Aktualitet, Kryesore

Bllokohet nga sot autostrada Tiranë-Durrës, nis rikonstruksioni i rrugës, ja si do lëvizin mjetet deri më 1 korrik

Duke filluar nga dita e sotme, autostrada Tiranë-Durrës do të mbyllet, për shkak të rikonstruksionit. ARRSH njoftoi dy ditë më parë mbylljen e autostradës, duke sqaruar se duhet ndërhyrje emergjente, pasi rruga është shndërruar në rrezik për qytetarët.

Nga ana e saj, policia ka bërë thirrje për shmangien e këtij aksi, ku makinat që ikin nga Tirana drejt jugut kërkohet kalimi nga Elbasani, ndërsa për në Durrës dhe veri kalimi do të bëhet nga rruga dytësore. Sot dhe nesër do të bllokohet dhe kryhet ndërhyrja në segmentin e parë nga Qafë Kashari në drejtim të Vorës.



Pas përfundimit në segmentin Qafë Kashar – Vorë do të fillojë ndërhyrja në segmentet e tjera, ndërsa ndërhyrja për gjithë autostradën në dy senset do të realizohet gjatë muajit Qershor. Në këtë ndërhyrje do të riparohen shtresat në pjesët e dëmtuara dhe jo gjithë gjatësia e rrugës. Pra bëhet fjalë për riparim të shtresave rrugore në zonat e dëmtuara të cilat krijojnë probleme qarkullimi.

ARRSH më poshtë jep edhe devijimin e rrugës si pasojë e ndërhyrjes për mirëmbajtjen:

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore informojnë median dhe opinionin publik se duke nisur nga dita e hënë (dt.11 Qershor), në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performance të Bankës Botërore do të fillojë ndërhyrja emergjente për riparimin e shtresave asfaltike në aksin Qafë Kashar – Durrës dhe Durrës – Qafë Kashar. Ndërhyrja për gjithë autostradën në dy senset do të realizohet gjatë muajit Qershor. Ditën e hënë do të fillojë ndërhyrja në segmentin e parë Qafë Kashar – Vorë.

ARRSH dhe Policia Rrugore kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë Rrugore është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Gjatë ditës së Hënë dhe të Martë do të bllokohet dhe kryhet ndërhyrja në segmentin e parë nga Qafë Kashari në drejtim të Vorës. ARRSH dhe Policia Rrugore u kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:

· Lëvizja e mjeteve të rënda në drejtim të veriut duhet të bëhet përmes Kamzës nga rreth rrotullimi Casa Italia.

· Autoveturat që shkojnë në drejtim të Durrësit do të përdorin daljen tek pika e furnizimit Kastrati dhe mbikalimin për Kashar në drejtim të Vorës.

· Drejtuesit e mjeteve që kanë si destinacion jugun, duhet të përdorin drejtimin nga Elbasani si dhe kthimin për Tiranë të përdorin sërish drejtimin nga Elbasani.

· Mjetet me kalim nga Rinasi drejt Durrësit duhet të përdorin rrugën dytësore Qafë Kashar-Vorë (300 m përpara mbikalimit të Kasharit) ose në drejtim të aksit Rinas-Vorë në drejtim të doganës.

· Në mënyrë të veçantë drejtuesit e mjeteve që përdorin segmentin Tiranë-Durrës dhe kthim duhet të përpiqen të zgjedhin drejtime alternative sipas udhëzimeve që do të jepen në vazhdimësi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore.

· Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë Rrugore dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqëndruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.

· Ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë.

Pas përfundimit të ndërhyrjes në segmentin Qafë Kashar – Vorë do të fillojë ndërhyrja në segmentet e tjera për të cilat ARRSH dhe Policia Rrugore do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe informojnë opinionin publik.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas