Kultura, Mapo Format, Mapo Letrare

Darien Levani: Romani absolut nuk ekziston

Darien Levani është shkrimtar shqiptar që jeton në Itali. Bashkëpunëtor i “Albania News”, “Nazione Indiana”, “Prospettive”, “Cittá Metticcia”, “Gazeta” dhe “Shqiptari i Italisë”, Darieni është edhe themelues i blogut kolektiv “Tirana Calling”.

Ai ka debutuar në Itali me romanin “Solo mandata, grazie” (2010). “Il famoso Magico Qukapik”, romani i tij i dytë, u botua në vitin 2011, gjithmonë në Itali. Darkeni ka fituar çmime të ndryshme letrare, midis të cilave çmimin “Scrivere Altrove”. “Poetët bëjnë dashuri ndryshe” është romani i tij i parë i shkruar në shqip dhe i botuar në Shqipëri.



“Dopio gjashta” është romani i tij i dytë në gjuhën shqipe.

Libri tregon historinë e Bardhyl Ninit, një ish-polic dhe tashmë detektiv privat gjendet rastësisht i ngatërruar në një histori të rrezikshme korrupsioni. Ai gjendet mes dy zjarresh në kuptimin e vërtetë të fjalës: një grup brenda Policisë së Shtetit i ngarkuar me kapjen e kriminelëve të kërkuar nga Interpoli, por nga ku është zhdukur çdo lloj skrupulli dhe ndershmërie dhe një grup të interesuar për vendosjen e drejtësisë. Përveç shkrimit Darien punon si avokat.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Nuk e di, por nuk mendoj se ekziston. Nuk mendoj se duhet të ekzistojë diçka e tillë. Flasin mirë për “The Great Gatsby”: mua më pëlqen kryesisht sepse është i shkurtër e sepse është historia e një dështimi. Ide të tilla më duken pasojë e letërsisë amerikane edhe përpjekjes së tyre patetike për të shkruar, a për të gjetur, “The great american novel”, me këtë dëshirën për të pasur diçka përfundimtare.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Nuk kam një listë të tillë. Tregimet e fundit që më kanë pëlqyer kanë qenë “The heaven of animals” nga David James Poissant. Ato që më kanë ngelur në mendje e që më ngrohin zemrën pak më shumë se të tjerët janë tregimet e shkurtra të Mitrush Kutelit.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Nuk e di nëse është më i miri, por di që shkrimtari i fundit që më ka bërë një farë përshtypje është David Foster Wallace. Shkrimtar që, të kuptohemi, ja kam lënë edhe ndonjë roman përgjysmë sepse përtoja që ta mbaroja. Kanë kaluar shumë vite tashmë, e nuk shikoj ndonjë gjë të re kaq interesante.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Lexoj kryesisht romane. Jam pasionuar disi pas romaneve policeske.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Volumet juridike pafund, mendoj. Ndonjë fantasy.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Nuk më vjen ndër mend askush. Jeta është plot me heronj real për të humbur kohë me ata imagjinarët.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Si shumë fëmije të tjerë, më pëlqente shumë Mark Twain e Jules Verne.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Jo.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Martin Eden

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

“Dopio Gjashta”. Është përpjekja e parë serioze për të kapur thelbin e shqiptarizmit. Nuk ishte kollaj. Nuk është kollaj, edhe sepse ne jetojmë në një vend shumë hipokrit e kisha frikë se kjo, dashje a pa dashje, do me bënte që të shkruaja një libër hipokrit. Jam shumë i kënaqur që kam arritur të mënjanoj këtë rrezik të madh.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

“Ernesto Guevara tambien conocido como El Che” nga Paco Ignacio Taibo II.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Nuk do planifikoja kurrë një darkë me njerëz të letrave. Nuk më pëlqen shumë që të rri me shkrimtarët. Ky është një zanat i vetmuar, i gatur për vetminë. Shkrimtarët pastaj shpesh herë janë të mërzitshëm, mburren kot për kopje të shituar, personazhe të krijuar a intervista fatlume. Janë të gjithë të bindur që kanë shkruar kryevepra. Pjesa më e madhe, me fjalë të tjera, janë një shartim mes doktor Adhamudhit e Belulit. Pse duhet të kaloj një darkë jo me një, po me tre të tillë?

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Mendoja se do më pëlqente i gjithë ekzistencialismi francez i ri-lexuar pasi kisha kaluar 30 vjeç. Se si mund të më kishte pëlqyer kjo gjë kur isha adoleshent një Zot e di.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Nuk do të doja që dikush ta shkruante. Nuk më intereson pafundësia, nuk më interesojnë reportazhet glamour që tregojnë se si shkruan shkrimtari, çfarë perdesh ka varur në studion e tij, idetë banale për t’i bërë foto ndërsa bën sikur po shkruan diçka. Janë gjëra që për mua nuk kanë vlerë.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Te askush: është një luks që nuk ja lejoj dot vetes. Kam urgjencë për të vazhduar më tej. Kur mbyll faqen e fundit të një libri nuk më intereson më.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Histori e shkurtër e rrëmujës e Loer Kume, Ajo e Errëta nga Enkelejd Lamaj, Bulevardi i Yjeve nga Arlinda Guma, Stina e Hijeve nga Virion Graci, Strabizëm nga Arian Leka, Faik Konica: jeta ne Uashington nga Ilir Ikonomi, por lista mund të vazhdojë pafund.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Në mos gaboj kam në raft “A Heartbreaking Work of Staggering Genius” nga Dave Eggers./Mapo.al/

PasPara

2 komente

  1. “Romani absolut nuk ekziston???!!!” Nuk i kuptoj pohime te tilla. E kush ka thene se ekziston?

Leave a Reply to Alba Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas