Kryesore, Politika

Shqipëria brenda një bunkeri

Në kuadër të përvjetorëve të mëdhenj, si çerekshekulli i rënies së Murit të Berlinit dhe 70-vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit, bunkeri antibërthamor i ndërtuar gjatë regjimit komunist i hapi dyert ditën e shtunë për publikun e gjerë, i cili do të ketë mundësi të shohë misteret dhe frikërat e nomenklaturës komuniste të groposura nën dhè…

 



Viti 1978. Në periferi të Tiranës, në zonën e quajtur Shish –Tufinë, pranë Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm, nën këmbët e një kodre inaugurohej objekti i emërtuar me kodin “0774”- thënë ndryshe, një qytet i betonizuar me teknologji të përparuara të kohës, për t’u rezistuar sulmeve bërthamore të armikut.

Ishin dashur gjashtë vite, prej 1972-it, të ndërtohej një sistem i fortifikuar me një qëndrueshmëri maksimale ndaj përdorimit të armëve konvencionale dhe atyre bërthamore, të ishte në gjendje të siguronte në maksimum forcën e gjallë dhe teknikën luftarake nga zjarri i shumëllojshëm armik, të kishte masivitet për të rikuperuar kohën e humbur, të përgatitej me ritëm sa më të shpejtë. Pesë kate të nëndheshme dhe 106 dhoma prisnin në gatishmëri për ditë të këqija… të cilat nuk erdhën kurrë.

Viti 2014. Më shumë se 35 vjet më vonë, dyert e fortifikuara të një ndërtese që thërret paranojë në të gjithë ekzistencën e saj, hapen. Ata që e hapën nuk janë sigurisht ata që e ndërtuan dhe motivet nuk janë të njëjtat.

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ajo e Kulturës, Mirela Kumbaro, të shoqëruar nga ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, e ai italian Masimo Gajani, hapën dyert e këtij bunkeri që tashmë është shndërruar në një video-muzeale.

Në kuadër të përvjetorëve të mëdhenj, si çerekshekulli i rënies së Murit të Berlinit dhe dhënies fund të Luftës së Ftohtë dhe 70-vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit, ky bunker i hapi dyert ditën e shtunë për publikun e gjerë, i cili do të ketë mundësi të shohë misteret dhe frikërat e nomenklaturës komuniste të groposura nën dhè, deri në fund të këtij viti.

Gjithçka është shndërruar tashmë në një hapësirë arti. Për të mos harruar.

2700 metra katror hapësirë të shndërruar në një ekspozite historiko-kulturore, me objekte të vjetra, foto të diktatorit Enver Hoxha, historia e ushtrisë shqiptare, si edhe shenja të modernizmit mes instilacioneve dhe video-projeksioneve.

Një ekspozitë e përgatitur nga historiania Sonila Boçi dhe gazetarja Admirina Peçi, e cila përfshin prag-luftën dhe pushtimin italian, vitet e para të rezistencës, deri në kapitullimin e Italisë fashiste, pushtimin gjerman dhe çlirimin e vendit.

Një hapësirë simbolike i kushtohet regjimit komunist, një përballje e anës së errët të regjimit me reformat për ndërtimin e “Shqipërisë së Re”.

Linja muzeale në “Bunk’Art” sjell historikun e ushtrisë shqiptare. Përmes videove dhe instilacioneve, artistët e rinj- ata që me gjasa nuk do të kishin mundur t’i mbijetonin sistemit që vriste artin dhe intelektualët- paraqesin ide ngacmuese dhe mesazhe të forta.

Një prej tyre është Aferdin Haxhimurati, dizajneri grafik, i cili është marrë me konceptimin dhe realizimin e idesë “Bunkart”. “ Unë kam skicuar logon dhe të gjithë brandin e ekspozitës dhe disa koncepte të tjera”, – rrëfen i riu, i cili e ka studiuar disa kohë më parë me imtësi çdo hapësirë të bunkerit për të realizuar idenë. Madje është kujdesur edhe për marketingun që iu bë këtij evenimenti, duke branduar edhe autobusët e vënë në dispozicion në qendër të kryeqytetit.

Logoja, ajo e vendosur që në hyrje të bunkerit-fortesë është shumëngjyrëshe duke i korresponduar edhe ekspozitës, të ndarë në hapësira ku një ngjyrë i përket një epoke. Hapësira violë është pushtimi italian, ngjyra blu përkthehet në diplomaci, portokallia është ngjyra që pasqyron Shqipërinë nën pushtimin gjerman, jeshilja është epoka e pasluftës, ndërsa e kuqja, sundimi komunist…Shqipëria e kuqe.

“Në logo është dera dhe një laps në mes: Dera që shpreh mirëseardhjen, ndërsa lapsi që tregon se brenda kësaj ekspozite ka art”,- vijon Haxhimurati, i riu nga Kosova, që historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri e ka njohur vetëm nëpërmjet literaturës.

“Kisha një ndjesi të veçantë, pasi në Kosovë nuk ka gjëra të tilla dhe për mua është projekti më unik që kam bërë deri tani. Pak a shumë e dija vuajtjen që përballonin shqiptarët këtu gjatë komunizmit dhe mendova që, përmes artit do jepja një lloj ngrohtësie në gjithë atë “të ftohtin” shpirtëror që kishin kaluar gjatë asaj periudhe”, – vijon dizajneri nga Kosova.

Ai shton se gjatë dy ditëve ka pasur më shumë se 2 mijë vizitorë, të interesuar jo vetëm për dhomat e ish-diktatorit Enver Hoxha apo Mehmet Shehut, por edhe për të parë ekspozitat e çelura brenda ambienteve.

Ndërsa ecën në korridoret e ngushtë të bunkerit, ke mundësinë të lexosh legjendat në krah që japin informacion të detajuar mbi objektin, funksionalitetin dhe historikun.

Në hyrje, në nivelin e pestë të bunkerit, pas pesë dyerve të blinduara, thuajse në fund të korridorit gjendet dhoma ku do të qëndronte Enver Hoxha në rast të ndonjë sulmi të mundshëm, një dhomë e pajisur me të gjitha orenditë e asaj kohe. Ishte kjo edhe dhoma më luksoze e të gjithë ndërtesës – sigurisht me shijet komuniste të luksit- e përgatitur posaçërisht për komandantin suprem të forcave të armatosura, kur mori jetë bunkeri, (1972-1978) .

Dhoma do të shërbente për të dhe bashkëshorten, megjithëse asnjëri prej të dyve nuk fjeti kurrë aty, Zyra është e përbërë nga një paradhomë në të cilën qëndronte sekretari personal, një zyrë pune, një dhomë gjumi dhe një banjë. Vetëm në këtë dhomë, në atë të dedikuar për kryeministrin dhe në atë të Kreut të shtabit, ishte vendosur moket. Vetëm kjo dhomë ka mure të veshura në fibër.

Për nga rëndësia dhe luksi, vendin e dytë në këtë ndërtesë e zë dhoma e kryeministrit Mehmet Shehu dhe e treta me rëndësi jetike, siç të paktën u konceptua ishte salla e Mbledhjeve të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo është e vetmja strukturë që ka parishikuar një sallë ku do të mund të mblidhej Parlamenti shqiptar në rast lufte. Ideja lindi pas një vizite që krerët ushtarakë shqiptarë bënë në vitin 1964 në Korenë e Veriut, ku ishte traditë që tunelet të parashikoheshin të përshtatshme edhe për mbledhje të Kuvendit.

Në fjalën e tij, të mbajtur në sallën që do të shërbente si Kuvendi i Shtetit komunist nëse do kishte një sulm bërthamor, Kryeministri i vendit Edi Rama, duke e quajtur një thesar të kujtesës kolektive u shpreh se historinë nuk mund ta shkruajë politika, por historianët, ndaj qeveria po përpiqet ta ekspozojë atë me dëshmitë që ka lënë pas.

Historinë e shkruajnë shkencëtarë dhe e diskutojnë mes tyre njerëzit e shkencës së historisë nuk e shkruan as Shtëpia e Bardhë, as Kongresi, as Parlamenti Evropian”, ka nënvizuar Rama. Kryeministri paralajmëroi për një tjetër hapje, atë të dosjeve te sigurimit. “Ruajtja e këtij misteri ashtu si ruajtja e dosjeve të sigurimit të shtetit janë vazhdimësia e shkollës së vjetër politike të të sunduarit mbi tjetrin pavarësisht kostos dhe tonelatave të propagandës gënjeshtare që derdhet përditë mbi të terat. Jemi për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën. Jo për të rishkruar historinë por për të ekspozuar të shkuarën. Për ti treguar gjeneratave të reja dëshmitë, skutat, imazhet, dokumente e saj si një mundësi për të inspiruar imagjinatën krijuese”, u shpreh Rama.

Rama deklaroi se do të nisë itinerarin e hapjes së godinave të tilla. E radhës do të jetë ‘shtëpia e gjetheve’. Rama theksoi se mazhoranca do të qëndrojë larg rishkrimit të historisë. Por ajo do të zhvarrosë botën e nëndheshme komuniste. Në total u projektuan 207 mijë bunkerë në të gjithë Shqipërinë dhe u ndërtuan 168 mijë. Projektuesit e strukturës ishin: Drejtoria e Xhenios, Byroja e Projektimit dhe Grupi i fortifikimeve në vartësi të Institutit të studimit dhe Projektimit të Veprave të Mbrojtjes.

Mes tuneleve dhe dhomave, si një udhëtim në kohë publiku ka mundësi të shohë dhe të rijetojë panikun dhe paranojën e një klike, por edhe të gjerbë një kafe të bërë nga Natasha,

e njëjta bariste që shërbente kafetë në periudhat e stërvitjeve ushtarake…

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas