Op Ed

Ç’të bëjmë deri në qershor 2019?

Nga Klementin Mile

Qershori i vitit të ardhshëm nuk është muaji i hapjes së negociatave. Ai është një muaj për shqyrtimin prej BE-së nëse duhen hapur apo jo negociatat me Shqipërinë. Prandaj qershori 2019 nuk mbart në vetvete asnjë garanci – ai është vetëm një datë në procesin e gjatë e të vështirë të Integrimit Europian.



Këtë proces kam patur rastin ta ndjek nga afër për 5 vite rresht, si nëpunës i një ministrie që tani nuk ekziston më, Ministrisë së Integrimit. Në vitin 2007, duke analizuar përvojat e vendeve të tjera të Bashkimit Europian, arrita në përfundimin se Shqipëria do mund të anëtarësohej në BE në rastin më të mirë në vitin 2021 dhe në rastin më të keq në 2027. Këto data anëtarësimi, të cilat atëherë dukeshin tmerrësisht të largëta, tashmë po konfirmohen. Kështu, nëse negociatat hapen në qershor 2019, Shqipëria do mund të anëtarësohet në BE aty nga viti 2029.

Megjithatë, problemi nuk është vetëm koha e gjatë që merr ky proces. Çështja vendimtare lidhet me qasjen që kemi ndaj tij. Nga mënyra se si e konceptojmë integrimin varet edhe ecuria dhe suksesi për anëtarësimin. Përtej retorikës së politikanëve se Integrimi Europian është procesi më i rëndësishëm për vendin, se është jetik për të ardhmen e Shqipërisë, se është proces i pakthyeshëm e kështu me radhë, ka të paktën tri probleme të mëdha me konceptimin e Integrimit Europian të Shqipërisë.

Së pari, Integrimi nuk konceptohet dhe nuk përjetohet si proces, por si një sekuencë e thjeshtë ngjarjesh. Që Integrimi të jetë proces, ngjarjet e mëparshme duhet të jenë gjithnjë e më tepër përcaktuese për ngjarjet e mëpasshme. Vetëm kur Integrimi konceptohet dhe trajtohet si proces mund të thuhet se ai është i pakthyeshëm. Përndryshe, një frazë e tillë, kaq shumë e pëlqyer nga politikanët tanë, është qesharake dhe pa përmbajtje.

Së dyti, Integrimi nuk është “të bësh detyrat e shtëpisë”. Pavarësisht se Brukseli jep rekomandime dhe vendos kushte për Shqipërinë, kjo nuk do të thotë se Tirana është e detyruar thjesht dhe vetëm të bindet. Edhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me BE-në nuk e detyron ekzekutivin dhe legjislativin shqiptar për gjithçka. Në atë marrëveshje ka hapësirë lirie, pra manovre politike, bie fjala për të harmonizuar fillimisht legjislacionin shqiptar me atë europian në fushën e transportit, pastaj atë të bujqësisë. Por kur edhe politikanët tanë flasin për “detyra shtëpie”, kjo dëshmon se politikës shqiptare po i hiqet elementi thelbësor i vizionit politik dhe po shndërrohet në një entitet teknik dhe menaxherial. Dhe dihet, kur “detyrat e shtëpisë” nuk kryhen si duhet, vijnë “mësuesit europianë” për ta rregulluar gjendjen.

Së treti, Integrimi nuk është çështje kostosh dhe përfitimesh – as financiare, as ligjore, as kulturore. Kjo sepse Integrimi Europian nuk është një proces statik që vlerëson pasivitetin e vendeve, ku p.sh. të jetë e sigurt se do humbasësh në fushën e bujqësisë, por do përfitosh nga fondet për infrastrukturën. Përkundër kësaj, Integrimi duhet të konceptohet si proces dinamik, që na përball me sfida dhe mundësi. Sfidat janë pengesa që duhen kapërcyer, të tilla si modernizimi i administratës publike, Reforma në Drejtësi, një treg i çliruar nga monopolet. Sfidat mund të sjellin humbje, por vetëm atëherë kur dështojmë t’i kapërcejmë pengesat. Edhe mundësitë nuk është e sigurt se do të sjellin fitim. Kjo varet nga fakti nëse bëhemi aktivë dhe nga cilësia e aktivizimit tonë. Për shembull ekspertët e dinë që Shqipëria, në kuadër të Integrimit Europian, ka mundësinë të përfitojë nga fondet e BE-së në fusha të ndryshme. Për ta patur këtë mundësi Shqipëria paguan një shumë parash të konsiderueshme. Këto para nuk justifikohen prej projekteve të fituara, shumë herë më pak se vendet e tjera të rajonit. Ky është një rast tipik kur mundësia nuk arrin të materializohet si përfitim, por si humbje.

Qershori i vitit 2019 është shumë pranë. Por ai nuk sjell me vete asnjë garanci për Shqipërinë. Si përherë, e ardhmja europiane e vendit tonë do të varet nga ne. A do të dimë ta konceptojmë, përjetojmë dhe marrim seriozisht Integrimin Europian si proces, pra si një gjë të pakthyeshme? A do të jemi të aftë t’i kthejmë vizionin politikës sonë, e pse jo, edhe t’i injektojmë pak sovranitet? A do të mundemi të kapërcejmë pengesat e sfidave dhe të kapim trenin e mundësive, apo si zakonisht do triumfojnë interesat vetjakë, partiakë dhe korruptivë?

Lektor në UET

Rubrika: Peripatos

PasPara

1 koment

  1. Deri në qershor duhet të bëjmë atë që jemi mësuar: më të keqen e mundshme. Të mbledhim ca leka, euro apo dollarë dhe t’i kemi, nëse mund ta blejmë “Hapjen e negociatave” siç blejmë votimet, deputetët,drejtësinë, e çdo gjë tjetër që shitet e blihet. Me ata që rekomanduan “hapjen e negociatave” ia dolëm edhe kësaj herë, por se ç’ na dolen ca kundershtarë, që pikasen hilenë. Kjo qeverri që kemi mendon se “hapja e Negociatave ” mund të blihet, prandaj na thonin se e kemi bërë detyrën , se e meritojmë dhe se po nuk na i dhanë do të ndrrojmë kahun. Plani A. Plani B. Pasi e festuam “Moshyrjen” , “Moshapjen”, na mbetet të pregatitemi për të qarë “Hapjen” , nëse ndodh, por kjo do një vit e gjysmë pregatitje siç e kemi zakon. Po nuk u hapën , le ta festojmë dy herë, sepse kështu e ka kuptuar qeverria. Duhet punuar edhe me popullin që t’ia mbushim mendjen të festojmë, kur është për të qarë dhe anasjelltas. Të mundohemi të kuptojmë dhe të bëjmë të kundërtën e asaj që duhet. Rilindje hesapi apo jo?!

Leave a Reply to Audeamus Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas