Aktualitet, Kryesore

Burri që vrau gruan: Dyshoja se më tradhtonte me pronarin, ia përplasa kokën 6 herë në çimento…

“Dyshoja se bashkëshortja më tradhtonte me pronarin e rrobaqepësisë ku punonte. Ky ishte shkaku, për të cilin nisi konflikti mbrëmjen e ngjarjes”. Kështu është shprehur dje 42- vjeçari Çlirim Shaholli para togave të zeza për vrasjen e bashkëshortes së tij, Ardjana Shaholli, para se Gjykata të vendoste masën e sigurisë me burg pa afat ndaj tij.

Babai i gjashtë fëmijëve ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa ka shprehur pendesë për veprimin e rëndë.



“Kishim konflikte të herëpashershme. Përplaseshim verbalisht gjithmonë. Atë mbrëmje u konfliktuar, pasi unë dyshoja se më tradhtonte me pronarin e rrobaqepësisë ku punonte. I thashë të ishte e sinqertë dhe të më tregonte. I kërkova të më thoshte të vërtetën. Aty situata u përkeqësua. Nisëm të debatonim. Ajo me kërkonte llogari përse nuk punoja. Më ofendoi duke më thënë se je i padobishëm. Aty m’u errësuan sytë dhe u kapëm fytazi të dy. Ajo më shtyu mua dhe unë e shtyva atë. Ra në tokë. E kapa prej flokësh dhe ia përplasa pesë-gjashtë herë kokën në çimento, derisa ra pa ndjenja. Unë nuk kisha për qëllim ta vrisja, thjesht isha shumë i ofenduar dhe shumë xheloz. Jam penduar thellësisht për veprimin e gabuar. U kërkoj ndjesë të gjithëve. Në radhë të parë, Anës, që i mora jetën dhe në radhë të dytë fëmijëve të mi, që i lashë jetimë dhe në mes të katër rrugëve. Nuk di çfarë të them, jam thellësisht i penduar për veprimin tim të pafalshëm dhe fatal”, deklaroi para togave të zeza Çlirim Shaholli, autori i krimit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Ai nuk kërkoi mëshirë, ndërsa i bëri thirrje trupit gjykues të zbatonte ligjin. “Pranoj çdo vendim dhe masë që Gjykata do marrë. Unë gabova dhe duhet të ndëshkohem”, shtoi më tej autori i krimit që i mori jetën 40-vjeçares, nënë e gjashtë fëmijëve, më i vogli vetëm 1 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën njëkatëshe të çiftit.

Pas një debati, bashkëshorti e përplasi përtokë gruan, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Policia tha se viktima, Ardjana Shaholli, 40 vjeçe, mbërriti në spital në gjendje të rëndë dhe me dëmtime në kokë rreth orës 20:00 të së premtes.

Si pasojë e plagës të rëndë në kokë, ajo nuk ka mundur të mbijetojë. Për ngjarjen u ndalua nga Policia bashkëshorti i saj 42-vjeçar, Çlirim Shaholli. Ka qenë ky i fundit që ka dërguar në spital bashkëshorten. Në momentin e krimit, asnjëri nga fëmijët më të rritur nuk ndodhej në shtëpi, pasi kishin shkuar te gjyshërit. Familja Shaholli ishte me origjinë nga Korça dhe ishte vendosur prej disa vitesh në zonën e Spitallës në Durrës.

Konfliktet mes çiftit ishin konstatuar edhe nga të afërmit dhe komshinjtë, të cilët tregojnë se Ardjana vuante pasojat e dhunës nga bashkëshorti i alkoolizuar dhe i papunë. Nëna e gjashtë fëmijëve u përcoll ditën e diel për në banesën e fundit, ndërsa gjashtë fëmijët e saj që mbetën jetimë do të jetojnë me gjyshërit, të cilët jetojnë në objektin pranë./PANORAMA

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas