Dikur, Kryesore

Botimi i UET-Press/ ‘Si u bë Haradinaj lidhja vendimtare mes UÇK-së dhe NATO-s’

Nga Michael O’Reilly

Pjesë nga libri: ‘Haga e Ramush Haradinaj’



Në libri Humanizmi i Ri Ushtarak: Mësime nga Kosova, të publikuar vetëm pak muaj pas përfundimit të luftës, Noam Çomski argumentonte se Shtetet e Bashkuara u përfshinë në luftën e Kosovës jo si kundërpërgjigje ndaj spastrimit etnik, por për të forcuar reputacionin e NATO-s. Ai e përshkruante Serbinë e epokës së Millosheviçit si “një maskara të padisiplinuar që pengonte institucionin e sistemit global të dominuar nga SHBA-të”. Çomski u bë i dashur për emisionet e debatit në televizionet e Serbisë, në të cilat atij iu bënë pyetje tendencioze mbi “luftën e Amerikës kundër Serbisë”, por nuk u pyet kurrë për opinionin e tij mbi Luftën e Serbisë kundër Kosovës.

Haradinaj tashmë po shfaqej për herë të parë në mediat lokale dhe ndërkombëtare. Për arsye operacionale dhe sigurie ai i ishte shmangur gjithnjë kontaktit me mediat – ndryshe nga Shtabi Qendror. Por tashmë po shihte nevojën që zëri i tij të dëgjohej publikisht. Ndryshimi i këndvështrimit të tij u nxit nga bllokimi total mediatik i imponuar nga Beogradi mbi veprimet e tyre në Kosovë, ndërsa po tërhiqeshin prej saj nën trysninë e bombardimeve të NATO-s. Siç pohon Haradinaj: “ne u përpoqëm të siguronim që pikësëpari ushtarakët të mbaheshin të informuar siç duhet e më pas të garantohej e njëjta gjë për familjet tona, për popullin tonë dhe për publikun ndërkombëtar”.

Do të ishte e pasaktë të pohohej se ai kishte arritur të krijonte një përshtypje të fortë mbi popullin e Kosovës. Ai të krijonte përshtypjen dhe dukej më shumë si një luftëtar sesa një politikan. Por rezultoi se dinte të mësonte me shpejtësi. Javët e fundit të luftës, një periudhë sulmesh të pamëshirshme kundër fshatrave e trupave serbe që po tërhiqeshin, solli një tragjedi tjetër në familjen Haradinaj. Shkëlzen Haradinaj, i dyti për familjen e Ramushit, u vra më 6 prill 1999. Një karvan me 2.000 civilë ishin izoluar në një luginë jo larg Jablanicës. U përhap fjala se forcat serbe kishin zbuluar praninë e tyre. Një përplasje fillestare me një njësi të UÇK-së i mbajti serbët larg, por pritej një sulm tjetër. Shkëlzeni, që shquhej për trimëri fizike, bashkë me një grup të vogël ushtarësh, shkuan në ndihmë.

Ai u vra gjatë përleshjes së fortë që pasoi. Ramushi e kujton atë me shumë dashuri, duke e përshkruar si një “njeri shumë tradicional e shumë të fortë”. Më 9 qershor 1999 NATO dhe Jugosllavia nënshkruajnë “Marrëveshjen Teknike Ushtarake” në Kumanovë të Maqedonisë. Kjo shënonte kapitullimin serb. Lufta kishte përfunduar. Ditën pasuese Këshilli i Sigurisë i OKB-së miratoi Rezolutën 1244 që mandatonte Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë për të administruar vendin, ndërsa trupat e NATO-s u autorizuan të hyjnë në territorin e saj. Në fakt Kosova u shndërrua në protektorat të OKB-së, të policuar nga NATO.

Ndërsa NATO hyri në Kosovë, dhjetëra mijëra serbë u larguan nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve. Kështu filloi një tjetër periudhë tmerresh. Qindra civilë serbë që kishin zgjedhur të qëndronin në të vetmen shtëpi që kishin gjetur, u shënjestruan në vrasje hakmarrëse. Të rinj që pretendonin se i përkisnin UÇK-së mbërritën në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës për të konfiskuar pasuritë që u përkisnin serbëve ose shqiptarëve të etiketuar si bashkëpunëtorë ose spiunë. Paligjshmëria duket se u tolerua deri-diku nga vetë NATO.

Haradinaj shprehu privatisht frikën e tij për këtë sjellje, por ishte gjithnjë në mbrojtje të reputacionit dhe trashëgimisë së UÇK-së dhe ndaloi për shkak të kritikave publike. Brenda tre javësh nga fundi i luftës, më shumë se gjysmë milioni refugjatë ishin kthyer në ato që kishin mbetur nga fshatrat dhe shtëpitë e tyre. Vera sapo kishte filluar duke u dhënë atyre kohë për rindërtimin e shtëpive përpara se të vinte dimri. Në nëntor, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët vlerësonte se rreth 850.000 nga 1.2 milionë të tillë ishin kthyer në vatrat e tyre. Rezoluta 1244 kërkonte si tërheqjen e plotë të forcave policore serbe dhe të ushtrisë jugosllave, ashtu dhe çmilitarizimin e UÇK-së. Mijëra të rinj shqiptarë të Kosovës kishin luftuar për lirinë e vendit të tyre, por nuk ishte e qartë nëse ajo ishte arritur, ose se grupet serbe nuk do të rigrupoheshin për t’u rikthyer. Kosova kishte qenë edhe më parë një gur shahu në lojëra më të mëdha politike.

Shumë zëra në UÇK paralajmëronin për të qenë syçelët ndaj pabesive, duke iu druajtur një komploti ndërkombëtar që do ta rikthente Kosovën pas tek Serbia. Përkundër këtij konteksti, ekzistonte një pikëpamje me mbështetje të gjerë brenda UÇK-së se ajo nuk duhej të çarmatosej ose se duhej transformuar si ushtria zyrtare e shtetit që po lindte. Haradinaj u bë lidhja vendimtare mes UÇK-së dhe NATO-s në detyrën e vështirë të çarmatimit. Ai e dinte se për t’u mbajtur konsensusi ndërkombëtar për Kosovën, OKB duhet të ishte në gjendje të ushtronte autoritetin final politik, kurse NATO duhej të merrte kontrollin e plotë ushtarak. Në Kosovë nuk mund të ekzistonin dy ushtri. UÇK nuk mund të quhej më ushtri; ajo duhej të tërhiqej në kazerma, kurse pjesëtarët e liruar të saj duhej të integroheshin në forcën e re civile të mbrojtjes, Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), pa detyra ushtarake. Kjo ishte një gjë e hidhur për ta kapërdirë shumë prej pjesëtarëve të UÇK-së dhe vetë Haradinaj.

Gjenerali Klaus Reihnardt, komandanti i forcave të NATO-s në Kosovës gjatë periudhës vendimtare 1999-2000, identifikoi Haradinajn si komandantin e vetëm madhor me autoritetin dhe vetëbesimin për të arritur një marrëveshje politikisht të ndërlikuar me një ushtri të nervozuar vullnetarësh ushtarakë. Ai vuri re se Shefi i Shtabit, ndërsa gëzonte një respekt të caktuar politik mes trupave, nuk ishte angazhuar plotësisht ndaj Rezolutës 1244 të OKB-së ose për çarmatimin e UÇK-së. Siç pohoi ai më vonë në një dëshmi për Gjykatën e Hagës për Haradinajn: “Z. Haradinaj ishte i vetmi mes lidershipit të lartë të UÇK-së që e pranoi plotësisht rolin e ri të UÇK-së si mbështetje dhe mbrojtje civile. Ai ka mbështetur gjithnjë sundimin e ligjit dhe rolin e organizatave ndërkombëtare.

Ai kurrë nuk i rezistoi kërkesës së komunitetit ndërkombëtar për të çmilitarizuar UÇK-në dhe më ndihmoi në sipërmarrjen shumë të vështirë për të çarmatosur ish-UÇK-në dhe për ta riorganizuar atë në një organizatë civile pa detyra ushtarake.”

Haradinaj e dinte se bashkëluftëtarët e Shtabit Qendror do t’u rezistonin urdhrave nga në njeri që i kishte injoruar ata gjerësisht gjatë luftës. Ai e këshilloi Reinhardt-in se nuk do të ishte veprim i zgjuar ta linte të merrte komandën e TKM-së. Por Reinhardt kishte nevojë për Haradinajn për të “komanduar UÇK-në dhe priste me padurim të garantonte faktin që ai do të shihej nga ish-ushtarët e UÇK-së si një njeri me autoritetin dhe mbështetjen e NATO-s. Zgjidhja që gjetën të dy ishte që Haradinaj të bëhej zv/komandant i TMK-së, ndërsa Agim Çeku, ish “Komandanti Suprem” i UÇK-së, të merrte kontrollin e përgjithshëm.

Për më tepër, Haradinaj nuk do ta kishte bazën në Prishtinë, por do të vendosej në qytetin osman të Prizrenit, në jug të Kosovës, prej nga ku do të kishte akses më të lehtë në komandat me tipare më të theksuara ushtarake të UÇK-së, të cilat nuk kishin për t’iu nënshtruar Agim Çekut dhe bashkëluftëtarëve të tjerë të udhëheqjes së UÇK-së. Haradinaj krijoi një kazermë të TMK-së në Prizren, ku vendosi zyrën e tij në një kontenier 40m². Në një vend me infrastrukturë civile të shkatërruar dhe ku dhjetëra mijëra shtëpi ishin djegur ose bombarduar, kishte mijëra probleme sociale.

Furnizimet me ujë dhe elektricitet ishin të çrregullta në rastin më të mirë. Rendi dhe respektimi i ligjit nuk mund të kontrolloheshin. Sërish doli në pah dhuntia e Haradinajt për të menaxhuar krizat e menjëhershme dhe ato afatgjata. Në një ditë të zakonshme ai transformonte facilitetet e kuzhinës së kazermës së Prizrenit, përballej me një sërë pakënaqësish individuale të pjesëtarëve të TMKsë, zgjidhte mosmarrëveshje civile dhe takohej me udhëheqës të NATO-s. Më 23 korrik filloi regjistrimi i pjesëtarëve të TMK-së, i cili u përmbyll në fund të nëntorit. Qëllimi ishte të thithte sa më shumë pjesëtarë të luftëtarëve aktivë të UÇK-së që të qe e mundur. Pati thuajse 27.000 aplikime, një numër që kapërceu çdo vlerësim realist të kapacitetit të UÇK-së gjatë kohës së luftës.

Në fund, u krijua një forcë prej 5.000 njerëzish, e cila përfshinte 2.000 rezervistë, ndërsa disa qindra të tjerë po integroheshin në Shërbimin Policor të Kosovës, nën mbikëqyrjen e OKB-së. Në vitin 2000, TMP u konsolidua dhe Haradinaj e ktheu vëmendjen e tij drejt politikës. Gjenerali Reinhardt ishte një prej atyre që e inkurajuan dhe mbështetën atë. Siç tha në rrëfimin e tij për Gjykatën e Hagës: “Në janar të vitit 2000, pasi kisha parë cilësitë e tij të jashtëzakonshme dhe vizionin që kishte për të ardhmen e Kosovës, diskutova me të në mënyrë të përsëritur nëse duhej të kalonte nga udhëheqja e TMK-së në politikë.

E mbështeta fort ambicien e tij politike sepse kuptova aftësitë e tij të jashtëzakonshme dhe reputacionin e madh që gëzonte mes shqiptarëve të Kosovës që e shihnin atë si heroin e tyre më të besuar të luftës. E konsideroj z. Haradinaj një njeri serioz dhe një politikan me cilësi të jashtëzakonshme që do të jetë faktor kyç për pajtimin e grupeve të ndryshme etnike në Kosovë.”72

Pasi u largua për të filluar jetën politike, Haradinaj ruajti kontakte të ngushta me TMK-në. Ata ishin kolegët, shokët dhe vëllezërit e tij. Ai ishte i vetëdijshëm për zhgënjimin e ndier nga njerëzit që kishin luftuar në mbrojtje të shtëpive dhe fshatrave dhe që tashmë kishin rol shumë të kufizuar në punët e vendit të tyre. Si udhëheqës politik ai do të bëhej një vizitor i rregullt i selisë qendrore të TMK-së dhe do të kujtonte gjithnjë pjesëtarët e saj se ndante të njëjtat ambicie me ta e se një ditë ata do të bëheshin ushtria e një shteti të lirë e të pavarur.

Gjëja e fundit për të cilën kishte nevojë Kosova ishte një ushtri e pakënaqur dhe e zhgënjyer. Haradinaj u ofroi garanci se do të vinte një ditë koha e tyre. përmes të gjitha dështimeve politike të viteve pasuese, të gjitha premtimeve të pambajtura dhe makinacioneve politike ndërkombëtare, TMK vijoi të ishte një forcë e disiplinuar dhe e duruar – përherë në kazermë. Haradinaj nuk ishte përgjegjësi i vetëm për këtë, por luajti një rol vendimtar që kjo të ndodhte.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas