Mapo Format

Bonusi: Mjekët, që lanë Europën për të punuar në Shqipëri

Por bonusi për këta mjekë nuk do të zgjasë shumë, mendohet diku deri në 2020, pasi në janar të vitit 2019 dalin 290 specializantët e rinj; 18 kardiologë, 12 kirurgë, 4 neurokirurgë, 18 gjinekologë dhe pritet të mbushin disi boshllëkun e mjekëve nëpër rrethe.

Ikja e mjekëve drejt vendeve të BE-së, kryesisht Gjermani e Itali si dhe ndërprerja e specializimeve 4 vjet më parë ka krijuar mungesa në sistemin shëndetësor. Shumë spitale në vend vuajnë mungesën e mjekëve specialistë, sidomos në zona të largëta ku mungojnë kardiologë, kirurgë, obstetër gjinekologë e të tjerë. Përballë kësaj gjendjeje, qeveria përpiqet të joshë bluzat e bardha me “oferta”, ku një muaj pune në këto spitale shkon 2.5 milionë lekë të vjetra bonus, plus rrogës mujore. Kardiolog, Onko-Radioterapeutë, Anestezist- Reanimator, Imazherist, kanë braktisur Europën për të punuar në spitale. Magneti që me sa duket po tërheq mjekët specialistë drejt Shqipërisë është oferta financiare. Kjo për mjekët që pranojnë të shkojnë në spitalet e rretheve atje ku ka mungesë të kirurgëve, kardiologëve, imazheristëve, neurologëve, pediatërve etj. Në fakt, “ofertës”, goxha të majme e Ministrisë së Shëndetësisë i janë përgjigjur fare pak mjekë, deri tani 13 specialistë, të pamjaftueshme për të mbuluar mungesën e thellë të mjekëve. Por bonusi për këta mjekë nuk do të zgjasë shumë, mendohet diku deri në 2020, pasi në janar të vitit 2019 dalin 290 specializantët e rinj; 18 kardiologë, 12 kirurgë, 4 neurokirurgë, 18 gjinekologë dhe pritet të mbushin disi boshllëkun e mjekëve nëpër rrethe.



Mjekët

Ata mjekë që kanë vendosur të shkojnë në spitalet e rretheve kanë nënshkruar një kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë, nga 6 muaj e deri në 1 vit, me të drejtë rinovimi. Rinovimi i kontratave bëhet nisur nga nevojat që kanë spitalet për këto specialistë, teksa shpresohet të ulen boshllëqet me hapjen e specializimeve të reja dhe daljen e specialistëve. Nga 13 mjekë specialistë që punojnë aktualisht në këto spitale, gazeta “Mapo” ju sjell rrëfimet e tre mjekëve me eksperiencë që braktisën punën e tyre në Itali dhe Gjermani dhe zgjodhën Shqipërinë për të ushtruar profesionin. Rasti në fjalë është e një mjeke me eksperiencë në spitalet europiane si dr. Bianka Shima kanë zgjedhur Shqipërinë për të ushtruar profesionin. Dr. Shima është diplomuar për Mjekësi dhe Kirurgji pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë Itali me rezultate të shkëlqyera. Ka marrë titullin Mjeke Specialiste Onko-Radioterapeute pas përfundimit të specializimit afatgjatë 5-vjeçar në Radioterapi Onkologjike pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit “La Sapienza”, Policlinico “Umberto I” në Romë. Si mjeke specialiste në Radioterapi Onkologjike, me një eksperiencë formimi dhe pune disavjeçare në Romë dhe aktualisht në QSUT ka realizuar trajtime të pacientëve onkologjik, edhe të moshës pediatrike, nëpërmjet teknikave më të avancuara në fushën e Radioterapisë. Ndërsa doktor Martini ka lënë Italinë për të kryer shërbimin e tij në Spitalin Rajonal të Korçës. Quhet Martin Mano dhe është mjek kardiolog. Ka mbaruar studimet e larta në Itali, atje ku edhe ka studiuar dhe specializuar në Kardiologji në Universitetin e Veronës, spitali i Veronës. “Pasi mbarova shkollën”-tregon mjeku-“nisa punë pak me vonë në një spital të Venetos, ku punova pothuaj dy vite aty. Në janar lexova një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë ku shpalleshin vende vakante për mjekë specialistë në spitalet rajonale me bonus dhe mendova të aplikoja sepse e kam pasur përherë dëshirë të punoj në spitalin e qytetit tim, aty ku jam rritur, ku jam lindur, ku kam miqtë, familjen dhe ky ishte një stimul i mirë për ta provuar. Mora përgjigje pozitive nga Ministria dhe dhashë dorëheqjen nga spitali ku unë punoja. Ndërkohë që unë u ktheva në Shqipëri, prita aprovimin e bonusit dhe emërimin në spitalin e Korçës. Për momentin jam në fazat e ambientimit, por që shpresoj të bëj ndonjë gjë të mirë për komunitetin dhe për qytetin e Korçës dhe për shëndetësinë në përgjithësi”, përfundon doktori. Mjeku anestezist-reanimator Fatmir Xhemali, ka lënë punën si mjek në Gjermani për t’u punësuar me bonus në spitalin e Dibrës. Fatmir Xhemali, anestezist reanimator, ka punuar me kontratë në Gjermani në dy lande dhe se eksperienca që fiton nga Gjermania, qendra e Europës nuk diskutohet. Ai shprehet se ka përfituar shumë eksperiencë të qenësishme në aspektin e koncepteve bazë që duhet të ketë mjeku, në konceptin e anestezisë së përgjithshme. Por se kthimin në atdhe e për arsye familjare si dhe edhe joshja nga Ministria e Shëndetësisë, bonusi. “Ky është një fillim i mirë për mjekët, një bazë, të tjerat duke ardhur duke bërë. Kjo është bazë jetike për mjekët që kanë punuar jashtë dhe duan të kthehen këtu. Pata një komunikim me shokun tim, ai ma lavdëroi shumë Dibrën, lavdëroi jo thjesht spitalin, lavdëroi popullin tim. Sepse është shumë e rëndësishëm ambienti ku punoj dhe të jem i sinqertë më doli më mirë nga sa e kisha parashikuar”- shprehet doktor Xhemali. Por jo vetëm nga jashtë japin shërbim në këto spitale, të shumtë janë edhe specializantë të rinj të cilët kanë nënshkruar kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ushtrojnë profesionin e tyre në spitalet e Shkodrës, Beratit, Fierit etj.

Situata

Mjekë që vijnë dhe mjekë që ikin prej vendit tonë. Në fakt vetëm dy vitet e fundit 300 mjekë janë larguar nga Shqipëria. Kryesisht të rinj, mjek të përgjithshëm dhe specialistë kanë braktisur vendin për një pagë më të mirë, më me pak strese, mundësi më të mëdha për t’u rritur profesionalisht e për të bërë një karrierë. Të dhënat bëhen publike nga raportet e Urdhrit të Mjekut, dhe dr. Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë kërkon që të gjitha strukturat shtetërore dhe jo shtetërorë të mos neglizhojnë largimin e mjekëve. “Ai duhet vlerësuar drejt sa herë që hartojmë politika shëndetësore dhe të përgjithshme me qëllim dhe synim që mjekëve tanë t’iu ofrohen të gjitha mundësitë për të zhvilluar karrierë profesionale në këtë vend, për të arritur ambiciet e tyre profesionale dhe e gjitha kjo të konvertohet në përmirësimin e standardeve të kujdesit shëndetësor të ofruar të sëmurëve dhe qytetarëve të këtij vendi” -shprehet Brahimaj. Por përse po boshatisen spitalet tona? Një pyetje që shumë kush e ngre e në fakt duket se brenda pyetjes është edhe përgjigja. Mungesa e vlerësimit, rritjes profesionale, mungesa e kushteve, vlerësimi financiar dhe ai moral janë çështje që ende largojnë mjekët tanë nga Shqipëria. Ndërsa ata që kthehen mbase joshen nga ofertat e momentit por që realiteti dhe situata me të cilën përballen sigurisht që lë shumë për të dëshiruar, aq sa bëhen edhe pengesë për ushtrimin e profesionit të tyre.

PasPara

1 koment

  1. MJEKEVE DUHET ME DETYRIM TU BEHET 3 VJET STAZH KU KA NEVOJE VENDI DHE PASTAJ TE MARIN DIPLOME E SPECIALIZIM NJEKOHESIT…..!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas