Op Ed

Çfarë pretendojnë sokratët nga populli i tyre?

Nga Lulzim Hoxha

Sokrati është ndër filozofët athinas që ka patur më shumë jehonë në filozofinë moderne dhe atë bashkëkohore. Ai konsiderohet si babai i mendimit dialektik, derivat i të cilit është ndër të tjera edhe filozofia marksiste. Sokrati mendonte se filozofia nuk mund të çohet përpara nga një shkrim, sepse shkrimi sipas tij përçon njohuri por jo dituri. Për këtë arsye, ai nuk la pas asnjë libër apo shkrim. Emri i tij shfaqet vetëm te dialogët e Platonit, kurse atë çka ai përfaqësonte mund ta gjejmë në versionin e një karikature te komedia me karakter ironizues “Retë” e Aristofanit. Te kjo e fundit, Sokrati na paraqitet si “Një njeri që vjen rrotull rrugëve duke ecur në ajër”, shprehje të cilën mund ta gjejmë edhe tek akuzat që i bëhen filozofit të madh te “Apologjia e Sokratit”. Në dialogjet e Platonit dallohet ambiguiteti i marrëdhënies së Sokratit me dishepujt dhe miqtë e tij. Nga njëra anë, Sokrati tregohet vazhdimisht i interesuar për të shkëmbyer mendime me ta, nga ana tjetër ai nuk bie kurrë dakord me përgjigjet që merr prej tyre. Aq sa te “Republika” që është ndër tekstet më voluminoze të Platonit, përgjatë gjithë librit, Sokrati nuk është në asnjë rast i kënaqur nga përgjigjet që i japin bashkëbiseduesit dhe i ribën pyetjet në mënyrën e tij karakteristike, shpeshherë duke iu përgjigjur vetë pyetjeve që i bën po vetë. Bashkëbiseduesit shfaqen në dialogje kryesisht përmes shprehjeve “Ke të drejtë”, “Po, sigurisht”, “Po, shumë dakord” apo “Nëse e thua ti, jam dakord” kur u përgjigjen pyetjeve të Sokratit, pasi këto janë të vetmet përgjigje që Sokrati pranon.



Duhet thënë se Sokrati (dhe sidomos dishepulli i tij Platoni) janë përfaqësues të një periudhe ku civilizimi helen ishte tashmë drejt degradimit. Në vitin 404 p.e.s. (pesë vjet përpara se Sokrati të pinte kupën me helm dhe afërsisht njëzet e tetë vjet përpara se të vinte në jetë Republika e Platonit) Athina pëson disfatën përfundimtare në luftën me Spartën, pas pothuaj tridhjetë vjetësh shkatërrimi të vazhdueshëm. Humbja e luftës së Peloponezit shënon fundin e periudhës së lavdishme homerike në Greqinë e lashtë, nga ku dolën filozofë si Anaksimandri, Empedokli, Pitagora, Herakliti etj., të cilët njihen për kontributin që i kanë dhënë njerëzimit në fushën e filozofisë por edhe në shkenca të tilla si fizika, gjeometria, mjekësia dhe astronomia. Nën gjendjen e emergjencës së shoqërisë athinase, në kapilarët ku dikur kalonte furishëm gjaku i ngrohtë i filozofisë pohuese ndaj jetës, gradualisht nis të injektohet ftohtësia e dialektikës së Sokratit si një filozofi e cila nuk mund të kuptohet dot pa theksuar gjendjen e pafuqisë politike të Athinës së kohës. Kjo gjendje u manifestua në shoqëri përmes degradimit të vlerave që dikur i patën dhënë madhështi civilizimit helen dhe veçanërisht disiplinës së filozofisë. Në lidhje me këtë transformim të shoqërisë athinase, Nietzsche shkruan se “Para Sokratit, mënyrat dialektike të sjelljes ishin përjashtuar nga shoqëria e mirë, ato quheshin shprehje të këqija, komprometuese. Rinia ruhej shumë prej tyre dhe nuk u zinte besë atyre që i paraqisnin në këtë mënyrë arsyetimet e tyre”. Në këtë kuptim, ky filozof që “dinte një gjë që nuk dinte asgjë” shfaqet si simptomë e gjendjes së gjërave. Simptomë e cila na paraqitet nga Platoni në formën e qortimeve të vazhdueshme kur dikush nuk binte dakord me të  (“Kur djemtë e mi të jenë rritur, unë po ju kërkoj, o miqtë e mi, t’u rrini prapa, ashtu siç bëra unë me ju, nëse ata nuk kujdesen për gjëra që duhet të kujdesen, atëherë qortojini ata, siç ju qortova unë ju”). Mirëpo për Sokratin dhe ata sokratë të cilët në nivel simptomatik riprodhojnë filozofinë e qortimit ashtu sikurse “babai” i tyre, kur argumentat nuk janë bindës (gjë që te sokratët ndodh shpesh), si justifikim shfaqet faji, i cili është përherë arma e preferuar e Sokratit kundër dishepujve të tij që si gjithmonë nuk e kanë kuptuar siç duhet. Por meqenëse faji është mjeti që përdorin sokratët, kjo armë u përket sokratëve dhe është pjesë integrale e qortimeve që ata shprehin në formë mërie (resentiment) kundër një populli që – sipas tyre – nuk i kupton.

Nëse më sipër u tha se filozofia sokratike zë rrënjë lehtësisht në një shoqëri që përjeton krizë vlerash dhe është në gjendje dekadence, madje bëhet artikulimi simptomatik i kësaj gjendjeje, a nuk ndodh e njëjta gjë edhe në shoqërinë tonë me sokratët e saj përkatës? Në kushtet e një tranzicioni vleror që po përjeton vendi ynë, terreni siguron fertilitetin e mjaftueshëm për shëmbëlltyrat e Sokratit që ta çojnë përpara ambiguitetin e ndërveprimit me dishepujt e tyre. E nëse tipari emblematik i kësaj gjendjeje është fakti se instinktet duan të luajnë si tiranë, atëherë duhet shpikur një kundërtiran më i fortë se gjendja ekzistuese por që në thelb mbart tiparet e saj, është demonstrim i saj. Po t’i referohemi Nietzsches, ky tiran shfaqet nën sfondin e trekëndëshit barabrinjës arsye=virtyt=lumturi. Sokratët tanë janë shembulli tipik i shkeljes së parimit udhërrëfyes të kësaj triade, të cilën po vet e propagandojnë. Mungesën e konceptit të dytë (virtytit) e kompensojnë me rregulla në formën e një breshërie aksiomash për mbarështimin e kopesë së tyre dhe gjetjen e “së vërtetës”.  Ambiciet politike të Sokratëve tanë njihen po aq sa njihet edhe “e vërteta” e tyre, e cila më së shumti nuk përbëhet nga pohime por nga parulla. Dhe parullat nuk janë pjesë e filozofisë, por i përkasin politikës së aplikuar, pikërisht asaj të keqeje të madhe që ata e dënojnë vazhdimisht dhe që është armiqësore ndaj asaj të vërtete që ata pretendojnë se mbrojnë. Në artikulimet e tyre, “e vërteta” dekompozohet në shprehje të tilla si “Universiteti është studenti”, “Universiteti janë universitarët” apo shprehja e trashëguar ndër dishepuj “Universiteti është shprehje e universalit” sa për të përmendur disa nga parullat të cilat përdoren për shtimin e numrit të dishepujve që në fund çuditërisht asnjëherë nuk e kuptojnë le grand maître. Sokratët tanë mund të dallohen qartë për aftësitë e tyre polemizuese por aspak për ato afirmuese. Si dialektikë të mirë, nën prangat e çmuara të arsyes sokratike, aksiomat e tyre vijnë në fund të një serie të gjatë mohimesh dhe sarkazmash.

Sokratët e popullit tonë janë simptomë e degradimit të një shoqërie po aq sa politikanët e korruptuar apo ndërtimet pa leje. Krijimi i dishepujve nga ana e tyre bazohet në arsyetime ku gjendet përherë një kat shtesë, ndërkohë që parullat nën shëmbëlltyrën e metodës sokratike vishen si aksioma. Kjo strategji mund t’i dallojë ata nga politikanët e korruptuar vetëm në teknikat e komunikimit mediatik, por në thelb të dy palët janë shprehje e së njëjtës gjendje.

Sokrati vdiq pasi piu kupën me helm, por simptomat e helmit të dialektikës sokratike vazhdojnë ende në kohët e sotme të provokojnë qortime ose tundje kokash (“me mua ose kundër meje!”) te të rinjtë e një shoqërie post-traumatike si kjo e jona. Për këtë rast, një vërejtje me vend për edukatorët tanë sokratik janë fjalët e Zarathustrës drejtuar dishepujve: “Tani, unë po largohem i vetëm, o dishepujt e mi! Shkoni edhe ju tani, të vetëm! Kështu dua unë. Në të vërtetë, po ju them: shkoni dhe ruhuni nga Zarathustra! Ose më mirë, turpërohuni prej tij! Ndoshta ai ju ka mashtruar”.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas