Mapo Letrare

Çfarë mund të ndryshojë lexuesi i ri?

Ç’ka ndodhur në Shqipëri me lexuesin e djeshëm dhe ç’po ndodh me lexuesin e sotëm? Së pari, duhet të theksojmë se letërsia shqiptare për dekada nuk ka qenë vetëm peng i autorëve të ideologjizuar, por edhe i lexuesve të edukuar si të tillë. Shkollat shqiptare kanë qenë pjesë e të njëjtit mekanizëm që ndërtonte binomin artist-kritik-lexues-shikues, duke bërë që e keqja etike dhe estetike të kishte nisësin dhe pritësin.

Nga Agim Baçi



Jorge Luis Borges, gjatë gjithë komunikimit të tij për letërsinë për shumë vite në Universitetin e Buenos Airesit, e konsideronte lexuesin si pjesë pa të cilin letërsia nuk do kishte kuptim. Ndërsa nobelisti Elias Canetti, theksonte se “të japësh dhe të marrësh është e njëjta gjë”, duke i dhënë lexuesit piedestalin e barazisë me autorin. Shkrimtarë dhe esstetë të tjerë, përfshi Umberto Ekon, Italo Kalvinon, Milan Kunderën, Ernesto Sabaton, Alain Finkielkraut, Harold Blum, Norman Holland, Volfgang Iser, Stenli Fish, e shumë emra të botës letrare, kanë sjellë në vëmendje rëndësinë e madhe të leximit në fatin e letërsisë. Po në Shqipëri, ç’ka ndodhur me lexuesin e djeshëm dhe ç’po ndodh me lexuesin e sotëm? Së pari, duhet të theksojmë se letërsia shqiptare për dekada nuk ka qenë vetëm peng i autorëve të ideologjizuar, por edhe i lexuesve të edukuar si të tillë. Shkollat shqiptare kanë qenë pjesë e të njëjtit mekanizëm që ndërtonte binomin artist-kritik-lexues-shikues, duke bërë që e keqja etike dhe estetike të kishte nisësin dhe pritësin. Lexuesit shqiptarë për shumë vite me rradhë duket sikur kanë jetuar si personazhe të Franz Kafkës, por pa e ditur se po përjetojnë atë që shkrimtari i famshëm kishte mundur ta sillte në romanin e tij “Kështjella” përmes personazheve të tij. Pra, pak a shumë, secili prej lexuesve gjendej në një situatë ku përcaktimet e jashtme ishin tmerrësisht shtypëse dhe dëshira e tyre për ndryshim ishte në gradën zero. Ata jetonin brenda kështjellës së ndërtuar nga sistemi dhe ishin programuar për atë që duhet të lexonin, të pëlqenin dhe të rrëfenin për të tjerët. Për gjithkënd që e ka kaluar atë kohë, e kujton mirë faktin se mes shkrimtarëve dhe lexuesve ka qenë një zinxhir i madh burokratësh ideologë, të emëruar dhe kontrolluar nga majat më të larta të diktaturës, që përcaktonin kufij të shkruari dhe kufij leximesh. Përgjithësisht, po të shohësh shtypin letrar të asaj kohe, mungon plotësisht këndvështrimi për të përhershmen dhe të përjetshmen dhe njeriu shihet si një produkt i revolucionit, si një njeri që duhet të shmangë pyetjet e dilemave shpirtërore dhe të ushtrojë veç kulturën e bindjes. Përgjithësisht kultura e kohës nuk synonte njohjen e njeriut, por ndërtimin e tij sipas një ideologjie që i kthente ata në ushtarë të bindur. “Njeriu i ri”, siç e quante sistemi i kohës, kishte më pas të drejtën të gjykonte vepra letrare, të shkruante dhe t’i kërkonte llogari artistëve për mungesën e jetës kolektive, për mungesë të pasqyrimit të realitetit, për mungesë të frymës revolucionare, etj, etj.

Pasojën e një logjike të tillë leximi shoqëria shqiptare e ka vuajtur edhe pas vitit 1990. Klithjet e shumë njerëzve se “mungon kritika”, apo se “për artin nuk ka më aq shumë respekt”, ishin thjesht një zgjatim i mënyrës se si ishte përçuar kultura për 50 vite, ku lexuesit nuk kishin lidhje me vlerat letrare por me porositë ideologjike. Dhe ata që ankoheshin më së shumti ishin ata që kishin ndërtuar jetën me këtë zeje ideologjike që shthuri çdo lloj shije leximi, e për pasojë edhe  i dha udhë jetës mediokre. Ndërkohë, ai lloj arti i i shkruar në diktaturë dhe ai lexues i keqedukuar, në bënë skemë dhe ushqim për nostalgjikët e atij sistemi, pasi tekstet mbi letërsinë dhe artet e tjera vijuan të ishin prezentë në shkollat shqiptare. Po kështu, akademikët dhe mësimdhënësit, vijuan të jenë aktivë në përditshmëri, duke mbajtur gjallë një frymë që ka vijuar të ndikojë ende në një moskuptim të letërsisë së djeshme dhe të sotme shqiptare.

Padyshim që letërsia, dhe i gjithë arti në përgjithësi, i lëvruar sidomos pas vitit 2000, ka sjellë ndryshime të rëndësishme etike dhe estetike. Emra artistësh shqiptarë tashmë gjenden në shtëpi botuese apo galeri prestigjioze botërore apo edhe në kinematografi, ndërkohë që reflektimet mbi këto vepra shpesh janë pasojë e një leximi dhe debati që ka të bëjë me vlera të përhershme, që e lidhin njeriun me të përhershmen dhe të përjetshmen, që e lidhin me njerëzoren, duke dhënë garanci se kemi të bëjmë me vlera të përbotshme si në të shkruar, ashtu edhe në lexime.

Në këtë aspekt, lexuesi që po vjen mund të jetë vendimtar jo vetëm për një hierarki të re të leximit apo të rileximit të letërsisë shqiptare, por edhe të një imponimi mbi artin që lëvrohet. Leximi në të njëjtën kohë me bashkëmoshatarët të njëjtën letërsi, si dhe leximi i debateve të rëndësishme mbi mbi këto vepra, jep shpresë për një ridimensionim të këndvështrimit mbi letërsinë dhe të gjitha artet e tjera.

Emrat e shkrimtarëve shqiptarë që tashmë janë pjesë e lexuesit të hapur, si dhe të lexuesit që tashmë kanë përvojën e një debati pa kufizime ideologjike, kanë mundësinë të rivendosin një hierarki të pranueshme leximi, me më shumë argumente, me më shumë këndvështrime, ku padyshim më tërheqëset mbeten ato lexime që e shohin njeriun në udhën e gjatë të njerëzores, ashtu siç kanë bërë edhe rrugëtimin veprat që sot mbajnë flamurin e njohjes së madhe në çdo vend të botës. Në këtë aspekt, është me rëndësi të pohojmë se lexuesi i deridjeshëm, me njohje vetëm ideologjike, i mbështjellë me nostalgjinë e së shkuarës, nuk mundet të jetë garanci për leximin e letërsisë. Madje, lexime të tilla, të botuara gjatë diktaturës, shpeshherë mund të vlejnë për t’u treguar të rinjve se si nuk duhet ta shohin një libër. Ndërkohë që lexuesi i sotëm, i përfshirë në hullinë e leximeve të përbotshme, duhet mbrojtur dhe përkrahur, pasi nuk i përket vetëm vetes, por mund të jetë një negociator i rëndësishëm dhe një pararendës i një kritike të re për letërsinë. Sepse vetëm një debat i vendosur në shinat e së përhershmes do të mund ta sjellë letërsinë e së shkuarës dhe letërsinë e tashme në një hierarki të domosdoshme referimesh.

Vetë shkrimtarët e kanë patur të qartë se letërsi e madhe është vetëm ajo që rilexohet. Shumica dërrmuese e shkrimtarëve që kanë shkruar në kohën e diktaturës e dine shumëmirë që do të magazinohen nga harresa e madhe, ndërkohë që shkrimtarët e mohuar, si Kuteli, Fishta, Koliqi, Camaj, e shumë të tjerë si ata, që u dhunuan me harresë e përdhosje për 50 vite, vetëm do të vijnë duke u ndriçuar, pasi do të jenë nën mbretërin e rëndësishme të rileximit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas