NTA-të për çdo rast të refuzimit të green card-ës dhe se gjykatat nuk mund të përballonin vëllimin e rasteve të deportimit që do të gjeneroheshin nga një politikë e tillë. Që atëherë, gjatësia e kohës së procedurës nga USCIS është rritur. Mbingarkesa e gjykatës së emigracionit ka arritur përmasa krize, duke tejkaluar 700,000 raste që nga 31 maj 2018.

Në të kaluarën, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) vendoste mbi baza individuale, cilat raste të silleshin në gjykatë. Ky quhet diskrecion prokurorial. Ishte një mekanizëm që ndihmonte procesin nëse një individ mund të kishte një bazë të ardhshme për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nëpërmjet një anëtari të familjes. Diskrecion prokurorial lejon individin të bëjë aplikime të tjera pa qënë nën presion të menjëhershëm dhe me frikë nga dëbimi.

Gjithashtu ndihmon në zvogëlimin e numrit të madh të rasteve në gjykatën e emigracionit, duke lejuar DHS dhe gjykatën të përqëndrohen në rastet më urgjente që përfshijnë çështje humanitare dhe ndjekjen penale të kriminelëve. Diskrecioni i Prokurorisë ka qenë një gur themeli i sistemit gjyqësor të Amerikës për shekuj, duke lejuar një prioritizim efektiv të rasteve. Tani kjo gjë i përket së kaluarës.

Ne i nxisim lexuesit e interesuar të konsultohen me avokatë me experiencë të Emigracioni para se të aplikojnë për çfardo lloj benefiti. Cdo rast është ndryshëm nga tjetri dhe një këshillë e gabuar mund t’I sjellë individit pasoja serioze./GazetaIllyria/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas