Mapo Letrare

Çohet në vend “amaneti” i poetëve të vrarë

visar zhiti

Promovohet në UET libri i Visar Zhitit, “Lajmëtarë të Europës- Antologji e poetëve të vrarë”. Flasin familjarët e të flijuarve të diktaturës



 

“Lajmëtari do të jét i lir n’udhë të vet.” (Kanuni i Lekë Dukagjinit) “Lajmëtarët nuk preken…(Kanuni i Skanderbegut). Me këto thënie nga dy kanunet rregullatore të jetës së shqiptarëve e nis librin e tij shkrimtari Visar Zhiti, librin për jetën dhe veprën e atyre “lajmëtarëve”, të cilët nuk i mbrojti dot as ligji i Skënderbegut dhe as i Lekë Dukagjinit. “Lajmëtarë të Europës” u promovua dje në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, botim i UET-Press dhe OMSCA-1. Zhiti këtë herë ka zgjedhur të shkruajë historitë e të vrarëve në diktaturë, të “ringjallë” poetët që ëndërronin një Shqipëri si Europa, poetë e intelektualë që lanë të ardhmen e tyre europiane dhe u kthyen në vendin amë, ku për fat të keq, gjetën internimin dhe pushkatimin. Zhiti e ndjen si një shtysë të brendshme që të sjellë tek publiku amanetin e tyre të pathënë, që të mos vriten për herë të dytë me harresë. Dhe ky amanet duket se ka ardhur në vend, të paktën kështu e ndjejnë familjarë të këtyre poetëve dhe intelektualëve të vrarë nga komunizmi.

Në promovimin e librit kishte shumë emocion, sidomos në radhët e familjeve të atyre që përmendën në libër, të atyre njerëzve që po të kishin jetuar do ta shkruan emrin e tyre në histori me veprën e punën e tyre, por diktatura komuniste ua preu jetën në mes. Libri nis me vetëvrasjen e Safet Butkës, të cilën Zhiti e përshkruan si një “vrasje” ideologjike. “Që të ndalej vëllavrasja. Ushtoi krisma e thatë e një arme mes gjëmimeve të harbuara të betejave gjithandej të Luftës së Dytë Botërore. Një patriot dhe intelektual i njohur, pedagog e politikan, Safet Butka, vrau veten në shenjë proteste e paralajmërimi, apel për të ndalur mynxyrën. Shqipëria po merrte rrugë të mbrapshtë. Në fakt atë e vrau realiteti mizor”. Djali i tij, Uran Butka foli gjatë promovimit duke thënë se “Safet Butka ishte një intelektual me përmasa europiane, një orakull i Bashkimit Europian që vrau veten për të ndalur vëllavrasjen”.

Më tej libri vazhdon me vrasjen e  gazetarit të shquar Nebil Çika, korrespondent i metropoleve perëndimore, i vrarë nga komunistët vetëm 5 ditë para se të çlirohej Tirana. Dhe nipi i tij, gazetari që mban emrin e xhaxhait, Nebil Çika thotë se “vlerësoj punën e Visarit dhe Universitetin Europian të Tiranës për përzgjedhjen e këtyre veprave, duhet një shkollë akademikësh për të mbështetur një botim të tillë. Për familjen time është një nder i madh, sepse ishte një punë e mohuar deri tani dhe në histori dhe në media”. Sipas gazetarit Çika, “ata kanë qenë lajmëtarë të Europës, siç i etiketon Visari, pasi ishin të shkolluar në Perëndim me sytë nga Perëndim, intelektualë, mendimtarë dhe artistë dhe ku ishte i vetmi “faj” i tyre për të cilin u pushkatuan”.

Poetin Manush Peshkëpia e pushkatuan me 21 veta të tjerë, mes të cilëve edhe një grua, për bombën e hedhur në Ambasadën Sovjetike, ndërsa i biri, Gëzim Peshkëpia tha dje se me këtë libër është vënë në vend amaneti i babait të tij, i pushkatuar pa asnjë faj. “Jam mjaft i prekur që im atë çmohet sot si poet. Ai ka pasur një fund aq tragjik dhe sot kujtohet për atë që deshi me shpirt, poezinë. Dua të përgëzoj Visarin për këtë antologji për poetët e pushkatuar, që e lanë me gjak tokën e tyre e dhuntinë hyjnore që kishin për të bërë poezi, fjalën e tyre të lirë”, – u shpreh Peshkëpia për gazetën MAPO.

Në fjalën e tij poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti tha se promovimi i këtij libri në një tempull të dijes që mban dhe emrin Universiteti Europian është një realizim i ëndrrës së këtyre poetëve. “Ne këtu së bashku plotësojmë një pjesë nga testamenti i atyre që deshën një Shqipëri të lirë europiane, testamenti plotësohet më së miri duke ardhur në tempullin e dijes, në Universitetin Europian të Tiranës, sepse në Europë nuk do të shkojmë duke mbartur truallin për ta çuar atje, Zoti na ka bërë europianë, por në Europë do të shkojmë duke bërë Europën këtu”.

Po çfarë do të ndodhë me këtë letërsi, me këtë antologji të mbledhur nga Visar Zhiti, i cili ka qenë një nga intelektualët e poetët që kanë vuajtur burgjeve e internimeve në diktaturë? Reshat Kripa thotë se ata duhet të jenë pjesë e teksteve shkollore, që ata nuk duhet të vriten me harresë, por të jenë pjesë e letërsisë shqiptare. Një pyetje që akoma nuk ka përgjigje, por antologjia e mbledhur dhe botuar nga Visar Zhiti është si një tufë lulesh të freskëta vendosur mbi varrin e tyre të harruar, ashtu si poeti i fundit i vrarë nga komunizmi, Avzi Nelaj, shkruante: “Kur të vijë të çelë pranvera, Kur bilbili nis me këndue, Mbi vorr tim me gur’e ferra, Nji tufë lule me ma lëshue”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas