Kryesore, Mapo Format, Mapo Letrare

Debati i UET-Press: Ja çfarë thonë emrat e njohur të letrave për krizën e librit

Njerëzit po lexojnë gjithmonë e më pak libra. Kështu po ndodh në Shqipëri, por si gjithmonë këtu ‘tërmeti’ është më i fortë. Përse kemi ardhur në këtë situatë? Për të diskutuar për këtë temë gjatë Panairit të Librit, UET-Press dhe Instituti Europian Pashko organizuan një konferencë ku folën emra si Mehmet Kraja, Mimoza Ahmeti, Vera Bekteshi, Alfred Peza, Belina Budini, Eir Plasari, Genciana Abazi-Egro, Ben Andoni etj.

UET-Press dhe Instituti Europian Pashko organizuan një konferencë debati me temën ‘Shkrimtari, tregu dhe komunikimi’, duke parë edhe moton e Panairit të Librit që është lexueshmëria. Prej vitesh, botuesit kanë dhënë alarmin për uljen e lexueshmërisë. Ajo që spikaste në këtë panair bën përshtypje te të gjithë, që pjesa më e madhe e botuesve promovojnë autorët e huaj dhe kjo është diçka normale për tregun ku gjithsecili kërkon të shkojë. UET-Press dhe Instituti Europian Pashko prej kohësh kanë nisur një iniciativë të dobishme dhe të domosdoshme për të mbështetur autorët dhe letërsinë shqipe. Gjatë këtij takimi ishin të ftuar një pjesë e emrave të njohur të letërsisë shqipe, që tashmë janë pjesë e kolanës Mapo Edition. Kohët e fundit libri është vënë re që më shumë komunikohet, por duhet gjetur një mënyrë se si libri dhe shkrimtari të shkojnë më shpejt pranë lexuesit.



Pjesë e këtij diskutimi ishte prof. asoc. dr. Genciana Abazi-Egro, e cila tregoi se në ditët e sotme duhet të diskutohet më shumë se si ta përfshijmë komunikimin digjital në komunikimin e letërsisë.

“Duhet të përqendrohemi në çështjen se si komunikohet libri, është një çështje pak a shumë e parrahur në tryezat tona të diskutimeve dhe një çështje e pastudiuar mirë. UET, në nismën që ka pasur në lidhje me Shkencat Humane dhe Letërsinë ka patur një ndërlidhje të Shkencave Humane me komunikimin. Unë do thosha që kur e trajtojmë komunikimin, se si trajtohet komunikimi te lexuesi, zakonisht tërhiqet vëmendja mbi kritikën letrare. Kritika shihet si një ndërmjetëse midis lexuesit dhe tekstit të shkruar letrar. Jam e mendimit që në ditët e sotme duhet të diskutohet më shumë se si ta përfshijmë komunikimin digjital në komunikimin e letërsisë. Komunikimi digjital është lënë jashtë vëmendjes. E kemi ngritur çështjen e librit elektronik, por nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Digjitalizimi apo komunikimi nëpërmjet internetit duhet të bëhet pjesë e komunikimit të letërsisë te lexuesi, sepse komunikimi nëpërmjet internetit vendos dhe një komunikim interaktiv me lexuesin. Letërsia nuk transmetohet te lexuesi vetëm nëpërmjet mendimit kritik të specialistëve, por fut dhe një mendim kritik të lexuesve. Pra, vendoset një bashkëbisedim më i afërt i mendimit kritik, i lexuesit dhe autorit. Plotësohet më mirë trekëndëshi lexues, autor dhe kritikë”.

Sipas shkrimtares së njohur dhe autores së një serie botimesh Mimoza Ahmetit, një nga fenomenet e tranzicionit është që mediat sidomos pas vitit ’97 lanë shumë pak vend për letërsinë. Arsye të tjera përveç politizimit të mediave janë të shumta, futja e letërsisë së huaj, e cila është e pashmangshme në sferën e globalizmit, tituj dhe emra për të cilët mungon kritika, por në mënyrë komerciale kanë gjetur rrugët e tyre për të arritur te lexuesi.

“Sfidat e autorit në letërsinë shqipe. Një nga fenomenet e tranzicionit është që mediat, sidomos vitet pas vitin ’97, lanë shumë pak vend për letërsinë. Transmetojnë kryesisht vetveten dhe janë biznes i vetes së tyre. Për shkrimtarin, krijuesin, kjo është vështirësi e madhe, e cila prek elementin emocional të shkrimit, që është frymëzimi. Mund të thotë që po e bëj këtë vepër, unë kam shumë vepra që më kanë mbetur në sirtar sepse ka një situatë bukosje të mediatizimit të tekstit. Arsye të tjera përveç politizimit të mediave janë të shumta, futja e letërsisë së huaj, e cila është e pashmangshme në sferën e globalizmit, tituj dhe emra për të cilët mungon kritika, por në mënyrë komerciale kanë gjetur rrugët e tyre për të arritur te lexuesi. Një mangësi shumë e madhe në botën e krijuesit shqiptar është që në embrionin e kërkesës për të lidhur krijuesin me lexuesin është vetë hapësira letrare shqipe që për ’50 vite kaloi një ngurosje nga ideologjizimi i saj dhe jo vetëm i saj, por dhe i historisë dhe gjuhës”.

Përgjegjësja e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës, prof. asoc. dr. Belina Budini shprehet se librat elektronikë janë forma të komunikimit të librit, por nuk janë zëvendësues të librit copy.

“Duke qenë se departamenti që përfaqësoj në UET, publikimet nuk i ka vetëm letërsi, por dhe degë të tjera si linguistika, filozofia etj., pra komunikimin e kemi aty gjatë gjithë kohës. Peshën dhe rëndësinë e komunikimit e kemi kuptuar edhe për atë treg që ka krijuar ky program komunikimi. Por dhe për faktin që Universiteti Europian i Tiranës me Mapo Edition, me UET-Press, më parë është investuar shumë në të komunikuarit e librit, pra e tekstit në përgjithësi. Komunikimi i një teksti nuk garanton komunikimin e vetvetes në masën më të plotë të mundshme. Ka rrugë të tjera pafund të domosdoshme për të komunikuar që teksti pa to nuk mund të shkojë aty ku ne aspirojmë. Pra me publikimin e një libri unë gjykoj se sapo ka filluar komunikimi i këtij libri. Duke filluar nga libraritë dhe bibliotekat, universitetet që kanë një rol të rëndësishëm për përpunimin e koncepteve të një libri, mediat, gjithashtu, kanë rol të rëndësishëm. Kritika letrare, kritika e mendimit gjithashtu, vetë lexuesit si një i komunikuar prej librit. Institucionet shtetërore duhet ta bëjnë këtë punë. Librat elektronikë janë forma të komunikimit të librit, por nuk janë zëvendësues të librit copy. Nuk është e lehtë të gjesh një libër për studentët dhe t’i identifikosh ato sot. Unë them që Mapo dhe Universiteti Europian i Tiranës ka krijuar një sistem shumë të mirë të promovimit të librave. Duke nxitur shpesh debate dhe vetë promovues ndonjëherë. Qëllimi është përmbushur dhe ka qenë pozitiv”.

Gazetari i njohur dhe shkrimtari Alfred Peza shprehet se ka ardhur koha të digjitalizohet i gjithë sistemi i letërsisë.

“Nga përvoja ime me librin, kam pasur ndjesinë pozitive në një element që i lidh të gjitha diskutimet e deritanishme. Ishte romani i parë i imi, por dhe libri i parë në shqip që kishte një faqe të dedikuar, një uebsite. Sara.al arriti që në dy apo tre muajt e mediatizimit të librit, të komunikimit tim publik, arriti të ishte në rankimin e 30 mijë faqeve që ka në gjuhën shqipe, në vendin e 1 mijtë. Pa patur asnjë lloj injektimi të sponsorizuar, por vetëm për shkak të debatit që po krijohej rreth librit dhe është një tregues i asaj që ne vërtet mund të mos e bëjmë gjithë letërsinë online, apo të mos i vëmë vulën diskutimit që duhet në letër apo online. Dhe kam diskutuar që puna e letërsisë digjitale dhe letërsisë në letër, ne vazhdojmë të jemi partizanë të letrës. Mendoj se ka ardhur koha të digjitalizohet i gjithë sistemi i letërsisë. Nuk është çështja për ta shitur letërsinë online apo nëpërmjet aplikacioneve, apo në rrjete sociale. Le ta shesim në letër, nëse funksionon i gjithë sistemi i mbyllur, ne kemi rënë në grackën e fragmentarizimit ku botuesit shqiptar shesin vetëm në Tiranë dhe jo në të gjithë republikën. Po të shikojmë në internet, popullsia shqiptare në botë sipas Wikipedias shkon në 12 milionë, sipas Google në 18 milionë dhe sipas CIA-s në 20 milionë. Nëse do bëjmë letërsi dhe të prodhojmë një industri për 20 milionë banorë duhet të flasim me të tjera sfida, me të tjera norma dhe prioritete. Nëse ne duam të fusim digjitalizimin, le të fillojmë në digjitalizimin në tërësi të botimeve si industri. Duhet të arrijmë në diskutime të një niveli tjetër që ka vend nëse ne e suportojmë nëpërmjet onlines mund të kemi shitje siç ishte dhe shitja e letrës së librit”.

Sipas gazetarit dhe përkthyesit të njohur Ben Andonit, primare mbetet pika A nga nis transmetimi dhe pika B që është lexuesi. Ai reagon ndjeshëm për faktin që botuesit shqiptarë në këtë përçarje të madhe nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për të bashkuar shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës kryesisht dhe Shqipërisë për të krijuar një treg unik të paktën për leximin.

“Modelet kanë evoluar dhe ka shumë hallka të tjera. Primare mbetet pika A se nga niset dhe pika B që është marrësi. Mendoj se neve na mungon marrësi. Mund t’i veshim elemente dhe ngjyresa të ndryshme, por problem në Shqipëri mbetet lexuesi. Si komunikon letërsia e sotme shqipe me lexuesin. Më besoni që çdo ditë e më pak. Sepse pjesa e madhe e botuesve janë ‘fake’ dhe pjesa më e madhe e marrësit që është publiku është nën darën e madhe të globalizmit dhe është krejtësisht indiferent ndaj marrjes së çdo mesazhi që e impenjon atë. Diskursi nga duhet nisur është për të gjetur bazat. Një nga problemet më të mëdha të këtij sistemi, dua të përjashtoj Ministrinë e Kulturës që është katastrofë, për gjithë gjërat që ndodhin me librin. Jemi në vitin e gjashtë ku premtoi të hiqte taksat, TVSH-të. Duhen thënë gjërat reale që përcillen te lexuesi. Unë e vlerësoj që Universitetin Europian i Tiranës po merret me promovimin e letërsisë shqipe. Ju vetë jeni një barrierë për prurjet e tjera. Shtëpitë botuese në Shqipëri shikohen si armike me njëra- tjetrën. Në këtë gradë është sot. Dua të flas dhe diçka për përkthimin duke qenë se vij nga ajo fushë. Mua më shqetëson mënyra se si letërsitë komunikojnë me njëra-tjetrën. Letërsitë mbushen dhe zbrazen dhe kanë nivele gati të njëjta me njëra-tjetrën. Më vjen keq që botuesit shqiptar në këtë përçarje të madhe nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për të bashkuar shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës kryesisht dhe Shqipërisë për të krijuar një treg unik të paktën për leximin. Ka plot që s’i kuptojnë përkthimet etj. etj. Komunikimi në letërsi duhet ta gjente tregun brenda Shqipërisë. Mendoj se debatet tona duhet të krijonin një komunitet për fushën e leximit dhe të gjenim pikat ku t’i drejtoheshim lexuesit. Është e vërtetë që shumë studentë tanët dalin mirë jashtë, por dhe jashtë vendit ka pak shkolla të mira. Një pjesë, gjysma e shkollave britanike kanë treguar që janë për të ardhur keq. Lufta për të ngritur një sistem është një luftë në të cilën duhen vendosur disa tulla të drejta. Duhet të bëjmë diçka që mamuthi i palëvizshëm i letërsisë shqiptare të fillojë të ndryshojë. Mblidhemi çdo vit dhe flasim të njëjtat gjëra pa zgjidhur gjë. Për sa i përket çështjes së digjitalizimit mua më pëlqen shumë. Dua që lexuesi shqiptar nuk duhet që të lexojë diçka dhe të thotë që skam kuptuar asgjë. Më vjen keq që shumë të rrahin krahët por kur bëjnë testime pak njerëz e lexojnë. Ose lexojnë veten e tyre ose lexojnë njëri-tjetrin se ku e ku ta godasin. Nuk është problem të bësh kritikë letrare, por të krijosh realizosh kritikë letrare. Duhet të kesh formim dhe një shkollë kritike. Kam qenë shumë optimist kur bëri organin e letërsisë fakulteti ynë filologjik. Thashë do kemi një guardian letrar më në fund. Që në numrin e dytë ky organ filloi të bënte qokat. Institucioni që përfshin kritikën mos të arrijë të bëjë kritikën, imagjinojeni si mund ta bëjë gazeta sot. Më ka ndodhur që kam përfituar nga kritikat që janë bërë se sa të lexosh një tekst për qoka ndaj njëri-tjetrit”.

Vajza e dy personazheve të njohur në letrat shqipe poetes Mimoza Ahmeti dhe studiuesit Aurel Plasari, Eir Plasari ishte po ashtu pjesë e diskutimit mbi digjitalizimin, letrat dhe letërsinë shqipe. Ajo shprehet se nuk ka lexues sepse s’ka transmetim të mirë të kulturës.

“Fakti që duhet të shkruajmë diçka, do të thotë që kemi të gjithë energjinë tonë. Nëpër botë po flitet shumë për shkrimtarët. Ka shkrimtarë që shkruajnë nëpër televizione me plot kuptimin e fjalës. Përmes teksteve apo dialogjeve të ndryshme. Lexuesi ka problem me vëmendjen sot, kemi shumë informacione dhe teknologjia na shpërqendron. Kjo është një sfidë e vërtetë. Është e rëndësishme dhe shpresojmë që të kemi lexues që lexojnë sepse e kanë të nevojshme të lexojnë. Më habisin disa që thonë se unë nuk dua të lexoj, unë nuk kam lexuar ndonjëherë. Duhet të lexojnë sepse është e nevojshme dhe jo si një detyrim. Situata është interesante. Ne që aspirojmë të shkruajmë mund të gjejmë elemente kulture për të shkruar diçka. Nuk lexojnë se ju duket problematik impakti që kanë me librin. Fjali të tilla janë tronditëse. Nuk ka asnjë mënyrë për ta luftuar këtë traumë të madhe. Po të ketë shkrimtarë të mirë në televizione, televizioni kthehet në një transmetues kulture për të gjithë ne”.

Shkrimtari i njohur Mehmet Kraja tregoi qartë mënyrën kushtëzuese të gjuhës kosovare për t’u përfshirë në Letërsinë shqipe. Ai shprehet se pengesat janë të natyrave të ndryshme por ajo që i pengon procesin e integrimit të autorëve të Kosovës në letërsinë shqipe, është pak më komplekse dhe nuk mund të thjeshtëzohet vetëm te gjuha.

“Ambienti kulturor i Shqipërisë është i nxitur të ndjekë probleme të kësaj natyre si digjitalizimi, tregu i librit etj. Ne, një pjesë e madhe kemi mbetur te pyetjet e vjetra. Kam menduar të them diçka. Se si është të jesh autor kosovar në Letërsinë shqipe. Unë e kam këtë prioritet jo sepse jam kosovar i Kosovës apo Shqipërisë. Një pjesë e letërsisë kërkon rrugën e saj të integrimit. Këtë çështje kam trajtuar. Dua të jap së pari, përgjigje se e kujt është letërsia shqipe. Të gjithë autorët e Shqipërisë do thonë njëzëri që është letërsia e Shqipërisë. Unë nuk do ndihesha mirë për një përgjigje të tillë sepse nuk jam i Shqipërisë. Megjithatë jam pjesë e letërsisë shqipe dhe megjithatë nuk do heq dorë prej saj. Letërsia shqipe është e të gjithë atyre që shkruajnë për të. Çfarë do të bëni me autorët e Shqipërisë që s’janë të brendshëm. Në praktikat tona letërsia shqipe është e ndarë në dy pjesë. Në Shqipëri sapo të përmendet një autor kosovar, stereotipi është krijuar. Shqiptar që prodhon mjegulla dhe që nuk di të flasë mirë shqip. Shkruan me fraza të ngatërruara, me folje jo në vendin e duhur dhe që përdor fjalë sllave. Shkrimtarët e Kosovës kanë dhënë dëshmi të mjaftueshme. Nga kjo pamje jo shumë e hijshme është e vërtetë se letërsia e Kosovës për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të komunikimit kulturor dhe letrar me Shqipërinë ka qenë e hapur ndaj ndikimeve jugosllave veçmas në fillimet e saj. Duke qenë se ish-Jugosllavia në vitin 1953 shpalli pluralizmin e metodave letrare, të shkruaje nën ndikimin e letërsisë që imitonte Perëndimin, ishte më joshëse se të shkruaje letërsi nën ndikimin e realizmit që kultivohej në Shqipëri. Megjithatë letërsia e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore pati prurje që iu nënshtruan ndikimit të letërsisë bashkëkohore të Shqipërisë, por të paktë ishin autorët kosovarë që bënë emër dhe që u joshën pas realizmit socialist. Atë që ndodh sot me letërsinë e Shqipërisë, ndikimet e pakontrolluara, letërsia pa lexues, letërsia e Kosovës i përjetoi që në vitet ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar. Dua të them se në pikën e gjuhës, si në gjuhën e folur dhe të shkruar, në 20 vitet e fundit Kosova ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Pengesat janë të natyrave të ndryshme, por ajo që i pengon procesin e integrimit të autorëve të Kosovës në letërsinë shqipe, është pak më komplekse dhe nuk mund të thjeshtëzohet vetëm te gjuha. Mendoj se në Shqipëri për sa i përket gjuhës është bërë një refuzim i kryehershëm, i jepet më shumë rëndësi së ç’ka në të vërtetë. Sot gjuhët janë të hapura, dhe puna e gjuhës nuk është aq kushtëzuese në raportet e letërsisë shqipe dhe kosovare. Dua ta sjell me dy shembuj. Fishta, i cili në veprën e tij ka më shumë sllavizma se shumica e shkrimtarëve të Kosovës së bashku dhe një autor tjetër nga Kosova që strukturën e Kosovës e ka tërësisht jo shqip, por që në Shqipëri lexohet pa vërejtje. Nga këta dy shembuj del se faktori gjuhë në marrëdhënien letrare Kosovë-Shqipëri bie poshtë si faktor kushtëzues”.

Shkrimtarja e njohur Vera Bekteshi shprehet se koha e sotme është e bukur dhe plot ngjyra..

“Ngaqë vij nga shkenca si fizikane kur i hyra punës së shkrimeve e mendova dhe gjuhën si shkencë dhe çdo ditë mësoj. Këtë javë kam lexuar dy libra. Të Eir Plasarit dhe Mimoza Ahmetit. Dua ta filloj së pari nga Eiri dhe dua t’i uroj një mirëseardhje në komunitetin tonë të shkruesve. Ishte një libër interesant. Nuk më pëlqejnë shumë librat e gjatë dhe kam bërë pak gabim që këtë librin e fundit që botova e kam të gjatë. Parathënia më ka impresionuar. Më bëri përshtypje se ajo e ka shkruar në moshën 20-vjeçare. M’u bë qejfi pasi i njoh dhe dy prindërit e saj dhe thashë që paska rënë dardha nën dardhë. Fakti që me një ngulmim gjatë gjithë faqeve të librit është frustrimi i një njeriu modern për të dalë nga bërthama dhe këtë e ka vënë në gojën e një djali. Më pas lexova dhe librin e Mimoza Ahmetit. Kur unë isha në fshat mbaj mend një përcaktim te gazeta ‘Drita’ për poezitë e saj, por një gjë që më ngriti të them që mund të flasim për një shkrimtare të re në mënyrë kaq të mrekullueshme. Libri i Mozës më bëri përshtypje. Ky libër ka pak ngjarje, por një intensitet mendimesh. Një bisedë dashurore me të mëdhenjtë e kësaj bote. Flitet për burrin shkrimtar të vdekurin, jo atë të mishtorin, të gjallin. Libri më kujton periudhën universitare që është periudha më e lumtur e çdo njeriu, me ëndrrat, me moshën, ku në degët si ato të artit dhe ato të shkencave si fizika e matematika, te letërsia sigurisht që kanë patur të bëjnë me idhuj botërorë, pa dashur studentët fillojnë të identifikojnë veten e tyre”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas