Ekonomi

BSH: Rritja e kapitalit më e madhe sesa prisnim, shtohet potenciali i ekonomisë

Ndryshe nga FMN që ka ulur pritshmëritë për rritjen e vendit në 2018-2019, Banka e Shqipërisë është më optimiste. Gjatë prezantimit të deklaratës së politikës monetare të tremujorit të tretë, të publikuar ditën e sotme, ekspertët e Bankës së Shqipërisë u shprehën se potenciali i rritjes ekonomike, një tregues që banka e rishikon çdo dy vjet është rishikuar për lart, nga 3.2% në 3.5%.

Si arsye kryesore, ekspertët e bankës renditën faktin se ka pasur rritje të kapitalit më shumë sesa pritste Banka e Shqipërisë. Ata përmendën dhe efektin kaskadë të investimeve madhore. Në këto kushte ekonomia duhet të rritet më shpejt për të kapur potencialin si efekt i akumulimit te stokut te kapitalit. Për herë të parë pas disa kohësh, thanë ekspertët e BSH-së kemi rritje të kërkesës për kredi nga korporatat.



Lidhur me financimin e projekteve madhore PPP, ekspertët e BSH-së shtuan se bizneset mund të kërkojnë financim, por do të jetë në dorën e bankës të bëjë vlerësimin e riskut qe mbart projekti.

 Raporti, rritja në tremujorin e dytë u rishikua me rritje

Raporti i politikës monetare thekson se Aktiviteti ekonomik në vend është përmirësuar, i ndikuar nga një ambient i jashtëm i favorshëm, nga përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë, nga rritja e punësimit si dhe nga kushte më të mira financimi në vend. Nga ana tjetër, presionet inflacioniste janë të zbehta dhe inflacioni shënoi rënie.

Rritja ekonomike e tremujorit të dytë rezultoi më e lartë se pritjet e Bankës së Shqipërisë, ndërsa inflacioni i tremujorit të tretë rezultoi më i ulët. Ngadalësimi i inflacionit ka ardhur si pasojë e goditjeve të ofertës, efekti i të cilave pritet të jetë i kufizuar.

 Inflacioni mesatar i tremujorit të tretë zbriti në nivelin e 1.7%, kundrejt nivelit 2.0% në tremujorin paraardhës. Ngadalësimi i tij pasqyron rënien e inflacionit të ushqimeve, si pasojë e rritjes së ofertës vendase, mbiçmimin e kursit të këmbimit dhe ngadalësimin e inflacionit në tregjet e huaja.

Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni mesatar vjetor i vitit 2017 do të jetë rreth nivelit 2.0%.

Statistikat e INSTAT tregojnë se PBB u rrit me 4.1% në nivel vjetor, në tremujorin e dytë. Aktiviteti ekonomik është ushqyer nga rritja e konsumit dhe e investimeve. Ai është ndihmuar edhe nga rritja e shpenzimeve buxhetore dhe nga zgjerimi i turizmit. Të dhënat e disponuara tregojnë për vazhdimësinë e këtyre tendencave edhe në tremujorin e tretë të vitit 2017.

Kushtet e financimit mbeten të favorshme dhe standardet e kreditimit po vijnë drejt lehtësimit. Kjo ecuri është reflektim i politikës monetare lehtësuese së Bankës së Shqipërisë. Niveli minimal i normës bazë të interesit, furnizimi i tregut me likuiditetin e nevojshëm , si dhe komunikimi i kursit të ardhshëm të politikës monetare, kanë ulur normat e interesit dhe primet e rrezikut në tregjet financiare. Një aspekt pozitiv i tremujorit të tretë ishte rritja e kërkesës për kredi, veçanërisht në segmentin e korporatave.

Në horizontin afatmesëm, Banka e Shqipërisë pret një rritje të qëndrueshme të ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv, brenda 6 muajve të parë të vitit 2019. Në raport me raundin e kaluar, Banka e Shqipërisë ka riparë lehtësisht për lart parashikimin e rritjes ekonomike gjatë horizontit trevjeçar të parashikimit, ndërkohë që parashikimi i kthimit të ekonomisë në ekuilibër dhe i kthimit të inflacionit në objektiv janë shtyrë përpara në kohë.

Projeksioni i një rritje më të lartë ekonomike është ndikuar nga rishikimi për lart i vlerësimit për ritmin potencial të rritjes. Sa i takon inflacionit, shtyrja në kohë e përmbushjes së objektivit pasqyron nevojën për absorbimin e plotë të goditjeve të ofertës dhe shuarjen e efekteve frenuese që vijnë nga ecuria mbiçmuese e kursit të këmbimit.

Projeksionet e mësipërme faktorizojnë forcimin e kahut stimulues të politikës monetare gjatë gjithë horizontit afatmesëm. Ato mbetën, gjithashtu, të kushtëzuara nga materializimi i pritjeve për një ambient të jashtëm më të favorshëm dhe për një rikuperim më të shpejtë të aktivitetit kreditues në vend.

Qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Këshillimi Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit , në nivelin e 1.25%; dhe normën e interesit për depozitën/kredinë njëditore në nivelin e 0.25%/2.25%. Intensiteti i stimulit monetar nuk do të zbutet para tremujorit të katërt të 2018.

 Balanca e rreziqeve rreth parashikimeve afatmesme mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm. Ajo lidhet me pasiguritë në ambientin e jashtëm, zhvillimet e ardhshme në kursit e këmbimit, dhe me rritjen e kreditimit. Në rast të materializmit të goditjeve të mëtejshme apo të ndikimit të mundshëm negativ mbi pritjet e inflacionit, përmbushja e objektivit të inflacionit mund të kërkonte lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare./Monitor

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas