Kryesore, Mapo Format

Botimi i UET-Press/ Nano rikthehet si provokator: Armiqësia me fqinjët është e vonë

Analisti, gazetari dhe prezantuesi Mustafa Nano rikthehet si provokator me librin ‘Provocateur’, një botim i UET-Press me parathënie nga Belina Budini.

Është promovuar në ambientet e Rogner Hotel Tirana në sallën Apollonia, libri me titull “Provocateur” me autor gazetarin, analistin e njohur Mustafa Nano. Një libër i UET-Press, që shoqërohet me parathënie nga përgjegjësja e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës, prof. asoc. dr. Belina Budini. Ky libër shpreh qartë autorrëfimin që vetë autori Nano ka zgjedhur të bëje. Në media dhe në hapësirën publike, Mustafa Nano ka zgjedhur vetë të bëjë “provokuesin”. Opinionet e tij për shumëçka nga Kurani e Bibla, Jezusi e Muhamedi, te seksualiteti dhe deri te nëna e Skëndërbeut janë metodologjia e ndjekur për të ndërtuar përmbajtjen e librit. Një metodë që premton vetëm publicistikë, pasi nga pikëpamja shkencore nuk ka distancën e nevojshme subjekt-objekt për t’u konsideruar e vlefshme. Me këtë libër në formën e një autorrëfimi dhe me titull Provocateur shfaqet hapur në rolin e tij si i vetëprovokuar. Libri tingëllon menjëherë si provokim vetëm prej faktit që “provokon” vetveten. Mustafa Nano ka zgjedhur të intervistojë Mustafa Nanon. Qasja është në këtë rast provokimi i parë i librit. Edhe pse kushdo mund të lakmojë t’ia drejtojë vetë pyetjet vetes, dalja hapur në vetintervistim nuk është kaq rrethanë e lakmuar. Në këtë pozitë të sikletshme e vë veten autori i këtij libri, ndërsa i lejon pra vetes të provokojë veten. “Nano nuk merr përsipër të bëjë kronikanin e politikës, dukurive sociale apo kulturore të ditës në këtë libër. Ashtu sikurse nuk e ka bërë këtë as në rubrikat e tij në gazetë apo në emisionet e tij në televizion. Aktualiteti në vetvete, pra faktet dhe lajmet të veçuara duket se nuk e tërheqin aq sa interpretimi i tyre. Është e qartë se për të nuk vjen lajmi i pari, por interpretimi ose opinioni. Aq më tepër në një libër të tillë me natyrë reflektive, ku nuk bën as interpretuesin imediat të aktualitetit sikurse shpesh në formatet televizive por ka distancën e nevojshme kohore për t’i trajtuar më me nge çështjet dhe temat për të cilat shprehet. Nga ky kënd i ngadalësuar kohor arrin të vrojtojë më me shumë kritikë, për shembull, kryeministrin aktual Edi Rama dhe ta ngjyrosë edhe më “zi” se më parë ish-kryeministrin Sali Berisha. Teprimet ose provokimet e Ramës dhe Berishës duket se nuk bien në rrezen e pranueshmërisë së provokuesit Nano. Asgjë për t’u qortuar këtu! Tjetër gjë është të provokosh nga pozita, pushteti dhe tjetër nga pozitat e një opinionisti të lirë. Dhe në fakt nuk është se autorit të këtij libri i bëhet shumë vonë për këtë, për ta thënë në mënyrën e tij. Nuk e synon as në këtë libër dhe askund tjetër kriterin shkencor të analizës. Stilistika dhe strukturimi i mendimit janë ato që i interesojnë më tepër dhe pa dyshim ngacmimi i brendshëm për të provokuar. Këtë synim e mbërrin pa shumë mundim, për shkak të stilit të të shkruarit, por dhe statusit që ka fituar dhe lirisë që i jep vetes. Lirisë për të pasur një opinion dhe për ta mbrojtur atë duke e “bërtitur” fort”, shkruan Belina Budini në parathënien e librit.



Urimin e saj për këtë promovim libri e tha edhe Belina Budini, përgjegjësja e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës, e cila është autorja e parathënies së këtij libri.

Në fakt nuk e kisha menduar që do shkruaja një parathënie për librat e Mustafa Nanos, duke qenë se e shoh veten si të përkundërt në shumë drejtime, por pasi lexova librin e pashë që kisha të gjitha arsyet për ta shkruar atë së pari nga fakti gazetaresk. Unë jam bashkuar në redaksinë e Mustafa Nanos. Në atë kohë si publicist shfaqet më tepër si populist se sa si provokues. E shoh tani që Mustafa Nano ka një qasje më studimore, më shkencore jo se ky libër apo ndonjë libër tjetër i Nanos, këtë herë më duket se ka dalë në rolin e kërkuesit. Ai trajton çështje të nxehta dhe provokative. Këtë e bën pa sakrifikuar stilin e të shkruarit. Mustafa Nano interviston vetveten dhe del në pah qasja humaniste e tij. I kam gjetur humanizmat dhe në librin e Mustafa Nanos, për sa i përket qasjeve kritike dhe etike të shumë temave dhe çështjeve që ai trajton, -shprehet Budini.

Pjesë e promovimit të librit me titull “Provocateur” ishte dhe autori i një sërë botimesh, Maks Velo. Ai shprehet i emocionuar dhe e vlerëson pafundësisht punën që gazetari Mustafa Nano ka bërë ndër vite.

Të them të drejtën kam disa ditë që nuk po i lexoj, pasi gjuaj gazetat ku kanë emrin Mustafa Nano. Artikujt e tij më japin kënaqësi të jashtëzakonshme. Me arsyetime që nuk i imagjinon dot. Vështirësia është sepse të bësh gazetarin në Shqipëri sepse lëviz fakti. Domethënë, ti e shkruan dhe deri sa ta çosh në shtyp, fakti ka lëvizur nga ana tjetër. Mustafai më fton shpesh dhe në emisionet e tij dhe debatojmë shumë bukur. Kriteri i ndershmërisë në Shqipëri është se Nano nuk është i lidhur me asnjë anë, me asnjë mafie dhe thotë atë që mendon. Prandaj i lexoj artikujt e tij me ëndje dhe me aq kënaqësi që më kanë ndjekur vazhdimisht gjatë këtyre viteve, -shprehet Velo.

Autori i librit “Provocateur” Mustafa Nano shprehet se ky libër është një firmë komunikimi që i ka dhënë mundësinë për t’u shprehur më mirë. Është një libër autointervistë, duke i ditur pyetjet që i ka bërë vetes. Nano është shprehur në mënyrë të thelluar qoftë për çështjet e shkuara, por dhe ato të aktualitetit. Ka përfshirë një sërë çështjesh të cilat kohët e fundit kanë zgjuar shumë debatin publik.

“Ky libër është një autointervistë dhe unë kam zbuluar magjinë e autointervistës. Është një formë komunikimi që të jep mundësinë për t’u shprehur më mirë. Ti e di pyetjen që do të bëhet sepse ia bën vetes. Është një formë komunikimi me të cilën kam rënë në dashuri dhe mund ta përsëris. Më jep mundësinë të shprehem. Jam shprehur në mënyrë të thelluar në libër me disa çështje që unë i kam hedhur dhe për debat publik. Në libër i mbroj më fort këto gjëra që i besoj akoma. Koha rrjedh, ne lexojmë dhe ndryshojmë por përgjithësisht për çështjet në debatet e fundit kam qëndruar në pozitat që kam qenë. S’kam bërë gjë tjetër vetëm se e kam bërë më solid argumentimin e kësaj çështjeje për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe bota Sllave. Kam folur për fetë, për politikën shqiptare. Duke u marrë me këto gjëra unë i bëj të ditur lexuesit evolucionin tim në kohë se si kam ndryshuar. Kam ndryshuar. Një kapitull tjetër më i dashur është ai që është më delikat. Dua ta krahasoj me një patate të nxehtë. Patatet e nxehta më pëlqejnë, më djegin e më përvëlojnë duart por më pëlqejnë. Është kapitulli ku flas për marrëdhënien e Shqipërisë dhe vendeve fqinje. Jam me tezën le të themi që armiqësia mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje është e vonë, jo e hershme. Këto armiqësi që kemi pasur rreth dy shekuj më parë në rastin më dramatik, ta transformojmë, ta kthejmë me kokë poshtë, Problem janë dhe shoqëritë që kemi fqinje jo vetëm ne. Problem janë shoqëria greke me rastet e fundit etj. etj. Pjesë e rëndësishme janë masa të tëra fanatike që nuk lejojnë, nuk të inkurajojnë që ti, ti ndryshosh gjërat sepse janë mësuar me faktin që shqiptarët janë armiqtë tanë. Ashtu sikur ne jemi mësuar me faktin që serbët janë armiqtë tanë. Dhe kush del thotë të kundërtën është tradhtar. Këtu, dua të prek një marrëdhënie timen që e preka dhe te Provokacija ime me audiencë le të themi kosovare. Janë zemëruar me mua prej tezës sime disa kosovarë qoftë për origjinën sllave të nënës së Skënderbeut, shokoi shumë njerëz. Edhe sikur ta kisha shpikur atë tezë nuk kishin pse të shokoheshin. Në shtresën e aristokracisë është një gjë banale, e zakonshme. Po kështu ka skandalizuar teza ime tjetër që midis shqiptarëve dhe serbëve në harkun e shekujve, ngaqë ka pasur marrje dhe dhënie, ka patur dhe martesa, flirte dhe kjo ka bërë që në gjakun e serbëve të ketë sadopak shqiptarë si dhe anasjelltas. Kjo tezë tërboi shumë njerëz. Tema më interesante është ajo e kapitullit të tretë ku unë flas për politikën, për Edi Ramën, Sali Berishën, Azem Hajdarin për personazhe të tjera ku shpjegoj një lloj revolucioni të timin politik ndër shumë vite. Është një libër që kush më ndjek në shtyp, ka arsye që këtë libër ta marrë dhe ta lexojë dhe nuk do mbetet i zhgënjyer”, -shprehet Nano.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas