Kryesore, Mapo Format

Debati për teatrin/ Habit Kumbaro: Nuk ka projekt, vetëm koncept. Të hapur për…

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka qene e ftuar sot në emisionin “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 ku ka folur për debatin e madh për Teatrin e ri Kombëtar. Por ndonëse pak javë më parë (12 mars), u prezantuar projekti i ri për Teatrin, Kumbaro thotë se nuk ka një projekt por një koncept, një propozim nga një arkitekt i njohur. Kumbaro deklaroi se është e hapur për propozime të tjera por konkrete dhe brenda hapësirave ligjore.

Çfarë do të thotë Shqipëria në Laipcig në 2018 dhe në fakt nuk keni qenë vetëm në emër të Shqipërisë por të Ballkanit?



Është e vërtetë që ishte një ngjarje shumë e madhe. Shqipëria prej disa vitesh merr pjesë me stendën e saj në panairin e Laipcigut ose më së shumti me përfaqësues të letrave shqipe dhe kjo falë një bashkëpunimi të shkëlqyer që ne kemi me një nga organizatat më të rëndësishme të botës së librit dhe letrave por dhe të ndërkomunikimit kulturor që është Traduki, anëtare e së cilës Shqipëria është bërë në janar të vitit 2014. Dhe në fakt këtë vit, ky panair që është nga më të rëndësishmit në botë, krahas Frankfurtit, Londrës, Torinos e me radhë shënonte një ngjarje të madhe që është 10-vjetori i organizatës Traduki ku Shqipëria tashmë është anëtare prej gati 5 vitesh dhe ku të gjithë ministrat e Kulturës së Ballkanit ishin ftuar nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë dhe nga organizatorët e Tradukit për të qenë pjesë e këtij kremtimi të rëndësishëm dhe ku Shqipëria përmes ministrit të vet të Kulturës ishte përzgjedhur që të bënte përshëndetjen krahas ministrit të Europës Michael Roth të Gjermanisë në një le të themi publik shumë të gjerë, impresionues në fakt për nga diversiteti i grupmoshave, që tregon dhe rëndësinë që ka ky panair.

Stenda shqiptare e prezantuar këtë vit ekskluzivisht nga Ministria e Kulturës ishte një ngjarje sepse u kthye në epiqendër të prezantimit të kulturës shqiptare. Ne mirëpritëm në stendën tonë ministrat e kulturës së Ballkanit, drejtoreshën e Fondacionit Fisher, përfaqësues e zyrtarë të botës kulturore gjermanofone, austriake, gjermane, zvicerane e me radhë dhe në fakt kjo u bë falë prezantimit të shkëlqyer të tre shkrimtarëve shqiptarë. Në fakt edhe përfaqësimi i letrave shqipe ishte shumë interesant sepse është le të themi një lloj pasaporte kulturore që i flet letërsisë së të ardhmes. Përgjithësisht jemi mësuar të krenohemi me ikonat e letrave shqipe, qoftë ato historike qoftë të periudhës së 40 viteve të fundit. Kishim tre shkrimtarë, të cilët mund t’i quajmë shkrimtarë emergjentë siç është Gazmend Kapllani, Thanas Medi dhe Manjola Nasi shkrimtarja më e re.

Si ishte rruga deri në Laipcig dhe ato 4 ditë si mund t’i përkufizojmë se ju patët edhe fjalën tuaj?

Është një përgjegjësi shumë e madhe të flasësh në emër të kulturës së vendit tënd por e them edhe njëherë që performanca e shkëlqyer e shkrimtarëve që na përfaqësuan ishte pasaporta më e mirë. Gjithçka bëhet më e lehtë kur njerëzit e kulturës dhe skena kulturore shqiptare flet përmes produkteve të saj. Në këtë rast nuk ka asnjë meritë Ministria e Kulturës. Ne kemi vetëm detyrën t’u japim njerëzve të kulturës një skenë sa më të madhe dhe mund t’i flasin një publiku që shkon përtej kufijve tanë administrativë. Dhe unë besoj që në këtë panair në arritëm ta bëjmë këtë gjë në mënyrë shumë dinjitoze duke tërhequr vëmendjen e publikut të huaj dhe të mediave të huaja.

Rrjeti Traduki shumë i rëndësishëm, sikurse e përmendët edhe ju, ku Ministria e Kulturës që prej 2014-ës është anëtare, ka një shkëmbim eksperiencash, shkëmbim autorësh, si funksionon? Çfarë është arritur në këto vite?

Në fakt pyetja shkon përtej faktit të Tradukit. Është pjesë e filozofisë dhe politikës sonë, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare kulturore. Kultura është një nocion universal dhe nuk mund të flas për një kulturë, arritje dhe suksese të mëdha në qoftë se rrimë vetëm brenda skenës sonë të vogël kombëtare. Në qoftë se nuk përballemi me një skenë ndërkombëtare ku artistët të të gjitha gjinive të kenë mundësi të flasin në emër të kulturës dhe jo thjesht me ngjyrën e pasaportës. Dhe në fakt Traduki, ashtu sikurse Europa krijuese, një tjetër organizatë e madhe në të cilën Shqipëria është anëtarësuar po në vitin 2014, përveç përballjes, përtej shtrirjes së skenës përtej kufijve krijon edhe mundësi financiare shumë më të rëndësishme se sa ato që mund të kenë buxhetet brenda vendit.

Falë anëtarësimit në Traduki, rreth 500 mijë euro janë tërhequr në këto 4 vite, jo nga Ministria e Kulturës por falë anëtarësimit të Ministrisë së Kulturës, nga botuesit, përkthyesit, shkrimtarët, organizatat e tjera kulturore të cilat veprojnë në fushën e letrave edhe të leximit e tël ibrit. Pra është e ndërsjelltë. Përveç se është një shkëmbim eksperience, përveç se është një dialog, përveç se është më shumë se sa diplomaci. Është ajo diplomacia që nuk zhbëhet në fakt dhe që pret publikun dhe partnerët tanë me emocione dhe vlera të thella që shkojnë përtej vendimeve administrative. Është edhe një ndihmë dhe përfitim financiar që shkon drejtpërdrejt tek skena e pavarur shqiptare.

Ndalemi pak tek teatri, këtu ka gëluar debati. Artistët e quajnë një periudhë pa dialog, një periudhë heshtjeje, ku është paraqitur projekti dhe gjithçka mund tëp ritet. Cilat janë zhvillimet, si i shihni këto që po ndodhin?

Në radhë të parë nuk jam dakord me emërtimin që bëhet, periudhë pa dialog. Ne kemi qenë tërë kohën në komunikim dhe vazhdojmë të jemi dhe unë këtë nuk e quaj as debat, as luftë, as përpjekje dhe tonet që përpiqen të përcillen si tone lufte unë nuk i ndaj. E para sepse nëse disa individë apo një grup individësh ngrenë zërin më lart për të thënë të njëjtën gjë që themi nëpër tavolina me një grup shumë më të gjerë që shkon përtej disa individëve që dalin në ekran. Komuniteti i artistëve por edhe opinioni publik është shumë më i gjerë dhe po ta shikoni dhe në zërat që kemi në media por dhe në ato që shkëmbehen në rrjetet sociale ka nëj diversitet shumë të madh mendimesh. Dhë në fakt unë këtë diversitet mendimesh e marr si një vlerë të shtuar të asaj që quhet diskutim, konsultim, komunikim publik. Sepse gjithçka ndodh në sheshin e mejdanit. Dhe dua të sqaroj dhe një gjë: nuk është paraqitur projekt. Është paraqitur dhe ndarë më publikun sikurse ishte premtuar një koncept i propozuar nga një arkitekt, reputacioni i të cilit tashmë është i konfirmuar botërisht. I propozohet shtetit shqiptar një koncept për një projekt të Teatrit Kombëtar.

Dhe ky projekt është parë…

Jo nuk është projekt, duhet të bëjmë një dallim. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë nuk është një projekt. Është një koncept, një propozim për një ide si mund të jetë teatri.

A ka transparencë të plotë për këtë propozim?

Sigurisht që ka.

Sepse aktorët ankohen për këtë, nuk dinë shumë detaje, të cilat janë shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e shfaqjeve.

Pikërisht, prandaj unë po ju bëj edhe një herë sqarimin. Ka një dallim të madh midis një koncepti, një propozimi, një projekt ideje dhe një projekti definitiv. Jemi në fillim. Më shumë se një muaj më parë në debatet televizive unë vetë kam thënë do ndajmë me publikun dhe komunitetin çfarëdo elementi të ri që do të kemi. Dhe më duket se nga të gjithë aktorët institucionalë dhe autoritetet janë ndarë të gjitha elementet në publik dhe në momentin që ne patëm një propozim të parë, një interes të shprehur nga një subjekt privat për një koncept të ri të Teatrit Kombëtar, gjëja e parë që bëmë, e ndamë atë me publikun dhe jemi në këtë pikë. Ajo që po diskutohet gabimisht është sikur ka një projekt ndërkohë që nuk ka një projekt definitiv. Ka vetëm një koncept.

E qartë, nuk ka një projekt, është një propozim. A mirëprisni të tjera?

Sigurisht që mirëpriten të tjera.

P.sh. atë të zotit Kapexhiu? 

Tani të bëjmë një dallim mes një dëshire të shprehur…

Jo ka një skicë, ka një plan zoti Kapexhiu…

Unë nuk e kam parë dhe nuk e kemi marrë zyrtarisht. Koncepti të cilin ne e prezantuam ishte një koncept që na erdhi në rrugë zyrtare. Erdhi një koncept, në të cilin arkitekti erdhi vetë dhe për gati një orë e prezantoi në publik deri në pikën ku kishte mbërritur pas një studimi të terrenit, të debatit, të një koncepti se si mund të zhvillohet deri në këtë fazë. Ndërkohë unë nuk e kam parë, nuk e di për çfarë propozimi bëhet fjalë nga zoti Kapexhiu por le të bëjmë dallimin midis vizatimit, dëshirës, konceptit, hedhjes së saj profesionale në letër, ndërtimi deri sa të vijmë tek një projekt i plotë. E them këtë pas katër vitesh, ku ndërkohë kemi punuar për katër teatro dhe këto katër teatro kanë kaluar nëpër të gjitha këto faza që ju po flisnit. Nga koncepti, tek propozimi, tek projekt ideja, tek projekt zbatimi e deri tek projekti teknik dhe jemi shumë larg asaj që quhet në kuptimin profesional, projekt. Po të merrni një arkitekt, ai do t’jua bëjë shumë mirë dallimin mes vizatimit, dëshirës dhe projektit.

Për ndërtimin e gjithçkaje, apo për të marrë çfarëdo lloj vendimi ka mënyra që funksiojnë me tender, gjithçka funksionon me tender apo konkurs, pse nuk ka një konkurs për teatrin?

Tenderi është mënyra e prokurimit kur bëhet fjalë për buxhete publike. Pra në momentin që kemi një financim publik në mënyrë të padiskutueshme e vetmja rrugë për të përdorur paranë publike janë prokurorimet publike. Në rastin konkret kemi një propozim me një kërkesë të bërë nga një subjekt privat. Pra, nuk jemi në përdorim të parave publike, e para. E dyta…

Edhe për këtë ka pikëpyetje…

Nuk kemi hyrë ende në procedurën juridike, në të cilën do të flisnim se do të ketë konkurs, do ketë tender apo jo. Jemi në ndarje me publikun të një propozimi që na vjen nga një studio private.

Përse një teatër i ndërtuar nga privati dhe pse të mos e marrë përsipër shteti ta ndërtojë? Sepse aktorët ankohen se shteti duhet të jetë ai që mendon për aktorët, privati mendon për veten e tij.

Edhe këtu kemi një qasje tjetër. Në 25 vite unë nuk di që të ketë pasur nga shteti, nga të gjitha qeveritë një iniciativë për të ndërtuar një teatër të ri. Ndërkohë që do duhet ta kishte bërë me kohë dhe madje do duhet të kishte parë pikërisht dhe të mendonte për aktorët sot, që le ta themi punojnë në kushte në Teatrin Kombëtar ekstremisht të vështira.

Përse nuk mendohet tani?

Sepse ne kemi katër vjet që po mendojmë dhe jo vetëm që po mendojmë por kemi dhënë prova që kemi investuar në katër vite, katër kantiere të reja teatrorë. Kemi rindërtuar nga e para teatrin e Korçës. Kemi restauruar me rreth 800 mijë dollarë teatrin “Migjeni”, kemi hapur një kantier gjigand me fonde publike të TKOB dhe kemi investuar rreth 4 mln dollarë në një skenë të re me dy skena. Pra, nqs kjo qeveri nuk do kishte investuar asnjë para nga buxhetet në skenën teatrore ju mund të ma bënit këtë pyetje. Ne duam të vazhdojmë me këto investime dhe do të thotë jemi gati të shfrytëzojmë dhe të shikojmë të gjitha hapësirat ligjore që na jep legjislacioni shqiptar për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe për të parë çdo burim tjetër ekonomik brenda ligjeve të shtetit shqiptar për të investuar në kulturë. Çdo partneritet publik, provat, pushtet lokal, pushtet qendror brenda hapësirave ligjore është më se i mirëpritur sepse nevojat janë shumë më të mëdha se kapacitetet e qeverisë së sotme. Ose do presim 20 vjet.

Ju thatë që mirëprisni dhe ide të tjera. Ju përmenda zotin Kapexhiu. A do të ketë një konkurs për teatrin dhe pse nuk ka një konkurs për teatrin?

Mënyra se si shkohet drejt realizimit të një projekti janë të shumta. Që nga ajo që quhet ofertë e pakërkuar, e cila në rastin konkret vjen si një propozim nga subjekt privat koncepti bashkë me propozimin për mekanizmin financiar deri tek iniciativat e ndërmarra nga vetë qeveria, siç kemi vepruar në rastin e Teatrit Kombëtar apo në rastin e qendrës të pagëzuar informalisht “Turbina” ku ne kemi bërë thirrje për projekte sepse ka qenë shteti financuesi dhe ku kemi kërkuar propozime. Pra të gjitha mënyrat ekzistojnë. Ajo që është e rëndësishme është që gjithçka të jetë brenda hapësirave ligjore. Në rastin konkret duke qenë se është një subjekt privat që propozon një formulë të tillë, propozon mekanizmin financiar, propozon edhe një koncept. Pastaj janë procedurat ligjore, institucionet që nga pushteti lokal deri tek parlamenti të cilat do të shqyrtojnë se cilat janë hapësirat ligjore për ta pranuar, për ta negociuar, për ta refuzuar apo për të kërkuar koncepte të reja.

Pra nuk quhet e mbyllur gjithçka?

Sigurisht që jo. Ne kemi marrë këtë premtim, çdo iniciativë dhe çdo propozim që do të kemi do ta ndajmë me publikun. Deri tani i jemi mbajtur këtij premtimi, kemi ndarë më publikun çdo propozim dhe në fakt ajo çka diskutohet rregullisht, diskutohet pikërisht këto propozime, këto oferta, këto mundësi që paraqiten dhe që ne i ndajmë me opinionin publik. Nga ana tjetër çdo propozim tjetër i cili nuk mjafton të hidhet në një studio televizive për t’u quajtur i tillë dhe për t’u konsideruar edhe nga pikëpamja administrative nëse ka është i mirëpritur të vijë, të paraqitet në një formë zyrtare, në një koncept më të plotë.

Pra është mundësia që të zhvillohet një konkurs lidhur me këtë, në momentin që në rrugë ligjore kemi disa variante dhe jo vetëm ai që është paraqitur dhe që gjithë aktorët kanë ankesa?

Sigurisht. Sepse ai është i vetmi variant që ka ardhur në një rrugë zyrtare dhe në një formë më të plotë se sa dëshirat që mund të shprehim dhe ne të dyja këtu mund të fillojmë të fantazojmë pse të mos bëhet këtu po të bëhet atje.

Kur morëm kërkesën që teatri duhet të ndërtohet aty ku është dhe po i përgjigjemi këtij interesi na thuhet pse e bëni këtu, pse nuk e bëni përtej stacionit të trenit tek bulevardi i ri. Siç e shikoni kjo është pjesë e debatit publik. Kjo është e mira e demokracisë dhe lirisë së shprehjes së mendimit. Por më pas do ketë disa procedura ligjore që do të zgjedhin se cili do të jetë varianti më i mirë në përputhje me ligjin por edhe me mundësitë financiare.

Çfarë përgjigje do të kishit për të shumëpërfolurat kulla?

Kjo kalon përtej debatit të artit. Mua më vjen pak keq që pak diskutohet për cilësinë e artit. Pak diskutohet për prodhimin skenik brenda skenave teatrore, ku ka edhe arritje, por ku ka dhe mediokritete. Nuk ka një kritikë se si performohet në teatër, në teatrin e operave, si performohet në letërsi, si performohet në artet vizuale. Ndërkohë që do duhej të kishim një debat për këtë ku artistët të përballen në radhë të parë me atë çfarë është debati dhe pjesa më e rëndësishme e produksionit dhe e profesionit të tyre. Ndërsa çështja e diskutimit të kullave shkon përtej diskutimit të artit në vetvete. Ka të bëjë me menaxhimin e territorit, ka të bëjë me përfshirjen e shumë aktorëve që nga pushtetet lokale deri tek Këshilli Kombëtar i Territorit. Kur përzihen të gjitha debatet në një, më duket se humbasim në një kakofoni për hir të debatit por jo për hir të asaj që do të ishte substanca e debatit artistik.

Për sa i takon sipërfaqes, ju duket e mjaftueshme? Aktorët thonë jo nuk ka sipërfaqe të mjaftueshme? Janë 600 metër katrorë në total, ndërkohë 200 mbeten…

Të gjitha këto janë presupozime që nuk përputhen me realitetit. Koncepti që u prezantua nuk ishte projekt i plotë, ishte një koncept për teatrin.

Për të cilin kërkohet të dihet më tepër, duhet të jenë më transparentë aktorët…

Po kur të ketë më shumë propozimi. Elementët që ju po flisni, janë elementë zbatimi. Nuk jemi tek projekti i zbatimit. Ne e kemi treguar tek dy projektet e tjera, tek i Turbinës dhe TKOB që gjatë gjithë kohës, arkitektët kanë punuar me vetë artistët, me balerinët, me sopranot, me korin, me aktorët për projektet që janë në zbatim e sipër. Dhe janë elementë pjesë e projektit të zbatimit, jo të konceptit. Koncepti që u prezantuar bënte fjalë për një objekt rreth 9 mijë metra katrorë sipërfaqe të institucionit. Ndërkohë sot jemi në 1300 metra katrorë. Nuk do të doja të hyja në këto detaje sepse do të jenë pjesë e projektit të zbatimit. Në momentin që do kemi çfarë do lloj informacioni do ndahet e do diskutohet. Sot po diskutojmë në mënyrë krejt empirike pa pasur konfirmime të shifrave. Le t’ja lëmë kohës. Çdo hap që do bëhet do ndahet me publikun. Nuk ka mungesë transparence.

Pra do të vijoni të jeni me grupet e interesit në kontakt, në bisedime, në takime për të marrë çdo informacion?

Patjetër çdo detaj që do ta kemi do ta ndajmë siç e kemi bërë deri tani.

Kur flasim për një teatër të ri, që do ndërtohet, çfarë mund të themi për vlerat historike, për ruajtjen e identitetit? Ka shumë akuza që do të prishet, do të ikë identiteti. 

Në fakt për sa i përket ruajtjes së identitetit e kemi treguar gjatë këtyre 4 viteve se sa shumë është për trashëgiminë kulturore, për gjëra me vlerë shekullore, të cilat praktikisht ose janë zhdukur për fat të keq në këto 25 vite.

Po për teatrin?

Jo, se qasja njësoj është dhe qasja është globale. Nuk ka një politikë për një objekt. Ka politikë për identitetin dhe trashëgiminë kulturore në total nga Konispoli deri në Shkodër. Ndërkohë objekti në fjalë, i cili sipas ekspertizave ne presim dhe një ekspertizë të fundit të institutit të ndërtimeve që është institucion i profesionalizuar dhe që ka ekspertizën e duhur është një godinë e amortizuar në moskthim për shkak të teknologjisë, për shkak të kohës dhe për shkak të mosndërhyrjes për 70 vjet dhe është në limitet e rrezikut për atë objekt. Ne kemi marrë masat në këto 4 vite dhe kemi bërë disa ndërhyrje për të ruajtur stabilitetin. Por të gjitha ekspertizat deri tani flasin për një godinë tejet të amortizuar të një periudhe, e cila dhe kur është ndërtuar për një periudhë kohe./BW/

 

PasPara

2 komente

  1. Le nam o grue!
    Nuk te ben me faj kush, se asish lloj burrash ke siper, ne Krye-Qeveri e KryeBashki,
    por nuk ben keq ta kursesh nje cike veten…
    E marrim vesh, te jesh Ministre e Tyre do te thote, me se shumti je Perkthyese e Tyre,
    por jo edhe kaq perkthim te lire!

    Keni apo s’keni plan?!
    Project apo maket?!
    Teater apo …estrade?!

    U be njezete vjete qe Rama ishte minister dhe kercenoi Teatrin, turperisht edhe Viola Manushaqen, dhe ju ende nuk dini si ta perktheni zemeraten e tij…
    Traduki, sapo…

  2. Ministre e Kultures pa kulture, gjate gjithe intervistes na ngateron me “Propozim” i bere nga nje privat qe ka ca leke teper e kerkon ti hedhe ne ere.
    Jo projekt, por propozim , jo mish po peshk.
    Kerkon te mbroje Mega-hajdutin Edi dhe na sjell verdalle, ne nje kohe qe te gjithe artistet i ka kundra e ketu del e mashtron pa pike turpi e ku ka turp Mirela qe brenda Qendres Arkeologjike ne Butrint kundrejt rryshfetit dha leje per te ndertuar Restorant, e me artistet po bisedon e po u merr mendim atyre, shume e peshtire.
    Edi Droga ka 15 vjet qe ne kohen kur ishte Kryetar i Bashkise se Tiranes i erdhi verdalle e kerkonte te prishte Teatrin Kombetar e ne vend te saj te ndertonte nje GRADACEL ku brenda saj te kishte edhe nje Teater.
    Shoqja Mirela apo kumbari i shkaterimit te teatrit, eshte skenar i vjeter me te njejten person Ed Drogen i pangopur dhe ka Zahon pa buke.
    Ky kodosh Kryeminister kuda qe “nderton” cdo objekti i bashkangjit edhe kulle si ne rastin e Stadiumit “Qemal Stafa”, ja ka pare hajrin PP (Partneritetit Privat), qe nuk i ze gjumi per Il Popolo Albanese.

Leave a Reply to Ed droga Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas