Kryesore

Cilat shtete dominojnë tregun e veshjeve në Shqipëri?

Veshjet janë një pjesë e rëndësishme e tregut të konsumit në Shqipëri, për të cilat shpenzimet janë në rritje. Sipas të dhënave të INSTAT, një familje mesatare gjatë vitit 2016 shpenzoi 3532 lekë për veshje dhe këpucë, ose 4,8% të buxhetit total.

Duke përpunuar të dhënat e tregtisë së jashtme, SCAN ka bërë një analizë të detajuar që përfshin vendet e origjinës të rrobave që hyjnë në vendin tonë.



Analiza përfshin produktet e kapitujve 61 dhe 62 të kodit të harmonizuar doganor, ku bëjnë pjesë të gjithë artikujt e veshjes dhe aksesorët. Kjo bëhet për të eliminuar tekstilet e ndryshme të destinuara për industrinë fasone, perdet, tapetet dhe materialet e tjera që nuk konsiderohen veshje.

Harta e përpunuar nga SCAN mbi të dhënat e Eurostat mbi tregtinë e jashtme

Në mënyrë jo të habitshme, vendi i origjinës që kryeson tregun e rrobave është pikërisht Turqia, me rreth 33.6 milionë euro mallra të importuara. Dominanca e këtij vendi shpjegohet me afërsinë gjeografike, industrisë së zhvilluar të veshjeve në këtë vend dhe marrëdhënieve tregtare në rritje mes dy shteteve. Po ashtu, një ndikim në rritjen e importeve të rrobave nga ky vend ka edhe prezenca e një sërë markash të veshjeve turke në tregun shqiptar të shitjeve me pakicë.

Në vend të dytë, por shumë pranë vlerave të kryesuesit renditen veshjet nga Kina, për një total prej 31.4 milionë eurosh. Makineria gjigande e manifakturës në shtetin aziatik nuk ndalet as në Shqipëri dhe krahas produkteve plastike, tregon forcën edhe në industrinë e veshjeve.

Veshjet dhe aksesorët e veshjeve nga Kina dominojnë edhe për shkak të blerjeve online, nga portale si Aliexpress, ku shumë individë dhe shitës nga Shqipëria kryejnë porosi. Vihet re gjithashtu një dominim i mallrave nga Kina në segmente të veçanta, sidomos në artikuj si rroba banjo, fustane, veshje sportive, bluza të thjeshta, etj.

Shumë larg pritshmërive ndërkohë paraqiten veshjet nga Italia, me një vlerë në treg në vitin 2017 prej vetëm 8.6 milionë eurosh. Teksa INSTAT e rendit këtë shtet si vendin kryesor të origjinës për kategorinë “Tekstile dhe këpucë”, duket se pjesa më e madhe e këtyre mallrave shkon për industrinë fasone dhe rieksportohet jashtë vendit.

Pavarësisht mbizotërimit të emrave italianë të industrisë së modës të pranishëm në vend, këto marka duket se mungojnë në segmentin e konsumatorëve që i kryejnë blerjet në tregje.

Një surprizë në hartën e origjinës së veshjeve që shiten në Shqipëri është Bangladeshi. Edhe pse një prej vendeve me industrinë fasone më të zhvilluar, largësia gjeografike me Shqipërinë e bën mjaft interesante pozicionin në këtë listë, si vendi i katërt për importe, me rreth 1.7 milionë euronë vlerë mallrash.

Një arsye pse shohim në këtë listë vende si Bangladeshi, Kamboxhia, Sri Lanka, India dhe Vietnami, përpos kostove të lira të prodhimit të veshjeve, është edhe tregu në rritje i rrobave të përdorura. Pikërisht këto shtete janë portat kryesore të tregut të dorës së dytë që transportohen më pas nëpër botë për t’u ricikluar apo për t’u ripërdorur duke i veshur.

Sa i takon veshjeve nga vendet e tjera europiane, Spanjë renditet e dyta pas Italisë me 1.2 milionë euro produkte, ndjekur nga Greqia me 757 mijë euro dhe Rumania me 630 mijë euro

Një prezencë të vogël në treg kanë ndërkohë veshjet nga rajoni, ku dominojnë ato nga Serbia me 445 mijë euro, ndjekur nga Kosova dhe Maqedonia me nga 96 mijë dhe 93 mijë euro mallra të importuara.

 

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas