Kronika, Kryesore

Darka e fundit, si vdiqën në aksidentin tragjik dy kushërinjtë…

Pas darkës me shokët, dy të rinj nga Lezha humbën jetën tragjikisht në aksident. Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin Shkodër – Lezhë, në vendin e quajtur “Ura e Dajçit”.

Policia bëri të ditur se rreth orës 01:40 pas mesnate, automjeti tip “Benz” me targa AA 929 FF, që drejtohej nga 32-vjeçari Gentian Toma, është përplasur me një kamion që drejtohej nga një 19-vjeçar.



Për shkak edhe të shpejtësisë së madhe të mjetit “Benz”, përplasja ka qenë mjaft e fortë, duke i marrë jetën në vend 32-vjeçarit Toma dhe kushëririt të tij Robert Ejlli, 25 vjeç, i cili ishte pasagjer me të në makinë. Mësohet se dy të rinjtë nga fshati Mabë e Lezhës po ktheheshin në banesë, pasi kishin qenë deri në orët e vona në një darkë në shoqërinë e disa miqve të tyre.

Aksidenti ndodhi rreth 5 kilometra pa mbërritur në fshatin ku banonin dy të rinjtë. Burime nga Policia sqaruan se ishte makina e të rinjve që goditi nga pas kamionin me targa LE 3364 A, i cili gjithashtu ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Policia bëri të ditur se drejtuesi i kamionit nuk ka marrë lëndime të rënda.

Ai është dërguar në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe po merr trajtimin mjekësor. Përplasja e “Benz”-it me kamionin ka qenë mjaft e fortë, aq sa mjeti është shkatërruar plotësisht. Për nxjerrjen e trupave të viktimave është dashur ndërhyrja e zjarrfikëseve, të cilët prenë disa pjesë të makinës.

Një grup ekspertësh është duke punuar për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Paraprakisht, dyshohet se shkaku kryesor është shpejtësia tej normave të lejuara. Gjithashtu, dyshohet se viktimat kishin konsumuar edhe alkool në darkën e organizuar me miq të tyre, çka ka ndikuar në aksidentin që rezultoi fatal për jetën e tyre.

Aksi ku ndodhi ngjarja e rëndë është i vështirë për qarkullim gjatë natës, pasi fushëpamja është e kufizuar dhe ka mungesë të sinjalistikës. Viktimat e aksidentit, Gentian Toma, 32 vjeç, dhe Robert Ejlli, 25 vjeç, banonin në të njëjtin fshat dhe ishin fqinj dhe kushërinj me njëritjetrin.

Gentian Toma ishte aktivist i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës. Ai ka mbajtur më herët postin e shefit të shitjeve në njësinë e OSHEE-së në Lezhë, ndërsa aktualisht punonte si specialist pranë bordit të kullimit. Ai ishte i martuar dhe babai i një fëmije të mitur.

Nga ana tjetër, miku i tij, 25-vjeçari Robert Ejlli, punonte si inxhinier i IT-së në një qendër interneti, të cilën e menaxhonte po vetë. Në pyetje mësohet se është marrë edhe drejtuesi i mjetit tjetër.

Ai ka theksuar se kishte humbur kontrollin e kamionit dhe kishte dalë jashtë rruge kur papritmas një mjet me shpejtësi e kishte goditur nga pas. Edhe pse ka qenë në gjendje që të dalë nga kamioni, ai e ka pasur të pamundur t’u japë ndihmë dy të rinjve, të cilët ishin bllokuar në mjetin e shkatërruar. Është dashur ndërhyrja me mjete prerëse nga zjarrfikëset dhe Policia, për të nxjerrë trupat disa momente pas aksidentit tragjik.

robert ejlli

Viktina Gentian Toma

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas