Kryesore, Mapo Letrare

Debati për “Çmimin Kadare”: Kontestimet dhe kritika e munguar

Në katër vite jetë çmimi letrar Kadare ka provokuar debate mbi letërsinë e mirë por dhe mënyrën e organizimit të institucioneve që kanë të bëjnë me vlerësimin. Bashkim Shehu, Rudolf Marku, Natasha Lako bëjnë një analizë të mënyrës sesi duhet të funksionojë ky çmim

Çmimet letrare jo vetëm janë një nxitje për letërsinë e mirë, dhe klimën letrare në vend, por dhe i japin një kah debateve bashkëkohore për letërsinë. Pas viteve 90-të ka pasur rënie gjithë e më tepër të nivelit të kritikës letrare apo të debatit mbi letërsinë. Autorë e botime shpesh dhe të rëndësishme kanë kaluar në heshtje pa marrë atë ngjyrimin që shpesh një kritikë e specializuar ia jep, duke e klasifikuar dhe vendin që ai do të ketë në historinë letrare. Çmimi letrar Kadare erdhi si një sfidë, për të kontribuar jo vetëm në nxitje të letërsisë së mirë, por dhe për të krijuar atë debatin që do të krijojë më pas kritikën dhe shkrimtarin e munguar.  Në katër vite jetë, ky konkurs ka arritur të japë një tablo të letërsisë shqipe sot, por dhe të orientojë një debat i cili në thelb tregon dhe aftësitë e terrenit tonë letrare për përballje të tilla. Shpesh me një gjuhë që nuk ngjan me estetikën e një kritiku të letërsisë çmimi Kadare ka provokuar atë nervin e fjetur të njerëzve të letrave. Kështu ka ndodhur edhe në edicionin e katërt me veprën fituese “Piramida e shpirtrave” me autor VirgjilMuçi. Ndërsa juria e këtij edicioni e kryesuar nga KimMehmeti e vlerësoi këtë vepër si më të mirën në një konkurs ku morën pjesë mbi 30 dorëshkrime me motivacionin “Për mënyrën sesi ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, I cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”, EdisionYpi në shkrimin me titull “Biçim romani i Virgjil Muçit”, shkruan se “Biçim romani i Virgjil Muçit, si gjithë biçim romanet, nuk të lodh, nuk të shplodh, nuk të mahnit, nuk të magjeps, nuk të bën të ëndërrosh, nuk të qartëson, nuk të turbullon, nuk të çon kurrkund, nuk të sjell prej askund, nuk të djersit, nuk të freskon, nuk të ankthëson, nuk të relakson, nuk të thur, nuk të shthur, nuk të sëmur, nuk të shëron, nuk të bën të qash, nuk të bën të qeshësh, nuk të bën të kujtosh, nuk të bën të harrosh, nuk të mbron, nuk të sulmon, nuk të entuziazmon, nuk të zemëron, nuk të shtyn, nuk të tërheq, edhe nëse e lexon edhe nëse nuk e lexon, edhe nëse ekziston, edhe nëse nuk ekziston”. Gazetarja e kulturës ElsaDemo shkon edhe më tej teksa pranon se nuk e ka lexuar librin, por sipas saj “ fituesi i çmimit Kadare është një vepër me një frymë dhe një linjë të përsëritur”. Ledia Dushi, pedagoge pranë UET, shprehet se “Piramida e shpirtrave” është një libër i shkruar mirë në kuptimin estetik të fjalës, në konceptin e përdorimit të gjuhës, në gjetjen që sjell”. “Shkrimtarit i është dashur me krijuar një personazh, të huazohet, pasi personazhi kryesor Mark Mara është një  personazh i lindur nga prindër shqiptar e kthehet në Shqipëri për me të parë atdheun e prindërve. VirgjilMuci na ndihmon të shohim Shqipërinë me sytë e një njeriu që nuk është prodhim i drejtpërdrejt i këtij vendi por që vjen në një udhëtim njohës në këtë vend”, thotë Dushi. Ndërsa në librari libri vijon të kërkohet nga lexuesi duket se ende një kritikë më e vëmendshme ndaj librit mungon, duke treguar një situatë të përsëritur këto vite, atë të një indiferencë që njerëzit e librave kanë ndaj njëri-tjetrit. Vetë autorët e pranojnë se e lexojnë shumë pak njëri tjetrin. Të njëjtën indifentizëm tregojnë dhe studiuesit e letërsisë.



Tri sugjerime nga Bashkim Shehu

Por debati që ka provokuar ky çmim në këto vite nuk ka pasur në fokus vetëm veprën fituese por dhe mënyrën e vlerësimit të kësaj vepre. Juria është vendosur shpesh përballë akuzave për “zgjedhje të gabuar” apo sugjerimeve se cili prej dorëshkrimeve apo autorëve meritonte çmimin e madh. Ishte Bashkim Shehu, ish kryetar i Jurisë në edicionin e tretë, i cili vetëm një javë pas shpalljes së fituesit bëri një shkrim ku rendiste disa sugjerime mbi procedurat e dhënies të këtij vlerësimi letrar në të ardhmen. “Së pari, mendoj se periudha e pranimit të teksteve që konkurrojnë duhet të fillojë më herët nga sa ka filluar gjer tani dhe të mbyllet më herët nga sa është mbyllur gjer tani. Ky ndryshim kalendarik do t’i jepte mundësi çdo anëtari të jurisë të lexonte më me nge dhe, si rrjedhojë e vetëkuptueshme, të jepte vlerësime më të peshuara për çdonjërën nga veprat.Së dyti, gjithashtu në funksion të një gjykimi sa më të peshuar, mënyra e dhënies së vlerësimeve mund të ndryshojë. Kësisoj, në vend që vlerësimet, sikurse gjer tani, të jepen duke përzgjedhur tre ose pesë vepra si finaliste dhe pastaj duke përzgjedhur prej tyre veprën fituese, mund të jepen duke vlerësuar çdo vepër në një shkallë numerike nga zero deri në pesë pikë, ndoshta duke përdorur edhe decimalet. Në të njëjtën kohë, kjo mënyrë vlerësimi, ngaqë është më e ndërlikuar, do t’i pakësonte gjasat e ndikimeve të ndërsjella midis anëtarëve të jurisë: fundja, njerëz jemi dhe gjasa të tilla gjithmonë ekzistojnë.Së treti, për të kundërpeshuar sa të jetë e mundur atë subjektivitet që, përderisa jemi në fushën e shijeve letrare, është i pashmangshëm, për mendimin tim do të ishte mirë që të shtohej numri i anëtarëve të jurisë.Dhe, së fundi, çka më duket edhe më e rëndësishmja: më e mira do të ishte që anëtarët e jurisë të mos i dinin emrat e autorëve të veprave që lexojnë, as titujt e veprave, gjersa të përfundojë votimi”, shkruante Shehu ndër të tjera duke i quajtur praktika që i praktikojnë dhe vendet e tjera.

Rudolf Marku, kritika mbi jurinë

Rudolf Marku, fituesi i edicionit të parë të çmimit Kadare, u shpreh në një shkrim se “pavarësisht nga qëllimi fisnik, mecanatist dhe altruist i themeluesit të çmimit “Kadare”, ky çmim rrezikon seriozisht të dështojë pikërisht nga gjyqtarët panelistë”. “Deri tani nuk kam parë asnjë kriter në zgjedhjen e asaj që ne e quajmë juri. Kam përshtypjen se juritë deri më tash kanë qenë një zgjedhje spontane e disa njerëzve të rekomanduar privatisht, pa asnjë sfond bindës akademik, estetik, gusto të lindur a të kultivuar letrare dhe personale. Prezantimi pompoz dhe fals i jurive si personalitete menjëherë pas përzgjedhjes së tyre bën pjesë në paketën e dështimit të çmimit. Edhe kur ndonjëherë më të rrallë ka qenë zgjedhur ndonjë kryetar jurie bindës në personalitetin e vet, ai ka qenë i rrethuar nga anëtarë të dyshimtë në shije dhe në etikë: le ta themi hapur, shumica e anëtarëve të jurisë nuk i lexojnë të gjitha veprat e paraqitura për konkurrim, duke inkurajuar atë traditë të mbrapshtë të së djeshmes e të së sotmes, të lavdërimit a të sharjeve të veprave letrare troҫ, me një arrogancë të paparë harbutërie dhe injorance, pa i lexuar aspak veprat për të cilat guxojnë të flasin! Në një kohë që leximi i veprës duhej të ishte dhe akti më i parë i një gjykatësi jurie, shoqëruar më pas me përpjekjen për ta ndier e kuptuar tekstin dhe tërësinë e tij”, shkruante Marku.

Natasha Lako: Ka humbur besueshmëria në çmime         

Poetja Natasha Lako kërkon më shumë promocion për çmimet letrare, duke thënë se mungon ajo festa e letërsisë. “Duhet të ketë më tepër promocion dhe përgatitje që një çmim letrar të kthehet në një festë të vërtetë të letërsisë. Mungojnë emisionet për këto ngjarje…”, thotë ajo. Sipas saj, gjithnjë do të ketë pakënaqësi për juritë. “Rëndësi ka t’u jepet çmim veprave që mbeten dhe lexuesi që në Shqipëri nuk beson në asgjë, të bindet”, thotë ajo. Pra çmimi letrar është i lidhur me organizime të hapura dhe sistematike të shkrimtarëve, sepse bibliotekat nuk mungojnë. “Gjendja me librin do të vijojë të jetë kaotike për sa kohë ka botime me pagesë nga çdokush. Pedagogët e letërsisë në universitet jetojnë në rrethe të mbyllura, aq sa bëhen të dyshimtë. P.sh. ata të Filologjisë më tepër flasin për politikë sesa letërsi. Pra mendoj se ka humbur besueshmëria për çdo çmim, pavarësisht letërsisë së mirë. Lexuesi në ka të tillë, e di se kush do të marrë çmim nga mënyra dhe cikli i përsëritur i atyre që zgjidhen nëpër juri. Sado që po përpiqet Universiteti Europian i Tiranë nuk ka prestigj çdo çmim, madje edhe pse emri Kadare është i madh. Kjo ndodh për fajin e klimës që është krijuar ndaj veprave dhe autorëve shqiptarë. Duhet që klima letrare të jetë më e pranishme ashtu siç ndodh me atmosferën e futbollit apo volejbollit të sotëm. E them këtë duke ndjekur jetën aktive letrare sot çdo gjë do të vijë duke u zhvleftësuar, sepse njerëzit po mësohen me mungesën e një biblioteke të vërtetë, pasi e dinë që librat mund të qullen dhe të digjen si t’u dojë qejfi”, thotë Lako.

 

Anëtar jurie dhe gjykatësit e jurive

Nga Agim Baçi

Konkurruesit e çdo çmimi letrar, por besoj se dhe në gjinitë e tjera të artit, vijnë në atë pikë me besimin se vepra e tyre e meriton të vlerësohet maksimalisht. Por si çdo çmim, vetëm njëri ka fatin të jetë fituesi. E them me kuptimin e plotë të fjalës “fat”, pasi mundet që të jetë një konkurrim i fortë dhe, për shkak të kësaj konkurrence, ku qëllon të ketë disa vepra shumë të mira, sërish fituese do të jetë vetëm një vepër. Mund të jetë çështje e një vote, siç ka ndodhur thuajse në të gjithë konkurrimet në çmimin “Kadare”, ku fituesi është ndarë nga një votë. Fatmirësisht themeluesi i këtij çmimi, zoti Çili, është treguar i hapur jo vetëm ndaj debatit por edhe që veprat më të diskutura nga juritë edhe t’i botojë pas konkursit. Dhe unë personalisht do të mbështesja një debat sa më të gjerë për veprat pasi të botoheshin, sidomos ato libra që shkojnë deri në fazën e fundit të konkurrimit. E ndoshta juria përkatëse do të ishte më pas një garantuese e debatit ndaj vlerave librave që nuk kishte vlerësuar me çmim. Kjo do ta bënte çdo anëtar të jurisë edhe më të përgjegjshëm për votën e tij, pasi do të duhej të ishte pjesë e argumentimit publik.

Po ku ka qenë paradoksi i madh i debatit me fituesit e derisotëm të këtij çmimi? Së pari, kontestimi ndaj fituesit apo ndaj anëtarëve të jurisë është bërë nga persona që nuk kanë pasur asnjë vepër tjetër përballë, përveç veprës së tyre (kur është kontestuar nga konkurruesit), ose është bërë nga dikush që për hir të adhurimit që ka për Ismail Kadarenë nuk do të pranonte që askush të kishte mbi kopertinë çmimin me këtë emër.

Këto kontestime, përveç pafuqisë për të pranuar një fitues tjetër,  kanë pasur shpesh shije keqleximesh apo delirantësh, që besojnë se janë vetëm ata dhe veprat e tyre në këtë botë.  Kontestimeve ndaj punës së jurive dhe veprave fituese në mënyrë të çuditshme iu është shtuar edhe fituesi i kontestuar i edicionit të parë, dhe anëtar jurie i edicionit të dytë, shkrimtari RudolMarku. Jo se nuk ka gjëra për të rregulluar te juritë, që nga përzgjedhja e deri tek një rregullore që do të shmangte spontanitetet e sekondës së fundit. Por Marku, që përmendte në shkrimin e tij edhe punën e shumë jurive, e di shumë mirë se, që nga juria e “Nobelit” e gjithë juritë e tjera nëpër botë kanë pasur kontestime shpeshherë. Natyrisht jo kritika delirante sa ç’ndodh në Shqipëri, por gjithsesi ka pasur kritika të forta, por që në thelb kanë pasur dashurinë për artin dhe jo urrejtje për fituesit apo vlerësuesit. Dhe në Shqipëri, nuk ka pasur kursim për juritë as kur kanë qenë me tituj akademikë, as kur kanë pasur shumë përvojë, e as kur kanë qenë shkrimtarë e lexues të gjithëpranuar, si në rastin kur ka qenë vetë Marku në juri bashkë me Zogajn, Bakallin, Çulin, Aliçkën.

Unë vetë  nuk kam qenë në atë vit në juri kur Marku është shpallur fitues,  por besoj se anëtarët e jurive kanë qenë seriozë dhe në bazë të shijeve të tyre estetike kanë debatuar dhe gjykuar vepër për vepër. Argumentimet “pro” dhe “kundër” kanë pasur fatin e mirë apo të keq që t’i nënshtrohen votimit. Dhe ne nuk kemi shpikur ende asnjë mekanizëm tjetër për të shpallur një fitues. Personalisht i kam kërkuar ideuesit dhe financuesit të këtij çmimi, z. Çili, që të gjejë rrugë sa më transparente lidhur me arritjen deri te fituesi, ndoshta duke duke zgjatur më shumë kohën në dispozicion të leximeve, mënyrën e diskutimeve, si dhe shenjën e pikëzimeve për çdo vepër, siç propozonte në shkrimin e tij edhe shkrimtari Bashkim Shehu që ishte kryetar i jurisë në vitin 2017. Jam dakord edhe me propozimin që veprat do të ishin më mirë të lexoheshin pa emrin e autorit, që ne të gjykonim thellësisht vetëm tekstin me të cilën konkurrohet, pa u ndikuar aspak nga veprat e mëparshme. Kjo edhe për faktin se ai çmim jepet për një vepër të pabotuar dhe jo për gjithë karrierën e shkrimtarit. Por ky propozim mbetet për t’u parë nga organizatorët, të cilët janë edhe më të interesuarit që çmimi të jetë sa më objektiv ndaj vlerave që paraqiten në konkurrim, e si i tillë, edhe një garant për ata që dëshirojnë të jenë pjesë në të ardhmen.

Natyrisht, gjykimet estetike janë të lidhura ngushtësisht me procesin e njohjes teorike. Por leximet kanë nevojë jo vetëm për një mirëlexim, por edhe vetëbesim për atë çfarë mbështet dhe çfarë përjeton cilido anëtar jurie. Ndaj, ata që pranojnë të jenë në një juri është mirë të marrin parasysh edhe interpretimin e bindjeve të tyre, pasi përmes votës së tyre ata orientojnë. Pra leximet e jurive duhet të kapërcejnë klishenë “se më pëlqen mua”, dhe të hyjnë në argumentime për votën e tyre.

… E megjithatë juritë veçse shënjojnë një orientim për një vit, dy apo tre, ndërkohë që koha vijon të jetë një gjykatëse e rreptë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas