Kryesore, Rusi 2018, Sport

Botërori: Sot mbyllen sfidat në grupe, Belgjika dhe Anglia përplasen për kreun

Sot do të përcaktohen edhe 2 çiftet e fundit të fazës së 1/8-ave të Botërorit, me Anglinë dhe Belgjikën, që do të njihen me kundërshtarët e tyre të Grupit H.

Pikërisht në këtë grup janë tri skuadra që kanë mundësi të vijojnë më tej, Japonia, Senegali dhe Kolumbia, ndërsa Polonia, me 0 pikë në dy ndeshjet e parë, luan vetëm për statistikë, sepse praktikisht është e blinduar në vendin e fundit.



Në orën 16:00, në “Volgograd Arena” Japonisë do t’i mjaftonte edhe barazimi me polakët për të vijuar më tej, ndërsa sfida mes Senegalit dhe Kolumbisë në “Cosmos Arena” të Samarës luhet për gjithçka. Përfaqësuesja afrikane ka në dispozicion edhe barazimin, ndërsa Kolumbisë i duhet patjetër fitorja për të mos u varur nga rezultati i takimit tjetër. Ekziston një skenar, sipas të cilit, nëse Senegali barazon me Kolumbinë dhe Japonia humbet me Poloninë atëherë do të ishin “Samurait” ata që do të largoheshin nga Botërori.

Në Grupin G është një situatë e pazakontë, sepse Anglia është në vendin e parë vetëm falë kriterit të fair play-t. Edhe Belgjika ka 6 pikë dhe golaverazhi është i njëjtë 8-2, por “Djajtë e Kuq” janë ndëshkuar me një karton të verdhë më shumë. Sfida mes tyre, që do të zhvillohet në orën 20:00, do të përcaktojë ekipin kryesues, që do të përballet me skuadrën e dytë të Grupit H.

Sa i përket ndeshjes tjetër Panama-Tunizi, ajo do të luhet vetëm për krenari, pra për të shmangur vendin e fundit. Afrikano-veriorët janë të tretët vetëm falë golaverazhit më të mirë, që do të thotë se edhe me një barazim e ruajnë pozicionin e tyre, raporton SuperSport.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas