Dikur, Kryesore

BOTIMI I UET-PRESS/ ‘Krimet ndaj minoritetit shqiptar në Greqi’

Pjesë nga libri ‘Kolaboracioni dhe Gjenocidi në Çamëri/ 1944-1945: E vërteta e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët’


Nga Arben P. Llalla

Çështja që do të parashtroj, ka të bëjë, në pika të shkurtra me dëbimet e shqiptarëve që nga viti 1913-1945 dhe sllavo-maqedonasve 1946- 1949 nga Greqia. Mendoj që është një temë me interes dhe e vështirë për faktin se ende shteti grek nuk i ka hapur arkivat për këto raste. Më 16 tetorin e vitit 2008, sipas mediave ish-kryeministri i Greqisë Kosta Karamanlis vendosi afatin e fundit për hipotekimet nga e para të gjitha pronat në Greqi. Kjo çështje preku në mënyrë direkte titujt e pronësisë të shqiptarëve dhe të sllavo-maqedonasve të Egjeut. Bëhet fjalë për pasuritë e popullsisë çame, të cilëve shteti grek ua mban peng pasuritë e patundshme me të ashtuquajturën “sekuestro konservative”, si dhe sllavo-maqedonasve të Egjeut të cilët janë përzënë gjatë luftës qytetare greke më 1946-1949. Siç dihet, çamët ashtu edhe sllavo-maqedonasit e kanë të ndaluar të kërkojnë të drejtat e tyre që iu takojnë me ligjet ndërkombëtare, rikthimin në trojet e tyre dhe kompensimin e pasurive të shfrytëzuara deri më sot nga grekët.

Udhëzimi i miratuar me shpejtësi më 2008, nga qeveria greke me afat deri më 16 tetor për të dorëzuar dokumentet për hipotekimin e pronave nga e para më shumë duket si thikë pas shpine për pengimin e dy vendeve fqinje me Greqinë, Shqipërisë dhe Maqedonisë të cilat varen në një farë mënyre nga firma greke për anëtarësim në BE dhe NATO. Vendimi i qeverisë greke më 2008 dukej tendencioz, duke u nisur nga fakti që shteti grek u ndalon çamëve dhe sllavo-maqedonasve të Egjeut pajisjen me viza për të hyrë në Greqi atë periudhë dhe kështu nuk do të mund të hipotekojnë pasuritë e tyre.

Një shqiptar dhe sllavo-maqedonas, të afërmit e të cilit janë dëbuar me dhunë nga trojet e tyre prej qeverisë greke pas Luftës së Dytë Botërore, për të nisë procedurat për kthimin e pronës në Greqi, për të cilën ai pretendon se është pronar i saj, në radhë të parë duhet të hapë një çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë të qytetit ku kjo pronë ndodhet e regjistruar. Në mënyrë absurde dhe qesharake, kërkohet që pretenduesi të përfaqësohet nga një avokat, i cili duhet të jetë grek. Në rast se e drejta nuk zgjidhet në Gjykatën e Shkallës së Parë, çështja kalon në Shkallën e Dytë dhe në Gjykatën e Lartë.

Duke ditur pengesat e shumta si burokracitë e ambasadës greke që pengojnë lëshimin e vizave për këtë kategori qytetarësh, zgjatja e proceseve gjyqësore atëherë, pasuritë edhe shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve u përvetësuan përgjithmonë nga shteti grek, pasi nuk mundën të regjistroheshin në afatin e 16 tetorit 2008. Pra, edhe njëherë Greqia anëtare e Bashkimin Evropian, NATO-s dhe e shumë organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut tregoi se është një shtet që shkel këto të drejta. Historia e shkeljeve të të drejtave të njeriut, në Greqi është e dhimbshme dhe i ka fillimet që në vitet e para të pavarësisë së saj në shekullin XIX.

 

Dhuna ndaj minoritetit shqiptar 1913-1945

Me një mjeshtëri raciste, shteti grek që nga fundi i vitit 1912 dhe fillimi i vitit 1913, kanë përzërë sistematikisht shqiptarët e Greqisë. Bëhet fjalë në përgjithësi për shqiptarët e fesë islame. Por edhe ata shqiptar ortodoks që nuk pranuan të deklaroheshin me kombësi greke u masakruan ose u përzunë nga shtëpitë e tyre për të jetuar në qytetet në thellësi të Greqisë për t’u asimiluar më shpejt. Shqiptarët që u përzunë dhe ishin shtetas grekë në fillim iu hoq shtetësia greke dhe i deklaruan të humbur, njerëz pa adresë. Më tej, ju përvetësuan pasuritë duke ua dhënë të tjerëve. Në tokat e sekuestruara u vendosën emigrantët ortodoksë të ardhur nga Azia e Vogël.

Shqiptarëve që ju janë përvetësuar pasuritë nga shteti grek ndahen në dy kategori:

  1. a) Shqiptarëve që ju përvetësua pasuria pa të drejtë me marrëveshjen e Lozanës si popullsi e shkëmbyeshme islame me ortodoksit.
  2. b) Popullsia shqiptare çame që u quajt nga grekët bashkëpunëtore me pushtuesit gjermanë.

Me dekret ligji të viteve 1923-1932, Greqia, përvetësoi të tërë pasuritë e shqiptarëve mysliman me pretekstin e marrëveshjes së Lozanës si popullsi shkëmbyese midis turqve islamik dhe ortodoksëve grekë. Kjo ide gjente mbështetje në qarkoren e Ministrisë së Bujqësisë Greke, të 1 tetor 1922, e cila urdhëronte administratën e përgjithshme të Epirit, që “… familjet e refugjatëve të stabilizoheshin në pronat e myslimanëve shqiptarë”, (AYE/A/5 (9). (Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit, MPJ Greke, Janinë 2 mars 1923). Në qendrat kryesore të Çamërisë, si në Filat, Paramithi e Margelliç u krijuan enkas zyra për të shtetëzuar pronat e myslimanëve shqiptarë, (Conference de Lausanne sur les Affaires du Prache Orient, 1922-1923).

Në fillim të vitit 1926, në Gjenevë, Kryetari i Greqisë Teodoros Pangallos bëri një deklaratë zyrtare para Lidhjes së Kombeve me të cilën Greqia njihte minoritetin shqiptar dhe nuk i quante më shqiptarët muhamedanë që jetonin në territorin e saj si popullsi turke. Ai ndër të tjera deklaroi: “Pavarësia dhe status quo-ja e Shqipërisë përbëjnë interes të madh për Greqinë, sepse politika e saj është bazë për ruajtjen e paqes në Ballkan… Teza që është mbajtur nga ne deri sot se ortodoksit shqiptar janë grekë është e gabuar dhe e shkelmuar nga të gjithë. Meqë ajo ka marrë të tatëpjetën dhe arriti pikën e rraskapitjes, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë vorio-epiriote që mëshironin skaje më ekstreme të këtij mendimi të sëmurë”.

Më 18 janar, ambasadori shqiptar në Athinë, Mit’hat Frashëri mori premtimin nga ministri grek i Jashtëm se do të merrej ai personalisht me çështjen e shkëmbimit të çamëve, ndërkohë që vetë z. Pangallos i deklaroi se çamët myslimanë do të përjashtoheshin nga procesi i shkëmbimit. Një muaj më vonë, në shkurt të të njëjtit vit, u shpall dhe zyrtarisht vendimi për përjashtimin e të gjithë shqiptarëve të Epirit nga masa e shkëmbimit të detyruar dhe amnistinë e çamëve që akuzoheshin për kryerjen e propagandës politike, duke i dhënë në këtë mënyrë një zgjidhje përfundimtare çështjes, zgjidhje e cila sigurisht kënaqte në mënyrë absolute palën shqiptare. Deklarimi i Kryetarit të Republikës Greke, gjenerali Teodor Pangallos, për të përjashtuar shqiptarët çamë të Epirit nga masa e shkëmbimit midis popullsisë turke myslimane me popullsinë të krishtere greke ishte vendimtar për ecurinë e të gjithë çështjeve. Përmbajtja e çështjes u zhvendos nga përcaktimi i prejardhjes dhe identiteti kombëtar të popullsisë myslimane të Epirit dhe nga përfshirja ose jo në masën e shkëmbimit të detyruar, në procesin e përfshirjes së saj në shtetin grek dhe respektin ose jo të të drejtave të saj nga autoritetet greke.

Kështu, nga çështja “greko-turke”, tashmë zhvillohet tema që ka të bëjnë me marrëdhëniet greko-shqiptare, të cilat do të ndikojnë dhe në periudhën e ardhshme në një shkalle shumë të lartë. Prezenca e myslimanëve çamë në Epir përbënte një rast të veçantë dhe një dokument të fortë bisedimesh që synonte të përdorte qeveria shqiptare me qëllim arritjen e një normalizimi të kënaqshëm të synimeve të saj ekonomike për sa i përkiste çështjes së pronave. Por çështja e shqiptarëve në Çamëri nuk do të zgjidhej edhe pse diplomatët dhe politikanët grekë premtonin. Vitet në vazhdim shteti grek në emër të reformës agrare 1925-1927 u ndaloi të gjithë atyre njerëzve që nuk kishin kombësi greke të drejtën e tokës bujqësore. Italianët, francezët, gjermanët, turqit që kishin prona në Greqi u dëmshpërblyen, vetëm shqiptarët nuk u dëmshpërblyen. Pas pak vitesh do të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Me kapitullimin e Gjermanisë grekët rinisën masakrat mbi popullsinë shqiptare në Çamëri.

Shqiptarët çam që u përzunë në vitet 1944-1945, shteti grek i quajti bashkëpunëtorë të gjermanëve dhe në mënyrë kolektive u hoqi shtetësinë greke, u përvetësoi dhe pasuritë. Me disa ligje primitive Greqia u mohoji çdo të drejtë njerëzore të gjithë atyre shtetasve grekë që nuk kishin pranuar kombësinë greke të rikthehen ndonjëherë edhe si vizitor në Greqi. Gjatë luftës qytetare greke për pushtet 1946-1949, midis forcave të djathta dhe komuniste përmenden edhe shqiptarët e Greqisë që ishin përzënë me dhunë në vitin 1945 nga forcat e EDES që udhëhiqeshin nga Napoleon Zerva. Nga dokumentet historike veçojmë kërkesat e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme Greke, Marko Vafiadhis, i cili i parashtroji midis shumë kërkesave Enver Hoxhës për të mundësuar çamët e përzënë të rreshtohen në ushtrinë Demokratike Greke që udhëhiqeshin nga komunistët. Më 24.09.1947, Marko Vafiadhis vjen në Tiranë me nxitim për mes Korçës si Kryetar i Qeverisë së Përkohshme Demokratike për të kërkuar ndihmë. Markoja, kërkon nga Enver Hoxha që të dërgojë çamë të dëbuar prej Greqisë në malin Gramoz, për të luftuar përkrah kryengritësve greke… Marko Vafiadhis vjen pa ndonjë lajmërim paraprak në Tiranë. Për këtë arsye Enver Hoxha nuk e takoi, por ngarkoi një anëtarë nga Byroja Politike për të biseduar me të. Gjatë takimit Marko Vafiadhi i parashtron qeverisë shqiptare kërkesat e mëposhtme:

  1. Të dërgohen 3.000-4.000 mijë çamë për Ushtrinë Demokratike Greke nga 18.000 mijë që jetonin në Shqipëri, të dëbuar prej forcave të Napoleon Zervës.
  2. Nga 25.000 mijë refugjatë grekë të cilët të shumtit ishin të etnisë maqedonase që ndodheshin në Shqipëri, të organizoheshin në 3-4 qendra për tu dërguar në ndihmë të Ushtrisë Demokratike Greke.
  3. Të vazhdojë dërgimi i armatimit dhe në kohën më të shkurtër të dërgohen 10-12 topa.
  4. Të shqyrtohet perspektiva e ndihmës ekonomike me ushqime dhe veshje për Ushtrinë Demokratike.
  5. Të mënjanohen ndërmjetësimet ekzistuese deri sa të vendosen lidhje të drejtpërdrejta.

Për sa u përket çamëve, pala shqiptare e konsideroi që nuk mund të përbëjnë faktor ndihmë. Shqiptarët nga Çamëria nuk do të donin të shkonin në luftë. Por edhe për ata që do të dëshironin të luftojnë për krah forcave komuniste, ekzistonte rreziku të binin nën ndikimin amerikan. Për këtë çështje u dha përgjigja se: “tash për tash, kjo nuk është e mundur, duke marrë parasysh interesat e Ushtrisë Demokratike Greke, por do të bënin ç’të mundeshin të ndihmonin në kohën e duhur me ato që kishin mundësi…”.

Sipas të dhënave, politikanët grekë të kohës e pranonin që çamët ishin përzënë nga shtëpitë e tyre në Greqi nga forcat raciste të Napoleon Zervës. Në kërkesën e qeverisë demokratike greke pranohet se janë përzënë rreth 18 mijë çamë, por në fakt ky numër ka qenë më i madh. Me rëndësi është se pranohen dëbimet masive. Marko Vafiadhis, ishte një politikan me emër i cili pasi jetoj rreth 23 vite në Bashkimin Sovjetik dhe u kthye në Greqi në vitin 1983. Më 1989-1990 ishte deputet në Kuvendin e Greqisë i partisë së PASOK-ut. Në vitet 1972 – 1982 qeveritë greke nxorën ligje që u lejohej çdo shtetasi grek i përzënë të rikthehej dhe të merrte pasurinë ose kompensim. Nga këto ligje për t’u rikthyer u përjashtuan shqiptarët çamë edhe sllavo-maqedonasit e Egjeut pasi ligji përcaktonte se i faluri duhej të kishte kombësinë greke dhe në mërgim të kishte mbajtur qëndrim kombëtar grek.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas