Sport

De Biazi nuk e bën dramë: Ka lojtarë të mirë!


Jeton Selimi



 

Trajneri italian i përfaqësueses së Shqipërisë, ka përfunduar ditën e djeshme grumbullimin e tij njëjavor me lojtarët e Kategorisë Superiore, ku ka zhvilluar disa seanca stërvitore dhe ka preferuar që t’i testojë ata duke punuar në grup. Ndonëse përpiqet ta fshehë, u pa qartë se te De Biazi kjo javë nuk ka lënë ndonjë gjurmë të fortë, aq sa ai e ka të vështirë të deklarojë qoftë një emër lojtari që mund t’i jetë dukur mbi të tjerët. Ai kërkon ta justifikojë të gjithë këtë situatë me një falënderim për “përkushtimin e shfaqur”, por në të vërtetë e ka kuptuar shumë mirë se në Shqipërinë që ai ka menduar të ketë, nuk do të ketë shumë vend për elementët e superligës.

Atëherë Mister, si do t’i përcaktonit këto ditë grumbullimi?

Këto ditë më kanë shërbyer për të vlerësuar këta 23 lojtarë që kam pasur këtu. Kishte shumë gatishmëri dhe më duhet t’i përgëzoj. Kanë bërë një punë të mirë. Puna me ta më ka shërbyer për të krijuar një ide për nivelin e lojtarëve që luajnë në kampionatin shqiptar. U kam thënë se unë do të jem i kujdesshëm sesi do të sillen në kampionat, pasi që ditën e parë që kam ardhur në Tiranë kam thënë se portat e kombëtares janë të hapur për të gjithë ata që unë do të shoh dhe do të vlerësoj.

Çfarë niveli kanë paraqitur lojtarët e grumbulluar?

Të themi që sot se çfarë perspektivash kanë, është ende herët sepse më duhet t’i përball me lojtarët që do të shkoj të shoh këtë fundjavë, si unë qoftë ndihmësit e mi. Do të shohim sa më shumë ndeshje dhe do të bëjmë zgjedhjet. Ata që luajnë jashtë, janë lojtarë që duhen “zbuluar”. I kemi parë në ndeshjet e kombëtares dhe na duket sikur kemi vite që i njohim, por na duhet të flasim me ta dhe të kuptojnë shumë gjëra që përbëjnë skuadrën.

Ndonjë lojtar që ka spikatur më shumë se të tjerët?

E prisja këtë pyetje. Ndonjë që më ka pëlqyer më shumë se të tjerët ka, por po ta them tani nuk ka sens. Kam parë disa lojtarë të mirë që kanë perspektivë për të ardhmen, por varet sesi do të punojnë më tej.

Cilët janë lojtarët që keni planifikuar për të ndjekur në Europë?

Të gjithë lojtarët që bënin pjesë në grupin e mëparshëm. T’i shohim dal vivo këta lojtarë për ne është thelbësore, edhe pse i kemi parë në dvd. Duhet të flasim me ta për të kuptuar sesi e shohin projektin për kualifikimin në Brazil.

Përse nuk zhvilluat një takim miqësor me lojtarët e grumbulluar?

Sepse në këtë moment kishte më shumë sens për t’i parë mes tyre lojtarët. Që të stërviteshin dhe të kuptoja se çfarë njohjesh kishin në nivelin taktik ata.

Konkretisht, çfarë mungon?

Kam parë disa gjëra që më pëlqejnë shumë nga kombëtarja shqiptare. E para është sensi i madh i përgjegjësisë, lojtarë që veshin fanellën dhe që kanë një shpirt luftarak. Ky mund të jetë edhe një defekt sepse na çon që të sulmojmë me shumë njerëz, por këto janë aspekte taktike që duhet të punojmë.

Miqësorja me Gjeorgjinë…

Kam pak kohë për të bërë vlerësime. E qartë që do të nisemi nga ajo që ishte për të vijuar më pas me prurjet dhe ndërthurjet. Pas 10-15 ditësh do të shpallim listënn kështu që…

Kuzhe ka thënë duhej të kishte luajtur me një sulmues e jo me dy. Ju ç’mendim keni?

Nuk e di. Në këtë moment do të them se është ende shpejt për të folur. Nuk kam pasur ende mundësi për të kuptuar se te cilët lojtarë duhet të besoj dhe në çfarë sistemi loje. Ndaj është shpejt. Na duhet diçka që na jep ekuilibër dhe mundësi për të kundërsulmuar. Unë jam shumë i kënaqur për këto pesë ditë këtu. E para sepse më dha mundësi që të bëj disa verifikime të rëndësishme për të kuptuar targetin, nivelin e futbollit këtu në Shqipëri. Nga pikëpamja tjetër mund të them se duhet të punojmë globalisht, por nuk është e lehtë. Mund të impostojmë një tip pune që të na japë rezultate me kohën, por e dimë të gjithë se duhet të kemi një bazë solide për t’u referuar. Të gjitha skuadrat e kreut kanë lojtarë të nivelit të mirë dhe që kanë cilësi të mira teknike dhe pa lojtarë të tillë nuk mund të bësh futboll të mirë. Me këtë dua të them diçka. Nuk do të thotë se një skuadër që ka më pak vlera teknike se një tjetër, është e djegur që në fillim të veprimtarisë. Nëse çdo lojtar arrin të kuptojnë limitet e tij, atëherë kemi bërë një hap të madh përpara. E rëndësishme për ne është që të mos kopjojmë të tjerët. Ne jemi vetja jonë dhe duhet të vlerësojmë maksimalisht vlerat tona, dinamizmin, vetëvendosjen, duhet të përmirësohemi në markim etj.

Sulmuesit sikur kanë rënë në letargji…

Do të isha më pak i shqetësuar po të shënonin nga tre gola çdo javë. Do të përpiqemi të çojmë në maksimum vlerësimet tona. E rëndësishme për ne do të jetë të mos pësojmë.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas