Mapo Format

Botimi i UET-PRESS, Kurt Kola: Dom Simon Jubani – Antitezë e ateizmit

Pjesë nga libri “Në Shqipërinë burg” i Kurt Kolës, një botim i UET-PRESS

Besimtar i lindur i Zotit e Krishtit… Teologjia vetëm e kishte orientuar drejt Tyre, duke e bërë të palëkundur e stoik. Sulmi ateist komunist për eliminimin e institucioneve fetare, dom Simonin e gjeti në maturë të Liceut Jezuit, diplomën e të cilit nuk mundi ta marr se antizotët e mbyllën, burgosën dhe ia vranë profesorët teologë, pa harruar të shkatërrojnë bazën materiale…



Në pamundësi të vazhdimit universitar teologjik, ndjek një kurs njëvjeçar për radiolog dhe vazhdon ushtrimin e talentit si futbollist, në sport-klubin “Vllaznia”, por duke mbetur me mendje, me shpirt e me qenien e tij, një besimtar i lindur! Vinte nga një familje e varfër shkodrane, por fetare dhe tejet e ndershme, dhe së bashku me vëllain, i cili arriti ta mbaroj teologjinë si më i madh në moshë, qenë rritur në mungesë të shumë gjërave materiale, por me pasuri të madhe shpirtërore, të mëkuar që në djep nga nëna e tyre, një zonjë e vërtetë dhe besimtare e përkushtuar…

Dom Simoni, ushqehej me punën radiolog, dëfrehej e forcohej fizikisht me futbollin, por mendërisht e shpirtërisht ëndërronte Kishën që të kryente misionin për të cilin e kish krijuar Zoti. Vit për vit i bënte lutje Ipeshkëvisë për ta emëruar prift në një kishë, ku nuk kishte. Shumë priftërinj ishin në burgje apo të pushkatuar. Ditët që skuadra e futbollit të Shkodrës kishte ndeshjen jashtë, e ëma kishte bërë zakon ta përcillte tek autobusi dhe t’u thoshte futbollistëve: “Ju lutem mos ma prishni djalin, se ky ka mision të shenjtë”…

Merakun e nënës për rrugën e djalit, për misionin e tij, përkushtimin e konfirmoi e ardhmja, që nisi me një shfaqje në mënyrë pasiononte e të paparë në historinë kishtare:

– Simon! Të është aprovuar lutja, të ka ardhur emërimi prift! – e lajmëroi një shok, teksa ishte në fushën e futbollit, duke luajtur ndeshjen me sport- klub Tiranën. Simoni, sapo mori lajmin, siç ishte me të mbathura të shkurtra të sportit, fluturimthi lë fushën e lojës dhe përmes qytetit me vrap paraqitet në kishë! U çuditën të gjithë në kolegjin e priftërinjve.

– Pse ke ardhur kështu? – i tha Arqipeshkvi.

– Nga gëzimi, nuk mu duru. Tani jam i lumtur, se ky është misioni im.

Mori emërimin për të shërbyer në një fshat të thellë të Mirditës. Një ndërtesë e vjetër pa asgjë brenda, shërbente si kishë. Dom Simoni, pasionant, vizionar e praktik, gjeti gjuhën me fshatarët besimtar për të kontribuar për kishën. U caktoi sipas gjendjes, dy apo tre bagëti t’i shisnin e të sillnin paratë për vendkultin e tyre. Në krye të vitit Kisha ishte tjetërsuar, dukej si një vilë! Brenda e kompletuar me karrige, me shtresa mbi dysheme e me altar! Fshatarët u befasuan nga përkushtimi i priftit të ri dhe krijuan një respekt të jashtëzakonshëm për dom Simonin. Shkonin në kishë shumë të kënaqur.

Rikonstruksioni i Kishës, mënyra e organizimit të fshatarëve në shërbim të saj, marrëdhënia e ngrohtë e dashamirëse në shërbimin fetar krijoi respekt e simpati të madhe tek mirditorët për priftin e ri, dom Simonin. Shpejt i doli nami në mbarë krahinën, si organizator shumë i aftë në përkushtim të fesë, si predikues i shkëlqyer i mësimeve të shenjta të Krishtit e Biblës, si tërheqës i masës së gjerë të njerëzve në kishë, gjëra këto që shkonin kundër sistemit ateist komunist, i cili kishte synim heqjen (ndalimin) e besimit tek njerëzit!

Fama dhe emri i mirë i priftit të ri tek mirditorët, u bë i rrezikshëm për Sigurimin e Shtetit, i cili vuri në lëvizje hijet e zeza për të evituar rrezikun që sillte prifti me besimtarët në Mirditë…

Dom Simonin e arrestojnë, e dënojnë 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë” dhe e çojnë në kamp pune të detyruar në Rubik, për “rehabilitim” nga besimtar në ateist! Por, prifti u bë problem i regjimit edhe i dënuar në burg, sepse gratë besimtare mirditore, të cilave u kish pagëzuar fëmijët dhe u kish dhënë me pasion mësimet e Krishtit, vinin të dielë për të dielë, të ngarkuara me kosha me ushqime për t’ia sjell priftit në burg. Ky lloj admirimi i besimtarëve për priftin përbënte rrezik të madh për sistemin ateist, ndaj morën masa për ta izoluar dhe përzënë larg prej aty, kështu, dom Simonin e mbyllin në burgun e Burrelit, në vitin 1965, për të dalë që andej pas 24 vjetësh e pas gjashtë dënimeve të tjera!

Dom Simoni në burgun e Burrelit

Dom Simon Jubani është përjashtim në të gjithë klerin katolik shqiptar, në të burgosurit politikë shqiptarë dhe në të gjithë të burgosurit politikë të Lindjes Komuniste, për faktin se është dënuar 7 herë rresht për agjitacion, një herë jashtë dhe gjashtë herë brenda në burg!

Domi ishte inteligjent i skajshëm! Kishte memorie fenomenale! Poliglot: fliste latinisht, greqishte të vjetër e të re, italisht e frëngjisht! Teolog i mesëm me arsim të rregullt, por teolog i lartë e tejet i kompletuar autodidakt! Veç këtyre, çka ia rriste përmasat e njeriut të thjeshtë dhe e bënte madhështor ishte guximi në përballje me terrorin antifetar komunist, me torturat 25-vjeçare të tij, duke imituar me stoicizëm frymëzuesin e njerëzimit, Jezu Krishtin!

Me sedër të madhe. Me karakter të pathyeshëm. Besimtar i lindur e i vendosur në rrugën e Krishtit… Cilësi këto që i mungonin intelektualit ateist dhe e bënin cinik e urrejtës ndaj priftit. Ata krijonin banda ordinerësh për ta fyer e për ta dhunuar fizikisht! Një nga të burgosurit, të cilin po e quaj “intelektuali atesist”, i ishte rrëfyer për deklaratën e bashkëpunimit që kishte firmosur me Sigurimin e Shtetit, madje ishte penduar pse i qe rrëfyer, por prifti nuk kishte ndonjë faj dhe nuk kishte arsye pse ta luftonte e ta urrente.

Natyrisht, dom Simoni, ishte dinjitoz dhe s’kish si të mos reagonte, sidomos kur lufta kundër tij organizohej nga Sigurimi i Shtetit. Por, ai nuk merrej me spiunët, bënte sikur nuk dëgjonte, edhe pse shpesh ata, të shtyrë nga “intelektuali ateist” e fyenin dhe e provokonin, gjoja për të zbrazur mllefin ndaj diktatorit Enver Hoxha.

Për çdo 28 nëntor, festën e Pavarësisë i çonte Enver Hoxhës, 100-120 faqe letër të shkruar, duke i paraqitur në mënyrë të detajuar e me fakte të gjitha krimet që kishte bërë gjatë luftës dhe pas ardhjes në pushtet. Nuk e merrte e çara e arkës së postës se nuk kishte zarf ku mund të futeshin! Ajo ishte pliko, tre-katër fletore bashkë, mbështjellë me një format të bardhë, mbi të cilin shkruhej adresa si më poshtë: MERR: KRIMINELI I POPULLIT SHQIPTAR, ENVER HOXHA – TIRANË. Kjo pliko merrej nga operativi i burgut dhe se ku e çonte, se ku arkivohej e se ç’bëhej me të nuk dihej, por rezultati ishte: arrestimi i dom Simonit, torturimi disa mujor në birucat e hetuesisë nga kriminelët e Sigurimit, nxjerrja para gjykatës së komanduar për të dhënë formalisht masën e dënimit 25 vjet burg, paracaktuar që në hetuesi. Këtë mënyrë ballafaqimi të diktatorit me krimet e tij monstruoze, dom Simoni e praktikoi gjashtë vjet rresht, dhe në të gjashtë vitet, e njëjta masë nga Sigurimi: arrestim, torturë në hetuesi dhe dënimi standard, 25 vjet!

Ditën që e sollën në dhomë nga dënimi për herë të gjashtë, rastisi të vijë për inspektim një ekip i Prokurorisë së Përgjithshme. Dom Simoni flinte pranë derës dhe iu drejtuan atij së pari me pyetjen: Sa jeni dënuar? Dom Simoni e kishte në majë të gjuhës përgjigjen: Sa të jetë gjallë krimineli juaj, Enver Hoxha…

– Arrest, shpejt arrestim këtij armiku! – urdhëroi Prokurori i Lartë, që nuk i kish ndodhur as dëgjuar se mund të ketë njeri të flas me këtë gjuhë për diktatorin shqiptar. Acarimit dhe urdhrit të tij për ta arrestuar i dha rrugë komandanti i burgut, duke i thënë në vesh: Tani para tre orëve ka ardhur nga gjykata me 25 vjet dënim!

– Në birucë, shpejt, – e ktheu urdhrin prokurori, që s’mund të largohej pa e dënuar priftin si hakmarrje ndaj udhëheqësit të tij. Dom Simonit nuk i bëhej vonë për dënimin me birucë as me gjykatë, por edhe kriminelët shfrynin epshet kriminale.

Vitin e shtatë, ia nisi plikon sipas radhës me të njëjtën përmbajtje dhe po me atë adresë dhe po priste ta arrestojnë e dënojnë si herët e tjera… Kaloi afati e, nuk po merrte përgjigje. Kaloi tërë viti dhe po afrohej 28 nëntori i vitit tjetër e dom Simoni mendoi se nuk e kanë dërguar plikon, komanda dhe Dega e Brendshme. Këtë nëntor e adresoi tek ata. Sapo e lexojnë, vetë kryetari i Degës me komandantin dhe një skuadër policësh futen në burg, tek birucat, ku thërrasin dom Simonin…

– Pse na e dërgove ne plikon armiqësore? Ç’pate me ne? – e pyeti kryetari i Degës, Sino Ruko.

– Sepse ju nuk ia dërguat vjet plikon kryekriminelit Enver Hoxha.

Kaq mundi të shqiptojë dom Simoni dhe gjashtë policët që e rrethonin, me urdhrin filloni, me gjashtë shkopinj gome godasin priftin, që bie përmbys te këmbët e tyre! E kishin qëlluar në kokë dhe nga rënia e menjëhershme e priftit u mendua se vdiq. Britma e kryetarit të Degës, “mjaft se e vratë!”, i ndali goditjet e policëve vandal. Prifti ishte pa ndjenja! “Doktor” Kamberi që kryesonte skuadrën e terrorit, i hodhi një kovë ujë dhe i bëri masazh… Dom Simoni u përmend dhe hodhi vështrimin rreth e qark. Pa që duart i kishte të zgjidhura. Ia kishin hequr prangat kur pat rënë i vilanosur në dysheme. Në këmbë pranë tij qëndronin komandanti i burgut dhe kryetari i Degës. U çua si me zor e gjysmë i përkulur, u kthye nga Sino Ruka e Idajet Dede dhe me zë të ngjirur u thotë:

– Unë nuk kam ku ta gjejë atë kriminelin e Tiranës, ndaj po ua jap juve atë që i përket atij, – dhe sa i ha krahu u këput nga një grusht edhe njërit, edhe tjetrit, që bien shakull në tokë!

Pastaj beteja nisi me policinë! Një luftë tërësisht e pabarabartë: gjashtë me një! Prifti, ish-futbollist vuri në përdorim shkelma e grushte, ndërsa policët shkopinjtë e gomës, që nuk bënin më efekt mbi priftin, sepse më shumë godisnin njëri-tjetrin! Le më pastaj, kur prifti i rrëmbeu “doktor” Kamberit shkopin e gomës dhe i sulmoi si luan, i vuri përpara në korridorin e ngushtë të birucave dhe… shpëtuan vetëm se arritën të hapin derën e hekurit dhe dolën jashtë! Kryetari i Degës dhe komandanti i Burgut, të cilët ishin ngritur dhe qëndronin në këmbë pa bërë zë, e ndoqën gjithë betejën mes priftit e policëve…

Nuk vonoi dhe nga të dy hyrjet e korridorit të birucave u futën dy skuadra policësh me shkopinj druri! Dom Simoni qëndronte përballë dy oficerëve madhor me shkop në dorë, i gatshëm për të vdekur. Kryetari i Degës urdhëroi policët të qëndronin në vend dhe të mos bënin asnjë lëvizje pa urdhrin e tij. Ai bëri gjykimin e situatës dhe mendoi një zgjidhje nga ato të profesionit…

I bëri thirrje dom Simonit të lëshojë shkopin, duke i thënë se do ta largonte policinë dhe ai thjesht do t’i nënshtrohej dënimit disiplinor me birucë. Prifti pranoi ta lëshonte shkopin, por u tha, se nëse do ta sulmonin policët, do të vdiste në duart e tyre…

Sino Ruka e shmangu përplasjen me hunj, por priftit i dha ndëshkim si të Krishtit. Jo me gozhdë në kryq, por me pranga në duar e në këmbë dhe varur tek hallka në mur, për 30 ditë e netë…!

Dom Simoni, saç ishte fetar e njeri i Zotit, po aq ishte edhe agresiv për të mbrojtur personalitetin e tij. Ishte me Dhjatën e Vjetër: sy për sy e dhëmb për dhëmb. Ai vazhdoi t’i dërgoj edhe në disa 28 nëntorë të tjerë pliko me akuza, diktatorit, por tani nuk po merreshin më me dom Simonin; e panë se ky nuk tërhiqej nga asnjë lloj ndëshkimi e dënimi…

Bisedonim në dhomë sikur ishim vetëm ne të dy! Një ditë kur shkuam të hamë drekë në mensë, vajta i pari tek sporteli i kuzhinës dhe polici më zgjati racionin e bukës. Ishte qull, pa pjekur, dhe ia përplasa te këmbët.

Kështu e bënë edhe tre të tjerë që ndodhën pas meje. Të tjerët që erdhën mbrapa e nuk e panë veprimin tim, e morën bukën ashtu siç ishte. Roja lajmëroi komandën për protestën dhe, kur vajtëm në dhomë, erdhi komandanti i burgut Fitim Sheshi, i cili, sa kish ardhur në këtë detyrë dhe nuk ishte mësuar me rregulla burgu e të burgosur. Ishte zemëruar nga revolta jonë, duke e konsideruar si vepër shumë armiqësore ndaj pushtetit…

– Ç’është kjo protestë kundër pushtetit që guxon të bësh ti? Si guxon ta hedhësh bukën, që të jep shteti, te këmbët e policit?! – mu drejtua me ton kërcënues.

– Ajo nuk është bukë, por brumë i papjekur dhe do ta hedh edhe nesër e sa herë ta sillni në burg.

– Pse, më i mirë se këta të tjerët je ti? Këta e kanë marr, ti e ke flakur!

– Merre dhe haje ti atë racionin tim brumë, se për kafshët është …

– Në birucë! Shpejt, çojeni në izolim këtë armik të pabindur! – urdhëroi policët.

Pas meje edhe tre të tjerët, që e patën hedhur racionin e bukës së papjekur. Teksa komandanti po dilte nga dhoma, i flet dom Simoni dhe ai ndalon:

– Çfarë kujton ti shërbëtor i diktaturës, se ne të tjerët që e morëm bukën e papjekur jemi skllevër të bindur? Unë nuk e kam parë veprimin e shokut, se do t’ia hidhja policit nga surrati, racionin tim…

– Në birucë edhe ky armik, – u thotë policëve, komandanti i burgut, dhe dom Simoni plotësoi numrin pesë, në një ambient që është ngushtësisht për dy veta!

Ishte korrik, kulmi i vapës, por burgu me tarracën me serë ishte furrë! Në dhoma ku qemë më lire, bëheshim ujë në djersë muajt e verës, jo më në një birucë të ngushtë, ku rrinim ngjeshur, si sardele në kuti. Po plasnim nga vapa. Ishim bërë ujë në djersë…

Në mbrëmje, polici hap derën dhe na merr, mua dhe dom Simonin, për të na çuar në zyrën e komandantit. Ishte i qetë… Sigurisht, kishte biseduar dhe marr udhëzime. Nisi një debat, herë me mua, herë me dom Simonin. E vumë përpara në bisedë… Jepte e merrte me njohuritë që kishte, por edhe gjeni të ishte nuk ia dilte dot, ndërkohë që mbronte të padrejtën! Foli sa u lodh e u bë gjithë djersë, pastaj u dorëzua para argumenteve tanë logjik: ktheu bukën e papjekur dhe solli bukë të rregullt, e na nxori nga biruca të pesë protestuesve.

Lirimi i dom Simonit…

1988… Pas 44 vjet lufte të gjithanshme të komunizmit ndaj Klerit Katolik, shumë pak priftërinj kishin mbetur gjallë, por edhe këta, qenë në burgje e kampe pune të detyruar. Në burgun më famëkeq të regjimit, në Burrel, ishte vetëm një klerik, prifti më antikomunist, dom Simon Jubani…

Ndodhi një e papritur, jo më për vetë priftin, por për gjithkënd… Futet në dhomë komandanti i burgut, Ibrahim Sula, tashmë tjetër komandant, se kohët e fundit po i ndërronin shpesh. Si zakonisht i shoqëruar nga shpura e policëve, por këtë herë më pak.

– Simon Jubani, bëni rrobat gati, – komunikoi komandanti.

– Për në birucë! – ia priti dom Simoni.

– Jo në birucë, por lirohesh nga burgu! – sqaroi Ibrahim Sula.

– Unë lirohem nga burgu?! – përsëriti dom Simoni habitshëm.

– Po, pikërisht ti, lirohesh.

– Jo, zotëri, lironi këta të tjerët, jo mua. Unë jam me mision këtu…

– Merr rrobat dhe dil jashtë! Je liruar ti, jo këta të tjerët.

– Zotëri, unë jam meshtar, shtëpia ime është Kisha. Atë, ma ka pushtuar komunizmi. Kur të më lirojë Kishën, atëherë, dal e shkoj në shtëpinë time.

– Atë nuk e di unë, kërkoje kur të jesh jashtë, ndaj merr rrobat dhe dil!

– Unë pa më liruar Kishën diktatura, nuk dal nga burgu, – i tha dom Simoni dhe u ul mbi dyshek.

– Je i liruar nga burgu, unë nuk të mbaj dot këtu, do të nxjerrim me forcë, por më mirë dil vetë me këmbët e tua! – përsëriti komandanti i burgut.

Dom Simoni, bëri kryqin tre herë dhe nisi të lutej latinisht. Në këtë moment komandanti i burgut doli nga dhoma. Kaluan dy orë dhe rishtas komandanti futet në dhomë. Tani ishte shtuar shpura e policëve, të cilët kishin marrë edhe urdhrin e veprimeve. Duke njohur mirë kokën e dom Simonit dhe forcën e tij fizike, me policinë kishin ardhur katër sampista të fuqishëm, të cilët kapën dom Simonin dy për duarsh e dy për këmbësh, e ngritën peshë dhe e nxorën në oborr jashtë burgut. Policët morën dyshekun e batanijet…

Dom Simoni, bërtiste në duart e sampistëve: “Do bëj shtëpinë e nënës sime Kishë, sapo të vete”. Komandanti, nga pas përgjigjej: bëj ç’të duash vetëm ik që këtej!

Sapo mbërriti në shtëpi, dom Simoni nisi shërbimin fetar për të krishterët e Shkodrës… U dërgoi 20 të burgosurve, pa ndihma, nga 500 lekë secilit, por komanda nuk ua dha; ia rinisën atij… Cinizmi komunist nuk ka kufij.

Dhe për priftin martir, dom Simon Jubani, po e mbyll me refrenin e tij të përditshëm: Ah, që s’më zuri ’67 në Kishë, se pa u djegur brenda nuk do ma shkatërronin të pafetë!

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas