Kryesore

Dashuria si gëzim dhe kryengritje ndaj fatit


 



Nga Turqia e nobelistit Orhan Pamuk, veprën e të cilit po e boton të plotë vit pas viti shtëpia botuese “Skenderbeg book’s”, ka sjellë në shqip një shkrimtare më të re në moshë, që ka fituar njohje dhe popullaritet në shumë vende të Europës, në Angli, Francë, Gjermani, Suedi, Danimarkë e tjerë. Quhet Perihan Magden, pesëdhjetëvjeçare, një zë me peshë më letrat bashkëkohore turke, një penë e mprehtë nga ato që nuk mbahen në xhep, por përdoren me përgjegjësi dhe guxim qytetar e intelektual kundër tabuve, kufizimeve, metamiteve, paragjykimeve apo edhe shtypjes në një shoqëri të karakterizuar nga kontraste dhe kundërthënie të shumta, siç është ajo e Turqisë së sotme ku tradita konservatore neootomane në një anë dhe thirrja e Turqisë europiane në anën tjetër plotësojnë një diadë të gjallë sot e gjithë ditën me krejt tensionet e kuptueshme që e lëvizin nga brenda.

Perihan Magden është një intelektuale e Stambollit, gazetare, poete, prozatore, eseiste dhe aktiviste e të drejtave të njeriut njëherësh. Si gazetare dhe shkrimtare kontraverse, dhe veçanërisht si editorialiste e gazetës “Taraf”, dhe ajo ka shtruar e trajtuar çështje me vlera të veçanta emancipuese për shoqërinë dhe shtetin turk, duke u përballur me kundërshtarët e saj në arenën e mediave, por edhe në aulat e drejtësisë. Shumë i njohur është rasti i mbrojtjes prej saj të një të riu turk që kishte kundërshtuar shërbimin ushtarak. Duke u mbështetur te ky rast, Perihan zhvilloi konceptin e kundërshtimit me ndërgjegje të shërbimit ushtarak si një e drejtë njerëzore, që nuk zbatohej në Turqi. Eseja e saj solli tronditje në mjedisin dogmatik, ndërkohë që nga ushtria e akuzuan se po kthente të rinjtë kundër atdheut.

Ky është vetëm një episod që hedh dritë mbi kredon intelektuale të kësaj shkrimtareje, e cila vjen në shqip për herë të parë me romanin “Dy vajza”, përkthyer nga origjinali nga Stefan Vuçani.

Ngjarjet e këtij romani zhvillohen në Stambollin e viteve dymijë dhe kanë në qendër përjetimet, ëndrrat, fluturimet dhe rrëzimet e një brezi adoleshentësh, që duan të thyejnë kornizat e jetës tradicionale, të rebelohen ndaj zakoneve, t’u jepen hapjes dhe globalizmit pa u penguar dhe njëkohësisht pa u tjetërsuar si njerëz. Kjo nuk është e lehtë. Pengesat janë kudo. Caqet ku do të përplasë kokën kjo lloj ëndrre janë kudo. Janë caqe të dukshme dhe të padukshme, që vijnë nga historia dhe aktualiteti i Turqisë, vijnë nga natyra e orientit dhe familjes orientale. Perihan Magden ulet t’i tregojë këto caqe në një subjekt letrar lirik dhe dramatik, që do të përfundojë në tone elegjiake.

Dy vajzat -personazhe kryesore të romanit- janë Behija dhe Handani. E para është një adoleshente ëndërruese, lexuese librash, e talentuar, sqimatare, e prirur drejt jetës së lirë, por që jeton në një familje tipike konservatore, ku autoriteti i vëllajt të saj, Tufanit, mëton të dominojë e ndrydhë ëndrrat e motrës. Behija ka një dell prej artisteje dhe kjo e bën të ndihet vazhdimisht e trishtuar, e helmuar, e pashpresë në Stambollin e saj. Mediokriteti dhe atavizmat e mjedisit ku jeton janë të tilla që të eklipsojnë mundësitë e qytetit të madh të Dardaneleve. As kalimi i testit për t’u regjistruar në një Universitet me emër nuk sjell ndonjë gëzim kushedi se çfarë në shpirtin e Behijes. Por jeta e saj ndryshon radikalisht kur njihet me Handanin, një adoleshente shumë e bukur dhe naive, vajza e një çifti të ndarë, që jeton me nënën, zonjën Leman, një grua e bukur, që përpiqet të ruajë me thonj e me dhëmbë standardin e një jete luksi, të rrezikuar gjithnjë nga mosha në një anë dhe egoizmi i pasanikëve në anën tjetër. Megjithëse një mantenutë, zonja Leman përpiqet ta mbajë sa më larg fatit të saj të bijën, Handanin.

Bukuria e brishtë dhe hyjnore e Handanit e magjeps Behijen. Kjo gjen te bukuria e moshatares së saj diçka që e pastron nga të gjithë helmet e jetës, diçka që e ngre lart shpirtërisht, duke i dhënë një kuptim të ri jetës së saj. Nga ana tjetër, Handani gjen te inteligjenca e Behijes të njëjtin frymëzim që kjo e fundit ka gjetur te bukuria e tjetrës. Lidhja e dy vajzave bëhet proverbiale. Një ditë prej ditësh Behija arratiset nga shtëpia e prindërve dhe vendoset në shtëpinë e Handanit, duke marrë me vete, sa për nevojë aq edhe në shenjë hakmarrjeje, disa lira të kursyera nga vëllai i saj arrogant dhe i pashpirt. Tani ato kanë çerdhen e tyre të lumtur. Janë dy të dashuruara në kuptimin më të pastër, më të çiltër të fjalës.

Por kërcënimi vjen rrotull gjithnjë, si një magmë, në Stambollin e tyre të mistershëm. Ndodhin gjithnjë vrasje djemsh të rinj. Behijen e kërkojnë gjithandej prindërit dhe vëllai. Pinjollët e pasanikëve do të hedhin rrjetat për bukurinë e Handanit. Ata që kanë paranë duan t’i kenë të gjitha. Lidhja e tyre ka armiq. Por edhe vajzat nuk rrinë duarkryq. Në idilin e tyre, dy adoleshentet fillojnë të përgatisin një plan utopik dhe të çmendur, por që e zbukuron romancën e tyre: të largohen nga Turqia, të shkojnë në Australi. Kjo është kryengritja e tyre në fakt kundër pamundësive dhe rreziqeve që u ofron Stambolli. Për të ruajtur fshehtësinë dhe për të vënë në veprim planin e tyre shtyhen në disa veprime të guximshme, të ndaluara e të pafajshme njëkohësisht. Braktisin shkollën, tërheqin duke përdorur disa marifete paratë që ka paguar mamaja e Handanit në shkollën e kësaj të fundit. Por, siç merret me mend, vajzat do të tradhtohen në përpjekjen e tyre nga një varg rrethanash. Fundi do të jetë dramatik, veçanërisht për Behijen, e cila do të zbulohet dhe do të kthehet me dhunë në shtëpinë e urryer prindërore, duke marrë me vete kujtimi e një idili që do ta helmojë edhe më tej jetën e saj. Kurse Handani, e rrahur tashmë me vështirësitë e para të jetës, iadeltë largohet nga Turqia drejt Australisë. Ikja e saj është edhe një ndëshkim për nënën e saj, zonjën Leman, që jo vetëm nuk e mbrojti Behijen, por me sa duket ndihmoi që kjo të zbulohej.

Romani në vetvete tingëllon si një elegji për ëndrrat e pamundura apo të prera në mes. Në fatin e dy vajzave, shkrimtarja sjell një tablo të jetës urbane turke të ditëve tona. Ajo ka treguar me ngjyra poetike një dashuri të kulluar dhe njëherësh edhe pengesat që ndeshin sot ëndrrat e të rinjve të Turqisë. Romani nënvizon mesazhin se këto pengesa kanë një çmim për t’u mposhtur. E gjithë kjo vjen natyrshëm, thjesht, nëpërmjet  një subjekti që shtjellohet me teknikën e puntatave, me një gjuhë të rrjedhshme, pa banalitete. Shkrimtarja beson në dramën e brendshme të ngjarjeve, prandaj nuk sforcohet të futet në të thella në forma të kërkuara. Lexueset dhe lexuesit e rinj shqiptarë mund të gjejnë  diçka nga jeta e tyre në fatin e dy vajzave të këtij romani. Së fundi, duhet shënuar se romani përcillet me një “rekomandim” të shkrimtarit nobelist turk Orhan Pamuk, i cili thotë për Perihan Magden se ajo “është një prej autoreve më krijuese e më mëndjendritura të kohës sonë”.

 

Femrat e letërsisë norvegjeze

Shtëpia botuese “Dituria” ka sjellë së fundmi një sërë shkrimtaresh dhe shkrimtarë të njohur të letërsisë norvegjeze. Në prezantimin e kësaj letërsie ajo sjell këtë javë një shkrimtare dhe disa libra të saj që janë kthyer në librat më të shitur në vendin e saj.

Linn Ullmann është një tjetër autore norvegjeze, që debuton së pari në narrativë me romanin Para se të flesh, roman i cili e prezantoi në arenën ndërkombëtare, për të vazhduar më pas me Kur jam me ty. Para se të flesh është historia e një gruaje ekscentrike dhe të mrekullueshme nga familja Blom. Në këtë sagë, që ngacmon me mençuri, mprehtësi dhe stil, Linn Ullmann hulumton truallin e martesës e të amësisë me një humor të pamëshirshëm dhe me një vështrim të butë të dobësisë njerëzore. Libri është befasues… një histori rrëmbyese dhe melankolike e prindërve, që enden nga një vend në tjetrin – dhe e fëmijëve, që kërkojnë rrugën e tyre – dhe e rrugëve, nëpër të cilat ata depërtojnë në të shkuarën dhe të ardhmen e njëri-tjetrit. Është një meditim i shkruar në mënyrë serioze për ngashënjimin, familjen dhe nevojën për të pasur një shtëpi. Stili i tij shkon prej shthurjes karnavaleske deri te realizmi i ftohtë dhe i kthjellët, i ndriçuar prej një përdorimi shpërfillës të fantazisë.

Një roman i jashtëzakonshëm. Ai ka gjithçka prej asaj freskie (të stilit, tonit dhe këndvështrimit), që gjendet në romanet më të mira të përkthyera… Sepse është një krijim letrar i ri, i vërtetë, i mençur dhe zbavitës i një gruaje, që nuk ka nevojë të negociojë shumë për çështjet e gjinisë. Një mbrëmje të nxehtë vere, një grua e re bie nga çatia e një ndërtese moderne në qendër të Oslos. Kështu fillon romani veçanërisht tërheqës, Kur jam me ty, në të cilin tre personazhe: Martini – bashkëshorti, Amanda – vajza dhe Akseli – miku, rindërtojnë figurën e asaj gruaje paksa të veçantë, ndërsa tregojnë për veten dhe për botën në të cilën jetojnë. Një polifoni e fortë dhe e gjallë, të cilës i kundërvihet zëri i Korinës, detektives së ngarkuar me hetimet. Dalin në dritë episode të çuditshme apo turbulluese për jetën e secilit, ndërkohë që në sytë e lexuesit merr jetë një botë ndjenjash të thella dhe kontradiktore. Emocione të dykuptimshme dhe të parrëfyeshme, që Linn Ullmann di t’i përballojë me ndjeshmëri dhe guxim, kthjelltësi dhe ironi, duke i kthyer në imazhe të një qartësie befasuese dhe të një force evokuese. Me këtë roman, autorja norvegjeze konfirmohet shkrimtare e radhës së parë, e pajisur me një zë dhe një vështrim të thellë, që e pasqyron jetën me lakuriqësinë marramendëse.

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas