Bota

Britani/ Dorëhiqen 5 ministra, protestë për Brexit

“Na presin ditë të vështira”, tha kryeministrja britanike Theresa May në Londër, kur deklaroi se kishte siguruar mbështetjen e kabinetit të saj qeveritar për një marrëveshje të vështirë “divorci” me Bashkimin Evropian, pas një mbledhjeje të nxehtë dhe shpesh me tensione që zgjati pesë orë.

Shumë shpejt këto fjalë u dukën sikur ishin të buta për të reflektuar rrjedhën e mëpasshme të ngjarjeve.



Pak pasi zonja May foli, ministri i saj për Brexit, Dominic Raab, që ndihmoi për hartimin e marrëveshjes dha dorëheqjen në shenjë proteste, duke thënë se nuk mundej t’i mbështeste “me ndërgjegje të pastër” kushtet e paktit.

Përkrahësit e vendosur të daljes nga BE-ja argumentojnë se ai e vë Britaninë në një pozitë inferiore ndaj Bashkimit Evropian dhe se vendi nuk do të mund të dilte prej marrëveshjes pa miratimin e Brukselit.

Një ministre tjetër dha dorëheqjen para zotit Raab dhe tre ministra të tjerë pasuan, ndërsa mbështetësit e Brexit-it, po bënin përpjekje të hapura për ta rrëzuar zonjën May si udhëheqëse konservatore, duke e dobësuar në mënyrë të konsiderueshme autoritetin e saj.

Tani, e ardhmja e një marrëveshjeje për të cilën u deshën një vit negociata dhe fati i vetë qeverisë konservatore është në dyshim.

Po ashtu po shtrohen pyetje për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat mund të fitohen nga Partia Laburiste, apo për mbajtjen e një referendumi të dytë për Brexit-in që mund ta përmbyste votimin e mëparshëm për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Një tjetër mundësi është që me afrimin e afatit për daljen zyrtare nga BE-ja pas 134 ditësh, Britania mund të detyrohet të dalë nga blloku pa një marrëveshje, një rezultat që analistët dhe udhëheqësit e biznesit thonë se do ta fuste në kaos ekonominë e Britanisë.

Para Dhomës së Komuneve të enjten, zonja May u përball me sulme të ashpra nga anëtarët e partisë së vet, që pretendojnë se marrëvehsja është një “traktat nënshtrimi”,- si edhe nga ligjvënësit e opozitës.

Ajo këmbënguli se marrëveshja është më e mira që mund të siguronte Britania. Projekt-marrëveshja me BE-në parashikon që Britania të mbetet në një bashkim doganash për disa vjet me BE-në, pas daljes nga blloku, por pa një rrugë të qartë ligjore për daljen nga pakti për doganat, ndërsa negociohet një marrëveshje tregëtare, kushtet e së cilës deri tani janë të paqarta, shkruan VOA.

Zonja May tha në sallën e mbushur plot të Dhomës së Komuneve, që herë-herë ishte e zymtë dhe herë-herë e zhurmshme se po vepronte në favor të interesit kombëtar dhe se “projekt-traktati do të garantonte që të dalim nga BE-ja në një mënyrë të qetë dhe të rregullt”.

Komenti i saj u prit me të qeshura. Kryeminstrja këmbënguli.
“Zgjedhja është e qartë. Mund të vendosim të dalin pa një marrëveshje, apo të rrezikojmë të mos kemi Brexit. Ose mund të zgjedhim të bashkohemi dhe të mbështesim marrëveshjen më të mirë të mundshme”.

Jeremy Corbyn, udhëheqësi i Partisë Laburiste në opozitë tha se zonja May po ofronte “një zgjedhje të rreme mes mungesës së një marrëveshjeje dhe kësaj marrëveshjeje”, për të cilën ai tha se “përfaqëson një dështim të jashtëzakonshëm dhe të dëmshëm”.

Por kryeministrja duket e vendosur të vazhdojë në rrugën e saj.
Disa ligjvënës konservatorë euro-skeptikë, njoftohet se kanë dorëzuar letra tek udhëheqësit e partisë në parlament duke kërkuar një votëbesim për udhëheqjen e saj, duke thënë se ka ardhur koha për ndryshim. 48 letra do të sillnin automatikisht një votim./VOA/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas