Kryesore, Mapo Format

Botimet e UET-PRESS, Rrahman Parllaku: Të dënuarit politikë nuk hakmerren, dosjet të hapen për të mësuar të vërtetën

Pas botimit të “UET Press” të librit “Zëra nga Errësira” të Eni Vasilit, që sjell dëshmitë rrëqethëse të personazheve që vuajtën në burgje dhe internime, hapet debati i madh mbi të vërtetat e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe personazheve që fshihen nga pas. Gjenerali Rrahman Parllaku që ishte protagonist në Luftën e Dytë Botërore, jetoi për disa vite paqen, punoi në sistem, kaloi 16 vjet e tre muaj në burgun komunist dhe pleqëroi në demokraci, ka si kërkesë hapjen e dosjeve, të paktën ato që mbetën pa u zhdukur.

Jemi 28 vjet që nga përmbysja e sistemit komunist, ndërsa ka vetëm pak që ka nisur hapja e dosjeve, ndonëse me ritëm të ngadaltë. Po tani a mund ta përballojmë të vërtetën?



Shumë dokumente janë zhdukur, kushdo që kishte mundësi dhe e dinte të shkuarën e tij, punoi për t’i fshirë këto dosje. Megjithatë disa kanë mbetur. Është e vështirë të futesh në hollësi se kush ishin këta njerëz që fshinë emrat e tyre dhe eliminuan dosjet të cilat i bëni me përgjegjësi për vuajtjet që kaluan shqiptarët në burgje dhe internime, por me kohë të gjithë dosjet e mbetura duhet të ishin hapur. Nuk është çështja që të dalin disa emra, të sulmohen disa njerëz që me veprimet e tyre çuan drejt dënimit të pafajshëm. Puna është që dosjet të hapen dhe të dihet ç’është diktatura, çfarë ka bërë diktatura dhe të mbetet në kujtesën e njerëzve, sepse njerëzit duhet t’i kujtojnë gjërat çfarë ka qenë, si kanë kaluar, si ka vuajtur populli dhe të nxirren mësimet për brezat. Sepse edhe sot e kësaj dite diktatura nuk është dënuar. Duhet që kujtesa të jetë e vërtetë dhe e dokumentuar.

Ndryshe ka ndodhur me vendet e tjera të regjimit komunist. Dosjet u hapën sapo u përmbys pushteti. Pse kjo vonesë në vendin tonë, nga çfarë druhemi që e vërteta të dalë, mos ndoshta një ‘frikë’ hakmarrjeje? 

Përplasje nuk do kishte, sepse nuk u dënua njeri, nuk u persekutua njeri pas përmbysjes së sistemit. Përplasjet bëhen kur njerëzit hakmerren. Asnjë i burgosur nuk është hakmarrë. Sot po hakmerren se kush e ka vrarë para 70 vitesh gjyshin e stërgjyshin, por nuk është dëgjuar që një i dënuar politik të ketë kryer hakmarrje ndaj informatorit dhe persekutorit të tij. Çfarë pësuan fëmijët e diktatorëve dhe persekutorëve?! Askush nuk i ka prekur, madje akoma edhe sot e kësaj dite kanë privilegje. Çështja është që të dihet e vërteta. Nuk po ndalem se përse politika e njërës apo tjetrës anë e shtyu kaq gjatë çështjen e hapjes së dosjeve, kjo për mua është pa rëndësi. Që të gjithë duhet të kishin menduar që kjo çështje të ishte përfunduar me kohë. Këtu nuk është një çështje partie, por një çështje kombëtare. Kurdo që të hapen është mirë të hapen dhe ato që kanë mbetur të dihen. Pse mos t’i hapim edhe ne si gjithë bota. Çfarë të keqe do kishte që njerëzit të dinë çfarë ka ndodhur. Kujtesa historike është për të ecur në rrugë të drejtë. Për mua ka qenë kërkesë për t’u bërë. Duhen dokumentuar këto histori për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Për t’u ruajtur në kujtesën e njerëzve, që është e domosdoshme, duhet që gjërat të shkruhen. Do përdor një shprehje që e kam të rëndësishme: “Çfarë është shkruar me fjalë, nuk shkulet dot me sëpatë”. Brezat duhet ta dinë se e gjitha kjo nuk është hakmarrje, por është një përpjekje që ajo çfarë ka ndodhur të dokumentohet dhe mos të përsëritet më. Sepse ne e dimë se çfarë është hakmarrje dhe s’duhet të përsëritet.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas