Dikur, Kryesore

Botimi i UET-Press/ Të negociosh me Millosheviçin

Nga Christopher R. Hill

Pjesë nga libri “Pararojë –në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, me autor Christopher R. Hill, i Dërguari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Kosovë gjatë viteve të krizës, botim i Shtëpisë Botuese UET-Press 



“…U takuam me Rugovën atë pasdite në shtëpinë e tij. Ai e mbante gjithmonë ndezur televizorin ndërkohë që priste njerëz. Në fillim mendova e bënte për shkak të përgjimeve serbe, por më pas, arrita në përfundimin se thjesht kishte qejf ta mbante TV-në ndezur.

Holbrooke propozoi një ide që e ndoqëm me Milosheviçin ditët e mëparshme. “A do të vinit në Beograd dhe të takoheshit me Presidentin Milosheviç?”. Rugova nuk ishte i interesuar dhe filloi të shprehë ngurrim, por para se të caktoja takimin e radhës, Holbrooke hodhi një ide tjetër: “Pas vizitës në Beograd, a e dini se Presidenti Clinton do të ishte i interesuar t’ju takonte në Shtëpinë e Bardhë”. Ky ishte truk i vjetër diplomati, ku bashkë me elementët e vështirë përfshije edhe elementë që sillnin një kënaqësi të veçantë. Por sigurisht, askush në Washington nuk dinte gjë mbi një takim të tillë. Ato nuk ofroheshin aq lehtë, ishin “qershia mbi tortë”. Ata që përcaktonin agjendën presidenciale, janë njerëz të cilët të thonë “jo” u vjen natyrshëm, janë pothuajse po aq të fuqishëm sa personi, agjendën e të cilit ata kontrollojnë. Por, Holbrooke po ngjitej lart në vitet që pasuan Dayton dhe me shumë gjasa ai mund ta realizonte.

Në 15 maj, shkova në Beogad për të qenë afër, kur Rugova të takonte Milosheviçin për një takim jopërfundimtar. Në 28 maj, Rugova u takua me Presidentin Clinton në një Zyrë Ovale (për një mbledhje tjetër jopërfundimtare).

Çështja këtu, nuk ishte, të takoje njerëz, siç u mundova t’ia shpjegoj Holbrooke-ut. Problemi qëndronte te fakti se, Rugova po humbiste influencën ndaj UÇK-së. Takimi i tij me Presidentin Clinton dhe me Milosheviç, nuk do të ndryshonte situatën.

***

Për të mbrojtur popullsinë civile nga sulmet serbe, nisa një përpjekje me Milosheviçin, për ta bindur të pranonte një mision ndërkombëtar vëzhgimi. Ai refuzoi. “Por ju lejoni diplomatë të akredituar në vendin tuaj, për të vizituar Kosovën.”- theksova.

“Po, por ata janë diplomat të akredituar në vendin tonë. Ata nuk janë monitorues ndërkombëtarë.”

“Por, a nuk janë ata të lejuar të raportojnë çfarë shohin në Kosovë?”

“Patjetër”.

“A mund të shkojnë si grup?”

“Po, patjetër, varet prej tyre.”

“Atëherë, a mund t’i quajmë “Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës”?

“Është puna juaj si i quani”.

Më tej, u krijua misioni vëzhgues, që do të përfshinte rreth dy mijë diplomatë. Unë isha ndër të parët që e vizitoi Kosovën, me këtë status. Teksa shkoja në një rrugë në jug të Pejës, një qytet i madh në perëndim të Kosovës, kuptova arritjen e madhe të krijimit të këtij misioni. Teksa kalova një rresht me shtëpi Shqiptare të braktisura, banorët e të cilëve ishin nisur maleve, dëgjova një shpërthim të vogël pas një shtëpie, disa metra më tutje. U tërhoqa mbrapsht dhe pashë shtëpinë nën flakë. Ishte sikur Serbët po na thoshin “Përshëndetje anëtarë të misionit, vëzhgojeni këtë!”

Rugova kish qenë lideri de facto i Shqiptarëve të Kosovës për më shumë se një dekadë dhe sigurisht, nën këndvështrimin tim, meritonte të trajtohej me respekt. Por, ai po etiketohej në Washington si i paefektshëm dhe më së shumti, si një person që s’kishte lidhje me armët.

Në majin e vonë, Gelbard mori një hov, duke takuar një anëtar të UÇK-së në Gjenevë, në atë kohë, kur unë dhe Holbrooke kishim një takim me Rugovën. Çështja ishte se, ne ishim lajmi i së djeshmes, ndërkohë Gelbard ishte me njerëzit e duhur. Por ndërkohë, që unë dhe Dick u drejtuam për në tokën Kosovare, para se të kthehej në SHBA, shkuam në një qytezë në jugperëndim të provincës së quajtur Junik, që kish qenë qendra e dhunës. Fshatarët na ftuan në një fermë, ku u ulëm në tokë me gota çaji Turke me sheqer të fortë, të dëgjonim atë që kishin për të na thënë njëzet fshatarët. Disa minuta më vonë, një ushtar i UÇK-së, që i ngjante Che Guevara-s u bashkua me ne, me një uniformë ushtarake kamuflazhi dhe u ul pranë Holbrooke.

Kishte shumë pak hapësirë në dhomë dhe botës që e shihnin në internet, ai dukej se ishte ulur pranë këmbëve të Holbrooke.

Ai kuptoi se megjithëse, kjo shënonte një pikë plus ndaj Gelbardit, mund t’i shkaktonte probleme me Milosheviç-in, të ngjashme me ato të Gelbardit, para disa kohësh. Holbrooke më kërkoi, të kthehesha në Beograd ditën tjetër, për të takuar Milosheviç-in dhe ta siguroja se hyrja e “Che”-s në atë dhomë ishte tërësisht e papritur.

Ditën tjetër, Milosheviç u ngrit pa dëshirë për të më përshëndetur, ndërkohë që u ulëm, më hodhi tek gjunjët gazetën dhe tha: “A e di se sa e ndërlikuar është tashmë kjo situatë për mua? Unë dëshiroj të punoj me ty dhe Deek” Siç e quajti Dick, “por njerëzit në Serbi janë të inatosur tanimë. Shumë të inatosur”.

I shpjegova se, pavarësisht asaj fotoje me ushtarin e UÇK-së, ulur pranë Holbrooke, ne nuk kishim gisht. Theksova se ndërmjetësit duhet të flasin me të gjithë palët. Ai më ndërpreu, duke thënë diçka që e dinim tashmë, se kjo nuk do të na ndihmonte as me Rugovën.

Por, më në fund dukej sikur do të lëshonte pe. Ai kishte parë edhe raportin për takimin e Gelbardit dhe arrinte të perceptonte (saktësisht) se kishte një nivel konkurrence midis Gelbard dhe Holbrooke. Komenti i tij për këtë rast ishte: “më pëlqen Deek, por për hir të karrierës, ai do të hante fëmijë të vegjël për mëngjes.”

E binda Rugovën të vinte me mua për një shëtitje nëpër Malishevo, Ostrozub, Rahovec dhe Suharek, të takonte njerëz që po ktheheshin në shtëpitë e tyre. Rugova ishte mbyllur në vetvete, ose për arsye sigurie (ato ishin gjithmonë të pranishme) ose për arsye psikologjike, për të cilat shqetësohesha më shumë. Rugova, më shumë se sa ndonjë lider i besueshëm që shfaqej nga strukturat ende të paqarta të UÇK-së, gëzonte admirimin e popullit të tij, ndaj kisha frikë për ditën që ata do ta “shkarkonin”, sikurse kishte bërë Bianca Jagger dhe ekspertë të tjerë që gjendeshin në Kosovë. Mund të shihja se, nëse Kosova do të fitonte pavarësinë nëpërmjet planeve të zgjerimit gradual të autonomisë, kjo do të garantonte forcimin e institucioneve demokratike, ose nëpërmjet një lufte të përgjithshme që po vinte, dhe një person si Rugova me staturën dhe angazhimin ndaj moderimit duhej të ishte pjesë.

E mora në makinë në 3 Nëntor, si fillim në një fshat të vogël piktoresk, Banja Malishevo. Minarja e xhamisë ishte rrëzuar nga një fushatë e tankeve dhe kufomat blegtorale që i përkisnin fshatarëve, ishin ende të kalbëta në fushë, nga një muaj më parë, kur serbët i kishin përdorur ato si objektiv për sulm. Vazhduam në një fshat të vogël në Ostrozub, ku dolëm nga rruga kryesore, e mbushur me banorë që ktheheshin duke mbajtur dhe tërhequr çantat, nga malet me pyje, ku ishin fshehur për javë të tëra. Reagimi ndaj pamjes nga ana e Rugovës ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit, si fillim hezituan ndaj shikimit të udhëheqësit të tyre për më shumë se një dekadë, u afruan dhe i hodhën krahët rreth qafës, duke e puthur në faqe. Disa e përqafuan dhe ranë në gjunjët e tij, duke e puthur në dorë sikur të ishte Papa.

Takova Milosheviç-in në zyrën e tij në Beograd. Ai ishte i inatosur, aq shumë sa nuk e përmbante dot veten. Pas dy orësh, e binda të pranonte një shkëmbim, por kishte një kleçkë. Duke këmbëngulur për shkëmbimin, ishte si të pranoje, të tjera “rrëmbime”, siç i quante ai, e ra dakord për çlirimin e Serbëve dhjetë ditë para ushtarëve të UÇK-së. Duke punuar mbi këtë çështje për orë të tëra, e di që ishte më e mira që mund të arrija, kështu që, u sigurova që ushtarët e UÇK-së do të çliroheshin.

“Kjo është marrëveshja jonë. Jemi të qartë?”

“Patjetër”, u përgjigj Milosheviç. “Keni fjalën time”.

Ky është mendim ngushëllues, mërmërita me vete. Megjithatë vendosa: Në qoftë se, do t’i çlirojë pas dhjetë ditësh, siç premtoi, do të ishte marrëveshja e parë gjatë luftës dhe do të ofronte një moment paqeje në proces. Në qoftë se jo, do të jepja dorëheqjen menjëherë. E gjeta veten duke kërkuar për rezultatet e mëvonshme.

Kishim vendosur kreun e “misionit diplomatik vëzhgues” në Tetor dhe tashmë kishim një mision të përshtatshëm të titulluar “misioni vlerësues për Kosovën”. (Verifikimi ose vlerësimi shihej shpesh si më i fortë, si një koncept më pak pasiv se sa thjesht monitorimi, megjithëse këto ndryshime tingëllonin më të rëndësishme në Washington se sa në terrenin Kosovar.) Misioni ynë ishte nën mandatin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSCE). Bill ishte ambasador i lartë i SHBA-së, me një eksperiencë të gjatë në Amerikën Qendrore. Gjithsesi, kjo nuk do të thoshte, se ai kishte njohuritë më të mira për historinë e Ballkanit, por ishte një karakter i trashë dhe i ashpër, që mund të ishte i besueshëm për të gjitha palët, në këtë armëpushim delikat.

Serbët u liruan ditën e nesërme, ndërsa Shqiptarët nëntë ditë pas asaj. Ky ishte momenti i fundit me lajme të mira. Disa ditë më vonë, dyzet e pesë banorë të fshatit të vogël Racak, u masakruan dhe trupat e tyre u hodhën në kanalet e kullimit. Masakra, më e tmerrshmja në ato muaj, u krahasua me masakrën e Srebrenicës, në Bosnjë, që kish qenë edhe shkaku i ndërhyrjes së NATO-s. Vrasësit e Racakut u denoncuan nëpër botë dhe vendosën ndërhyrjet ushtarake në një udhë pa kthim

Shqetësues ishte fakti që Serbët ishin të gatshëm për autonominë, ndërsa Shqiptarët e Kosovës nuk donin të dëgjonin ndonjë fjalë që fillonte me “A”. Kjo ishte arsyeja pse kisha shtuar fjalën interim në planin që kisha përgatitur. Milosheviç nuk kishte reaguar mirë ndaj idesë se marrëveshja do të ishte një plan pesë vjeçar, por ushtrova presion, si të ishte zgjidhja e vetme, pasi Shqiptarët nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga misioni i marrjes në dorë të territorit të tyre.

Ndërkohë, Serbët bënë të qartë se ata mund të negocionin për aspekte të një autonomie të re për Kosovën, por nuk do të binin dakord për një status “republikë”, që do ta nxirrte jashtë Serbisë. Po aq nuk ishin të gatshëm për të pranuar “trupa të huaj” në ndonjë formë implementuese.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas