Kryesore

Censusi, 60% e bizneseve janë kafe dhe restorante


Blerina Hoxha



Fenomeni i bar kafeve si biznes në Shqipëri është aq i përhapur sa është edhe përshtypja e parë më e çuditshme kur një i huaj viziton vendin tonë. Kjo ndjesi me sy të lirë është faktuar dje nga Instituti i Statistikës, i cili duke zbardhur rezultatet e censusit për njësitë ekonomike faktoi se 60 për qind e bizneseve në vendin tonë janë bare, kafe dhe restorante. Në fakt ky verifikim ka faktuar po një  studim të INSTAT-it të para do kohëve, sipas të cilit shqiptarët rrinë tri orë në ditë mesatarisht në kafe. Po sipas INSTAT, biznesi i bareve dhe restoranteve vjen i dyti në listë pas biznesit të riparimit të automjeteve për nga xhiroja vjetore. Gjatë publikimit të rezultateve të censusit për njësitë ekonomike drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, thotë se, pjesa dërrmuese e tyre është krijuar pas vitit 2005. Kështu në të gjithë vendin rezultojnë 103 038 njësi ekonomike, nga të cilat 99 722 janë aktive. “Rreth 50 për qind e ndërmarrjeve aktive, që janë regjistruar gjatë këtij procesi, janë krijuar gjatë viteve 2005-2009. Në totalin e ndërmarrjeve, gjysma e tyre janë përqendruar në qarqet e Tiranës dhe  të Durrësit”, tha Nurja. Sipas numrit të të punësuarve, pjesa dërrmuese e bizneseve, 62.7 për qind e tyre, kanë vetëm një punonjës. Rreth 28.2 për qind kanë nga 2 deri në 4 punonjës, ndërsa ndërmarrjet me mbi 50 punonjës janë vetëm 0.9 për qind e totalit. “Duket qartë që ekonomia shqiptare tashmë është e zhvilluar dhe e orientuar drejt shërbimeve, pasi 84 për qind e këtyre ndërmarrjeve janë prodhues të shërbimeve”, theksoi Nurja. INSTAT thotë se viti 2010 ka qenë një nga vitet më të mira për lindjen e bizneseve të reja. Sipas Censusit, gjatë këtij viti numri i ndërmarrjeve private dhe atyre shtetërore, që nuk janë shoqëri aksionere, u rrit me 13 mijë e 626 ose 14 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. Sipas INSTAT rreth 9 mijë prej këtyre bizneseve krijuan nga një vend të ri pune, 3895 hapën nga 2 deri në katër vende të reja pune dhe pjesa tjetër më shumë sesa 5 vende të reja pune. Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Etore Sekiu, i pranishëm në publikimin e rezultateve, tha se transparenca përsa i përket ndërmarrjeve ekonomike në vend është shumë e rëndësishme, njësoj si treguesit e popullsisë si plotësim i një prej standardeve të Bashkimit Europian. Ky regjistër elektronik do të shërbejë për konsolidimin e statistikave në shërbim të institucioneve, praktikave akademike etj. Regjistri aktual i ndërmarrjeve karakterizohet nga disa probleme të cilat lidhen me prezencën e disa subjekteve jo aktive dhe me informacion të limituar të një sërë treguesish ekonomikë.

 

 

 

 

Regjistri i biznesit, ja risitë

 

103 038 njësi ekonomike gjithsej

99 722 biznese janë aktive

550% e tyre janë krijuar nga 2005-2009

50% janë në rajonin Tiranë-Durrës

2 379 janë biznese të huaja ose me kapital të përbashkët

62.7% kanë një të vetëpunësuar

80% e ndërmarrjeve janë njësi shërbimi

60%  janë bare, kafe, restorante dhe hotele

70%  e ndërmarrjeve me 50 ose më shumë punonjës janë industriale

15.8% janë prodhues mallrash dhe punësojnë 32% të të punësuarve

1% janë ndërmarrje të mëdha dhe punësojnë 42% të të punësuarve

26.4% e ndërmarrjeve janë të menaxhuara nga femrat

38.7% e të punësuarve janë gra

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas