Aktualitet, Kryesore

“Betonierja po penetron në kryeqytet”

Në Tiranë, OSBE dhe studentë të arteve morën pjesë në një veprimtari kushtuar krimeve mjedisore.

Ata hapën një ekspozitë me vepra të arteve pamore, ku shprehën shqetësimin e tyre mbi dëmtimet e mjedisit.



Diplomatë dhe artistë kërkuan bashkëpunimin e gjithëve palëve për të mbrojtur natyrën shqiptare nga goditjet e papërgjegjshme të ndërtimtarisë.

Një betoniere që bluan lulet dhe pemët. Ky ishte mesazhi i ekspozitës “Krimi Mjedisor” pranë Universitetit të Arteve.

Artistët e rinj shprehën sot shqetësimin e tyre mbi goditjet që po i bëhen mjedisit shqiptar.

Drejtuesi i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, vlerësoi sot si problematike gjendjen e mjedisit dhe kërkoi angazhimin e të gjitha palëve për ta rregulluar atë.

“Raportet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se krimi mjedisor është një nga krimet më shpejt të përhapura në botë. Të rinjtë reflektuan për këtë dhe e shndërruan në punime arti me mesazhe të forta, që dicka është gabim. Duke mbështetur këtë konkurs, ne po mbështesim qeverinë në këtë përballje, dhe shpresojmë që mund të mbështesim shoqërinë për t’u përballur me këtë krim” – tha ambasadori Borchardt.

Ai tha se sa i takon Tiranës, situata mjedisore në Tiranë ka anët pozitive dhe ato negative.

“Nga një anë qyteti është pastruar shumë qyshkur unë erdha këtu fillimisht. Nga ana tjetër trafiku i madh i automjeteve shkakton më shumë ndotje. Nuk është aq keq sa në dimrin e 2007 / 8 kur gjeneratorët pushtuan qytetin me zhurma dhe makinat e shumta ndotnin ajrin që thithim” – tha ambasadori Borschardt.

Betonierja po penetron në kryeqytet. Shumica e njerëzve në Shqipëri duan të jetojnë në Tiranë dhe për këtë duhet akomodim. Por plani i tyre nuk është respektuar ndër vite. Në 25 vitet e fundit u ngritën së paku 160 mijë objekte pa leje, duke shkelur ligjet e ndërtimit dhe duke ndikuar në qytet, dhe kjo ndjehet në qytet. Unë e ndjej nxehtësinë e betoniereve të ndërtimit” – tha zoti Borchardt.

Ambasadori Borchardt i bëri këto komente në hapjen e një ekspozite konkurs të arteve pamore, me temë “Krimi mjedisor” në galerinë “FAB” pranë Universitettit të Arteve. Studentë të Arteve të Bukura sollën punimet e tyre në veprimtarinë e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Mesazhet në veprat e studentëve janë të forta dhe të qarta. Janë ngjarje, që na prekin dhe na revoltojnë. Dëmet që i shkaktojmë mjedisit është një sfidë lokale që kërkon përgjigje globale, por studentët kanë sjellë përvojat e tyre dhe kjo i bën veprat e tyre shumë të prekshme” – tha Ardian Isufi, dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura.

Ky është viti i dytë që Universiteti i Arteve bëhet mikpritës i ekspozitave – konkurse me tema të spikatura vjet me “Përballja me të kaluarën” dhe “Ekstremizmi i dhunshëm”, ndërsa sivjet me temë si “Krimi Mjedisor”.

Artistët besojnë se artet pamore mund të ndikojnë mbi vëmendjen e qytetarëve.

Vitin e kaluar ekspozita ishte mbi ekstremizmin që duhej përballur, ashtu si ai lufton kundër artit me shkatërrimin e skulpturave, librarive, e pikturave.

Edhe arti, pohojnë ata, mund të dërgojë mesazhet e veta kundër krimit dhe dhunës, ashtu si ka bërë përgjatë shekujve./voa

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas