Sport

De Biazi: Shqipëria i ka dyert e hapura për lojtarët!


Ndonëse kontratën e ka firmosur më shumë se një muaj më parë, trajneri Xhani de Biazi e ka nisur dje zyrtarisht punën e tij me skuadrën tonë përfaqësuese. i përqëndruar në zborin që do të zhvillojë me lojtarët që militojnë në Kategorinë Superiore. Megjithatë, italiani ka vendosur që në fjalët e tij të para, të japë inkurajim për të gjithë talentet që mendojnë se mund të japin me fanellën e Shqipërisë. Gjithashtu, De Biazi ka komentuar edhe situatën në grupin aktual të përfaqësueses dhe se deri në periudhën e fillimit të eliminatoreve, ka në program 2 apo 3 miqësore të tjera.

Çfarë prisni nga lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar?



Për mua është një takim i parë për të parë nga afër se çfarë mund të ofrojë niveli i kampionatit shqiptar. Ky është një impakt i parë i rëndësishëm për mua.

E dini që në kampionatin shqiptar nuk është zbuluar ndonjë lojtar, apo thjesht doni të njihni?

Për mendimin tim, që të jem modest në këtë rast, dyert e ekipit kombëtar janë të hapur për të gjithë. Nuk do të paragjykojmë as lojtarët e as punën e trajnerëve të mëparshëm. Unë do ti shoh të gjithë lojtarët. Unë do të zgjedh lojtarët më të mirë, qofshin këta të kampionatit shqiptar dhe nëse nuk mjaftojnë do të marrim ata që luajnë jashtë.

Keni ndonjë projekt për lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar, më saktë a keni emra?

Duke pasur parasysh se ndeshja e ardhshme është më 29 shkurt, nuk i kam mundësitë që t’i shoh të gjithë lojtarët, pasi edhe mundësia reale fizike është për të parë 2-3 lojtarë. Duke parë edhe situatën e muajve të fundit (ndeshjeve) të ekipit kombëtar, na duhet një informacion sa më i plotë për lojtarët që do të grumbullojmë.

Ka pak mbrojtës në listën e lojtarëve, vetëm 5 mbrojtës…

Është dhe ajo realisht një e veçantë që mund të ofrojë kampionati ynë. Për mua e rëndësishme është nëse këta lojtarë që janë ftuar të jenë teknikisht shumë mirë.

A keni biseduar me lojtarët tanë që luajnë në kampionatin italian, Bogdanin, Canën e Ujkanin?

Kam pasur mundësinë të flas me Canën, për të parë mundësinë e rikuperimit të tij, pra kohën që i duhet. Do të shoh një ndeshje të Serisë A ku luan Ujkani. Kam informacion për të gjithë lojtarët që janë të Kombëtares, kështu që nuk duhet të shqetësohemi.

Për Bogdanin?

E ardhmja nuk i dihet, por Bogdani është një lojtar i rëndësishëm i ekipit dhe do të jetë i tillë dhe për së afërmi, një nga shënuesit më të mirë të ekipit kombëtar, e ka treguar veten në shumë ndeshje, por do të jetë fusha që do e tregojë se çfarë mund të bëjë?

Keni parë 20 ndeshje të kombëtares. Çfarë përshtypje ke krijuar?

Gjëja që më ka pëlqyer te kjo skuadër është shpirti i lartë i garës dhe, edhe kur ndodhen në disavantazh reagojnë fuqishëm, ndërsa për defektet është tjetër gjë. Gjithmonë mundohen të rikuperojnë, por gjithkush mund të gjejë defekte, por s’dua të flas për këtë.

Jeni njohur me faktin e baza e kombëtares që luajnë jashtë nuk janë titullarë? Sa ju shqetëson kjo?

Nuk është diçka e lehtë, i dimë këto gjëra. Mirë është që të gjesh një lojtar që luan, pasi ka kondicion fizik të mirë. Por ne do të duhet të përshtatemi me ato kushte që kemi.

A keni ndonjë program deri në prag të eliminatoreve?

Ne po përgatitemi që të kemi dy ose tri ndeshje në periudhën e majit ose të qershorit. Do të përpiqemi të gjejmë kundërshtarë për miqësore. Nëse nuk do gjejmë e fundit është 15 gushti, por do të përpiqemi të gjejmë kundërshtarë që të testojmë gjendjen. Nuk është kollaj, por shumë ndeshje na ndihmojnë.

Me Italinë kemi ndonjë shans?

Nëse nuk do të ndodhë tani, do të ndodhë në një të ardhme të afërt, kështu që ka shumë shanse që ta luajmë në të ardhmen me Italinë.

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas