Mapo Letrare

Charles Dickens: Shtëpia e fshehtë në Londër

Ju nuk e keni idenë sa shumë ju dua, aq sa nga maja e një mali mund të ndiej erën e flokëve të tua. Asgjë nuk mund të ishte më e bukur se duart e mia humbur në duart e tua, duke të fituar apo duke të vrarë. Në vitin 1857, Charles Dickens shkruante këtë letër për aktoren e re me flokët e kaftë dhe trupin e imët Ellen “Nelly” Ternan, të cilën e kishte parë teksa me fustanin e gjatë orvatej në skenën e një teatri. Ajo sapo i kishte kaluar të 18-at, por Dickens vetëm 45 vjeç e ndjeu se asnjë nga personazhet që kishte krijuar nuk mund t’i ngjante kësaj krijese kaq të plotë e turbulluese. Nuk i mbetej gjë tjetër veçse të gjente rastin t’i afrohej dhe t’ia shprehte dashurinë. Ishte mbrëmje kur për herë të parë iu lut të rrinte edhe pak në skenë. Më pas teksa i fliste për dramën i tregoi se netët po i bëheshin torturuese pa të. Ellen nuk donte shumë për të kuptuar se shqetësimi i tij ishte dhe shqetësimi i saj. Burri me xhaketat e stilit viktorian do të kthehej në jetën e saj. Në historitë e dashurisë së shkrimtarëve të njohur, Charles Dickens do të mbetej për vite me radhë si njeriu që i krijoi dashuritë vetëm në libra, deri në vitin 1953, kur biografja e ardhshme e tij, Claire Tomalin, do të haste për herë të parë me emrin e Ellen “Nelly” Ternan, një aktore me profil të ulët publik. Emri i Ellen shfaqej dhe në esetë e Edmund Wilson për shkrimtarin. “Ai kalonte kohë të tëra me të ulur në oborrin e shtëpisë”, shkruante Wilson. Për vite me radhë kjo grua, që kishte pasur një rol të madh në atë çfarë Dickens prodhoi përgjatë asaj dekade që ndenjën bashkë, kishte mundur të qëndronte e fshehur gati e padukshme në “gosipin” letrar.

Tre dekada më vonë, Tomalin, tashmë një redaktore e Sunday Times, gjatë një bisede me kuratorin e Muzeut të Dickens në Londër, David Parker, do t’i fliste për Ellen. Ai do ta inkurajonte atë të niste një nga përvojat më interesante të jetës në gjurmët e vajzës me flokët e kaftë që i kishte rrëmbyer zemrën shkrimtarit. Tomalin shpenzoi shumë vite duke kërkuar nëpër arkiva për të gjetur letra apo libra ku përmendej emri i saj për të zbardhur historinë e një lidhjeje 13-vjeçare midis shkrimtarit dhe aktores. Gruaja e padukshme: Historia e Nelly Ternan dhe Charles Dickens është biografia e vetme e shkruar nga Tomalin, e cila na njeh me jetën tjetër po aq të jashtëzakonshme sa dhe librat e tij të Charles Dickens.



Ternan u takua për herë të parë me Dickens në gusht të vitit 1857, ku ajo bashkë me nënën dhe motrat ishin aktore në një pjesë të shkruar nga Dickens. Ai ishte 45 vjeç, ndërsa ajo vetëm 18.

Duke dashur të ruante imazhin si diçka e rëndësishme për një personazh publik në epokën viktoriane, ai bleu për të një shtëpi pranë Londrës ku takoheshin fshehurazi. Dickens dhe Ternan kanë shkatërruar gjithë korrespodencën mes tyre dhe kjo e bënte më të vështirë kërkimin e Tomalin. Sipas saj, bëhet fjalë për një koleksion të madh letrash që ata ia dërguan njëri-tjetrit përgjatë gjithë lidhjes, që Dickens i dogji duke menduar paragjykimin që do të ngrihej ndaj tij për këtë lidhje. Por ajo është aq e pranishme në jetën e tij, në ato 13 vite, sa ishte e pamundur të fshihej nga çdo gjë. Dy fëmijët e Dickens, djali Henry dhe vajza Kate, treguan se “çifti pati dhe një fëmijë bashkë, një djalë, i cili vdiq”. Në vitin 1876 gjashtë vite pas vdekjes së Dickens, Ternan atëherë vetëm 37 vjeç, martohet me një djalë 12 vjet më të ri se vetja, me të cilin pati dy fëmijë. Në rrëfimet e mbetura në kujtesën e atyre që e njohën tregohet për shtëpinë e thjeshtë në Londër, ku shkrimtari shkonte pas ftohjes së lidhjes që pati me të shoqen, Katherinë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas