Ekonomi, Kryesore

Çmimet, Shqipëria më pranë Europës – Ushqimet dhe pijet, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë

Shqipëria nuk është aspak vendi më i lirë në Europë sa i përket çmimeve për mallrat e konsumit apo shërbimet. Eurostat thotë se, Shqipëria është më e shtrenjtë se Serbia dhe Mali i Zi në Europë, sa i përket çmimeve të shprehura në paritetin e fuqisë blerëse. Në vendin tonë, çmimet në total janë sa 52% e mesatares europiane, ndërkohë që në Serbi janë në 51% dhe në Maqedoni në 47%. Të gjitha vendet e tjera të Europës përfshirë rajonin janë më të shtrenjta se ne.

Nga të dhënat e Eurostat vihet re gjithashtu se, Shqipëria është më e lira në Europë në kategorinë e restoranteve edhe hoteleve, me çmimet sa 40.3% e mesatares europiane. Tjetër kategori që e vendos Shqipërinë në pozitën e më të lirës në Europë është  ajo e pajisjeve të transportit personal, me çmimet në 79.3% të mesatares europiane. Kjo kategori ndërkohë, është e vetmja ku çmimet në raport me Europën janë ulur në krahasim me vitin 2016. Kategoria që ka pësuar rritjen më të madhe në krahasim me vitin paraardhës ndërkohë, është ajo e ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike, ku çmimet kanë kapërcyer nga 71.9% e mesatares së BE, në 74.9%.



Ky është niveli më i lartë që prej 2007, kur ka filluar edhe mbledhja e këtyre të dhënave. Kjo tregon se Shqipëria po i afrohet Europës në një indikator ku askush nuk do të dëshironte, atë të çmimeve. Sa i përket veshjeve, shqiptarët i paguajnë thuajse sa europianët, me një normë në 97%, nga 95.5% të vitit paraardhës. Në drejtim të shpenzimeve  të përgjithshme familjare Shqipëria lë pas edhe vende të tjera të rajonit e më gjerë, si Bullgaria apo Turqia, me një normë në 52.3% të mesatares europiane dhe lehtë mbi mesataren e vendeve kandidate, që fiksohet në 51.2%.

Në këtë kategori, çmimet kanë prekur nivelin më të lartë që prej vitit 2009. Në barometrin e komisionit europian për 2018, thuhej qartë se, shqiptarët vlerësojnë si problemin e tyre kryesor rritjen e çmimeve. Me të dhënat më të fundit të Eurostat, ky shqetësim duket i justifikuar./SCAN/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas