Kryesore, Rusi 2018, Sport

Bursa e Botërorit: Renditja e skuadrave sipas paraqitjeve të deritanishme

Ka përfunduar faza në grupe e ndeshjeve të Botërorit dhe që tani të gjithë dinise cilat do të jenë skuadrat kryesore të cilat do të luftojnë për titullin kampion në këtë turne. Ne kemi menduar që të bëjmë pak më të thjeshtë këtë rrugëtim drejt finales së madhe, duke ndërtuar “Bursën e Botërorit”.

Kjo është renditja jonë e momentit për skuadrat në Botëror në bazë të rezultateve dhe formës që kanë paraqitur, një klasifikim i cili do të përditësohet pas çdo ndeshje të mbetur për të mbërritur në finalen e korrikut.



RENDITJA E SKUADRAVE

  1. Belgjika – Padyshim që mund të konsiderohet kombëtarja e vetme që ka arritur të bindë me lojën e saj deri tani në Botërorin e Rusisë. Në takimin e parë mund Panamanë me rezultatin e duhur, e rrit disi “marshin” me Tunizinë, ndërsa fiton edhe kur nuk e dëshiron këtë të fundit, ndaj anglezëve. Talentet e këtij grupi futbollistësh janë gjithmonë argëtues me futbollin e tyre. Gjithashtu futet tek të pakta kombëtare që nuk e kanë parë asnjëherë veten në vështirësi, në këtë Botëror të çudirave në Rusi. Nëse do të flasim vetëm për grupet, atëherë Belgjika është fituesja e këtij turneu.
  2. Brazili – Prodhon shumë raste, por edhe gabon shumë para portës. Nëse do të konkretizonte më shumë, do të ishte pretendenti kryesor për të fituar. Ka një problem të madh që quhet Nejmar, dëshira e këtij të fundit për të treguar gjithmonë aftësitë e tij të jashtëzakonshme, thyen shumë aksione të ndërtuara me aq mundim nga futbollistët e Brazilit. Potenciali ngelet aty, por ende nuk dihet sesi do të zgjidhet çështja brenda grupit të lojtarëve. Problemet duhet të marrin zgjidhje sa më shpejt, pasi tani fillon Botërori i vërtetë.
  3. Kroacia – Një tjetër skuadër surprizë e kthyer në një realitet shumë interesant. Ka luksin të lërë pushim titullarët në ndeshjen e tretë në grup dhe përsëri ia del ndaj një Kombëtare që ishte e dënuar për të fituar. Argjentinën e kthen në një ndeshje elementare, ndërsa Nigerinë e ka gjithmonë në kontroll. Çfarë mund të tregonte më tepër Kroacia në grupet e Botërorit?
  4. Spanja – Sigurisht, ndryshimi në pankinë pak orë përpara nisjes së Botërorit, nuk kishte si mos të linte gjurmë tek futbollistët. Arritën t’ia dilnin përballë Portugalisë në takimin e para, duke i përmbushur pritshmërinë e tifozëve, por disi në rënie në dy takimet e tjera, sa i përket lojës së zhvilluar. Tashmë pritet që të ketë një rritje graduale në takimet e ardhshme dhe të shihet Spanja që pritej që në fillimin e Botërorit.
  5. Franca – Nuk bind por fiton. Në një aktivitet si Botërori, rëndësi në fund kanë rezultatet dhe për momentin skuadra e Deshamp po i siguron. Ndaj Danimarkës një “teatër i shëmtuar” për të dërguar deri në fund “biskotën”, ndërsa fituan edhe vërshëllimat e tifozëve. Ai i llogarive nuk mund të quhet futboll, por gjithsesi këta lojtarë premtojnë shumë për fazat e ardhshme.
  6. Anglia – Goleada ndaj Panamasë e ka ndihmuar për moralin dhe me Herri Kejn që shënon edhe kur prek topin pa dashje, anglezët duket se po ecin drejt rrugës së duhur. Megjithatë Belgjika e riktheu disi në realitet, teksa në takimin që pakkush do të dëshironte ta fitonte, anglezët dolën sërish të humbur. Atëherë përgatitjet për raundin tjetër me eliminim direkt duhet të nisi menjëherë, pasi uria e kundërshtarëve do të shtohet ndjeshëm dhe askush nuk do të falë, ashtu si në rastin e Belgjikës.
  7. Portugalia – Për momentin, Ronaldo po bën gjithçka si zakonisht. Ashtu si dhe në Europian, Portugalia ka fatin si lojtarin e 12-të, pasi ai i ka buzëqeshur thuajse në të gjitha takimet. Madje ai mjaftoi i vetëm në sfidën vendimtare ndaj Iranit, që Portugalia të dërgonte këtë të fundit në shtëpi. Deri ku mund të shkojë në Botëror kjo Kombëtare me fatin dhe Ronaldon me vete?
  8. Uruguai – Gjithmonë triumfues, por asnjëherë bindës në dy takimet e para. Gjithçka ndryshoi ndaj Rusisë, ndërsa Uruguai tregoi se është një nga kombëtaret më të forta në Botërorin e Rusisë. Duke parë emra si Suarez dhe Kavani në sulm, shumëkush mund të mendojë se forca e këtij grupi gjendet atje. Por në të vërtetë pika kyçe e Uruguait është mbrojtja, nuk kanë pësuar asnjëherë në fazën e grupeve.
  9. Zvicra – Ka talent, ka entuziazëm dhe nuk ka frikë të luajë si e barabartë me ekipet e mëdha. Ka kaluar dhe mund të jetë një kockë e fortë për këdo. Por ajo ndalje me Kosta Rikën, tregoi se kombëtarja e drejtuar nga Petkoviç, ka ende për t’u përmirësuar.
  10. Suedia – Hija dhe makthi i Italisë, tregoi se jo më kot ka arritur në këtë turne. Një mburojë e fortë që mund të thyhet vetëm nga mentaliteti i gjermanëve, pak Kombëtare mund ta mposhtin atë. Në perfeksion ndaj Meksikës dhe suedezët kryesuan me meritë grupin dhe vendin në të cilin supozohej të ishte Gjermania. Tashmë nuk kanë asgjë për të humbur, pritshmërinë e përmbushën dhe madje tejkaluan.
  11. Argjentina – Të gjesh kaq poshtë një skuadër që ka në përbërje lojtarë si Mesi, Higuain, Aguero e Dibala, do të thotë që diçka ka shkuar keq. Për Argjentinën, gjithçka ka shkuar keq. Por disa kombinime të fatit dhe një takim i fituar në mënyrë dramatike ndaj Nigerisë, ka bërë që argjentinasit të kalojnë më tej. Si do të jetë “fytyra e saj” jashtë fazës së grupeve? Ngelet për t’u parë…
  12. Kolumbia – Erdhi vonë në Botërorin e Rusisë, nuk e zhvilloi normalisht ndeshjen e parë. Megjithatë mjafton vetëm një ndeshje ndaj Polonisë, për të kuptuar forcën e madhe të këtij grupi lojtarësh. Ia del edhe në tjetrën përballë Japonisë, falë zbulimit të një golashënuesi nga mbrojtja, Mina. Kaq mjafton për të kaluar grupet, por situata ndryshon më pas dhe Kolumbia duhet të përgatitet.
  13. Japonia – Surprizuese në Botërorin e Rusisë. Të gjithë e konsideronin si kombëtaren më pak favorite në grupin e Polonisë, por ia doli të ishte në vallen e kryesimit deri në ndeshjen e fundit. Falë ndryshimeve të reja të FIFA-s, kalon grupet për shkak të lojës Fair-Play edhe pse e humbet ndeshjen vendimtare me Poloninë. Ka edhe fatin me vete!
  14. Rusia – Organizon vetë Botërorin dhe pas ndeshjeve skandaloze miqësore, shfaqet superfuqi në dy ndeshje me lojtarë që kishin lënë futbollin. Por ajo humbje ndaj Uruguait, tregoi se fuqia e vërtetë e Rusisë, ishte përballja me ekipet e dobëta.
  15. Meksika – Një ekip që në fazën në grupe tregon gjithçka, por ka problem sapo i kalon ato. Paralajmërimet këtë herë erdhën që në atë disfatë me Suedinë, meksikanët ndryshojnë thuajse në çdo takim, njëherë për të treguar fytyrën e një “engjëlli”, e më pas për të treguar “djallin”.
  16. Danimarka – Një kombëtare me elementë shumë të mirë, por jo gjithmonë marrin atë që pritet në fushën e lojës. Rasti ndaj Australisë tregoi se tek Danimarka asnjëherë nuk duhet të tregosh besim të verbër.

 

TË ELIMINUAR

  1. Senegali – Një ekip afrikan që mundohet të luajë si një skuadër europiane. Formula e Cises dukej se po funksiononte, por në momentet vendimtare, llogaritë nuk folën për Senegalin. Botërori i Rusisë është një peng i madh për këtë të, pasi e para e penalizuar nga kartonët e verdhë. Paraqitje pozitive, një grup që i duhej këtë turneu.
  2. Islanda – Surprizat nuk kanë fund, të paktën jo nga Islanda. Nga arritja historike në Europian te kalimi i grupeve, islandezët arritën të kalonin për herë të parë në Botëror, ndërsa arritën të ndalnin Argjentinën në debutim. A nuk e fituan ata Botërorin e tyre?
  3. Irani – Një surprizë e vogël e Botërorit të Rusisë. Gjithçka nisi me fitoren e befasishme ndaj Marokut, ndërsa Spanjës i duhej të djersinte aq shumë për të fituar kundër tij. Më pas është Portugalia që i falet fatit, në një kohë që mund të ishte Irani për të kaluar grupin. Vendosi rekordin personal dhe u pritën si heronj në atdhe.
  4. Gjermania – “Futbolli është një lojë e thjeshtë, jo gjithmonë duhet të fitojë Gjermania”. E ka thënë dhe modifikuar Lineker, mjafton për të shpjeguar gjithçka. Një dështim i madh që i ka surprizuar të gjithë tifozët, por kjo është natyra e vetë kësaj loje. E pamundura nuk është asgjë, këtë na e dëshmon dështimi i gjermanëve.
  5. Serbia – Rezultati ndaj Zvicrës ishte dëshpërues për ta, pasi humbën një takim që la gjurmë te futbollistët. Llogaritë ishin të tilla, finalja luhej ndaj zviceranëve dhe ajo u humb. Pavarësisht se quhet Botërori i surprizave, një e tillë ndaj Brazilit, ndoshta nuk besohej as nga vetë tifozët serbë.
  6. Australia – Një kockë e fortë për kundërshtarët, Franca arriti ta kapërcente me vështirësi, por jo Danimarka. Gjithmonë e gatshme për t’iu përgjigjur nivelit të lartë të këtij turneu.
  7. Koreja e Jugut – Duhet të falënderojë faktin se në Azi ka kualifikuese të lehta, pasi thuajse gjithmonë ka qenë kalimthi në Botëror. Por mjafton një ndeshje si ajo me Gjermaninë për të bërë befasinë e madhe dhe mund të lësh më tepër gjurmë në Botëror, ndoshta edhe se vetë kalimi nga grupet. Koreja e Jugut do të mbahet mend gjatë në Botërorin e Rusisë, sidomos nga gjermanët.
  8. Nigeria – Një paraqitje me dy fytyra e nigerianëve në ndeshjet e Botërorit, por ajo e treguar ndaj Islandës ishte më e bukura. Kjo Kombëtare ka treguar se nuk ishte vetëm për numër në Rusi, por në mos për të lënë gjurmë, është e aftë për të ndryshuar historinë e të tjerëve.
  9. Peruja – E pafat në këtë Botëror, ka luajtur mirë por nuk ka marrë rezultatet që meritonte. Largohet me kokën lart dhe me 3 pikë.
  10. Tunizia – Tregoi herë pas here se mund të dhurojë futboll. Problemi është se i mungon qëndrueshmëria gjatë ndeshjes dhe kur kalon në aventurë, rrezikon goleada si me Belgjikën.
  11. Maroku – Vjen një moment kur humbjet me rezultat të ngushtë nuk mjaftojnë, aq më shumë kundër një ekipi si Irani. Por barazimi kundër Spanjës, bëri që emri i Marokut të mos kalonte pa u vënë re nga ana e sportdashësve.
  12. Polonia – Mund të jetë më e fortë se shumë skuadra në këtë Botëror, por është padyshim një nga zhgënjimet më të mëdha të aktivitetit, çfarëdo që të bëjë në ndeshjen e fundit. Ajo fitore ndaj Japonisë në ndeshjen e fundit nuk rregullon asgjë, përveçse bën që polakët të kenë shenjën e tyre që ishin pjesë e Botërorit të Rusisë.
  13. Kosta Rika – E dënuar për të qenë e fundit e grupit përballë Brazilit, Zvicrës dhe Serbisë pa nisur ende turneu. Mrekullia e bërë dikur nuk mund të përsëritet, pasi ato ndodhin vetëm një herë.
  14. Arabia Saudite –Shumëkush pyet ende se si është e mundur që shtete të tilla janë pjesëmarrëse në Botërorë kur shërbejnë vetëm për të rregulluar golavarazhin e skuadrave të tjera.
  15. Egjipti – Mund të kesh një ndër lojtarët më të mirë në botë në ekip, por ky është një sport skuadre. Egjipti kishte marrë me vete vetëm Salah në këtë Botëror. I gjithë turneu është për t’u harruar nga ana e tyre, madje sa më shpejtë.
  16. Panama – Po të mos ishte për dëshirën e theksuar të anglezëve që të mos shënonin më, do të thyhej çdo rekord për pësimin e golave në një ndeshje. E mbyll pa pikë. /vipsport.al/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas