Dikur, Kryesore

Botimi i UET-PRESS, Kurt Kola: Si e përjetuam unë dhe Ngjela ardhjen e Gensherit

Pjesë nga libri “Në Shqipërinë burg” të Kurt Kolës, publikim i UET-PRESS

Gjermania Perëndimore pati filluar përpjekjet diplomatike për t’u lidhur me Shqipërinë, para se të vdiste Diktatori Enver Hoxha. Pati ardhur dy herë, në vitin 1984, Kryeministri i Landit të Bavarisë, Franc Jozef Shtraus. Shtypi i kohës jepte vetëm një njoftim të thatë: mbërritjen dhe ikjen e tij dhe asnjë fjalë pse erdhi, çfarë kërkoi, e çfarë u bisedua.



Diktatura e kishte mbyllur Shqipërinë në një burg të madh dhe popullit ia kish prerë çdo kontakt informimi politik, të brendshëm e të jashtëm…

Ne, ardhjen e Shtrausit e konsideruam një fat dhe shans i madh për Shqipërinë, por pa asnjë shpresë për ndryshim, sa diktatori Hoxha ishte ende gjallë. Gjendja ekonomike që po përjetonte populli, pas prishjes me Kinën, ishte katastrofike dhe interesi i Gjermanisë për t’u lidhur me Shqipërinë ishte minimal, krahasuar me interesin që kishte Shqipëria për këtë kolos ekonomik. Diktatori kishte deklaruar se: bar do hamë e rrugë nuk kthejmë! E kishte fjalën për popullin, se vetë me derrat e Byrosë e Komitetit Qendror, hanin e pinin ç’të donin.

Shtrausi, siç mësojmë më vonë, u kish propozuar të lidhnin marrëdhënie diplomatike, tw mbështeteshin tek Gjermania. “Për ne, ju jeni sa Hamburgu, nuk ju kemi problem ekonomik. Gjermania ka mbajtur Poloninë e Jugosllavinë, jo më Shqipërinë me tre milionë banorë”.

Kriminelët, që kishin hallin e kolltukëve dhe të rehatisë së tyre, ofertës gjermane, që shpëtonte popullin shqiptar nga uria kërcënimtare për çdo ditë, i vinin si kusht reparacionet e luftës!

Një kusht sa absurd për nga ana politike, po aq pa vlerë ekonomike! Çfarë kishte pasur Shqipëria që na kishte shkatërruar Gjermania në luftë? Mos kishim uzina e fabrika, që kishin vlerë monetare? Mos patëm infrastrukturë rrugore, me ura e autostrada? Dëmet që na kish bërë Gjermania, llogaritur me qen e me mace, mund të kapnin vlerën e një muaji bukë për shqiptarët!

Shtrausi u thoshte, se reparacionet ua kishte falur bota me vendim gjykate dhe nuk mund të shkelnin vendimin e gjykatës për reparacionet shqiptare, që, fundja, nuk ishin asgjë krahasuar me ndihmat që donte të jepte Gjermania…

Pas vdekjes së diktatorit, vjen Ministri i Jashtëm gjerman, të përmbyll misionin e Shtrausit. Gensheri, vjen me shpresë se do të mirëkuptohet me pasardhësin e diktatorit, duke e gjykuar si një pasardhës të painkriminuar dhe me vizion politik të qartë, nuk e dinte se edhe ky deledash ishte betuar:

-Bar do të hamë e rrugë nuk kthejmë!

Ndodhesha i izoluar në birucë, kur erdhi Gensheri. Ngjela, sapo del në ajrim më përshëndet nga oborri dhe me zë të lartë më thotë: Kola, ka ardhur “Bajlozi” gjerman në Tiranë. A po të dalin fjalët e mia, që Gjermania nuk tërhiqet nga kërkesa. Alia nuk ka nga t’ia mbajë, do të lidhet me Gjermaninë. Nuk ka rrugë tjetër. Gensheri ka ardhur të përfundojë atë që nuk e realizoi Shtrausi, kur ishte Hoxha gjallë, – përfundoi Ngjela konceptin mbi situatën që e pati paraparë.

– Ngjela, – i përgjigjem nga biruca, Gensheri, ka ardhur me mendimin të takojë një udhëheqës me vizion, por ky po tregon se është një “derr” dhe ti e di se derri ecën drejt, nuk i merr dot kthesat. Sa i përket asaj se nuk ka rrugë tjetër, këta kanë një rrugë, rrugën e vetëmbylljes. Ky do t’i thotë Gensherit shprehjen standarde: Ne nuk jemi as me Lindjen, as me Perëndimin. Dhe vërtetë kështu i tha deledashi.

Gensheri lidhi marrëdhëniet diplomatike dhe iku. Kaq ishte misioni diplomatik i Shtrausit dhe Gensherit me sundimtarët e Tiranës.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas