Kryesore, Mapo Format, Mapo Letrare

Botimi i UET-Press/ “Ky shtet dhe ky sistem hibrid, i flak të aftët”

Nga Ylli Pango

Pjesë nga libri ‘PSIKOLOGJI SHQIPTARE. Hulumtim në laboratorin tonë social-psikologjik’



Si lindi ideja për botimin e këtij libri: Pas kthimit nga SHBA-ja, ku së bashku me kolegë sapo kishim themeluar degën e re të Psikologjisë, natyrisht ndër detyrat e para, ishte të shkruanim a përkthenim tekstet për studentët. Libri im i parë, botuar si tekst për studentë, në vitin 1998, ishte Psikologjia sociale. Një student më pyeti nëse do të kishte ndonjëherë ndonjë psikologji sociale shqiptare dhe pa u menduar shumë bëra një premtim në auditor, se do të ketë patjetër. Më vonë më rezultoi se ky premtim nuk do të ishte i lehtë të realizohej a së paku do të donte kohë. Do të donte shumë punë e material të mbledhur, përvojë, njohje etj., veç atyre teorike të psikologjisë sociale. Do të gjeja ndërkohë e do të kaloja në duar mjaft autorë që jo në mënyrë speciale kishin shkruar për psikologjinë e shqiptarëve, por që gjithsesi, ishin marrë me të, qoftë pjesërisht, qoftë rastësisht, a ndër vepra kushtuar historisë a njerëzve më të njohur të Shqipërisë.

Kështu kalova, por dhe rikalova në duar autorë si Noli, Bernd Fisher, Eqrem bej Vlora, Faik Konica, S. Frashëri. Të tjerë autorë të huaj si Huntington, Nasim Nicholas Taleb, Gustave le Bon, Malaparte, Scott Peck etj., kishin shkruar jo pak për psikologji popujsh a njerëzish që përqaseshin dhe me shqiptarët. Autorët e parë, ata shqiptarë, më vlejtën shumë se mbulojnë një hark kohor gati njëshekullor në studimin e shqiptarëve. Ata i kanë njohur shqiptarët, kanë vi dhënë pjesën e dobët e atë glorioze të tyre, nuk kanë idealizuar e as janë gënjyer si mjaft të huaj a turistë as nga aparenca jo shpesh atraktive, e as nga ekzotika, por gjithsesi kanë njohur e kuptuar shumë më mirë nga shqiptaria sesa disa nga emisarët a ambasadorët që kanë shërbyer këtu. Ka ndër ata që jetuan jo pak këtu, por i njohën shumë pak ose aspak shqiptarët. Sa u takon autorëve të huaj, përmendur më sipër, ata kanë njohur psikologjinë e popujve të tjerë dhe vlera e analizave të tyre për ta ka qenë mjaft e madhe për analizën krahasuese me shqiptarë. Një i pretenduar studiues do t’i kish renditur të gjithë këta autorë e citimet prej tyre, në fund të librit e sipas rregullave, me të vogla e në faqe të tëra. Unë jo. Qëkurse me këtë libër, nuk pretendoj të bëj shkencëtarin, por thjesht dikë që u mor mbi 30-40 vjet me psikologji e i njohu shqiptarët nga të gjitha pozicionet, që nga ai i mësuesit të fshatit e deri te profesori i universitetit, dhe nga ai i qeveritarit në daçi, e që kësisoj kishte jo pak për të thënë për shqiptarët edhe nga përvoja, por edhe nga të lexuarit e shumtë. Kësisoj ai premtim për ta shkruar këtë libër po realizohet së fundmi 20 e kusur vjet më vonë. Po më mirë vonë se kurrë… 

Rrënimi dhe shpërfillja e talentit e aftësive. Triumfi dhe pushtimi deri i majave drejtuese nga të paaftët

Po a ekziston gjithsesi një farë vlerësimi, në disa raste i talentit, aftësive, karakterit etj. Pa dyshim në një masë të vogël po. Por, gjithsesi, me rrezikun e flakjes tej sapo rrezikojnë pak, si në fokuset më lart, pushtetin e parasë, atë politik etj. Regresi i shkatërrimit të hierarkisë së vlerave po vijon më tej. Si në të kaluarën edhe sot, shqiptarët po e respektojnë gjithnjë e më pak hierarkinë e vlerave. Madje jo shumë kur ajo është legjitime, formalisht a joformalisht. Madje edhe kur ajo është e dukshme ka mjaft raste që ata përpiqen ta injorojnë, shpërfillin a denigrojnë, të mësuar siç janë me mosrespektimin e hierarkisë së vlerave, me barazitizmin e trashëguar nga periudha enveriane, me aftësinë a sedrën e dobët për vetëvlerësim real në raport me tjetrin. Kur respektojnë diçka, kjo bëhet formalisht a për të përfituar. Rrallëkush i thotë tjetrit te ne: “Po, ti je më i zoti se unë”. Apo “filani shquhet se është më i aftë se të gjithë ne”. Kjo do të quhej ulje.

Ata madje e ndryshojnë rëndësinë që u japin vlerave duke e rritur rëndësinë e tyre kur i arrijnë ato vetë, a ju duhen ato vlera për të përfituar; e duke e ulur këtë rëndësi kur s’i arrijnë dot këto vlera a nuk ju interesojnë ato. Kësisoj mbi bazën e kësaj, aftësia, përpjekjet, puna për arritjen e vlerave, shpesh konsiderohet lodhje e kotë. Por kur vjen puna për interesat vetjake, ajo kërkohet e madje valëvitet edhe si flamur morali në publik e media. Në mjaft raste të tjera, aftësia nuk quhet e domosdoshme, nuk vlerësohet, e mbi të preferohet prakticiteti, pragmatizmi ekstrem, aftësia për të çarë në çdo formë, pelivanllëku, deri aftësia për të shkelur çdo rregull e ligj, mjaft të arrish në majë. Dhe kjo nis që nga lart e zbret deri fare poshtë. Te ne ata që hipin e janë lart, duan të bëjnë shtet, por pa tulla, pa material bazë, sidomos pa themele e bazament solid, por me fasadë të ndritshme me majë të lartë, me kupolë që shndrit atje tej me xhama shumëngjyrësh. Kjo, sepse ky shtet e ky sistem hibrid, i flak të aftët, profesorët e vërtetë, intelektualët.

Nuk ka nevojë për të diturit, të vjetrit me përvojë. I quan të lodhur e kësisoj materiali bazë është rëra, argjila në vend të gurëve të rëndë që duhet të jenë themeli e që e mbajnë gjithë ngrehinën. Dhe kjo përsëri sepse urrehen a flaken, nënvlerësohen vlerat njerëzore, fortësia e qëndrueshmëria e tyre, që mediokriteti në sundim nuk i ka e nuk i pati kurrë. Por edhe sepse ky lloj sistemi e ka më të lehtë që kur të dojë, ato që s’do, t’i shkatërrojë më lehtë. Apo ashtu kot, kur t’u teket atyre që shkatërrimin e jo ndërtimin e kanë hobi e preferencë. Mbi ç’vlerësime a vlera reale emërohen ministrat, shefat, drejtorët te ne? Sa e si vlerësohen njerëzit? Pa kaluar në mohime kategorike shpesh kemi emërime në poste nga më të lartat thjesht për arsye politike, të njerëzve me nivele shumë të ulëta aftësish e performance. Këtu hierarkinë e shkatërrojnë partitë, liderët e tyre, politika e interesat e saj të ngushta. Në pjesën më të madhe të tyre ata që emërohen si ministra e drejtorë pa meritë, gjëja e parë që mësojnë është mënyra se si duhet të nusërojnë: si të vishen, si t’u flasin njerëzve, si të mos firmosin, si të jenë hijerëndë. Kjo mbi bazën e një tradite trashëguar dhe modeluar e përsëritur edhe nga media me mijëra herë, por edhe nga vetja, mentaliteti vetjak, nën instruksionet e servilëve përreth. Rrallë u fol e u vlerësuan te ne ministrat (e drejtorët) për rezultatet e punën e tyre, sukseset, matjen e saktë të tyre. Në përgjithësi, si pa e kuptuar, njerëzit e medias vlerësojnë nusërimet e tyre. “Të dish të nusërosh”, së bashku me veshjen përkatëse e qëndrimin hijerëndë përkatës, është pjesa më e rëndësishme e të qenët lart. Pjesa me e madhe e të emëruarve në poste të larta te ne mësojnë të jenë ministra (të nusërojnë) shumë shpejt. Njerëzit shumë shpejt pastaj fillojnë të vlerësojnë sa ministrorë janë ata aty lart dhe rrallë të pyesin ata, por edhe veten: “More po ç’pamë të mirë nga puna e këtij dhe e qeverisë së tij. Ç’rezultat konkret dha?”.

Dikush nga të rrallët, që mësoi më mirë se të tjerët më tepër të drejtojë sesa të nusërojë, e kishte zakon të pyeste shumë, të mësonte nga të tjerët, të mendohej, të dëgjonte, të maste shtatë herë e të priste një herë. “Shprehja të nusëroja dhe një herë pa e dija unë”, te ne, së paku për një pjesë të mirë të të emëruarve në poste të larta, e humbet disi vlerën. Këtu njerëzit dinë të hipin e të nusërojnë shumë shpejt, a thua se kanë qenë tërë jetën në majë. E për më tepër e kanë zor të zdrypin nga kali i nuses. Për rrjedhojë nuk kanë pse të presin shansin e nusërimit të dytë, se nusërimin e bëjnë zanat e rrallë e humbin shansin të shalojnë mirë kalin e pushtetit që me herën e parë.

Problemi bazë i hierarkisë së jovlerave është jo vetëm tek individët, por më së shumti në shumicën e qeverisjeve. Këtu në përgjithësi vetëm nusërohet, jo qeveriset. Nusërimet e shkurtra, si ai i kushërirës së Komandantit, apo ca të tjerëve, janë po aq “efektive” (lexo: defektive) sa nusërimet afatgjata të “nuseve” që nuk bëjnë asgjë veç nusërimit. I vetmi ndryshim është mendjeshkrepja apo humoret e momentit të shefit të madh për të hequr a mbajtur vartësit e pozicioneve të larta … Edhe sot qëndron ajo që shkruante 130 vjet më parë Konica: Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë.

Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomikë të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898) … Cili nga liderët tanë a vartësit e tij më të lartë e kanë parasysh këtë? Në asnjë program partie nuk shihet. Edhe Stalini e Hoxha qoftë edhe për hipokrizi e kishin shpallur qëllimin kryesor të sistemit a programeve të tyre qeverisëse, arritjen e mirëqenies maksimale të masave. Këta ç’qëllim kryesor kanë. Asnjëherë e shprehur. Duke u nisur nga mungesa e hierarkisë së vlerave dhe triumfi i vlerave false në majë, te ne në një masë të gjerë rezultohet të bëhet mësim fals, të jepet mjekim a shëndetësi false, ushqim fals, rroga e pensione false (qesharake). Natyrshëm që ajo çka mbetet në fund është nusërimi i bukur e propaganda mjeshtërore. Dhe në aparencë duket se të gjithë jetojnë jo keq.

Vazhdon të jetojë e mbijetojë edhe teoria që thamë e viteve të fillimit të hapjes së universiteteve private, le të hapen pa fund universitete, sepse rinia më mirë të rrijë në shkolla sesa rrugëve. Mjekësia është falas. Rrugët janë Ok. Problemi është kush paguan? Duket sikur askush dhe jetojmë mirë të gjithë. Në fakt jo. Paguajnë me mizerjen ata që jetojnë keq në fshat e qytet, paguajnë me jetë ata që bëjnë aksident në rrugë të këqija bërë nga ata që nuk kanë shkollë, paguajnë ata që vdesin nga sëmundjet se mjekët e shkolluar keq në universitetin përkatës nuk marrin vesh, paguajnë nga krimi se policia nuk ka përgatitje, por dhe kooperon me krimin.

Por dhe kur ka përgatitje, nuk e lë politika e të paaftëve (pa shkollë dhe këta) që i urdhëron, paguan. Paguan padija e së ardhmes, rinisë së ardhmes së kombit … të gjithë paguajnë. Paguajnë nusërimin … Për më tepër nusërimin e mësojnë shpejt edhe të rinjtë në politikë. Pas nja 15 ditësh a muajsh politikë, edhe më herët, rishtarët te ne bëhen ministra, drejtorë, a vetëkonsiderohen të tillë. Kanë arritur të flasin rrjedhshëm për problemet, para kamerave, madje shumë shpejt, pavarësisht se nuk kanë zgjidhur e nuk do të zgjidhin kurrë asnjë problem.

PasPara

1 koment

  1. PSE DUHET TE QUANI TE PA AFTE SE VLERA E NJE QE ‘ NJE PRIND E LIND DHE NUK KTHEN KOKEN PAS KE KA PRANE SI TRASHEGUS .JEMI RRETH ZHGENJUS INTERES TEK TE GJITHE NJE SHKRIMTAR ASNJEHERE NUK DUHET TE THONE TE PA AFTE SE AI MUND TE KETE ME SHUME AFTESI . KA VLERE DHE I MARIN GJITHCKA QE NUK I PERKET TE TJEREVE . ANALIZA PSIKOLLOGJIKE LLOGJIKE ESHTE BAZA FIZIKE E NJE HORIZONT PER TE PASUR SA ME DICKA INTERESANTE PER NJERZIMIN LIND APO NUK LIND ,NJE QE THUHET DUHET KEMI NJE INTERES TEK NJE QE I VOGEL KA NJE HYNOR TRASHEGUS ,,UNE MENDOJ SE NE BAZAT PER TE GJENE NJE GJENI ESHTE VEPRA E ZOTIT QE LIND NJE GJENI .KEMI GLLABERUS PER TE MARE DICKA QE NUK TE PERKET DHE MERR TI NJE QE NUK ESHTE VEPRA JUAJ E DIJES VETJAKE PERSONALE .NJE MESUES I MIRE MER NJE VLERE SA ME TE MIRE PER KENAQUR LEXUESIT KUSH KA DESHIRE HAPSINORE SE MUND TE KETE SHKOLLE JETE THOTE POPULLI PER TE NDIHMUAR TE TJERET .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas