Kryesore, Mapo Letrare

Botimi i UET-PRESS: Kujtesa është Letërsi

“Zëra nga errësira”, gazetarja Eni Vasili sjell në një libër 7 dëshmi tronditëse të personazheve që jetuan tmerrin komunist. Klara Merlika, Simon Miraka, Daut Gumeni, Maks Velo, Rrahman Parllaku, Bashkim Shehu, Gjon Rrethi, Eugjen Merlika sjellin dëshminë e një kohe që nuk duhet harruar… Libri pjesë e misionit të UET PRESS e Institutit Europian Pashko për të kontribuar në njohjen e kujtesës…

E shkuara nuk ka mundur t’ia heqë portretit të Rrahman Parllakut 100 vjeç, tisin e një burri që ka ruajtur fort dëshirën për jetën. Ish komandanti ishte i pranishëm dje në promovimin e librit “Zëra nga errësira” me autore gazetaren Eni Vasili, botuar nga UET PRESS. Libri është një përmbledhje e 7 rrëfimeve tronditëse që personazhe që vuajtën në kampet komuniste i kanë bërë në emisionin “Studio e hapur” në Neës 24 përballë gazetares Vasili. Klara Merlika, Simon Miraka, Daut Gumeni, Maks Velo, Rrahman Parllaku, Bashkim Shehu, Gjon Rrethi, Eugjen Merlika vijnë në rrëfime që tregojnë se si mund ta shëndrrojë diktatura qenien njerëzore, por të mund dot të heqë njerëzore brënda tyre. “Për të ruajtur kujtesën është e rëndësishme që këto histori të shkruhen. Dua të përdor një shprehje të rëndësishme ruse e cila thotë: “Çfarë është shkruar me fjalë, nuk shkulet dot me sëpatë”. Brezat duhet ta dinë se e gjitha kjo nuk është hakmarrje, por është një përpjekje që ajo së çfarë ka ndodhur të dokumentohet dhe mos të përsëritet më. Sepse ne e dimë se çfarë është hakmarrje dhe s’duhet të përsëritet”, tha Parllaku. Simon Miraka një personazh që ka provuar kampin famëkeq të Tepelenës u shpreh se “ballafaqimi me të kaluarën ka shumë rëndësi për të ditur kush jemi dhe ku do të jemi në të ardhmen, sepse i shërbejnë konsolidimit të demokracisë”. “Janë objektet që do të flasin dhe do të kuptoni kush ishin kampet e internimit. Kemi nevojë që të kemi shkrime të tilla”, tha ai. Maks Velo e quajti përballjen me të shkuarën një qëndrim që shoqëria shqiptare duhet ta bëjë me kurajo. Duke marrë shkas nga botimi i dosjes së tij të përndjekjes në librin “Jetë paralele” një javë më parë nga UET PRESS, Velo tha se botimi i dëshmive pavarësisht që ende mungon falja është një kontribut që i bëjnë historisë.



Për gazetaren Eni Vasili këto intervista kanë qenë rrëfime jo të lehta, që e kanë përlotur. Por e bindur se kauzat e ndihmojnë shoqërinë ajo u shpreh se “Studio e hapur” do të vijojë të thellohet në kauza të nevojshme për shoqërinë në sezonin e ardhshëm televiziv.

 

Përballë zërave të së shkuarës

Nga Eni Vasili

Përballja me të shkuarën komuniste është një ndër sfidat e rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kanë kaluar 28 vjet prej kohës kur u rrëzua komunizmi në Shqipëri, por ende nuk kemi një proces të përballjes me të shkuarën, ende nuk ka një proces të mirëfilltë të dekomunistizimit të shoqërisë sonë. Duket sikur ka një tendencë për t’i fshehur krimet e komunizmit, së paku duke heshtur për çfarë ka ndodhur në 45 vjet diktaturë. Ka pasur përpjekje në media për të zbardhur pjesë të rëndësishme të asaj periudhe të errët, por është bërë ende shumë pak deri tani.

“Studio e Hapur”, me mbështetjen shumë të rëndësishme të “News 24”, i kushtoi këtë sezon një hapësirë të veçantë pikërisht kësaj teme, përballjes me të shkuarën komuniste. Janë realizuar tetë intervista të rëndësishme me personazhe që i kanë mbijetuar terrorit komunist. Ata kanë rrëfyer vuajtjet e jetës së tyre nëpër burgjet dhe kampet e internimit gjatë diktaturës komuniste. Janë tetë jetë të ngjashme, por edhe të ndryshme për mënyrën se si kanë sfiduar diktaturën duke u mbijetuar torturave fizike dhe psikologjike. Janë rrëfime që më kanë përlotur, por dhe më kanë surprizuar me kurajën përmes së cilës kanë mundur t’i mbijetojnë diktaturës. Janë dëshmi shumë të rëndësishme që dokumentojnë ngjarje që kanë shënjuar historinë e komunizmit.

Le të shpresojmë se ky botim, me rrëfimet e tetë personazheve të rubrikës kushtuar kujtesës, në “Studio e Hapur” në “News 24”, besoj se do të jetë një kontribut i rëndësishëm si për studentë, aq edhe për studiues.

Kam falënderim të veçantë për tetë personazhet që pranuan të rrëfejnë jetën e tyre në studion tonë, gjithashtu kam falënderim të veçantë për “News 24”, që ka mbështetur pa asnjë kufizim projektin tonë për kujtesën.

“Studio e Hapur”, do të vazhdojë t’i kushtojë hapësirë kujtesës edhe në sezonet e ardhshme, për të dhënë kontributin modest për zbardhjen e krimeve të komunizmit.

 

Një tablo e historisë sonë

Nga Prof. Dr. Nevila Nika

Gjithmonë kam pyetur veten, vallë a kanë të drejtë njerëzit kur rëndom mendojmë se gjithçka ndodh përtej ekranit të vogël është e parapërgatitur? Që do të thotë se sipas një skenari të caktuar realizohen të gjitha programet televizive. Natyrisht që ka të vërtetë në këtë mes, por duhet të pranojmë se ka edhe programe të cilat janë në transmetim të drejtpërdrejtë. E pikërisht këto të fundit janë domeni i pakontestueshëm i Eni Vasilit.

Përgatitja për të realizuar një intervistë me personazhe nga më të ndryshmit kërkon jo vetëm kohë, por mbi të gjitha përgatitje të gjithanshme. Zgjedhja e personazhit, gërmimi në historinë e tij e të familjes, gjetja e materialeve ilustruese dhe ndërtimi i listës së pyetjeve që mendon se duhet t’i bëhen të ftuarit në studio, në televizionin News 24,  janë të rëndësishme, por jo gjithçka.

Pa dyshim ajo që e dallon një gazetar nga një tjetër është aftësia për të lëvizur nga ajo çfarë ka shkruar më parë në letër dhe në varësi të rrjedhës së bisedës të improvizojë, ndryshe bashkëbisedimit do t’i mungonte natyrshmëria e do të ishte thjesht diçka monotone, ose gati-gati një recitim.

Thuhet se “pyetja nxjerr pyetjen”, e kështu intervista ia del të shndërrohet në një bisedë normale si ndodh zakonisht midis dy të njohurish apo miqsh të vjetër. Mjeshtëria për të vjelë sa më shumë informacion nga personazhi që ke përballë meriton vlerësim maksimal, pasi ky është edhe qëllimi përfundimtar i një interviste. Secili prej nesh ruan kujtimet e veta me shumë fanatizëm brenda një “kasaforte”, çelësin e së cilës e mbajmë po me aq fanatizëm. Këtë vështirësi të gjetjes së këtij çelësi magjik do të thosha gazetarja, gruaja, qytetarja e intelektualja Eni, ia ka dalë mrekullisht me sukses.

Intervistat e realizuara prej saj janë copëza historie të individëve, por mund t’i konsiderojmë fare bukur si pjesëza të një tabloje të madhe pazëlli (puzzle) të historisë sonë kombëtare.

Përzgjedhja e personazheve të intervistuar që Eni i ka bërë pjesë të këtij botimi mendoj se nuk ka qenë e rastësishme. Janë shtatë intervista, një zonjë e gjashtë zotërinj të vërtetë, thënë ndryshe me Z të madhe.

Shtatë persona të ndryshëm si prejardhje familjare, krahine e përkatësie fetare: moshe, formimi e bindjesh.

Shtatë jetë të rrëfyera para gazetares Vasili, falë pyetjeve të saj të parapërgatitura, por në shumicë të dala gjatë bashkëbisedimit me ta.

Shtatë jetë të mbushura me vuajtje, mundime e persekutime të papërfytyrueshme.

Shtatë jetë dëshmitare të një kohe të errët e mizore për të gjithë ne e veçanërisht për ta e të afërmit e tyre.

Shtatë jetë pjesë e faqeve më të zymta të historisë sonë të gjysmës së dytë të shekullit të 20.

Të shtatë personazhet kanë provuar ferrin e kampeve të internimit dhe burgjeve të regjimit komunist. Kanë kaluar nëpër zyrat famëkeqe të Sigurimit të Shtetit e ato të hetuesive, ku edhe janë marrë në pyetje për “krimet që kishin kryer ndaj pushtetit popullor”, por tashmë përballë gazetares ndiejnë përgjegjësinë e rëndësisë për të dëshmuar të vërtetën e asaj çfarë ka ndodhur vite më parë me ta e bashkëvuajtësit e tyre.

Thjeshtësia e vërtetësia e rrëfimeve që Eni ka mundur të marrë prej të intervistuarve është vërtet mbresëlënëse, e kjo mendoj se është arritur falë mënyrës së formulimit jo vetëm të pyetjeve, por edhe komunikimit të saj me ta. Personalisht kam pasur rastin të njoh disa prej këtyre personazheve dhe e kuptoj fare mirë se sa me vështirësi flasin për vuajtjet e poshtërimet me të cilat janë përballuar pa asnjë shkak a motiv bindës në të kaluarën, por përballë gazetares Vasili ata nuk kanë ngurruar të tregojnë e të dëshmojnë me shumë fisnikëri e qytetari historitë e tyre personale. Gjuha e urrejtjes nuk ekziston në bisedën që ata zhvillojnë para kamerave e mikrofonave, edhe pse historitë e tyre janë tronditëse. Kanë kaluar dekada në burgje e internime që në moshë të njomë.

Emocionet e forta, që secili prej nesh ka ndier kur ka ndjekur nga ekrani i vogël këto biseda, janë tejet të vështira të përcillen nëpërmjet fjalëve. Mendoj se do të jenë përsëri të tilla edhe kur të kemi në dorë këtë përmbledhje të tyre, falë punës këmbëngulëse e plot përkushtim që ka bërë autorja.

Çdo popull ka nevojë të dijë të kaluarën e tij, por në rastin e shqiptarëve kjo është një domosdoshmëri, për shkak se vitet e diktaturës komuniste kanë dëmtuar rëndë Kujtesën tonë historike duke e shtrembëruar atë për shkaqe ideologjike.

Mungesa e theksuar e dokumenteve arkivore që dëshmojnë për këtë të kaluar bën që dëshmitë gojore, si në rastin e intervistave apo edhe dokumentarëve të personave të ndryshëm, të shndërrohen në burime jashtëzakonisht të vyera për historianët, sociologët, antropologët, psikologët, politikanët, shkurt për secilin prej nesh.

Ky libër, edhe pse në dukje i thjeshtë, është një kontribut i vyer në rindërtimin e kësaj Kujtese, që po rrezikohet nga dita në ditë prej një erozioni të frikshëm.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas