Mapo Letrare

De Rada: jehonë-oshëtima e një provanie

de rada pllaka(Me rastin e festimit të 200-vjetorit të lindjes)

Nga Ndriçim Kulla



 

Aventura e shpirtit në historinë politike të një vendi përbëhet pikërisht nga jeta dhe ngjarjet e atyre që shërbyen për t’ia ruajtur dhe për t’ia pasuruar thesarin përgjatë periudhave të tilla, ku më e pakta që mund të thuhet, është se kemi të bëjmë me aktet më dramatike të një drame sociale të shpirtit, shpesh të ndërfutura edhe midis akteve të dramaticitetit më intim e më të thellë të ndërgjegjes.

Në këtë kuptim, edhe historia e Shqipërisë, e një kombi që vetëm në periudha të shkurtra e të rralla arriti të provojë një pavarësi e liri të vërtetë, (derisa arriti ta fitojë atë në fillim të shekullit të shkuar), një histori kjo e cila edhe pse nuk u paraqit shpesh e tillë, gjithsesi nuk mungoi të shfaqte edhe ndonjë fenomen të proteksionizmit, e njeh padyshim një aventurë të tillë.  E për të dëftuar se ajo ka arritur deri më sot të përfundojë gjithmonë me fitoren e shpirtit të kombit,  mund të shërbejë fakti i thjeshtë që, përgjatë gjithë atyre shekujve të nënshtrimit politik e madje dhe kulturor, gjuha shqipe arriti të mbetej gjithnjë e gjallë mes shqiptarëve e mes bijve të saj në diasporë, me një kryeneçësi dhe një kreni të atillë, sa të pyetet nëse do të kish ndodhur vallë kështu, pa ekzistencën e asaj force të kontrastit e pa atë rrjedhim psikologjik që kërkon domosdoshmërisht reagimi.

E në këtë udhë të aventurës së gjuhës shqipe, në mbijetesën e saj shekullore, pika kulmore do të arrinte në fillim të shekullit XIX. Ishte koha kur në asnjë kënd të Evropës nuk flitej për një shtet shqiptar a për një gjuhë shqiptare, ku nëpër kancelaritë e saj Bismarku tallej me atmen tonë duke e quajtur Shqipërinë një “shprehje gjeografike”, por edhe kur “tatëmadhi i Arbërit”, siç thirrej De Rada nga arbëreshët, merrte pjesë nëpër tubimet ndërkombëtare dhe nënshkruante si përfaqësues i saj. Është emblematik fakti i një Konference Ndërkombëtare kushtuar 300-vjetorit të Kristofor Kolombit, kur bashkë me Petro Niranin, një shqiptar nga Çamëria, për të mos lënë pa fiksuar praninë e kombit tonë, të dy si bij të denjë të diasporës arbëreshe morën pjesë e nënshkruan si përfaqësues të kombit shqiptar.

Prandaj, Dhimitër Berati, në Mbledhjen e parë të Studimeve Shqiptare, më 1940 do të nënvizonte se “nevoja e pasurimit të gjuhës që ndihej kudo ndërsa rriteshin gjithnjë e më shumë “ethet” letraro-patriotike, në këtë periudhë të errët kthehej në një domosdoshmëri për gjuhën tonë që të mos bazohej vetëm në prurjet që mund t’i jepnin librat e vjetër të Budit dhe Bogdanit. E në këtë kohë, urgjencën më të madhe e ndjenë patriotët militantë të emigrimit shqiptar përtej Adriatikut. Atëherë kur në Shqipëri qe e ndaluar të shkruhej e të flitej shqip, kur mërgimtarët nuk guxonin të shkruanin as edhe një letër në shqip për familjet e tyre, kur propaganda grekomane siguronte se shkrimi në gjuhën shqipe ishte i pamundur, madje edhe të folurit në shqip, sepse nuk kuptohej. Pikërisht në një epokë të tillë, për të gjithë shqiptarët, e në veçanti për mërgimtarët, ishte një ngushëllim i madh dhe i thellë përgënjeshtrimi i shkëlqyer i dhënë ndaj shpifjeve të tilla, prej arbëreshëve të Italisë me veprat e tyre; lavdet e  Lamartinit për poemat e De Radës qenë atëherë një balsam për shpirtin e vrarë të patriotëve shqiptarë. Por përveç kësaj, Shqipëria duhet t’u jetë përgjithmonë mirënjohëse këtyre bijve të saj të largët edhe për provën e mrekullueshme të dashurisë karshi racës së tyre, që dhanë nëpërmjet përpjekjeve të mëdha për përpunimin e gjuhës. Qenë ata të parët që provuan se shqipja është një gjuhë e thellë dhe e plotë, e ëmbël dhe e aftë t’iu japë formë edhe krijimeve më të epërme të imagjinatës poetike”. E në përmbushjen e këtij pohimi, një nderim i madh duhet t’i takojë më vonë edhe vetë De Radës dhe Zef Sqiroit.

Gjithsesi, kontributi i pashlyeshëm i De Radës për gjuhën shqipe nuk duhet konturëzuar vetëm në botimin  e veprave të tij letrare. Që më 1871, ashtu siç na tregon Karlo Taliavini, ai boton në Firence, nën emrin e të birit, Xhuzepe, “Një gramatikë të gjuhës shqipe në dialektin e vendlindjes”. Më vonë, gjatë periudhës deradiane, kur zgjati mësimi i gjuhës shqipe në Kolegjin e Shën-Adrianit, u botuan një varg tekstesh shkollore, programesh e planesh mësimore, që janë me shumë rëndësi për historinë e mendimit pedagogjik shqiptar dhe të shkollës shqipe. Mund të përmenden këtu: “Leksione të gjuhës shqipe” (1892), “Konferenca mbi vjetërsinë e gjuhës shqipe” (1893), “Tiparet e gjuhës shqipe dhe gramatika e saj” (1894), “Abetarja e gjuhës shqipe” (1896), që të gjitha me autor De Radën.

“Deri në ditët e tij, Shqipëria ishte një legjendë. Qe ai i cili zbuloi lidhjen midis gjuhës shqipe dhe asaj pellazgjike, ai që arriti t’u japë njerëzve të vet një gjuhë letrare, e që mundi t’u shprehë ambiciet më të thella politike”. Ja, kështu shkruan më 1909, Norman Douglas në librin e vet të famshëm “Kalabria e vjetër”, për të theksuar se “Rilindja e mëmëdheut qe ideali i gjithë jetës së tij, e nëse sot kongreset ndërkombëtare, linguistët apo studiuesit e folklorit kanë arritur ta shqyrtojnë me interes këtë cep të vogël të botës, e nëse më 1902, 21 gazeta të rëndësishme luftonin në faqet e tyre të para për kauzën shqiptare (18 vetëm në Itali, e njëra madje edhe në Londër), merita i takon vetëm atij.

Nga ana tjetër, edhe pse dukej goxha i prirur të mbështeste një opinion të tillë, De Rada ynë – në kontributin e tij modest në linguistikën indo-evropiane – nëpërmjet një serie krahasimesh, u përpoq të nëpërshohë analogjitë ekzistuese midis morfologjive të shqipes, greqishtes dhe latines. Aq më tepër që  hulumtimi i De Radës nuk u cakëzua vetëm në hapësirën e linguistikës. Duke lëvizur në terrenin e krahasimeve religjioze dhe mitologjike, edhe pse ra shpesh në hamendje të gabuara, përsëri ai u mundua të zhytet e të shpjegojë thellë afërinë shpirtërore që i lidh mes tyre popujt antikë evropianë.

E në një moment si ky që po kalojmë, kur paragjykimet ideologjike kanë arritur ta mistifikojnë debatin mbi rrënjët e Evropës, De Rada na shfaqet jo vetëm si një pionier i atyre studimeve të mëvonshme krahasuese, që arritën kulmin me Dumezilin, por edhe pionier i një Europe autentike, jo të panjohur ndaj lidhjeve shpirtërore që prej disa mijëravjeçarësh kanë mbajtur të lidhur me njëri-tjetrin njerëzit e këtij atdheut tonë kontinental.

Do të qe mjaft domethënëse të ravijëzonim konturet e një triade të madhe shkrimtarësh në përpjekjet e tyre të madhërishme letraro-historike të një shekulli goxha vendimtar për Shqipërinë dhe gjuhën e saj. Që nga viti 1836, kur doli “Milosao” i De Radës e deri më 1937, kur doli botimi i parë integral i “Lahutës së Malcis” së Fishtës, duke përfshirë këtu edhe lirikat e mëdha patriotike të Naim Frashërit, zëri i të tre këtyre poetëve ritingëlloi me një fuqi të admirueshme e ringjallëse, duke i nxitur shqiptarët të zgjohen nga gjumi shekullor, të shohin se janë vëllezër dhe të bashkohen për të luftuar për liri dhe për një vend të denjë ndaj traditave të vjetra në familjen e popujve evropianë.

E në realizimin e një ideali të tillë pengesat që u shfaqën qenë të mëdha. Të rindërtosh bashkimin shpirtëror të një kombi mbi kaosin e besimeve konfuze dhe të pabarabarta, si në jetën private ashtu edhe në atë shoqërore, dukej si një punë apriori e dështuar. Mirëpo poetët tanë iu përveshën një pune vërtet madhështore dhe me virtytet magjike të këngës së tyre ia dolën ta zgjonin instinktin nacional, të mbetur gjallë edhe përskaj religjioneve dhe strukturave të ndryshme shoqërore të imponuara nga pushtuesit turq dhe ta shndërronin atë në vetëdije kombëtare.

Si Orfeu që lëvizte gurët me tingullin e lirës dhe u jepte shpirt në mënyrë që ata vetë të vendoseshin njëri mbi tjetrin dhe të ndërtonin qytetin e rrethuar me mure të mrekullueshme, po ashtu edhe të tre këta poetë arritën t’i bindnin me forcën e pastër të poezisë së tyre edhe fiset më të konfrontuara shqiptare, në ndërtimin e atdheut të tyre shpirtëror. “Orfeu, poeti i madh i antikitetit, duke pasur parasysh edhe prejardhjen e tij thrako-ilire, siç duket do të ketë hedhur ndonjë pikë gjaku të vetin në venat e tre ndërtuesve të Shqipërisë së sotme”, siç nënvizon Koliqi, përderisa në ato kohë të vështira, shqiptarët arritën t’i ringjallnin edhe një herë poetët e jashtëzakonshëm të epokës së stërgjyshërve të tyre.

Në këtë panoramë, mund të thuhet se De Rada i bëri të vetat motivet e jetës së kombit  arbëresh dhe idetë e botës së jashtme, mbizotëruese në epokën e tij. Ishin pikërisht këta elementë, jeta arbëreshe dhe frymëzimi i jashtëm, atdheu dhe bota, që u bashkuan tek ai në një unitet organik, ndonëse të padukshëm.

Ndaj, në këtë pikë të shtjellimit tim, le të sjellim një ndihmesë sado të vogël, nëpërmjet pohimit të një fakti me rëndësi madhore: De Rada, përgjatë gjithë jetës së vet u lidh me mish e me shpirt me dy hallka themelore të shqiptarisë: me gjuhën shqipe të ruajtur mrekullisht e për aq shumë shekuj pas mërgimit nga mëmëdheu, si dhe me Arbërinë dhe krenarinë se arbëreshët i përkasin atij etnikumi, dikur shumë të lëvduar e të përmendur për trimëri e punë të mëdha për atme e nder.

Është i njohur gjithashtu fakti se poemën e tij të madhe (Milosaon), ai ia kushtoi Dhimitër Lekës, asokohe vërtet gjeneral në ushtrinë burbone, por që më 1821 kish luftuar përkrah Marko Boçarit. Krenaria për heroin suljot të Misolongjit, qe me plot të drejtë goxha e madhe te De Rada, ashtu si dhe te të gjithë arbëreshët e tjerë. Por kuptimi më thelbësor i kësaj krenarie ishte në besimin e thellë se shqiptarët, që si Boçari e Miauli me shokë, bënë Greqinë e lirë, do ta bëjnë edhe Shqipërinë të lirë.

Duke mbledhur që në moshën njëzetvjeçare këngët tradicionale të bashkësisë shqiptare të Kalabrisë, De Rada ndjen t’i blerojnë në zemër rrënjët etnike; përmes zgjimit të papritur të sythave atavike brenda gjakut të tij, ai dallon tek përvijimi i vet i brendshëm vizionin e Shqipërisë së rilindur e të përtërirë me fisnikërinë e së kaluarës së lavdishme. Krijimi i tij i parë letrar “Odiseu”, i shkruar në vargje dhe i botuar në gjuhën italiane më 1832,  mund të jetë dëshmi e mjaftueshme për këtë.

Populli shqiptar i hapërdarë pjesë-pjesë (gjaku inë i shprishur do të perifrazonte De Rada) atij i fanitet i mbështjellë i tëri me dritën e shekullit XV, kur Skënderbeu mbushte botën me famën e luftërave të tij, në mbrojtje të Perëndimit që kërcënohej nga hordhitë aziatike. Veprimin e poemave të veta ai e vendos në dheun amë, në një Shqipëri të madhe dhe imagjinare, që përmblidhte katër vilajetet turke, të Shkodrës, Shkupit, Manastirit e Janinës, dhe e rrethon me një aureolë poetike, në të cilën vezullimet e pranueshme bizantine të së shkuarës shkrihen me kuqëlimin e rrezeve aguese të së ardhmes që po lindte, pasi dita e Arbërit tash kish ardhur. Kështu, Jeronim De Rada, i cili gjatë tërë jetës së vet të gjatë pothuajse nuk lëvizi kurrë nga vendlindja, Kalabria, e nuk e njohu kurrë atdheun e vet të origjinës, nisi të parashohë dhe të ëndërrojë ardhmërinë e një Shqipërie të lirë, qysh më 1836, kohë në të cilën zemrat e mendjet e shqiptarëve dergjeshin në letargjinë më të thellë.

Nëpër rapsoditë tradicionale që pat mbledhur, atij i reflektohej epoka më e bukur që kish njohur ndonjëherë në historinë e vet shumë të mundimshme ky vend, në periudhën kur me perëndimin e ngadalshëm të Perandorisë Bizantine, kishin nisur të lulëzonin pronitë lokale. Gjatë këtij shekulli (XV), oborret e vogla të princërve shqiptarë shndrisnin nga vezullimet e një qytetërimi në të cilin Lindja dhe Perëndimi ishin të vërshuara nga zakonet dhe drita e shkëlqyer e artit. Kështjella dhe dhoma të mbushura me këngëtarë, të rrethuara me kopshte të lulëzuara, plot me zonja, kalorës, shërbëtorë dhe argëtues, manastire të gjera, qendra kulturore dhe bamirëse, tregje të mbushura plot dëshmi të panumërta të një jete të lumtur, të hapur për çdo lidhje në mes popujve të tjerë të Mesdheut, ja çka reflektonin në vargjet e tyre ikastike rapsodët italo-shqiptarë. Po e njëjta atmosferë harmonike dhe e shkëlqyeshme qarkullon në tërë poezinë e De Radës. Pra, në shekullin XIX, me idealet dhe pasionet e veta, ai jeton ende në kohërat e shekullit të Skënderbeut. I mjaftojnë vetëm emrat e qyteteve të mëdha të Shqipërisë etnike, të prezantuara nga katër vilajetet: Shkodrës, Shkupit, Manastirit, Janinës dhe emrat e fiseve të mëdha historike, për t’u dhënë shpirt rrëfimeve të veta poetike.

Për të tjerat nuk kujdeset shumë. Mendon ta bëjë Shqipërinë vendbanim të imagjinuar me tipe njerëzish të marrë nga bashkësia italo-shqiptare që jetojnë me ritmin e zakoneve tradicionale të sjella nga mëmëdheu dhe të ruajtura me xhelozi, të cilat poeti i konsideronte si më të pastërtat e kombit. Ai krijon një Shqipëri të vetën, pa kurrfarë lidhjesh me realitetin bashkëkohor, së cilës i jep shpirt me kujtimet e ruajtura në rapsoditë dhe me esencën e gjallë të trashëgimisë shpirtërore pothuajse të paprekur ndër italo-shqiptarët gjatë pesë shekujve të ekzistencës jashtë atdheut. Por ajo që i bën të paarritshme figurat poetike dhe i transformon çuditshëm peizazhet e veprave të tij është një lulëzim misterioz, nga thellësia e gjakut të vet, i kujtimeve të paralindjes. Kjo nuk është Shqipëria e ëndërruar nga një poet, por është atdheu i njohur nga stërgjyshërit e tij, i drejtuar kah lavdia krenare e së kaluarës, e cila shfaqet përplot krenari të papushtueshme dhe që vuan për fatin fisnik, për t’u projektuar duke e përjashtuar të tashmen e pakëndshme në horizontet e një ardhmërie të sigurt.

Ja pse përshkrimi në poemën e tij është për një Shqipëri ideale, që ndoshta do të ishte bërë realitet, po të mos kishte pësuar pesë shekujt e dominimit aziatik. Ja pse në këtë hapësirë të poezisë krijimet shfaqin një botë të shqetësuar nga brengat njerëzore, ku jeta dhe ëndrrat përzihen me një vel vargjesh harmonike, të mbështjella me gurë të çmuar, të nxjerrë nga një gjuhë e virgjër, por që e ruan ende freskinë e ndjeshme të mëngjeseve të para të botës.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas