Kryesore, Mapo Format

BOTIMI I UET-PRESS/ ‘Nuk ka dokument se nëna e Skënderbeut ishte shqiptare’

Kur vjen puna për të provokuar, Mustafa Nano duket se ua njeh mirë “telat” shqiptarëve. Deklarata e tij për origjinën sllave të nënës së Skënderbeut ngjalli shumë debate do muaj të shkuar. Debate që u shoqëruan me tone të nxehta, deri në fyerje nga të dyja palët. Por pavarësisht kësaj, Mustafa Nano vazhdon t’i qëndrojë deklaratës së tij. Në librin e tij më të fundit “Provocateur”, botuar nga UET PRESS, në kolanën “esse / ide & debate”, ndërtuar në formën e një interviste me vetveten, ai i rikthehet ndër të tjera edhe kësaj teme, origjinës së nënës së Skënderbeut dhe të vetë Heroit Kombëtar, shkruan Panorama.

ËSHTË E VËRTETË QË SHKJE E SHQIPTARË “N’MNI TË SHO-SHOQIT KANË LE?”



Nga Mustafa Nano

Në verën e vitit 2017, ju provokuat një diskutim mbi origjinën e nënës së Skënderbeut. U qëndroni ende atyre tezave? Sigurisht. Por nuk është kjo çështja. Pse, cila është çështja?

Çështja është që u bë much ado about nothing. Unë u kapa në befasi kur nisi debati. U kapa në befasi për faktin që shumë njerëz u tronditën që dikush doli me pretendimin se nëna e Skënderbeut ishte me origjinë sllave. Nuk duhej të tronditeshin? Përse duhej të tronditeshin? Në fundin e Mesjetës, madje edhe më vonë, identiteti etnik nuk kishte rëndësinë që ne i atribuojmë sot atij kombëtar. Martesat etnikisht të përziera në shekullin XIV ishin një gjë krejt e zakonshme. Në këtë kuadër, edhe martesat mes shqiptarëve e sllavëve në përgjithësi apo serbëve në veçanti, ishin një gjë që ndodhnin shumë shpesh. Të dhënat e defterit të regjistrimit të popullsisë për Kosovën e vitit 1455 (marrë nga Historia e Kosovës e Jusuf Buxhovit, Kosova III, faqja 27 – 29) na japin një panoramë antroponimike të dy etnive të shkrira me njëra-tjetrën edhe brenda familjeve: “Radonja, i biri i Berishës, Kojica, i biri i Gjonit, Radisllavi, i biri i Gjonit, Radivoja, i biri i Gjoneshit, Radica Arbanasi, Milloshi, i vëllai i Berishës, Branisllavi, i biri i Arbanasit, Novaku, i biri i Arnaudit, Radihna, i biri i Arbanasit, Radac, i biri i Arbanasit, Petko Arbanasi, Mihal Arbanasi e Radko, vëllai i tij, Radovani, i biri i Gjinit, Vëlkosllavi, i biri i Medunasit, Gjini, i biri i Vukut, Gjergji, i biri Radiçit, Gjoni, i vëllai i Andrijës, Gjoni, i biri i Popit etj., etj.

Për të ilustruar edhe më mirë këtë peizazh antroponimik multietnik apo sllavo-shqiptar brenda familjeve, na shërben familja e vetë Skënderbeut. Ju kujtohen emrat e vëllezërve e motrave të tij? Jua risjell unë në mendje: vëllezërit quheshin Reposh, Stanisha, Konstantin, Gjergj (Skënderbeu). Ndërsa motrat quheshin Mara, Jella, Angjelina, Vllaica e Mamica. Siç shihet, një pjesë e emrave janë sllavë: Vllaica, Mamica, Stanisha. Ecim më tutje. I biri i Skënderbeut, me emrin Gjon, mori për grua Jerina Paleologen, që ish bijë e Llazarit, despotit të Serbisë (shih Historia della casa Musachia të Gjon Muzakës në librin e Charles Hopf-it, Chroniques greco-romanés, faqja 28, apo të përkthyer në shqip në librin e Pëllumb Xhufit nga Paleologët te Muzakajt, faqja 432).

Edhe e motra e Skënderbeut, Maria (siç e quan Gjon Muzaka në shënimet e veta) apo Mara (siç e quan Marin Barleti), u martua me Stefan Cernojeviqin (shih në faqen 447 të librit të Xhufit, ose në faqen 295 të librit të Charles Hopf-it). Siç shihet, Kastriotët i kanë pasur shumë për zemër martesat me serbë e sllavë. Ka më. Jetëshkrimi i derës së Muzakajve që sapo e përmenda, është përveç të tjerash edhe një lloj zyre e gjendjes civile e fisnikërisë shqiptare të shekujve XIV, XV, XVI dhe një lexuesi të tij, sado i pakujdesshëm të jetë, nuk mund t’i shpëtojë fakti që familjet e fisnikëve shqiptarë (Muzakajt, Komnenët, Dukagjinët, Topiajt, Kastriotët, Gropajt, Balshajt etj.) i parapëlqenin shumë krushqitë me njëra-tjetrën, por në të njëjtën kohë s’e kishin për gjë të martonin pjellën e tyre me malazezë, serbë, bullgarë, raguzanë, venecianë, napoletanë, hungarezë, deri edhe francezë etj.

Martesa e Gjon Kastriotit me Vojsavën ishte një nga të shumtat e këtij lloji. Më herët, në fillim të shekullit XIII, shqiptari Demetrios, djali i Progonit, që ishte princ i Arbanumit në Krujë, i kishte marrë vajzën për grua Zhupanit të madh, Stefanit (këtë e kam marrë nga Konstandin Jireçeku, Historia e serbëve, pjesa e parë, faqet 327 – 328). Djali i Gjergj Topias u martua me Teodorën, që ishte një nga motrat e Vuk Brankoviqit, i cili nga ana e vet u martua me të bijën e Llazarit, Marën, dhe kështu u bë kunati i Gjergj Balshës, pasi ky i fundit mori motrën e Marës, Jelenën (Marrë sërish nga Jireçeku në shqip, faqe 137 e 142). Edhe oborret, shtabet e luftës etj. (për të mos folur për ushtritë) ishin të karakterit multietnik. Ndonjë ndihmës i Skënderbeut ishte sllav, si fjala vjen Ninac Vukosaliqi. E ky kishte si sekretar të vetin një sllav tjetër me emrin Radiq (marrë nga “Skënderbeu” i Schmitt-it, faqe 140).

E meqë jemi këtu, duhet thënë se Kuvendi i Lezhës i mbledhur prej Skënderbeut më 1444-ën e që ne shqiptarët e kemi të regjistruar në histori si një ngjarje të madhe tonën dhe me të drejtë kështu, ka qenë sadopak një summit ballkanik a mesdhetar, ngaqë në katedralen e Shën Kollit, në Lezhë, përveç Arianit Golem Topias, Gjergj Stresit, të birit të Balshës që kishte ardhur pa vëllezërit Gjon e Bojko, Nikollë e Pal Dukagjinit, Lekë Zaharias, Pjetër Spanit, Lekë Dushmanit, ishin të pranishëm edhe Stefan Cernojeviqi me të bijtë, Gjergjin e Gjonin, e disa princër venedikas. Stefan Cernojeviqi, që ishte me origjinë të përzier shqiptaro-sllave (nënën e kish nga familja Zaharia), ishte edhe në takimin e parë që Skënderbeu bëri në Krujë me aleatët e mundshëm në luftën kundër osmanëve. Ne të sotshmit, sa herë që flasim për perandorë, mbretër, princër, prijës të atyre kohëve, nënvizojmë identitetin etnik të tyre, madje akademitë e vendeve të Ballkanit hahen pafund në mbrojtje të këtyre etiketave identitare të vëna aposteriori, por kjo, për ata vetë ka qenë më pak e rëndësishme sesa mendohet. Krerët i lidhnin martesat me synimin për të fuqizuar pushtetin e ndikimin dhe “etnia” tjetër nuk ishte pengesë për këtë gjë. Përkundrazi, për qarqet aristokratike ishte garanci.

Të mos harrojmë, po flasim për kohët kur regjimet politike, krerët e të cilave e trashëgonin kurorën në linjë gjaku, ishin multietnike dhe kur një shtëpi mbretërish mbante nën hyqëm shumë popuj të veçantë, që ne i kemi shquar si të tillë më pas. Habsburgët, fjala vjen, i gjeje në krye të mbretërive në Angli, Gjermani, Bohemi, Hungari, Kroaci, Irlandë, Portugali, Spanjë apo në krye të shumë principatave holandeze e italiane. I kishin uzurpuar këto frone? I kishin shtënë në dorë pas fushatave pushtuese? Jo, i kishin marrë urtë e butë, me diplomaci, me martesa, me krushqira.

Dhe kështu, vetë dera e Habsburgëve me kalimin e kohës nuk ishte më gjermanike. U bë multietnike. S’ke ç’i bën. Kjo ishte koha. Vetëm në Shqipërinë e shekullit XXI skandalizohen nëse dikush flet për martesa të përziera etnike të shekullit XIV-XV. Gallatë e madhe, apo jo? Dhe kjo, prapëseprapë, nuk do të thotë se nuk ekzistonte identiteti etnik. Njerëzit lidheshin prej gjuhës që flisnin, prej zakoneve të përbashkëta, prej përkatësisë territoriale, por ishte feja ajo që dominonte mbi jetët e njerëzve. Patriotizmi ishte në nivel të ngushtë lokal. Dua të them se atyre që flisnin shqip në Kosovë nuk është se ua ndiente shumë për myzeqarët e mallakastriotët “e sojit të tyre”.

Ju keni thënë gjithashtu se në shekullin XV, identiteti fetar ka qenë më i rëndësishëm sesa ai etnik dhe në këtë diskutim keni lënë të kuptohet, apo jeni shprehur, që edhe Skënderbeu atëbotë ishte më shumë i krishterë sesa shqiptar …

Vetë Skënderbeu, ç’është e vërteta, ka qenë një gjë disi e ndërlikuar në pikëpamje fetare. Njihet tanimë lëmshi fetar, me të cilin është mbështjellë jeta e tij (edhe e të atit, Gjonit, duhet thënë). Ai i ngërthente të tria fetë e rëndësishme tonat, Katolicizmin, Ortodoksizmin dhe Islamin, a thua se ka dashur të paralajmërojë, paracaktojë a vulosë qysh atëherë natyrën shumëfetare apo shkujdesjen fetare të shqiptarëve.

Bektashizmi si praktikë fetare lindi pak më vonë (Balim Sulltani, që është një lloj Shën Pali për bektashinjtë, ka zënë ta kodifikojë e kanonizojë Bektashizmin pas vdekjes së Skënderbeut, ndërsa jeniçerët, si bartësit më me nam të urdhrit të bektashinjve, u shfaqën këtyre anëve tona në fillim të shekullit XVI), përndryshe, do të na vinte të besonim se Skënderbeu do ta kish përqafuar për ca kohë edhe këtë “fe”, për t’i dhënë kështu edhe më shumë kuptim Shqipërisë së kohëve të sotme me katër fe (në fakt, dy janë të shkretat). Unë kam dashur të nxjerr në pah një qasje a prirje të kohës së Skënderbeut. Kam dashur të them se për ballkanasit e shekullit XV, identiteti etnik nuk ishte gjëja më e rëndësishme në botë.

Në hierarkinë e vlerave nuk ishte në krye të listës. Vinte gjithsesi pas atij fetar. Dhe kjo e vërtetë nuk vlente vetëm për ballkanasit. Kudo nëpër Europë që atëbotë ishte vetë bota, ishte e njëjta gjë. Europa e atyre kohëve quhej më së pari Europa e krishterë dhe osmanët i kallën datën kësaj të fundit jo sepse ishin pushtues, as sepse ishin osmanë, por sepse ishin myslimanë. Skënderbeun e çmuan kudo jo sepse po mbronte “trojet e të parëve”, por sepse u bë një “atlet i Krishtit” (titull papnor që iu dha nga Kalisti III), siç u bënë edhe Stefani i Madh i Moldavisë e Janosh Huniadi i Hungarisë, që në fakt nuk ishte hungarez. Ishte rumun, më saktë, vllah. Por ka mbetur në histori si një hero hungarez. Dhe kjo nuk ishte një gjë e çuditshme.

Po pse lindi ai debat, sipas jush?

Ai debat ishte fryt i komplekseve, maktheve, paranojave e mendjengushtësisë që, duhet thënë kjo, nuk janë veç një problem vetëm yni. Dua të them se debate të tilla ndodhin edhe gjetkë në Ballkan. Kudo nuk të falin po të krijosh idenë se po u prek ikonat kombëtare dhe nuk pajtohen dot me ndonjë përpjekje për të njollosur këto ikona me stërkala të etnive të tjera përreth. Në momentin që një personazh është i madh, drejt tij zgjaten të gjitha duart. Ja, shikoni atë që ndodh me Nënë Terezën. Shqiptarët e maqedonasit janë në garë për ta “përvetësuar” të tërën. Sikur të ish në dorën e tyre, do ta kishin shqyer copash, për të rrëmbyer prej saj ç’të mundnin, ndonjë krah, a mollaqe, a gjí, a ku di unë se çfarë tjetër.

Si është e vërteta?

E vërteta është që ajo ka qenë shqiptare në origjinë. Kjo gjë është pranuar nga të gjitha burimet. Dhe nga ajo vetë, më së pari. Mbi këtë bazë, shqiptarët nuk e lëshojnë nga duart, e quajnë të tyren, vetëm të tyren, e kanë shndërruar në një krenari kombëtare, sido që ajo nuk jetoi asnjë ditë mes tyre e nuk diti të fliste shqip. Por beteja nuk ka të sosur. Maqedonasit nuk dorëzohen dhe kanë ku kapen. Ajo lindi në Shkup, ku jetoi deri në moshën 18-vjeçare. Në fakt, Shkupi në fillim të shekullit të shkuar ishte një qytet i ngjyrosur shqiptarçe. Madje, nisur nga numri i shqiptarëve që banonin atje, mund të thuhet pa frikë që Shkupi ishte qyteti më i rëndësishëm shqiptar atëbotë. Por ajo ka marrë diçka, sidoqoftë, prej maqedonasve ortodoksë, sido që vetë ishte shqiptare e pagëzuar qysh në lindje si katolike.

Nuk kishte pse të mos merrte. Ka jetuar në një botë shqiptaro-maqedonase. Atëbotë shqiptarët e maqedonasit nuk ndaheshin prej mureve që ndahen në ditët e sotme. Dhe nuk do të kish asnjë të keqe, nëse kjo garë do të bëhej për ta nderuar Nënë Terezën. Mirëpo, gara bëhet për ta përvetësuar atë. Sepse kjo është ajo që dinë të bëjnë ballkanasit.

Edhe me Aleksandrin e Madh e njëjta gjë ka ndodhur. Historiani i shekullit XX, Leften Stavros Stavrianos, shkruan: “Grekët thonë se Aleksandri i Madh është i tyre; shqiptarët pretendojnë të njëjtën gjë, madje kanë bërë edhe një monedhë me fytyrën e Aleksandrit të Madh të stampuar në të; por edhe bullgarët nuk rrinë prapa; ata i inkurajonin ushtarët e tyre gjatë Luftës I Botërore me thirrjet në nderim të bullgarit të famshëm, Aleksandrit të Madh”, (shih librin e tij me titull The Balkans since 1453, faqe 14, paragrafi 1). Ndërsa Edith Durhami dëshmon se maqedonasit, në kryengritjet e tyre antiturke në vitet e para të shekullit XX, këndonin një këngë, ku tregohej se një shqiponjë që fluturonte në qiell, hedh shikimin poshtë, sheh maqedonasit që po luftonin, e pyet: Cilët janë ata që po luftojnë? Përgjigjja ishte: Janë bijtë e Aleksandrit të Madh që po rizgjohen. (Shih: The burden of the Balkans, faqe 6, paragrafi 2).

Por le të kthehemi tek origjina e nënës së Skënderbeut

Ok, kthehemi! Dhe unë vijoj t’i qëndroj atij mendimi. Nëna e Skënderbeut ka qenë me origjinë serbe, ose, që t’i afrohemi “bombës” ngadalë-ngadalë, le të themi që ajo ka qenë sllave. Dhe kjo është një gjë që dokumentohet. Që ka qenë shqiptare nuk mund ta dokumentojmë, sepse nuk ka asnjë dokument ku të thuhet se ajo është shqiptare, por që është sllave, po. Në reagimet që u vunë re në diskutimin mbi origjinën e nënës së Skënderbeut, u përmendën referenca të shumta. Por nuk ka nevojë t’u referohesh të gjithëve. Mjafton të shkosh te disa burime të hershme, më të hershmet. Sepse të gjithë të tjerët janë bazuar te këto burime.

Në këtë kuptim, është mundim i kotë e bjerraditë t’u thuash të tjerëve se ç’ka thënë Fan Noli, Kristo Frashëri, Oliver Jens Schmitti, Hahni, Babingeri apo edhe të tjerë që kanë lënë shënime apo kanë shkruar monografi mbi Heroin tonë Kombëtar. Le të mbetemi pra te burimet më të para mbi këtë argument. Ndër të parët që e ka pohuar këtë gjë ka qenë, për dreq, një shqiptar. Quhet Marin Barleti. Dhe e ka shkruar pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut. Nja tridhjetë – dyzet vjet më pas. Tridhjetë – dyzet vjet nuk janë aq shumë sa të komprometojnë besueshmërinë e rrëfimit. Bibla e Kurani, dy librat që besohen më shumë në historinë e njerëzimit, janë “printuar” teksa kish kaluar një kohë pak a shumë e njëjtë prej ngjarjeve që ato rrëfejnë.

Me këtë standard, Marin Barleti si burim historik nuk ka të sharë. Pastaj, pse do të duhej të dyshonim ne te Marin Barleti? Ky ka qenë një prift shkodran, e si i tillë “nuk ka pasur asnjë interes” ta nxirrte të papastër origjinën e Skënderbeut. Barleti nuk ka shkruar në gjuhën shqipe. Ka shkruar, megjithatë, për ngjarje e personazhe të historisë së Shqipërisë. Vepra e tij më e mirë është “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”. Të gjithë ata që kanë dashur të merren me Heroin Kombëtar të shqiptarëve nuk kanë mundur të mos i referohen Barletit. Libri i tij është një nga dëshmitë më të hershme mbi të. Në versionin shqip, të përkthyer nga Stefan I. Prifti, në faqen 2, paragrafi i parë (këto të dhëna me saktësi milimetrike po i jap me shpresën se mund t’u mbyll gojën të gjithë atyre që nuk lanë gjë pa thënë për mua.

Por, a u mbyllet goja vallë? Kam frikë se është e kundërta, më shumë u hapet): “Gruaja e Gjonit quhej Vojsava dhe këtë të fundit e bënin jo të padenjë për atë burrë, në një anë i ati i saj shumë fisnik, princi i tribalëve, në anën tjetër bukuria, sjellja e shpirti i saj i lartë përmbi natyrën e femrës”. Gjyshi i Skënderbeut, pra, në linjë amënore, ka qenë tribal. Të njëjtën gjë lë të kuptohet edhe Gjon Muzaka në kujtimet e veta dhe me këtë kemi ardhur te dëshmia e dytë. Daton në vitin 1510.

Është shkruar pak a shumë në të njëjtën kohë me “Historinë e Skënderbeut” të Barletit. Ky autor, për sa i takon Vojsavës, shkruan: E piú sappiate ch’il signor Giovanni Castrioto, padre del signor Scanderbego, hebbe per moglie la signora Visava Tribalda, con la quale fece quattro figli mascoli e cinque figlie femine. Që në shqip do të bënte: “Mësoni gjithashtu se zoti Gjon Kastrioti, babai i zotit Skënderbe, pati për grua zonjën Vojsava Tribalda, me të cilën bëri katër djem e pesë vajza”. Kuptohet, mbiemri “Tribalda” ka lidhje me sojin e “tribalëve”.

PasPara

1 koment

  1. Artikull~shkruesi, e tregon me dinjitet, se eshte perfaqesues i feceve te jashteqitura te benevrekeve…Kjo rrace e neveritshme, e bere me SHENJE nga kolera e Bosforit, ndjehet inferior per shkak te identitetit te tij te dyzuar, dhe njekohesisht urrejtes ndaj ADN~se se paster shqiptare…Keta inferiore~urrejtes, ne vend qe te fshihen pas “ateizmit komunisto~islamik”, duhet te pranojne te VERTETEN,…”Ajo te ben te lire…”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas