Galeri

Thirrje për shprehje interesi – Projekti “YES FUTURE” IADSA/2016/10

THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI

Në kuadër të projektit “Rini e Fuqizuar, e Ardhme e Qëndrueshme – YES FUTURE”, me Ref.No IADSA/2016/10, Consulting and Development Partners shpall thirrjen për shprehje interesi për:



  • 30 të rinj pjesëmarrës në Programin e StartUp-eve rinore;
  • 1 Ekspert i bizneseve të vogla startup;
  • 1 Ekspert për zhvillimin dhe zbatimin e një trajnimi mbi menaxhimin e biznesit të vogël.

Kuadri i përgjithshëm

Projekti “Rini e Fuqizuar, e Ardhme e Qëndrueshme – YES FUTURE” mbështetet financiarisht nga Programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA). Objektivi i përgjithshëm i tij është promovimi i përfshirjes sociale të të rinjve dhe mbështetja e pjesëmarrjes së tyre aktive në zhvillimin social të qytetit.

Përfshirja dhe fuqizimi i të rinjve, duke stimuluar aftësitë sipërmarrëse është identifikuar si një nga mjetet strategjike të fuqizimit të tyre. Në këtë drejtim, projekti parashikon krijimin e  Programit të Startup-eve rinore dhe një ndër komponentët e projektit është të mbështesë ngritjen e bizneseve të reja rinore. Programi i Startup-eve rinore do të përfshijë trajnim, mentorim, financim dhe inkubim të biznesit. Nëpërmjet skemës së granteve, të krijuar në këtë kuadër, idetë më të mira të biznesit do të financohen. Gjithashtu, për idetë e përzgjedhura do të ofrohet mundësi inkubimi të biznesit pranë Qendrës Rinore Publike “Atelie, Shkodër.

TERMAT E REFERENCËS

  • Pjesëmarrës në programin e startup-eve rinore

Programi i startup-eve rinore i dedikohet të rinjve që kanë dëshirë të zhvillojnë idenë e tyre të biznesit dhe do të përfshijë trajnim, mentorim, financim nëpërmjet skemës së granteve dhe inkubim të sipërmarrjeve rinore.

Kohëzgjatja e programit: tetor – nëntor  2018.

Numri i aplikimeve të pranuara: Max 30 të rinj.

Afati i fundit për të aplikuar: 15 tetor 2018. 

Kriteret e përgjithshme të pranimit:

  • Të rinj që kanë dëshirë të zhvillojnë idenë e tyre të biznesit;
  • Banues të Bashkisë Shkodër;
  • Mosha 18 – 34 vjeç;
  • Nuk duhet të jenë përfitues në të njëjtën kohë të programeve të tjera të vetëpunësimit;
  • Disponueshmëri për të ndjekur të plotë të gjithë programin gjatë periudhës tetor – nëntor 2018, përfshi trajnimet, seminaret, workshop-et dhe mentorimin.
  • Të mos jenë të regjistruar si studentë me kohë të plotë.

Kandidatët që plotësojnë kriteret e mësipërme duhet të dorëzojnë brenda datës 15 tetor 2018, në adresën e emailit [email protected], dokumentet si më poshtë:

  • Curriculum Vitae, të plotësuar sipas formatit EuroPass;
  • Letër për shprehje interesi, ku shpjegohet në mënyrë të përgjithshme ideja e biznesit që kërkohet të zhvillohet;
  • Kopje e dokumentit të identifikimit.
  • Vërtetim vendbanimi.

Të gjitha komunikimet lidhur me këtë thirrje, që dërgohen në këtë adresë email-i dhe duhet të tregojnë qartë titullin “Thirrje për shprehje interesi / Pjesëmarrës në Programin e StartUp-eve rinore / YES FUTURE /IADSA/2016/10”.

Procesi i vlerësimit do të kalojë në dy faza, ku në fazën e parë do të vlerësohet plotësimi i kritereve të përgjithshme dhe, për kandidatët që kalojnë fazën e parë, do të zhvillohet intervista me gojë, gjatë së cilës do të vlerësohet CV-ja e kandidatit dhe ideja e tij e biznesit.

Vetëm kandidatët që kalojnë fazën e parë do të njoftohen për të marrë pjesë në fazën e dytë.

  • Ekspert i bizneseve të vogla startup

Qëllimi i detyrës është të sigurojë që grupet e synuara të projekti, në këtë rast të rinjtë, kanë rritur kapacitetet e tyre për të realizuar dhe materializuar bizneset e tyre të vogla startup, duke marrë mbështetje të specializuar për menaxhimin e biznesit, zhvillimin e modeleve të biznesit në koherencë me tregjet, marketimin dhe promovimin e tyre, si dhe mentorimin përgjatë fazës së inkubimit. Ekspertiza është e parashikuar të jetë 30 ditë pune, përgjatë periudhës tetor – nëntor 2018. Vendndodhja: Shkodër.

Detyrat:

Në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me ekipin kyç të projektit, puna e Ekspertit të biznesit duhet të përfshijë, por pa u kufizuar në detyrat e:

  • Të jetë përgjegjës për mentorimin, lehtësimin dhe ndjekjen e të rinjve për të zhvilluar idetë e reja të biznesit, zhvillimin e planeve të biznesit, duke ofruar ekspertizën e tij në shërbime këshilluese dhe mbështetëse.
  • Të ndjekë hap pas hapi përfituesit në materializimin e idesë së biznesit dhe hartimit të planit të biznesit.
  • Të japë inpute teknike për përmirësimin e modelit të biznesit, planit të biznesit, planit të marketingut dhe në veçanti përmirësime në propozimin e vlerës, produkteve / shërbimeve dhe tregjeve të synuara.
  • Të ofrojë ekspertizë për të rinjtë pjesëmarrës të programit, mbi çështjet ligjore dhe burokratike që lidhjen me regjistrimin e bizneseve të reja.
  • Të mbështesë dhe mentorojë të rinjtë sipërmarrës gjatë procesit të inkubimit.
  • Së bashku më anëtarë të tjerë të stafit të projektit, të hartojë kriteret dhe metodologjinë për procesin e vlerësimit të ideve të biznesit, kriteret e skemës së granteve dhe kriteret e përzgjedhjes së ideve më të mira për financim.
  • Së bashku më anëtarë të tjerë të stafit të projektit, të jetë pjesë e procesit të vlerësimit të ideve të biznesit dhe financimit të tyre përmes skemës së granteve.
  • Së bashku me anëtarë të tjerë të stafit të projektit, të organizojë dhe moderojë Ditën Informuese të Programit të startup-eve rinore.

Kualifikimet dhe aftësitë e ekspertit:

  • Diplomë universitare në menaxhim biznesi, apo shkenca të ngjashme ekonomike;
  • Të paktën 3 vjet eksperiencë pune me startup-e ose fusha të ngjashme;
  • Aftësi të mira ndërpersonale dhe ndër-kulturore;
  • Aftësi organizuese dhe planifikuese.

Produktet dhe materialet:

  • 1 Metodologji për vlerësimin dhe përzgjedhjen me kritere të qarta të përfituesve përmes skemës së granteve;
  • Të paktën 10 plane biznesi të hartuara në bashkëpunim me përfituesit;
  • 1 Raport përfundimtar të shërbimit.
  • Ekspert për zhvillimin dhe zbatimin e një trajnimi mbi menaxhimin e biznesit të vogël

Qëllimi i detyrës është hartimi dhe zhvillimi i moduleve trajnuese mbi menaxhimin e biznesit të vogël, komunikimin dhe marketingun e biznesit, për të rinjtë e përfshirë në Programin e Startup-eve rinore. Ekspertiza është e parashikuar të jetë 20 ditë pune, përgjatë periudhës tetor – nëntor 2018. Vendndodhja: Shkodër.

Detyrat:

Në koordinim të ngushtë me ekipin kyç të projektit, puna e Ekspertit të Trajnimit duhet të përfshijë, por pa u kufizuar në detyrat e:

  • Të hartojë modulet trajnuese dhe materialet e trajnimit mbi menaxhimin e biznesit të vogël, komunikimin dhe marketingun e biznesit dhe të organizojë modalitetet e trajnimit sipas një plani të detajuar pune.
  • Të zhvillojë sesionet trajnuese me të rinjtë përfitues, duke përdorur metodologji interaktive dhe gjithëpërfshirëse, me qëllim arritjen e objektivave të trajnimit.
  • Të bëjë vlerësimin përfundimtar të trajnimit dhe arritjen e objektivave përmes përdorimit të mjeteve të nevojshme (si p.sh. pyetësorë, check-list vetëvlerësimi, etj).

Kualifikimet dhe aftësitë e ekspertit:

  • Diplomë universitare në menaxhim biznesi, apo shkenca të ngjashme ekonomike;
  • Të paktën 3 vjet eksperiencë pune si lektor në fushën e menaxhimit të biznesit, ose fusha të ngjashme;
  • Aftësi të mira ndërpersonale dhe ndër-kulturore;
  • Aftësi organizuese dhe planifikuese.

Produktet dhe materialet:

  • 3 Module trajnimi mbi menaxhimin e biznesit të vogël, komunikimin dhe marketingun e biznesit;
  • 1 Raport vlerësimi përfundimtar të trajnimit.

————————————————–

APLIKIMI DHE AFATI I DORËZIMIT

Kandidatët për ekspertë, që plotësojnë kriteret e mësipërme, duhet të dorëzojnë brenda datës 15 tetor 2018, dokumentet si më poshtë:

  • Curriculum Vitae;
  • Kopje e dokumentit të identifikimit;
  • Ofertën financiare, duke specifikuar pozicionin e ekspertit për të cilin aplikojnë.

Aplikimi mund të dërgohet dorazi pranë organizatës Consulting and Development Partners, ose me postë në adresën: Rruga “Palok Kurti”, Nr.1, Shkodër.

Aplikimi duhet të dorëzohet i mbyllur në zarf, duke specifikuar “Thirrje për shprehje interesi / Ekspert________ / YES FUTURE /IADSA/2016/10”.

Përzgjedhja e kandidaturave do të realizohet në bazë të një procesi të kombinuar vlerësimi me pikë, ku Oferta teknike (kualifikimet, eksperienca, titujt e studimit dhe metodologjia/qasja) do të kenë një peshë prej 70%, e kombinuar me Ofertën financiare, e cila do të ketë një peshë prej max 30%. Vetëm kandidatët e kualifikuar, që plotësojnë kushtet vendosura më sipër, do të kontaktohen.

Për çdo informacion të nevojshëm mund të kontaktoni pranë organizatës Consulting and Development Partners, në adresën: Rruga “Palok Kurti”, Nr.1, Shkodër, ose në emailin [email protected]. Të gjitha komunikimet lidhur me këtë thirrje, që dërgohen në këtë adresë email-i dhe duhet të tregojnë qartë titullin “Thirrje për shprehje interesi / Ekspert________ / YES FUTURE /IADSA/2016/10”.

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas