Kronika, Kryesore, Mapo Format

Çështja “Bego”/Biznesmeni dhe xhonglimet e drejtësisë, Ministria: Është “i pastër”

Biznesmeni i arrestuar në Greqi Edmond Bego mbetet në arrest me burg në Greqi deri në pritjen e vendimeve nga pala italiane. Drejtësia greke “refuzon” atë shqiptare. Sqarimi i Ministrisë së Brendshme Shqiptare: “Nuk ishte i shpallur në kërkim, dënimin e kishte kryer”. Tre gjyqtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që i konvertuan Edmond Begos dënimin në vetëm 4.4 vjet, të shkarkuar nga vettingu.

Ndalimi i biznesmenit të njohur Edmond Bego në Greqi vijon të mbajë ndezur politikën me akuza të ndërsjella, por njëkohësisht po sfidon edhe sistemin e drejtësisë, që dënimin me 27.8 vjet burg në Itali e konvertuan në 4.4 vite për këtë personazh, që njihet edhe me katër emra të tjerë.



Në Shqipëri kapërceu mjaft lehtë dënimin e marrë në Itali, por udhëtimi për pushime në Korfuz i ka kthyer biznesmenit Bego historinë e vjetër të dënimit për akuzën e trafikut të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, duke qenë i dyshuar si një nga anëtarët e “Bandës së Lushnjës”, të drejtuar nga Aldo Bare.

“Jam Edmond Bega. E kam ndërruar emrin, por për këtë çështje që më keni arrestuar unë e kam bërë burgun njëherë në Shqipëri”-mësohet të jetë shprehur dje biznesmeni para gjykatës në Greqi. Pavarësisht pretendimeve të 48-vjeçarit, drejtësia greke ka vendosur masën “arrest me burg” deri në pritje të materialeve gjyqësore që do të mbërrijnë nga Italia. Mësohet se pala mbrojtëse i ka vënë në dispozicion drejtësisë greke disa vendime të gjykatave shqiptare që konfirmonin se Bego e kishte kryer dënimin e dhënë në Itali, por nuk është marrë për bazë nga gjyqësori grek, duke e lënë në qeli në pritje të dokumenteve që do të mbërrijnë nga Italia.

Ndërsa Bego, i dyshuar nga opozita si me lidhje të forta politike në qeveri, vijon të qëndrojë në dhomat e paraburgimit në Greqi, Ministria e Brendshme shqiptare e ka nxjerrë të “pastër”. Në një njoftim të detajuar për shtyp, ministria thekson se ndaj Begos nuk ka patur asnjë urdhër-ndalimi ndërkombëtar, pasi sipas saj, ai është ndaluar një herë në vitin 2009 dhe e ka kryer dënimin. “Pas verifikimeve të kryera, Policia e Shtetit sqaron se në dosjen e kërkimit dhe Arkivës së Interpolit, shtetasi shqiptar Edmond Bego, alias Manoli Bego, alias Sajmir Sina, alias Belul Gjahtari, alias Mond Bega, 48 vjeç, nuk është në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar nga autoritetet policore shqiptare për llogari të ndonjë shteti tjetër.

Sqarojmë se më herët, shtetasi Bego është arrestuar në datë 24 dhjetor 2009 në Tiranë për llogari të drejtësisë në Itali, me urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar në vitin 2009, nga Gjykata e Apelit të Torinos”-thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme. Po sipas saj, nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, shtetasi në fjalë ka dalje dhe hyrje nga territori shqiptar nga vitet 2013 deri në vitin 2018, edhe drejt Italisë.

“Ai në territorin italian ka hyrë 3 herë në vitin 2017, dhe në datë 13 korrik në vitin 2018. Bego në datë 8 gusht 2018 ka dalë nga PKK Qafë Botë drejt territorit grek, siç ka bërë edhe më herët në vitet 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2018, në disa raste në mënyrë të përsëritur”-pohojnë burimet zyrtare.

Vendimet e gjykatave shqiptare

Gjykata e Torinos në Itali, pas një procesi të gjatë hetimor dhe gjyqësor e kishte dënuar shqiptarin Edmond Bego me 27 vjet e 8 muaj burg në mungesë në vitin 2007, por nga gjykimi i shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit, duke e çuar në 18 vjet e 5 muaj burg. Ky vendim është kundërshtuar në Apelin e Torinos, gjykatë e cila ndryshoi dënimin me 27 vjet të Shkallës së Parë në 21 vjet. Përfundimisht dënimi shkoi në 14 të tilla pas uljes për shkak të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë Bego nuk u tërhoq, duke kërkuar të ezaurojë të gjithë shkallët e gjyqësorit në vendin fqinj, teksa nisi rekurs në Gjykatën e Kasacionit Romë, e cila nuk e pranoi atë, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Torino.

Ka qenë prokuroria e kësaj të fundit, ajo që thuajse një javë më vonë nga marrja e formës së prerë të dënimit, ka urdhëruar uljen e tij me tre vjet, duke e çuar në 11 vjet dënimin për atë që ndryshe njihet si Manoli Bega. Kjo për shkak të ligjit italian për amnistinë e përgjithshme. Dënimi i dhënë në Itali nuk mund të kryhej, pasi Bego ishte larguar, por për shkak të marrëveshjeve që ka Shqipëria me Italinë për njohjen e vendimeve penale, çështja do kalonte në vendin tonë për njohje vendimi.

Pas një letre që ministri italian i Drejtësisë që i dërgoi homologut të tij në Shqipëri, për ekzekutimin e vendimit për të dënuarin Bego, Ministria e Drejtësisë, asokohe nën drejtimin e Bujar Nishanit, në 25 Nëntor 2009 i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për njohjen e vendimit që dënonte me 11 vjet burg Edmond Begon. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë mori vendim për arrestim dhe njoftoi të dënuarin. Më pas ka qenë prokuroria ajo që i është drejtuar gjykatës për njohjen e vendimit dhënë nga Gjykata e Torinos.

Megjithatë Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë arriti në përfundimin se dënimi me burgim ndaj Begos do të duhej të konvertohej në referencë të masës së dënimit që përmbanin dispozitat e Kodit Penal shqiptar, 15 vjet që pas aplikimit të uljes së dënimit me 1/3-n si dhe uljen me 3 vjet të dënimit për shkak të amnistisë italiane dënonte Begon me 7 vjet burg. Sërish biznesmeni nuk doli “i kënaqur” pavarësisht se dënimi i marrë në Itali gati u përgjysmua.

Ky konvertim është rishikuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me argumentin e tij se dënimi prej 21 vitesh burg dhënë nga Gjykata e Torinos, baras me një vit më shumë se dënimi minimal i parashikuar nga kodi italian për veprat penale të kryera nga Bego, do të konvertohej në 11 vite burg sipas minimumit të dënimit plus një vit që kodi shqiptar parashikon për të njëjtat vepra penale. E duke ulur këtu 1/3-n e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe 3 vite të amnistuara nga ligji italian, Edmond Bego, u dënua me 4 vjet dhe 4 muaj burg nga Gjykata e Lartë. Por ka edhe më shumë… Ndërsa Bego vuante dënimin, ai kërkon lirim para kohe dhe i drejtohet Gjykatës së Krujës.

Kjo e fundit mori në shqyrtim çështjen dhe ndërsa Bego kishte kryer 1 vit e 11 muaj burgim vendosi ta lirojë nga burgu me argumentin se ka kryer më shumë se 1/3 e dënimit dhe në burg ka patur sjellje të mirë. Por mjaft interesante është se të tre gjyqtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që ia kthyen në vetëm 4.4 vite dënimin ndaj Begos, sot janë të shkarkuar, pasi nuk e kaluan vettingun. Gjyqtarët Fatos Lulo, Gani Dizdari dhe Besnik Imeraj deri pak ditë më parë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nuk e kaluan vettingun, pasi nuk kaluan si testin e pasurisë, ashtu edhe integritetin moral.

Bego dhe përplasjet politike

Edhe ditën e djeshme ka vijuar përplasja në distancë mes PD dhe PS në lidhje me biznesmenin e arrestuar në Greqi Edmond Bego. Partia Demokratike me anë të deputetit Enkelejd Alibeaj, ka reaguar sërish duke hedhur akuza kundër qeverisë në lidhje me arrestimin e Edmond Begës. Alibeaj tha se policia, prokuroria, Rama dhe Balla heshtin për këtë shtetas, që ai e quan trafikant, dhe nuk sqarojnë publikun për pozicionin e tyre.

“Çfarë e lidh me trafikantin e drogës, të shndërruar në biznesmen të fuqishëm këto dy vitet e fundit? Sa herë ka komunikuar me Edmond Begën në numrin e telefonit 0682049189? A është Taulant Balla sekser për miliona euro punë publike të marra nga kompania e ndërtimit të narkotrafikantit biznesmen?”,- ka ngritur disa pyetje Alibeaj, që shigjeton kreun e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste si të lidhur me biznesmenin e arrestuar Edmond Bego. “Shqiptarët dhe partnerët tanë janë bindur se Shqipëria është kthyer në parajsën e krimit të organizuar, për shkak të lidhjeve direkte me drejtuesit më të lartë të pushtetit”-tha ndër të tjera Alibeaj.

Në lidhje me këtë çështje Balla reagoi dy ditë më parë duke e konsideruar qëndrimin e PD-së si shpifje të radhës. Ndërsa po nga opozita shprehen se kanë të dhëna se biznesmeni Bego është i lidhur edhe me eksponentë të tjerë në qeveri, madje duke i ofruar edhe tenderë publikë kompanisë së drejtuar nga i dyshuari si anëtar i Bandës së Lushnjës” që drejtohej nga Aldo Bare./Mapo.al/

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas