SHOQERI

SHOQERI
Legalizimi i kanabisit/ Miliardat prej drogës me shumë emra

Legalizimi i kanabisit/ Miliardat prej drogës me shumë emra

A duhet ta legalizojë Shqipëria marijuanën?! Arsyet që mund të gjenden pro dhe ato kundra?! Nga kriminalizmi i një droge që shihet si më pak e rrezikshme se alkooli, deri tek një histori etimologjike që e lidh fjalën kanabis me trakishten, një prej mëmave hipotetike të shqipes, në të cilën fjala është trashëguar sipas etimologëve si (kanep) konop. Një litar që lidh nyje probleme me zona të pakontrolluara prej ligjit, kriminalizon adoleshentët dhe krijon probleme të padrejtësisë mes të pandëshkueshmeve që lëvizin tonelata dhe atyre që vuajnë vite burgu për disa qindra gramë.    

lazarat Në shtyp njihet masivisht me tre emra, por ata që e përdorin i kanë gjetur lloj e soj epiteti, ca varur prej efekteve që sjell e të tjerë në varësi të ngjyrës e formës së konsumimit. “Trefletësh” është vetëm një ndër ato që përdorin në zhargon përdoruesit në Shqipëri. Por ndërsa kjo histori emrash mund të duket për të qeshur, shifra e gjysmës së buxhetit të Shqipërisë që korrespondon me vlerën e drogës së prodhuar në vendin tonë sipas Guardia di Finanza. Bëhet fjalë për më shumë se 6 miliardë euro. Nëse do të përfshihej në eksportet e ligjshme, ekonomia e Shqipërisë do të kishte një hop të tillë statistikor të habitshëm.

Ide për legalizimin

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crauford ishte i pari që e hodhi publikisht si ide ekonomikisht, por duke sugjeruar se kjo do të luftonte në njëfarë mënyre edhe kriminalitetin dhe ndalonte fuqizimin e trafikantëve duke sugjeruar kështu krahasimin me Amerikën e ndalimit të alkoolit që prodhoi Al Kaponen dhe variante të tij. “Unë personalisht jam konservator, por përsëri jam ekonomist. Pra, nëse ju jeni ndër prodhuesit më të mëdhenj të një malli që tregtohet në botë, por është i paligjshëm në Shqipëri, atëherë duhet të filloni të mendoni”, thotë Crauford.

Por pragmatizmi ekonomik nuk mjafton për të justifikuar atë që sot po vjen rrotull pa filluar shtruar. Debati mbi mundësinë e legalizimit të kultivimit, shitjes dhe konsumimit të kanabisit, ndoshta është gjëja e fundit që mendojnë shqiptarët mes dhjetëra hallesh të tjera. (Ne kemi ende shtëpi për të legalizuar.) Megjithatë ka më shumë se 3200 përkrahës në faqen Facebook “Legalize it Albania” (e hapur jo shumë kohë më parë) dhe sigurisht edhe zëra publikë jo të paktë pro dhe më tej akoma një situatë e çuditshme paligjshmërie e krijuar në zonat ku kultivohet, simbol i së cilës është bërë Lazarati, nuk janë pak për ta bërë temë dite. Ka njerëz për të cilët vlen në këtë rast pragmatizmi. Paratë që bëhen dhe do bëheshin prej kësaj duket se nxisin goxha fantazi në këtë rast. Në anën tjetër ka nga ata që mbështesin legalizimin duke u nisur nga problemet shoqërore. Nga 124 të liruar prej amnistisë të dënuar për shitje apo posedim droge në sasi të vogla, pjesa më e madhe janë kriminalizuar prej hashashit. “Në aspektin shoqëror prodhon kriminalizim të të rinjve, toksifikim, burgje, dhunë, zona të kontrolluara nga krimi jashtë autoritetit shtetëror dhe individë të njollosur që përjashtohen nga një sërë të drejtash publike dhe morale”, shkruan Klodi Leka, pjesë e Organizatës Politike, një grupimi të majtësh që mbështesin legalizimin e marijuanës.

Ndërkohë, i pari politikan që e ka shtruar haptazi çështjen, por si mundësi të së ardhmes është  Ben Blushi në librin e tij të fundit “Hëna e Shqipërisë”. Ai sugjeron se ne (Shqipëria) mund të jemi një markë e famshme e prodhimit të marijuanës kur kjo të jetë legale në Evropë pas 20 vjetësh. Blushi duke qenë i pari politikan i rëndësishëm në vend që e shtron si çështje, shkruan se: “Asnjë nga mallrat që eksportojmë nuk sjell në vend kaq shumë të ardhura (500 milionë euro). Pa e inkurajuar në asnjë moment dhe për asnjë arsye këtë lloj tregtie, po përpiqem të hamendësoj, duke e klasifikuar atë si një produkt legal”.

Sajmir Vishaj, kryetar i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, është nga të paktët që del hapur. Ai sheh potencialin ekonomik dhe po ashtu edhe faktin se shteti në këtë mënyrë do të merrte kontroll në zonat e “jashtëligjshme” si Lazarati.

E dëmshme apo shëruese

Ata që janë pro, sigurisht që kanë një mori argumentesh për të dhënë. E fundit është një deklaratë e presidentit të SHBA-së, Barack Obama, që deklaroi për Nju Jorker se ai kishte përdorur marijuanë në rininë e hershme dhe thekson se ajo është më pak e dëmshme se alkooli. Por nga ana tjetër këmbëngul se sidoqoftë, droga është e dëmshme dhe përdorimi, një humbje kohe. Mitet pro ndërkohë janë ndërkohë në rritje. Hashashi sipas mbrojtësve të tij, kryesisht në faqe interneti, shëron kancerin, leuceminë, përmirëson dementian dhe një listë jo të vogël sëmundjesh me të cilat njerëzimi lufton prej shekujsh pa sukses. Duket si bima magjike që na ndalohet për hir të konspiracioneve të mëdha. Por mjekët thonë se asnjë prej tezave nuk është e provuar shkencërisht. Pjesa më e madhe e këtyre pohimeve vijnë pas provave dhe kampioneve të vogla të testimit dhe pa rezultate të qarta. Përkundër kësaj të tjerë mjekë mendojnë se kanabisi i tymosur krijon kushte të ngjashme për kancerin si cigarja, ndërsa e shohin përgjegjës për problemet mendore që u krijohet përdoruesve për një kohë të gjatë, që përfshijnë varësinë apo deri edhe vdekjen nga ataku kardiak sidomos në personat që kanë probleme me zemrën. Droga sipas tyre krijon probleme me mushkëritë, mëlçinë sidomos në rast të një hepatiti C, ndërsa janë provuar raste të problemeve dhe abortit të pavullnetshëm gjatë shtatzënisë. Në mjekësi sidoqoftë janë tri barna që kanë në përbërje drogë të prodhuar nga marijuana dhe që përdoren kryesisht si qetësues në raste të dhimbjeve gjatë kimioterapisë apo sëmundjeve të tjera me dhimbje të rënda.

Nga ana tjetër kanabisi është provuar se shkakton më pak probleme dhe varësi se alkooli apo cigarja, siç pohon edhe Presidenti Obama apo siç thonë një sërë studimesh që e rendisin atë si një drogë më të lehtë qoftë për varësinë, qoftë për numrin e vdekjeve apo mundësinë që të çojë në vdekje. Por David Kroll në Forbes thotë se kjo mund të jetë edhe për shkak se përndryshe nga cigarja dhe alkooli që kanë vite që hetohen për efektet e tyre, kanabisi nuk u është nënshtruar studimeve të tilla. Deri tani dihet të paktën se ndër ata që janë përfshirë në aksidente në SHBA, 6.8 për qind kishin konsumuar marijuanë sipas NIDA (Instituti Kombëtar për Abuzimin me Drogën). Sidoqoftë, vëren Kroll, kanabisi nuk është fajtor, ose të paktën nuk provohet deri tani si i tillë për 88 mijë amerikanë në vit. Alkooli e bën këtë. Ata që janë pro do ta gjenin mjaft të arsyeshme të argumentonin thjesht. Nëse të pish birra lejohet, atëherë pse të mos lejohet të tymosësh edhe një cigare marijuanë.

Pages